Oh, një yll në qiell u këput,
Në buzë të detit të egër ra,
U dogj, sa çel e mshel sytë u dogj
Një yll,
Oh, sa klithmë e lemerishme,
Bërtet qielli e mërdhihet, vishet me lëkurë të trashë, qielli vishet
Sa shpejt ndërron ngjyrën qielli
Toka gjëmon me bubullimat e furishme, me oshtimën e valëve të detit idhnak
Oh, sa psherëtimë e thellë, e mistershme, sa trishtuese e sa e ëmbël
E fshehur, e ruajtur me shekuj e fshehur, Oh mister i përjetshëm,
Klithmë e pashpjegueshme
Në zemër të artistit mistik,
Si të kuptohet kjo klithmë, kjo ofshamë, kjo gjamë e këngë
Pa i numëruar shekujt në gishtërinj,
Pa i përshkruar me imtësi dashuritë, gratë e lakuriqësuara, psherëtimat nga Kafshimet e mollëve të ndaluara, gjarpërinjtë rrugëve të kryeqendrës sonë
Oh, Anton sa klithmë të madhe le testament!