Letërsia Shqiptare
Dergoni krijimet tuaja - Email: admin@zemrashqiptare.net
E marte, 02-12-2008, 09:07pm (GMT) Letersia STAFI RSS Lidhje Harta Kontakt
 
 
::| Kerkoni:       [Kerkim i Avancuar]  
 
Kategorite  
Ekskluzive
Kritika - Analiza
Libri
Informacione
Intervista
Gjuha Shqipe
Poetët e Zemrës
Autorët A
Autorët B
Autorët Ç
Autorët D DH
Autorët E
Autorët F
Autorët G-GJ
Autorët H
Autorët I
Autorët J
Autorët K
Autorët L-LL
Autorët M
Autorët N
 » Naim Frashëri
 » Ndoc Gjetja
 » Nasi Lera
 » Ndoc Papleka
 » Ndue Hila
 » Ndue Marku
 » Net Isveizi
 » Nikollë Filja
 » Niko Nikolla
 » Nonda Bulka
 » Nuhi Vinca
 » Neki Ago
 » Naim Berisha
 » Nënë Tereza
 » Nerinda Hysa
 » Ndue Ukaj
 » Ndre Zadeja
 » Nikollë Mazreku
 » Nijazi Ramadani
 » Niko Tyto
 » Nezir Sefaj
 » Nexhat Z. Rexha
Autorët O
Autorët P
Autorët Q
Autorët R
Autorët S-SH
Autorët T-TH
Autorët V
Autorët XH
Autorët Y
Autorët Z
English
Letërsia Botërore
Zemra Shqiptare
Forumi
Njohje
Galeria
Direktoria
Lojra
Chat
::| Email Lajmerues
Emri:
Email:
 
 
 
Autorët N » Nasi Lera
 
Çastet e fundit të diellit
E diel, 17-06-2007, 02:23pm (GMT)

R.Zh.

Ajo ndaloi e trembur. Kishte bërë tërë atë rrugë pa ecur. Deri aty nuk e kishte sjellë njeri, kishte ardhur vetë, por për të ecur nuk kishte ecur. Vështroi përqark dhe pa se asgjë nuk kishte ndryshuar. E njëjta shkreti guri. E megjithatë deri aty kishte ardhur vetë, me këmbët e saj. Por pa ecur. As lodhje nuk ndjente. Ishte e sigurtë që kishte ecur dhe çuditërisht nuk ndjente asnjë lodhje, si të mos kishte ecur. Por ajo ishte e sigurtë që kishte ecur. Ndoshta atë ditë kishte ecur më gjatë se kurrë në jetën e saj. E vetmja gjë për të cilën nuk dyshonte atë çast ishte pikërisht ecja. Donte të ulej diku. Sa mendoi këtë u drodh. Dielli hante minuatat e tij nën një ftohtësi të bardhë, si një qënie që ha krijesat e veta. Asnjëherë nuk i kishte shkuar në mendje se dielli hante minutat nën një ftohtësi të bardhë. Fshiu ngadalë ballin, si të bënte patjetër një lëvizje. Sepse i dukej sikur brenda saj gjithçka po ngrinte nën minutat që përtypte dielli. Dhe vështroi rrugën me dy sy që nuk ishin të saj. Dhe për herë të parë ndjeu se deri aty nuk kishte ardhur vetë. Por ajo ishte e sigurtë se deri aty kishte ardhur vetë, nuk e kishte sjellë kush. As vetë nuk e dinte ku ishte. Dhe të kthehej atje ku nisi rrugën, për ta nisur përsëri, që ta ndiente se po ecte, nuk kthehej dot. Sepse nuk e dinte kur ishte nisur. Dhe tha se për ta vazhduar rrugën duhet patjetër të kujtonte kur ishte nisur. Mendoi se do ta kishte të lehtë ta kujtonte. Nuk e kujtoi dot. Iu kujtuan menjëherë të gjitha nisjet që kishin ndodhur në vite të ndryshme, si të kishin ndodhur në një ditë. Dhe mes tyre e kishte të vështirë të veçonte njërën. Nuk kishte rëndësi kë. Mjaftonte të veçonte njërën. Le të kishte filluar edhe para njëqind vjetësh. Ndoshta edhe më parë. Donte vetëm të ndjente se kishte ecur.

Ngriti kokën dhe me sytë e saj pa shkretinë e gurit. Ajo nuk u habit përse gjendej atje, ajo u habit si kishte ardhur deri aty. Se vërtetë kishte ardhur deri aty, por nuk kishte ecur për të ardhur aty. Kishte ecur në të tjera rrugë dhe papritur ndodhej në një rrugë që nuk e njihte dhe nën një diell që përtypte minutat e tij, si një qënie që përtyp krijesat e veta. Asaj iu kujtua se kur ishte nisur (iu kujtua nisja si nisje, por aspak koha) e kishte kaluar në mendje këtë rrugë, mes asaj shkretie guri, po deri këtu nuk kishte ardhur duke shkelur mbi të. Kishte ecur në disa rrugë të tjera që tani i ishin shuar nga mendja. Ato e kishin sjellë deri këtu dhe pastaj ishin shuar. Prandaj dhe nuk e kishte ndjerë se kishte ecur. Në ato rrugë nuk të vritej këmba, megjithëse ishte e sigurtë se edhe ato ishin si të gjitha rrugët, me gurë që të futeshin në këpucë. Atë ditë ato as e kishin vrarë dhe ajo as i kishte ndjerë si të mos kishte ecur. Po deri aty atë nuk e kishte sjellë kush, kishte ardhur me këmbët e saj. Nuk donte ta besonte se kishte ardhur me këmbët e saj, ashtu si nuk donte ta besonte se ndodhej aty. Nuk do habitej sikur të ndodhej kudo, vetëm në atë shkreti guri nuk kishte pse të ndodhej. Dhe ndjeu një dhimbje të mprehtë në tërë trupin e saj. Tani dielli në vend të minutave përtypte dhimbjen dhe ngjyrën e flokëve të saj. Ajo rrugë ia kishte shtrydhur dhe ngjyrën e flokëve. Ishte zbardhur. Nuk kishte si ta shihte se ishte zbardhur, por dinte se ishte zbardhur. Prandaj nuk e kishte ndjerë atë rrugë. Sepse kishte qënë e padukshme, e heshtur, e thellë si zbardhja e flokëve. Dhe për ta ndjerë se po ecte u ul dhe hoqi këpucët...

Ajo pa nga larg portën e madhe. Dhe aty arriti në çastin e fundit të diellit. Por i mjaftoi një minutë për të gjetur vetveten. Nuk tha as edhe një fjalë. Dikush mori çantat e saj, dikush që ishte përtej portës së madhe. Dhe u largua. Diellit nuk i kishte mbetur as edhe një sekondë. Dhe ra nata. Dhe përtej portës së madhe nuk kishte njeri, përveç vetes së saj që ishte në të njëjtën kohë edhe jashtë portës edhe brenda portës. Këto dy qenie të tejdukshme nuk i shihte kush. Ato rrinin të heshtura përballë njëra – tjetrës dhe nga këmbët e zbathura të të dyjave rridhte një gjak i hollë. Sikur mos ishte ai gjak i hollë do të thoshe se aty para portës së madhe, nuk kishte njeri.

Dikush e kapi për krahu dhe i tha se nuk lejohej të qëndronte aty. Përtej portës ishte një shesh i vdekur. Ajo e shkeli atë shesh pa hyrë brenda. Këmbët e saj të zbardhura nuk e ndjenë tokën. Ndjen diçka tjetër. Ishte aq e lodhur. Mbi gurët e she@#%$ kërcenin hijet e natës. Dhe një erë e fortë që nuk lëviste as edhe një fije bari të thatë. Ajo kishte hyrë atje ku mund të hynte vetëm ajo. Dhe nuk e pa njeri. Vetëm ajo i pa të gjitha. I pa dhe floku i fundit që i kishte mbetur ende i zi, thithi tërë dritën e bardhë të një hëne të dekur. Pastaj një zë i tha se nuk mund të qëndronte më aty. E futën në një dhomë të zhveshur dhe e ulën mbi një stol. Ajo u mblodh dhe kujtoi tërë rrugën që kishte bërë. Sado që kishte nxituar nuk kishte arritur dot para perëndimit të diellit. Atë ditë dielli i kishte ngrënë më me ngut se çdo ditë minutat e tij. Unë nxitova, tha si e zënë në faj. Asnjëherë nuk kam nxituar më shumë. Lodhja po i përhapej në tërë gjymtyrët e saj, si të pohonte fjalët që kishte thënë. Pa se ishte ende zbathur. Nxorri çorapet dhe këpucët dhe i veshi. Kur ngjeshi këmbët në këpucë sa nuk i ra të fikët nga dhimbja që i shpoi zemrën. Këmbët i ishin enjtur. Vështroi tërë ndrojtje dhomën e zhveshur dhe të ftohtë dhe i hoqi përsëri këpucët. Ndoshta nesër nuk do ti kishte kaq të fryra. Nuk donte të shkonte në takim pa këpucë. Dhe nuk donte që ai të shihte këmbët e enjtura. I hoqa që të nxitoja sa më shpejt, po dielli i kishte gëlltitur si i babëzitur minutat e tij. Nuk i kishte lënë asaj qoftë edhe një minutë.

Më mirë që nuk e takova sot, tha. Sot i kam këmbët e enjtura. Nesër do të jenë çenjtur. Shtrëngoi pallton se pati ftohtë. Në dhomë ishte errësirë. Diku duhej të ishte çelësi i dritës, po asaj po i pëlqente ashtu të rrinte në errësirë. E kishte më të lehtë ta prishte ashtu mëngjesin. Ajo do të ishte e para që do të shihte përpëlitjen e natës dhe lindjen e mëngjesit. Për atë mëngjes kishte bërë gjithë atë rrugë. Po hyri dikush dhe ndezi dritën. Ajo u tkurr edhe më shumë në natën e palltos së saj. Dhe mbylli sytë që të mos shihte dritën. Në atë vend, një gropë e madhe, nata ishte tepër e gjatë. Dhe dielli kishte vite që groposte aty orët e tij të vdekura.

U hap dera dhe hynë dy gra të tjera. Edhe ato ishin të lodhura. Asaj i shkuan sytë tek këmbët e tyre.

Nuk i paskan hequr këpucët, tha. I erdhi rëndë që ishte në çorape. Po dy gratë e tjera nuk shihnin përtej dhimbjes së tyre. Ajo e kuptoi menjëherë këtë. Në atë dhomë njerëzit nuk shihnin dot përtej vetvetes. Ajo quhej dhomë pritje. Njerëzit aty rrinin si të ngrirë. Kaloi një kohë e gjatë dhe ajo vuri re gratë nuk kishin shkëmbyer as edhe një fjalë midis tyre. Drita elektrike ishte e zbehtë ngaqë poçi nuk ishte pastruar ndonjëherë. Pastaj u hap dera dhe hyri një burrë. Edhe ky ka bërë rrugë të gjatë. Ajo tha kështu se burri duhej të ishte rruar në mëngjes dhe tani i kishte dalë mjekrra. Qimet ishin të bardha. Burri ia mbërtheu sytë dyshemesë së pistë. Dhe ngriu. Ajo dhomë i ngjiste pak a shumë një morgu. Nga heshtja dhe nga vetmija që mbështillte njerëzit. Edhe burri nuk i kishte hequr këpucët. Deri nesër dhe mua do më jenë çenjtur këmbët, tha. Tërë fajin e kishte dielli.

I fundi hyri një djalë i ri. Ai kërkoi me sy ndonjë stol bosh dhe kur nuk pa, u ul pranë burrit, mjekrra e të cilit rritej me një shpejtësi të frikshme. Edhe djali i ri ngriu. Përtej qelqeve me pluhur ishte një natë e panjohur për të pestë. Muret e natës ishin të trashë dhe të ftohtë. Sepse të pestëve u dukej sikur nuk ishte në një dhomë me mure prej tulle, por në një dhomë me mure prej nate. Ajo ishte dhoma ku nuk rrinte dot një njeri. Kurse ata ishin pesë. Dhe ngjiteshin pas mureve të natës po nuk kishin gjumë. Ajo që i bashkonte ata të pestë ishte pritja e mëngjesit. Dhe gati çdo sekondë hidhnin sytë nga dritarja me frikë, se mos vinte mëngjesi dhe nuk e shihnin. Ata nuk kishin besim t’i thoshin njëri – tjetrit që katër të flinin dhe njëri të ruante mëngjesin. Po mëngjesin që prisnin nuk mund të ruhej nga një njeri, në atë dhomë. Në atë dhomë mëngjeset ruheshin duke qëndruar të gjitha zgjuar. Kjo nuk ishte shkruar diku, po njerëzit e mësonin pa ua thënë kush, sapo uleshin në stolat prej dru ahu. Stolat ishin ngrënë dhe nxirë. Njëri prej tyre kërciti. Djali i ri kishte dremitur dhe ishte zgjuar i trembur. Mbi fytyrat e grave u përhap një buzëqeshje që u kthye menjëherë në dhimbje. Edhe në fytyrën e burrit ndodhi e njëjta gjë. Mjekrra e tij vazhdonte të rritej në mënyrë të frikshme. Në mëngjes kishte rrezik të arrinte deri te këmbët. Burri i pëshpëriti diçka djalit, i cili u mbështet në supin e tij dhe e zuri gjumi. Gratë e harruan dhomën e natës sapo djalin e zuri gjumi. Sytë e tyre u mbërthyen te djali që flinte. Gjumi i tij po shkurtonte natën.

Kur djali u zgjua përsëri aty iu duk sikur nata nuk kishte lëvizuar nga ngurosja e saj. Ata pritën që djali ta zinte përsëri gjumi dhe kur panë që ai nxorri paketën dhe ndezi një cigare morën pamjen e tyre të parë. Secila u mbyll brenda natës së vet, ku koha kishte vite që kishte harruar të ecte.

Dikur edhe asaj iu duk sikur nata po çahej. Por u gënjye. Ajo që e habiti ishte se kur hodhi sytë nga dritarja, në të njëjtën kohë me të i hodhën edhe katër të tjerë. Dyshoi. Mos kishte harruar si thyhej nata? Largoi sytë nga dritarja dhe vështroi me kujdes katër të tjerët. Edhe ata kishin harruar si thyhej nata, si binte drita e mëngjesit. Dhe u tremb. Dhe katër të tjetër kishin të njëjtën frikë. Në atë dhomë koha nuk kapej dot. Ajo nuk kishte as orë, as minuta, as sekonda. Në atë dhomë koha ishte katër mure të trashë nate, pa plasaritjen më të vogël... Secili prej tyre ishte brenda një dhome me katër mure nate dhe secila prej këtyre dhomave ishte brenda një dhome më të madhe me katër mure edhe më të trashë nate.

Në fillim u plasarit dhoma e vogël, pastaj e madhja. Burrit i ishte rritur një gisht mjekrra e thinjur. Ajo pa këmbët. Nuk i ishin ç’enjtur. Vuri me zor këpucët dhe dhimbja i hyri si thikë në zemër. Shtrëngoi dhëmbët dhe priti që dhimbja e këmbëve të ëmbëlsohej pak. Po unë përse i hoqa këpucët, tha. Nuk e mbante mend përse i kishte hequr këpucët. As ku i kishte hequr. Përse i hoqa këpucët, tha përsëri. U hap dera dhe dikush hyri. Mori emrat në shënim dhe doli. Jashtë mëngjesi ishte i ftohtë dhe i bardhë. Përtej qelqeve lëviznin hije. Ajo nuk dalloi dot asnjë fytyrë. Dhe të pestë u bënë edhe më të largët se sa kur ishin brenda mureve të natës. Vështrimi i tyre vërtet ishte mbërthyer te e njëjta derë, po secili nuk priste të shihte të njëjtin njeri, si mund të kujtojë po t’i shihje natën e kaluar.

Dera po vonohej të hapej. Kur u hap të pestë u ngritën në këmbë. Dikush, para se të fliste, i vështroi me radhë në fytyrë.

-Po ti pse keardhur i parruar? – i tha burrit.

-U rruajta dje, kur u nisa.

-Pse për një ditë t’u bë kaq mjekrra?

-Nuk e di, - tha burri.

-Herën tjetër mos eja i parruar.

-Dje, kur u nisa, u rruajta, - tha i hutuar burri.

-Ata që do të dëgjojnë emrat do shkojnë në takim.

Kush dëgjonte emrin merrte çantën dhe dilte jashtë nga ajo dhomë. Ajo mbeti e fundit. Ai nuk po lexonte emrin e saj. Ai u mat të dilte jashtë.

-Po unë?! – tha ajo e mekur.

-Çfarë ti!

-Po unë nuk do ta takoj dot djalin?

-Pse dy herë do ta takosh djalin!

-Jo, - tha ajo, - një herë.

-Një herë e takove dje!

-Kur?!

-Dje!

-Unë nuk e takova dje. Erdha kur kishte perënduar dielli dhe ...

-Dielli donte edhe pesë minuta të perëndonte kur erdhe.

-Ai kishte perënduar kur erdha, prandaj nuk e takova dot.

-E takove!

Tjetri kishte dalë nga dhoma

-.... mend.....


Lexo/Shkruaj Komente (0)        Printo        Dergoje        Top




 
::| Krijimet e Fundit

 
SOSO NEWS EXPRESS
[Krye]