| Letërsia Shqiptare | ||||
|
Parajsa I E diel, 17-06-2007, 07:24pm (GMT) O vëllezrë shqipëtarë!
Pa të zëm' udhën e mbarë, T'i bijem pas urtësisë Dhe dritës e diturisë, Të mos rrimë n'errësirë, Se nuk është pun' e mirë. Neve që qemë njëherë Në gjithë botët të ndjerë, Dhe të par' e të lëvduar, E të rënd' e të dëgjuar, Trima të fort e të mirë, Të rrimë sot n'errësirë. . . . . . . . . . . . . . Ishin trima prindit tanë, Pa emrë përjetë lanë. Aleksandr'i Math i ndjerë Dhe shumë shokë të tjerë, Q'ishinë me të të parë, Qenë gjithë shqipëtarë. Muntnë së pari Greqinë, Pasdaj muntnë dhe Persinë. Zunë dhe Hind e Afrikë Burratë trima pa frikë. Faqen e dheut e fituan, Më çdo anë mbretëruan. Selefqinjtë, Ptolemenjtë, Gjithë ç'qenë të mbëdhenjtë, S'qen' as grekrë as bullgarë, Ishin burra shqipëtarë. Kombinë tën e nderuan Dhe Evropën e shpëtuan Nga kurt' i zi i Persisë, Dh'i dhanë nder Shqipërisë. Pirrua romanët mundi E gjithë jetën e tundi. Kostandin'i Math, q'i thonë, Dh'ajy ish nga fara jonë. Gjithë njerëzit e mbarë, Thua, qenë shqipëtarë. Shqipëtari ka lëftuar, Dhe ajy ka mbretëruar. Aleksandr' i Math Greqinë E kishte bërë të tinë, Me luft' e kishin marë Prindit tanë kordhëtarë, Pa në Thivë njerës lanë, Thivasit u ngren' i vranë, I vranë me të pabesë, Pas zakonit të Moresë. Shqipëtarët kordhëtarë Thivësë i vunë zjarrë! S'i kursyenë gjë zjarit, Vetëm shtëpin' e Pindarit, Se ish vjershëtor i ndjerë Dhe i parë mi të tjerë. Shqipëtarët pas Greqisë Iu lëshuanë Asisë, Njeri kurrë nuk i mundi, As u qëndroi dot gjëkundi, Gjithë përpara i vunë, Faqen e dheut gjith' e zunë. Burr' i math i Shqipërisë Ndënji në fron të Persisë, E arratisnë Daranë, Njerëzit e ti e vranë! Aleksandri dha lirinë, E shpëtoi nga zgjedh' Asinë, I dha nder dhe Shqipërisë, Mëmës së ti, q'i dha sisë, Përkujdesi njerëzinë Dhe pruri qytetërinë, Bëri udhë e qytetë, Pru gëzim në gjithë jetë Edhe sot Aleksandria Na rrëfen punët e tija. Evropën e ka shpëtuar Nga një zgjedh e mallëkuar. Këto punë shqipëtarët I bënë, ata të parët, Ata të parëtë tanë, Edhe emërë na lanë. Edhe Pirroja ish burrë, Që s'ka pasur shokë kurrë. Ay romasit i mundi, Italinë tër' e tundi; Tekdo që kishte lëftuar, Botën e kish tëmerruar. Kështu edhe shumë të tjerë Shqipëtar' ishin të ndjerë. Ishte mëm' e trimërisë Edh' e zonj' e urtësisë Shqipëria kurdoherë, Që nxirte burra të vlerë. Trima burra të vërtetë Sa kanë qënë në jetë Të gjithë ajo i polli, Trimëria soje dolli. Qe dhe një koh' e një ditë, Që polli dhe perënditë, I pat pjellë Shqipëria, Pa u falej njerëzia, Dhe besoninë qëmoti Që në Shqipëri rrij zoti, Vij rremet i njerëzisë, E i falej Shqipërisë. Tomori nuk ësht' i pakë, Që nxjer dhe sot zë pa flakë, Se rrininë perënditë Ndë atë natë e ditë! Prindit tanë i besonin Perëndit' e s'i mërgonin. Perëndi e trimërisë Ishte mëm' e Shqipërisë. Shqipëtari trim me fletë Rronte gjithënjë në jetë, Shigjet' e ti vrëngëllinte, Vdekjenë me vet' e shpinte! Perëndi e bukurisë Me shijët të gjithësisë, Q'ësht' e bardhë si dëborë Nuk e lij kurrë Tomorë, Flinte në shtratthit të artë Shtat' i bardhë posi kartë. Leshërat i kish të arta Edhe faqezët të zjarta, Ballë, gushë, krahëruar, Llërë, pulpë, këmbë, duar, Prej drite ishinë bërë, Sikundër dhe trup' i tërë. Si dëbor' e kishte gjinë, Pa sill nër mënt bukurinë! Kur kthehej e të shikonte, Zëmrënë ta përvëlonte. Zën' e kishte si bilbili, Faqetë si trëndafili, Diellin e urdhëronte, Në gjit të saj perëndonte, Në shtratthit të saj e vinte, Edh' e mbant' e nuk e linte, Tërë natën e pushtonte, Pa në mëngjest e lëshonte. Hëna këto duke parë, Dhe duke tretur e tharë, Ligej fort shum' e drobitej, Kahënitej e venitej, Se i haj zëmrën nakari, Që djek i shkreti si zjarri. Perëndi e bukurisë, Q'i ip dritë njerëzisë, Nga gjir' i saj dritë qitte, Hënënë e përsëritte, I ip pjesë bukurie Edhe shij' e drit' e hije. |
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||