Letërsia Shqiptare
Dergoni krijimet tuaja - Email: admin@zemrashqiptare.net
E diel, 06-07-2008, 06:13pm (GMT) Letersia FAQ RSS Lidhje Harta Kontakt
 
 
::| Fjalekyc:       [Kerkim i Avancuar]  
 
Kategorite  
Ekskluzive
Kritika - Analiza
Libri
Informacione
Intervista
Gjuha Shqipe
Poetët e Zemrës
Autorët A
Autorët B
Autorët Ç
Autorët D DH
Autorët E
Autorët F
Autorët G-GJ
Autorët H
Autorët I
Autorët J
Autorët K
Autorët L-LL
Autorët M
Autorët N
 » Naim Frashëri
 » Ndoc Gjetja
 » Nasi Lera
 » Ndoc Papleka
 » Ndue Hila
 » Ndue Marku
 » Net Isveizi
 » Nikollë Filja
 » Niko Nikolla
 » Nonda Bulka
 » Nuhi Vinca
 » Neki Ago
 » Naim Berisha
 » Nënë Tereza
 » Nerinda Hysa
 » Ndue Ukaj
 » Ndre Zadeja
 » Nikollë Mazreku
 » Nijazi Ramadani
Autorët P
Autorët R
Autorët S-SH
Autorët T-TH
Autorët V
Autorët XH
Autorët Y
Autorët Z
English
Letërsia Botërore
Zemra Shqiptare
Forumi
Njohje
Galeria
Direktoria
Lojra
Chat
::| Email Lajmerues
Emri:
Email:
 
 
 
Autorët N » Neki Ago
 
Shtegëtimi në ëndërr
E diel, 17-06-2007, 04:52pm (GMT)

Anisa,ashtu si të shumtat shoqet e moshës së saj, një ëndërr kishte. Të mbaronte shkollën dhe të punonte disa vjet të bënte pajën. Edhe e motra,Vjollca, kështu kishte bërë.Mbaroi shkollën,punoi tre vjet dhe kur u martua, tre orë bëri Anisa duke u treguar grave të lagjes pajën. Një makinë u mbush me valixhet . I kishte dhënë fjalën Mentorit për këtë dhe, nuk donte të dilte e rremë. -Tre vjet pas shkollës do martohemi- i përsëriste ajo herë-herë me një kërcënim të ëmbël e ledhatues.
-Tre vjet?-pyeste ai dhe bënte sikur i dukej një shekull.
-Po pra, tre vjet.Pse ç’kujtove ti? –përsëriste të njëjtën pëshpërimë
Anisa dhe, e mbyste në të puthura dhe e fshihte nën përkëdheljet e saj të brishta.
Mentori dorëzohej në pushtimin e ëmbël të përkëdheljeve e dehej nga nektari i ëmbël i pritjes.”Akoma në vitin e katërt jemi, dasëm ëndërron Anisa”- bisedonte ai me vetveten.Punë vajzash , ç’të bësh.Instikti i nënës është si duket më i fuqishëm nga çdo dëshirë dhe nga çdo plan tjetër.”

Sa herë ndodhej vetëm e murmuriste ndonjë këngë që, as vet nuk dinte se kush e këndonte apo cili ishte teksti i saj,aq herë përkëdhelte në heshtje flokët e gështenjta e me onde të Mentorit ajo. Fliste me të e i tregonte pothuajse “fill e për pë “ të gjitha sekretet. Sekrete u thënçin.  Mbante Anisa sekrete nga Mentori? Na, iu kujtua si tani dita kur e mori vesh e ëma që dashuroheshin dhe e kërcënoi se: “do ti them tët ati dhe bëj vend e futu!” -Vend për t’u futur dhe për të fjetur po deshe kam unë –iu përgjigj ajo e sigurtë për sekretin që e ëma kurrë nuk do t’ja nxirte. -Kaq të them unë-i pati thënë ajo dhe kishte ikur rrëmbimthi sikur donte të fshihej edhe nga veshët e saj për lajmin që dëgjuan.

Kaluan tashmë tre vjet që Anisa dhe familja e saj jetonin në Athinë. Si ikin vitet-mendonte ajo dhe sillte fluturimthi në kujtesë Mentorin dhe premtimin për dasmën dhe për pajën. Një lëmsh i mblidhej në grykë dhe nuk e linte as të frymëmerte.
Kishte pa dëgjuar zërin e tij kaq shumë kohë saqë herë-herë , i dukej se
e kishte harruar.Në vesh i tingëllonin zhurmshëm akoma fjalët e fundit
të Mentorit: -Edhe dy jetë të kem, të dyja me ty dua ti jetoj!
-Edhe dy rruzuj të kem për të kaluar , do ti kaloj dhe do vij –i ishte
përgjigjur. Teksa kalonte për herë të fundit Kakavijën, kurrë s’e kishte menduar të
ardhmen kështu. Në Greqi tashmë, humbi çdo kontakt me të.
Asnjë lajm e asnjë zë. Telefona nuk kishin që të shkëmbenin, letra nuk
dërgonte se nuk ishte e sigurtë nëse do ti merte ai apo do ti hapnin në
postë sapo të shihnin se vinin nga Greqia kështu që, iu dorëzua
natyrshëm përditshmërisë dhe monotonisë së emigracionit dhe ankthit të
së panjohurës e të mbijetesës.
Dikur mori vesh se edhe ai kishte ardhur në Greqi.
-Hajde të marë vesh se ku jam –kishte psherëtirë e ishte turbulluar më
keq nga kujtimet ajo.

Qysh në vitin e parë të emigrimit ajo u martua !!
“-Vetëm kështu do shpëtojmë dhe nuk do fshihemi përditë –i kishte thënë
i ati.
Vagjelis, është goxha burrë.Pati një fatkeqësi dhe i vdiqi gruaja.I la
edhe një fëmijë jetim.Ti do t’a duash si fëmijën tënd e ai do të të dojë
si nënë.Harroji ato budallalëqet e adoleshencës.Sa vajza e sa djem kanë
dashuruar në shkollë? Ke parë ndonjë të martohet? Asnjë! I riu si veriu.
Këtu është e ardhmja jote,këtu e jona.
Mos i bjerë fatit me shqelmë se njëherë vjen ai dhe pastaj....
Hajde kërkoje dhe gjeje.”
Anisa e dëgjonte si e mpirë.Ishte e sigurtë se e ëma do kundërshtonte
një mblesëri të tillë dhe do ti bëhej krahë .
Më kot !
-Mirë të thot yt atë- i kishte këmbëngulur edhe e ëma.
Do na hapet rruga edhe neve.Ti do marësh nënshtetësinë greke se do kesh
burrin grek do kemi edhe ne rrugën të hapur. Hiqe mëndjen nga
çunaku.Edhe unë isha e dashuruar përpara tët ati po, bëra atë që më
thanë nëna e babai.Fatit nuk i bihet me këmbë.
Pa shumë zhurmë dhe pa shumë njerëz dasma u bë brenda dy
muajve.Vangjelis, një mesoburrë rreth të dyzetepesave, babaxhan e
fjalëpak.Hidraulik në profesion e pa nevoja ekonomike.Gruaj i kishte
vdekur për para dy vjetësh dhe vajzën ia kishte lënë trembëdhjetë
muajshe.Nuk kishte as katër vjet martuar.Kishte bashkëjetuar rreth
dhjetë vjet me të ndjerën.
Në dasëm u mblodh gjithë farefisi i Vangjelit. Të shumtit për të gëzuar
e për të dëfryer por, kishte dhe nga ata që erdhën vetëm e vetëm nga
kureshtja.
Nuk ishte gjë e pakët të hynte në shtëpi një shqiptare.
Ngjarjet rrodhën kaq shpejt.
Koha nuk priste. Qeveria kishte vendosur të bënte legalizimin e
emigrantëve dhe sa më parë duhej bërë diçka për të përfituar nga
bujaria që po tregonte më së fundi pushteti.
Et’hem Luneci kishte marrë premtimin e dhëndërrit të ardhshëm :
“Ditën e dytë të martesës-i kishte thënë ai- do shkojmë në Bashki të
dorëzojmë letrat tuaj që të merni sa më parë lejen e qëndrimit. Kam
njerëz unë.Na, sekretari i Kryebashkiakut është dhëndërr në fisin
tonë.Do më shumë? Tak a tak- kishte trokitur duart e mishta e të vrazhda
si sfurqe të hekurta Vangjelis.
Do vemi,do dorëzojmë letrat tuaja dhe, këtej e tutje mos e vrini më
mendjen për këto vogëlsira. -More bravo-nuk kishte fshehur dot admirimin Et’hemi !
Ne të shkretët vijmë vërdallë gjashtë muaj për një copë letër.Mos ngeltë
njeriu pa njeri.  -Hë-i kishte thënë ai Beleres, së shoqes-e sheh si bëhen punët?
Do ti presim fatin vajzës? Po jo se, nuk jam kaq i shkarë unë të bëj këto brroçkulla.Një herë të vjen fati.E pe? Fitove! Nuk e pe dhe e le të iki? Bjeri borijes pastaj e bridh kuturu.Po pse nga ata jam unë? Për këto vajza kam punuar e më ka rënë bretku më ka rënë. Belerja vetëm rrinte e e dëgjonte pa u ndjerë.
-Na ! Martoje ore vëlla kur i del fati vajzës. Do më thuash që është pak
i madh.Pse, u bë qameti? Ça ti jap vajzës unë, ndonjë aguridhe si punë e
saj.Ndonjë bakabond e mëndjelehtë që e ka mëndjen firifiu?
-Po, po të drejtë ke -i kishte ardhur Belerja pas midesë.
Të martohet të shorë punën e saj vajza se nuk i dihet .Greqi i thonë
kësaj të shkrete.Na plekset me ndonjë leshuragjatë e të parruar dhe
hajde pastaj ta ç’pleksësh lëmshin.
Ranë në ujdi burrë e grua ata dhe të nesërmen i dhanë fjalën z.Vagjelis
për krushqinë. Anisa ,megjithë kundërshtimet dhe debatet që u ndezën në
shtëpi, nuk mundi të bënte diçka për ta anulluar një ngjarje të tillë .
“Nga njëra anë-mendonte-mbase është më mirë kështu. Shpëtojmë nga ky
ankth e nga kjo rrëmujë.Do ta njoh më mirë dhe , kushedi, mund edhe të
dashurohemi.Të dashurohemi? – pyeste veten sakaq dhe sytë i mbarseshin
në lot e trupi i rëndohej nga kujtimet e nga shikimi i fshehtë i
Mentorit të saj”.Kështu i thoshte ajo edhe kur ishin bashkë në Shqipëri
edhe tani që po përgatitej të martohej me dikë tjetër.Akoma nuk ishte e
sigurtë se çfarë po shkonte të bënte dhe aq më keq , nuk ishte në
gjendje të ndërhynte për të ndryshuar diçka.
U tha u bë !
Ajo tha po-në e saj dhe ngjarjet më tej rrodhën më shumë natyrshëm nga
ç’i kishte parashikuar Et’hem Luneci. Pa u bërë akoma dasma , ata morën
lejen e qëndrimit dhe lejen e punës.Vagjelis u bë djalë i shtëpisë
.Djalë i thënçin se, tre katër vjeç më i vogël nga vjehërri ishte ai.
Hynte e dilte dhe sillej sikur të njiheshin qysh prej fëmijërie.
Anisa u pajtua me idenë dhe, dalëngadalë filloi të shkonte dhe ajo tek
shtëpia e atij.
U miqësua me vogëlushen dhe shkonte çdo pasdite e merte dhe e nxirte
xhiro në parkun afër shtëpisë.
Veç njerzëve të familjes, në dasmën e Anisës, erdhën edhe disa shqiptarë
të tjerë që jetonin aty afër .Njëfarë Vlash Koleci nga Lushnja piu atë
natë e bu thumb kur i thonë.Këndonte e qante nga rakia dhe nga birrat
sikur të martohej vetë i ziu. Një Nuredin Bregu nga Lumi i Vlorës,
këndoi gjithë natën e i bëri një aheng Et’hem Lunecit si të ishte vëlla
e shkuar vëllait. Gratë e të ftuarve mereshin me punët e shtëpisë dhe
Belerja nuk i mbante dot lotët e nuk pushonte së falenderuari e uruari
-U ardhsha për dasëm e për të mira moj motrat e mia- u thoshte e u
buzëqeshte gjithë mirënjohje ajo grave të ftuara që, vetëm me mike e të
ftuara nuk ngjanin më ato.
Shtëpia gumëzhinte nga zërat gazmorë të çamarrokëve që vinin e venin me
vrap si të donin të bindnin banorët e tjerë të pallatit se gjumin për
sonte duhet t’a harronin.
Anisa qau e u ngashërye. Lotoi tërë natën e pushtuar nga ndjenja që herë
shëndërroheshin në ankth, herë në pritje,herë në gëzim,herë në
mallëngjim,herë në ......
Herë në diçka që nuk e shpjegonte dot.
.................
“Muajin e Mjaltit” e kaluan në një ishull të Egjeut dhe aty iu dha rasti
të njihej më mirë me Vangjelin.
-Këtej e tutje -i pati thënë ai-nuk do shkosh më në punë. Kam punuar unë
dhe akoma do punoj për ty dhe për vajzën time.
Anisa nuk kishte kundërshtuar. Jo se i pëlqente të mos punonte po ja,
komplimentohej kur dëgjonte një devotshmëri kaq të hapur nga Vagjeli.
-Veç të tjerash, kemi dhe një hyrje që japim me qira në pallatin ku
rrimë dhe marim dhe andej njëqind mijë dhrahmi në muaj.Mjaft i kemi.
Ajo, ishte joshur në njëfarë mënyre nga kujdesi që po tregonte Vangjeli
për të.
Kështu edhe ndodhi.
Nuk punoi asnjë ditë mbas martese Anisa. Ditën e kalonte me vogëlushen e
të shoqit.Tashmë e mori përfundimisht nga e ëma e burrit ku rrinte e
vogla pas vdekje të së ëmës.
Luante me të, e përkëdhelte dhe kujdeste si të ishte vajza e saj.
Shkonte e vinte me prindërit pothuajse përditë. Një bllok pallatesh i
ndante.
Belerja kishte filluar punë në një rrobaqepsi dhe ishte e kënaqur.
Et’hemi punonte kopështar në vila të ndryshme.
Mblidheshin shpesh darkave e bënin muhabet deri vonë. Erdhi edhe vajza
tjetër me burrin e me djalin,Vjollca dhe u bënë bashkë më së fundi.
U ndreqën edhe ata me shtëpi e me punë .Vangjeli bëri të pamundurën për
t’i ndihmuar. Fillimisht Vjollca, as nuk donte të dëgjonte emrin e tij
po me kalimin e kohës u “pajtua” edhe ajo.
*

Vetëm ishte, edhe sot Anisa.Kishte përgatitur drekën dhe po ndërronte
vogëlushen.Papritmas ra zilja e derës.
-Tani-u përgjigj ajo nga brënda e bindur se e motra ishte.I pati thënë
në telefon se nuk punonte të nesërmen dhe do vinte të pinin kafe bashkë.
Hapi derën dhe në vend të së motrës shikimi i saj u përplas me atë të
një vajze të panjohur rreth të njëzetave.
-Mirëmëngjes –i shtriu dorën për ta takuar e pa njohura.
-Mirëmëngjes-iu përgjigj Anisa.
-Lexuam këtu jashtë shpalljen për dhënien me qera të hyrjes dhe deshëm
të pyetnim për çmimin.Bëj gabim? Më falni po qe se....
-Jo,jo.Drejt.E jona është hyrja -nxitoi të qetësonte ajo të
porsaardhurën!
Më vjen mirë që jeni edhe ju shqiptare. Nga ju kemi?
-Nga Tepelena- u përgjigj sakaq mes një ndjenje hareje që mezi po e
fshihte mikja.
-Nga Tepelena?- sa nuk bërtiti Anisa.
-Po, po jam e rritur në Berat.Jam e sapomartuar dhe duam një shtëpi të
vogël.Ja, këtu në hyrje është edhe im shoq.Më fal një minutë të zbres ta
mar lart?
-Po patjetër -i tha Anisa dhe, atëherë u kujtua se akoma nuk e kishte
ftuar të futej brenda. Qortoi veten për këtë dhe akoma pa u ngjitur në
buzë të shkallës çifti, ajo i ftoi brenda.
-Dera është e hapur, ejani brenda- u thirri ajo nga salloni.
-Mirësejugjetëm-u dëgjua zëri gurgullues i të riut
-Mirësenaerdhët -bëri Anisa dhe, e shtangur nga silueta që po shihte
pothuajse u mbyt me pështymën e saj.
-Këtej im shoq, Mentor Azbiu.
Zonja është nga Shqipëria po ...ua më falni se as emrin nuk ju pyeta.
Sytë e Mentorit dhe Anisës ishin ndërthurur e udhëtonin mes një hapësirë
të ftohtë e rrënqethëse. Rrufeshëm u kthyen në kujtimet dhe në ëndërrat
e lëna në mes.Në premtimet dhe planet e thurura e të harruara si të
paqena kurrë.Në vitet e e pafajshme të adoleshencës.Me zor po mbahej në
këmbë.E mblodhi veten për momentin dhe pa e parë në sy shqiptoi thellë
në gurmaz emrin e saj. -Gëzohem pa masë, Anisa Luneci.Ejani uluni! Faleminderit -bëri Mentori dhe pothuajse kishte humbur ngjyrën. Etleva, e shoqja, nuk kishte nuhatur dhe shumë gjëra dhe ia kishte hedhur ankthit që kishte përherë Mentori, hutimin e momentit. Ajo shkoi në kuzhinë dhe e alarmuar siç ishte nuk dinte ç’të bënte. E frikësuar nga mendimet që e përmbytën , pyeti qysh nga kuzhina të porsaardhurit se çfarë do të dëshironin për qerasje. Mentori kërkoi një gotë uji vetëm. Ada, e shoqja, një lëng frutash.
Me duart që i dridheshin dhe me qënien e mpirë nga befasimi , ajo u
shërbeu të ardhurve dhe u ul përbri zonjës së re.
-Shtëpia është 42 metra katrorë-tha ajo pa pa parë në sy as njërin as
tjetrin-ju bën?
-Ta shohim njëherë?-mezi nxori një zë të mekur Mentori.
-Patjetër!
-Do kalojmë mirë me njëra tjetrën se unë sapo kam ardhur në Athinë dhe
nuk kam asnjë shoqe-u mundua të thyej akullsinë e bisedës Ada
-Posi jo, patjetër. Po qe se biem në ujdi për shtëpinë pse jo?

Të rinjtë u vendosën në hyrjen e re. Ada dhe Anisa nuk kalonin edhe kaq keq por nuk u bënë dhe shoqe të ngushta. Vagjelis e simpatizoi Mentorin për shkathtësinë dhe për sinqeritetin. Rreth tre muaj kishin kaluar nga dita kur qenë vendosur të rinjtë në hyrjen e Vagjelit. Deri atëherë asnjë ndodhi për t’u shënuar. Por sot diçka e habitshme ndodhi.

Vetëm emri ndryshonte dhe gjinia :
“I dashur Vagjel! Faleminderit për gjithçka. Nuk kam ankesa nga ty.Thjesht , po u dorëzohem ëndërrave të mia. Të përqafoj,Anisa !
......
“E dashur Ada ! Faleminderit për gjithçka. Nuk kam ankesa nga ty.Thjesht , po u dorëzohem ëndërrave të mia.
Të përqafoj,Mentori !

Athinë 2004


Lexo/Shkruaj Komente (0)        Printo        Dergoje        Top


Other Articles:
E Premtja e fundit... (17-06-2007)
Arrët e kujtesës...! (17-06-2007)
Zemra ne ferr (17-06-2007)
Nëpër puthje....! (17-06-2007)
Njëmijë heshtje (17-06-2007)



 
::| Krijimet e Fundit

 
SOSO NEWS EXPRESS
[Krye]