Mamaja ,qe ulur në kuzhinë dhe kishte marë për të çarë ca arrë që kishte mbledhur paradite. Nga arra e madhe që kemi pas shtëpisë. Ajo tjetra u ka gjysmëtharë dhe, edhe ca kokrra që bëri sivjet, të shumtat janë të krimbura. Kur ishim të vegjël, aty hidhnim një litar tek një degë që ishte më e trashë dhe më e afërt për tu kapur e, bënim kolovatje . Vinim një poste shelegu në litar mos të na priteshin të ndenjurat dhe, deri në mes të natës, tutje-tëhu, tutje-tëhu, tutje-tëhu... Na bëhej koka dhallë po, na dukej se udhëtonim me aeroplan dhe s’na bëhej të zbritnim.
Sa herë kishim rënë andej e sa herë kishim shqyer gjunjtë e gërvishur bërrylat?!
Po gëk ama. Se mirë që na dhimbte po, të dhëmb më shumë shufra dhe të djeg më shumë hithri!
Mamaja kishte mbushur futën dhe, në një anë vinte thelpinjtë e mirë, në anën tjtër ata të krimburit. Unë, kisha marë një pjatë plastike, kisha hapur dhe një mbulesë tavoline në shesh dhe, ha arrë e hidh lëvozhga në mbulesë. Mamaja më hidhte ato të mirat në pjatë dhe ato të krimburat, i mblidhte në një sahan alumini gjysmë të zi, gjysmë gri. Si duket, e vinte ndonjëherë në zjarr për të ngrohur qumësht kur donte t’ja jepte djalit të motrës që kishim aty.
Ajo e lindi dhe, ia la nënës amanet kur thonë. Iku e shikoi jetën e saj. U martua dhe e vogël në fakt. “ Po i prekën këmbët në mbërdhe koces, është për në shtëpinë e saj” thoshte babai. Nuk besoj se kishte mbushur akoma shtatëmbëdhjetë vjeçe kur e fejuam motrën e madhe. Një vit e fejuar dhe, me dasëm e krushq u martua. Mbaj mënd që, më shumë qaja unë ( nuk e di në fakt as sot pse qaja aq shumë), sesa qante motra që do martohej. Ça do martohej them dhe unë?! Ajo iku, u martua atë ditë dhe, nuk zgjati dhe shumë kur dëgjova nënën që i thoshte babait se “ e kemi hamile kocen”! Kur vajta në shkollë të nesërmen, isha më duket në klasën e tretë në fillore, pyeta mësuesen çdo të thotë “ hamile”?!. Ajo më pa me një shikim plot mëshirë e dashamirësi dhe më tha: “kush është hamile xhani i mësueses?. Asnjë, i thashë unë, po mbrëmë dëgjova nënën që i tha babait se, e kemi vajzën hamile.
“Shyqyr, tha mësuesja” dhe, më përkëdheli flokët. Bëra kohë të kuptoja pse tha shyqyr edhe pse të them të drejtën, unë nuk doja që të ngelej shtatëzënë ime motër. Ishim shumë fëmijë ne , gjashtë jetë të kemi dhe, më dukej sikur edhe tani që do lindëte motra, do ta sillte tek ne fëmijën. Mirë e kisha unë, mirë. Ajo lindi dhe e pruri aty djalin. U rrit me ne ai dhe, unë sot e kësaj dite, më shumë e quaj se e kam vëlla sesa nip.
-Telefoni, më thotë ime shoqe.
-Urdhëro , kush është?
-U ka zënë gjumi?- më thotë motra nga krahu tjetër i telit.
-Ça gjumi, arrë po ha me mamanë. Ajo çaj e unë ha.
- Sot erdhi babai dhe mamaja nga Shqipëria. Nuk pati pengesa në Kakavijë. Kemi një mik ne që është shofer taksie dhe, sa morëm vulat në kufi, hipëm e u nisëm menjëherë. Do ti që, as gjashtë orë nuk e bëri?!. I pifsha dollinë unë atij!
-Erdha erdha i thashë dhe, mora makinën shpejt e shpejt e u nisa.
Rrugës më erdhën në mend ato ditët e para që kishin ardhur prindërit në Athinë.
Mamaja, sapo u fut tek dera e pallatit, u ul e zgjidhi këpucët. Babai , me njërën dorë mbahej nga muri e me dorën tjetër, nga ajo që mban zakonisht shkopin, godiste shkallët një nga një se nuk sheh dhe mirë.
U futën brenda e , pasi u rehatuan e u bëri një kafe ime shoqe, babai u kujtua se, kishte harruar ti thoshte Sefedinit të hidhte ndonjë sy nga shtëpia kur të kalonte andej me bagëti.
- Po mirë, më pyeti, sa horë është që këtej e në Kakavijë?
-Goxha është i thashë unë po, akoma nuk erdhe, pse pyet për Kakavijën?
-Kam lënë gjysma – gjysma ca punë o bir. Do rrimë nja një javë këtej e, do marrë plakën e do iki unë!
Kur e mori vesh që, kishte kohë për të menduar kthimin, filloi të dobësohej e të mërzitej. Rrinte gjithë ditën në ballkon e numëronte njerëzit tutje-tëhu.
“Asnjërin nuk njoh o plakë, si do vejë ky halli ynë?.
Nëna, nga njëra anë mërzitej për mërzitjen e babait po, nuk donte që ti vinte pas qejfit se, aq donte ai, e dinte ajo.
“ Bëj garjet a lumëmadh se, tek fëmija jemi. Shyqyr Perëndisë i rritëm e nashti na u bënë krah. Na, njëri vjen e tjetri ikën- e merte me të mirë ime‘më që, në të kundërt nga babai, merej me punë e i kalonte dita.
Ai sa kalonin ditët e më shumë ligështohej. Derisa një ditë, aty nga Maji a fillimi i Qershorit, kishin kaluar nja pesë a gjashtë muaj nga ardhja nga fshati, i gjeta të dy tek bisedonin kokë më kokë në kuzhinë dhe , babai i thoshte mamasë që, unë po nuk ika të vete të shoh shtëpinë e të dal të ndez një duhan me shokët , do vdes e do mërzis edhe djemtë.
Këtë thotë gjithnjë ai. Edhe pse, ime motër e mori dhe e solli tek djemtë. Hajde mbushi mendjen pa.
Mamaja e dëgjonte dhe mundohej ta bindëte që, “po të ikim prapë, do mërziten djemtë se, nuk kanë ngenë tënë ata. Varavingo ne, tutje-tu. Ke luajtur nga mëndja më duket. Rri rehat o lumëmadh se, sot jemi e nesër s’jemi.”
Unë, mbajta këmbët të dëgjoja ç’thoshin më tej po, më ndjeu nëna që vajta dhe, e ndërpreu bisedën. Nuk donte të mërzitesha.
Pas një jave, mblodhën ato pesë rroba që kishin, u përgatitëm nga një çantë edhe ne, nga ato me rripa që ngjajnë si çantat e zboristëve në kohën e komunizmit dhe, u përqafuam e u ndamë me ta se, kaq qe edhe kurbeti i babait tim.
“ Kanë të drejtë ata që janë në burg - më thoshte. Më ziet fryma mua këtu. Vete në dyqan për të marë bukë e, më duket vetja si memec. Me dorë i tregoj shitëses ça dua të mar. More bereqaves që më mer vesh. Gdhihet sabau e, po nuk vajti dielli tre hostenë, nuk ngrihem nga krevati. M’u kalbën eshtrat mua. Rri e rri e, mëndja më vjen vërdallë. Kam lënë mallin, kam lënë shtëpinë, kam lënë prokopinë, kam lënë shoqërinë. Kurbeti ka kohën e tij. Po unë, ku më shpje mushka mua? Ika unë, mora plakën e ika. Ju po deshët, hajdeni sa jemi gjallë. Të ndezur do ta gjeni. Po jo kështu! Burri shtatëdhjet vjeç, u tërbua e mori udhët. S’ka lezet kjo për mua!” Nëna e dëgjonte në heshtje dhe, rrinte e më shihte mua në sy sikur priste ti ktheja mendjen unë babait.
Se të themi të drejtën, nëna nuk kishte problem të rrinte këtu. “ Djemtë i kam këtu thoshte, nuset e djemet e fëmijët i kam këtu, jam mirë e tumirë. Po të lë qy? Ah e zeza unë që, nuk pashë një ditë të bardhë.”! Kishte të drejtë në fakt se, sa ishim ne të vegjël, gjashtë frymë ne e dy janë ata , mezi i dilnim përtej muajit.
Na iku dhe motra e vogël e u martua, ngelëm ne si shkollë fillore që, vetëm për të ngrënë ndihmonim në shtëpi.
Kur u rritëm ne e u bëmë për punë, u hapën kufinjtë dhe , hajde nga fillimi prapë.
Prapë vetëm ata e prapë në merak për fëmijët.
Atëherë “si do i rritim “ e tani “ si i rritëm e ku i kemi”?!
....
Qe e Djelë në darkë dhe pothuajse kisha harruar krejt për të marë në telefon.
Vajza më kujtoi: Baba, e Djelë sot- më tha- do flasësh në telefon me gjyshen sot apo, akoma do flësh?
U ngrita i përgjumur dhe , mora telefonin e fola me nënën.
Mezi e dëgjoi këtë radhë.
“Po mblidhja ca arrë- më tha. Kur të vini ju për vitin e ri, do i kem gati nëna”.