Nene Tereza
E diel, 17-06-2007, 06:10pm (GMT)
 |
| Nene Tereza | Anjezë (Gonxhe)Bojaxhiu lindi në Shkup në një familje shqiptare. I ati, Kola, një tregtar i pasur, mori pjesë në lëvizjen për çlirimin e kombit shqiptar nga sundimi osman. Në moshën 18-vjeçare Anjeza u largua nga Shkupi dhe shkoi në Irlandë për t’u bërë murgeshë në Urdhrin e murgeshave të Loretos. Në dhjetor 1928, Anjeza me emrin Marie Tereza u nis për në Indi. Në vitet ’30 filloi t’u jepte mësime gjeografie dhe feje vajzave të kolegjit të Shën Mërisë në Entali, Kalkutë, ku u bë edhe drejtoreshë. Në vitin 1948, me leje të Vatikanit, Nënë Tereza la urdhrin e Loretos, hoqi veshjen e zezë dhe veshi sarin e bardhë të indianeve të varfra. Pasi u largua nga manastiri, shkoi në Patna, ku ndoqi një kurs 3-mujor për infermiere në spitalin e misionarëve mjekë amerikanë. Pasi u kthye në Kalkutë krijoi Kongregacionin e Misionarëve të Bamirësisë. Ajo mësonte fëmijë të varfër dhe kujdesej për të sëmurët, që gjendeshin në rrugët e Kalkutës. Populli indian Nënë Terezën e përkrahu për mirësinë dhe dashurinë që tregonte për të varfrit. Asaj iu dhurua si ndihmë për të varfrit tempulli më i lashtë i Kalkutës, që i përkiste fesë induse. Për punën e saj të madhe iu dhanë qindra çmime e diploma të ndryshme dhe më 10 dhjetor 1979 iu dha në Oslo edhe çmimi “Nobel” për paqen. Një nga gëzimet më të mëdha të Nënë Terezës ka qenë ardhja e saj në Shqipëri. Në Tiranë ajo mori pjesë në rihapjen e kishës katolike, e cila ishte kthyer në kinema nga diktatura komuniste dhe themeloi shtëpinë e parë të misionit të saj. Murgeshat misionare të bamirësisë janë sot të pranishme në 7 zona të Shqipërisë dhe ndihmojnë të varfrit. Ky është edhe kurorëzimi i njërës prej ëndrrave të jetës së Nënë Terezës.
|