Ditën e stinës së kuqërremtë
Vdiq babai im,
Në Spitalin e Përgjithshëm të Prishtinës
Pas operacionit të gjatë, të gjatë katërorësh,
Nga një sëmundje e verdhë. Krejt e verdhë!
Pastaj thanë se lëngoi nga kanceri.
Dhe, hulumtuan sëmundjen larg e larg,
Me skalpel e dritën e kaltër të sallës së operacionit,
Në një ditë të stinës së kuqrremtë, të stinës së pjekur,
Babai im i shërbeu edhe shkencës.
Biografia e tij nuk është e bujshme, e fryrë.
Katundar. Murator.
Suvator i soliterëve. Shkollave. Vetshërbimeve,
Dhe i Spitalit të Përgjithshëm të Prishtinës.
Muroi edhe shkollën e katundit të vet.
Muret. Kulmet. Trotuaret.
Suvatoi rrethet e dritareve,
Mandej u vuri kornizat, xhamet,
Pesëdhjetekatër dritareve.
Nën atë kulm
Nëpër ato dritare me sy fëmije
Botën e shikuan të gjithë pasardhësit e tij.
Tash në dritaren e njëmbëdhjetë
E shikon botën me sy çelur
Fëmija i shtatë i babait,
Motra e klasës së pestë, Lumnija…
Biografia e tij nuk është e bujshme, e fryrë.
Katundar. Murator.
Suvator i soliterëve. Shkollave. Vetshërbimeve
Dhe i Spitalit të Përgjithshëm të Prishtinës.