Mbrëmjeve flasin
Për këngët e vjetra
Flasin
Për ditët pleqërishte
Për Luftën e Parë,
Për luftën e Dytë,
Për kohën e Serpit.
Flasin për Luftën e Tretë Botërore.
Për ditët e acarta flasin,
Për ditët me mjegull të dendur,
Kur ujqit presin me lehtësi berret e humbura
Në Lugjet e Kronit.
Flasin
Pleqtë e katundit tim
Për historinë
E koklavitur
E zhubrosur,
Për plisin dhe prejardhjen e tij
Mbi kokat e tyre.
Flasin
Pleqtë e vendlindjes sime
Për fushat
Malet
Arat me misërishte
Për grunajat që shkëlqejnë në sytë e tyre.
Flasin
Pleqtë e katundit tim
Për jetën dhe ngjyrat e dhembjes
Për jetën dhe ngjyrat e gëzimeve
Flasin
Për djemtë
Mbesat
Dhe nipërit
Pleqtë e katundit tim.
Flasin
Për këngët e tyre
Të lashta
Të vjetra
Të reja
Flasin për dialektikën.
1983