E mbështetur pas dritares, ajo po sodiste thuajse gjysmëpërgjumur rrugën e lagur që shtrihej përtej godinës së zyrës. Një vorbull e zakonshme për ditë të tilla. Siç ndodh shpesh me njerëzit, kujtohen në momentin e fundit për gjëra të cilat fare mirë mund ti bëjnë ditë më parë. Thua se duan të maten me vitin që ikën. Gjithësekush në drejtim të kundërt e të gjithë sëbashku formonin një varg të rregullt shumëngjyrësh. Befas, i erdhën në mend vitet e fëmijërisë. Qe rritur në një qytet provincial të Jugut Eva. I ati, një njeri punëtor e babaxhan, plot humor e i dëgjuar për batutat që thoshte, qe revizor tregëtie. Asnjëherë nuk ndjeu Eva mungesën e dhuratave nëpër festa. Madje, herë-herë ndjehej e privilegjuar karshi bashkëmoshatarëve të saj. Na, iu kujtua njëherë në shkollën e mesme. Kishte blerë një palë këpucë të kuqe dhe, thuajse të gjitha shoqet e klasës i kishin marë me xhiro. Nuk thoshte kurrë jo. I mungonin vëllezërit dhe motrat dhe, ndihej e joshur kur dikush i kërkonte diçka.
E ëma, gjithmonë e nxiste për të qenë dorëlëshuar dhe asnjëherë të mos kursehej. I ati, edhe pse e dinte që Evës nuk i mungonte asgjë, shpesh i thoshte të merte ndonjë xhup apo ndonjë bluzë të bukur hua nga ndonjë shoqe kur rastiste e shkonin tek e motra e tij. Kishte kaluar mesdita. Zyrat po boshatiseshin dhe gjithandej ndjehej një gjendje e çuditshme feste. Nga radioja, dëgjohej një muzikë e lehtë klasike. Këtu ngatërrohej Eva. Bahu dhe Çajkovski, asnjëherë nuk kishin dallim në veshët e saj. Mjaftohej të dëgjonte me kënaqësi. “ Liqeni i Mjelmave” tha me vete, pa ditur as vetë nëse ishte në të vërtetë. Ndezi një cigare dhe u mbështet sërish pranë dritares. Sa shumë e kishte pritur këtë fundvit.
Kishte dhjetë vjet që bënte vitin e ri vetëm. Qyshkur erdhi në këtë qytet të zhurmshëm e të dendur , ku për të gjetur një të njohur duhet të kesh një thes me fat, e mbyllur dhe e vetmuar kalonte pragun e njërit vit e takohej me buzëvitin që vinte e ikte pa ndonjë ndryshim të dukshëm. Rutina , asnjëherë si qe ndarë. Blinte rrallë dhurata e më rrallë akoma i bënin dhurata. Sa ishin gjallë babai dhe nëna, ndjehej fëmijë dhe joshej si çamarroke kur hapte pakon e vitit të ri. Gëzohej e hidhej përpjetë si të qe akoma ajo vogëlushja në shkollën fillore me gërshetat e pleksur nga mami. Kjo zgjati deri sa mbaroi universitetin. Edhe kur doli në punë dhe tashmë ishte një arkitekte profesioniste, priste vitin e ri me të njëjtin padurim. E ëma dhe i ati e dinin dhe, asnjëherë nuk harruan ti bënin dhurata. Secili më vete. Ja linin tek tryeza e kuzhinës dhe në mëngjes, ajo shkonte e hapta dhuratat e plakut të vitit të ri. Shkonte pastaj e përqafohej me ta dhe të tre bashkë, festonin e gëzonin. Derisa një ditë, të gjitha këto u prenë si me një thikë.
Sikur një dorë e pamëshirshme, rrëmbeu njiherë e përgjithmonë nga Eva, gëzimet, dhuratat, festat, plakune vitit të ri. Gjithçka. Dora mizore, u shfaq paprtimas një ditë në një kthesë të mallkuar në Veri të vendit ku babai dhe nëna e Evës patën shkuar në një dasëm.
Lajmi i vdekjes së prindërve, e rriti dhe e poqi brenda një dite. Harroi fëmijërinë dhe pafajësinë dhe u mbyll në vetvete. Shkonte e vente në punë dhe, rrallë i hidhte sytë të shihte nëse bota lëvizte. Bëri kohë të vinte në vete. Madje, edhe kur Nardi i pati thënë për transferimin, edhe pse fillimisht qe trembur e qe tmerruar me idenë se do rrinte vetëm sërish, dhe këtë radhë vetëm edhe pa Nardin, më pas u bind se ndoshta qe më mirë të rrinte për disa kohë me kujtimet e saj dhe imazhin e prindërve. Muzika klasike vazhdonte ti ledhantonte veshët butësisht e ta nanuriste me një këmbëngulje kaq joshëse e dashamirëse. Kolegët në katin e sipërm, qenë mbledhur tashmë dhe kishin nisur të festonin.
Eva, kishte vendosur të mos shkonte të festonte me ta. Sonte,nata e saj, nuk ngjante me netët e tjera. Sonte, nata e fundvitit, qe e mbushur me aromën e pritjes e të padurimit. Qe e mbushur me ardhjen e Nardit. Dhjetë vjet plot, mendoi me vete. Një jetë e tërë. Një dhjetëvjeçar që, vetëm zërin i kishte dëgjuar. Nardi, financier i spikatur tashmë, pasi ushtroi profesionin në një bankë të vogël provinciale,kishte ardhur koha të hapte krahët e të ngjitej në hierarkinë që i takonte. Kjo nuk vonoi të ndodhte. Banka u shit në një korporatë të zëshme perëndimore.Nardi, ishte nga kuadrët më të pëgatitur të entit dhe si pasojë, nuk vonoi shumë të vinte oferta për tu shpërngulur në Amsterdam. Aty bëri emër si financier dhe veç kësaj, u bë dhe petagog i jashtëm në Universitet. Një kuadër i plotë dhe një intelektual me zë. Korrespodenca e tyre asnjëherë nuk u pre, veçse koha e solli kështu dhe, asnjëherë nuk mundën të shiheshin nga afër. Mundohej të sillte në mend fytyrën e tij . Të imagjinonte portretin e tij të tanishëm. Me favoritet e zbardhura dhe me trupin e tij që tashmë kishte filluar sipas imagjinatës së Evës, të mos mundëte të fshihte 39 Majet që mbartëte me vete. Ajo, kishte filluar të shëndoshej pak dhe, aspak nuk fshihte një ankth të vogël për reagimin e Nardit. Shkoi në banjë rrufeshëm dhe, si me telekomandë, ngiti lart bluzën dhe fanelën e kqyri në pasqyrë ijet e saj. Vuri re me kënaqësi se, jo dhe kaq shumë qe mbushur siç kishte idenë për veten e saj. Sa kohë, mendoi me vete, kam pa parë veten në pasqyrë për të parë në mora kile apo jo. Ah Nardi. Duhet të vije ti që të ndihesha sërish që jetoj.
Mori frymë e lehtësuar dhe u kthye sërish tek dritarja. Nuk i ikej andej. Nga njëra anë muzika që i pëlqente kaq shumë, nga ana tjetër dembelosja që e pat zënë, mund ta zinte darka aty. Ora kalonte. Ajo vërtitej gjithëmendsh në mbrëmjen që e priste. Ndjehej adoleshente, edhe pse kishte lënë pas të tridhjeteshtatat . Asnjëherë gjatë këtij dhjetëvjeçari, zemra nuk i kishte rrahur si sot. Mësëfundi, do festonte me dikë që donte. Do kalonin mbrëmjen bashkë dhe do dilnin në ballkon të shihnin të pëqafuar si dikur fishekzjarret që do grisnin qiellin e ajo do strukej pas tij e lumtur dhe sërish e pushtuar nga ndjenja e jetës. Nga ajo ndjenjë që kaq shumë dhe për kaq shumë kohë i kishte munguar.
Pas asaj, do shtriheshin e do ti jepeshin njëri tjetrit me gjithë forcën e shpirtit e të dëshirës. Donte të shijonte , çdo qelizë të trupit të Nardit.
I miri im, pëshpëriti me vete dhe , e trembur nga zëri i saj, u kthye befas të shihte mos e dëgjoi dikush. U qetësua kur nuk pa njeri. Përtueshëm mblodhi çantën dhe letrat e hapura mbi zyrë, u ngjit në katin e sipërm ku tashmë ahengu qe ndezur për së mbari dhe, përqafoi e përshëndeti kolegët një nga një e veçanërisht shoqen e saj të ngushtë Besianën. Besiana, ishte e vetmja që i dinte sekretet e Evës. Ajo , i shkeli syrin dhe , as që e pyeti për mungesën e deritanishme siç bënë disa kolegë e kolege të tjera. E dinte Besi. Kur donte Eva të rrinte me veten, ato çaste ishin të shenjta për të. U përqafuan fort e u puthën. Uruan për vitin e ri që sapo bëhej gati të hidhte hapat e parë dhe u ndanë. Doli në rrugë , mori një taksi dhe për një çerek ore mbërriti në shtëpi. Ngjiti shkallët pothuajse me vrap siç bënte përherë dhe, me tu futur brenda, ndezi dushin. Kështu bënte gjithmonë. Përgatiti peshqirët dhe banjën dhe, u fut për tu larë. Qëndroi brenda gjatë.As vetë nuk e mori vesh si kaloi ora. Kur doli, salloni qe ngrohur mësëmiri.
Hodhi krahëve një rrobdishan të trashë të pambuktë dhe shkoi në dhomën e gjumit. Me bisht të syrit, pa nga krevati dhe thuajse u skuq. Sa kohë kishte pa fjetur me burrë! Veshi të brendshmet e sapoblera, një kostum gri në të zezë ku nga xhaketa dukeshin pafajshëm disi gjinjtë që formonin një boshllëk turbullues mes tyre, vuri pak kolonjë pas veshit dhe u bë gati të dilte. Hodhi dhe pallton e madhe krahëve dhe, përpara se të dilte shkoi të hidhte diçka në gojë. Kishte një uri të tmerrshme. Ankthi i pritjes veçse, e ndjente që i kishte mbledhur stomakun. Nga holli u dëgjua telefoni.
-Kush është, u përgjigj ajo e bindur se, ndonjë Besianë do qe që, nuk duronte dot pa pyetur për hollësitë e takimit të saj me Nardin në mbrëmje.
-Besi jam , më prit se erdha.
-Jam gati për...
Telefoni u mbyll. Ta marrë dreqi turfulloi. Askush nuk mendon për mua. Edhe sot që , dua të jem me dikë që e kam pritur kaq shumë, do gjendet njëri t’më prishë nervat.
Megjithatë, e mbajti veten dhe vendosi ta përcillte Besianën pa e lënë të ofendohej.
Do ti lutej ta linte pek vetëm se, iu kujtuan prindërit dhe, edhe pse priste me kaq dëshirë Nardin e saj, nuk kishte oreks për biseda e për historira grash.,
Sakaq, Besi erdhi.
E skuqur në fytyrë, e djersitur dhe , edhe pse mundohej dhe dukej që mundohej shumë, tronditjen nuk e fshihte dot.
-Ça ke moj që, më prishe gjakun?
-Hiç hiç belbëzoi Besiana. Ja erdha të të mar të bëjmë një xhiro.
-Je në vete moj ti?. Tani gjete për xhiro?
Besiana nuk mund të priste më.
Dhe as nuk mundëte më. Ja plasi të qarit me ngashërime.
Eva u hutua krejt. Nuk dinte ç’po ndodhte.
U mundua ta qetësonte.
Ndërkohë, që nga vetura që kishte sjellë Besin , u dëgjua dy tre herë zhurma e borisë.
-Eja ,i tha ajo nxitimthi. Eja se ta them në taksi.
E zunë drithmat. Jo tani. Jo sonte . Jo të lutem tha me vete po, zëri u dëgjua .
Hipën në taksi dhe morën drejt Lindjes.
Taksisti kërkoi në kasetofonin e makinës një stacion radioje dhe kur dëgjoi lajme hoqi dorën nga butoni i kërkimit.
“ Në vendin e ngjarjes tragjike, kanë mbërritur dhjetra ambulanca, zjarrfikëse, mjekë e infermjerë. Rruga për në vendin e ngjarjes është e bllokuar. Zjarri i shkaktuar nga rënia e avjonit, edhe nëse kishte të mbijetuar, u ka bërë shkak mesa duket, të humbin dhe shpresat e fundit. Sa keq që iku viti . Për të afërmit e viktimave, u ka krijuar një vend pritjeje, në të cilin ndodhen dhe psikologë. Ministria e Brendshme bën thirrje të afërmit e fatkeqëve, të mundësojnë punën e organeve kompetente.”
Po binte muzgu ... Shiu pati pushuar dhe mbrëmja tashmë qe mbarsur me një erë të ashpër vdekjeje kudo...
Ulërimat dhe klithmat, përziheshin me sirenat dhe boritë e mjeteve që venin e vinin si të lemetitura...
* * * * *
Besiana, fjeti atë natë në spital me Evën. Gjithë natën kishte temperaturë. Fliste përçart.
Shok psikologjik ishte diagnoza. Rreth orëve të para të mëngjesit, Eva u përmend. Mjekët, kërkuan nga Besiana ti qëndronte sa më afër dhe nëse mundej, të mos e linte vetëm. Ndihej e lodhur dhe e pafuqishme. Më shumë kishte pamjen e një lehone por , e pa fëmijë dhe pa lumturinë e nënës në shikimin e saj. Vështrimi i ngjante një mjegulle që luhatej bindshëm ndën oreksin e një stuhie të tmerrshme që sapo kishte kaluar ! Një cikloni që kishte rrëzuar gjithçka kishte ngelur në qenien e Evës. Gjithçka që e bënte të shpresonte e të ndjehej se jetonte. Me një zë të mekur e pothuajse të fikur, kërkoi një letër dhe një laps.
U ngrit ndenjurazi e u mbështet . me duart që i dridheshin si purteka e sytë e mbushur me një re të dendur lotësh, shkroi mbi të:
“Nardi, pse nuk erdhe shpirt?”
Eva jote!
Në varreza, bri shumë kurorave e trëndafilave, një fjongo e kuqe që mbante lidhur dy zambakë të bardhë, u vendos nga Besiana afër kokës së ëndërrës së thyer të Evës, me fjalët që kishte shkruar për të , si dhurata e fundit që mundi ti bënte.