Letërsia Shqiptare

Niko Nikolla
E diel, 17-06-2007, 03:54pm (GMT)

Niko Nikolla ka qenë kryeredaktori më jetëgjatë i revistës së humorit dhe satirës “Hosteni”.

Ka fillaur punën e redaktorit në vitin 1971. Në radhë të parë duke u mbështetur tek bashkëpunëtorët më të zgjedhur, me në krye mikun e tij të ngushtë Dritëro Agollin, pastaj me radhë Shefqet Musaranë, Qamil Buxhelin, Sabri Godon, Ymer Minxhozin, Nonda Bulkën, Spiro Çomorën, Koço Devolen, Gaqo Veshin, Naum Priftin, Skënder Haskon, Gjik Kurtiqin, Filip Çakulin.

Publicisti, shkrimtari, kryeredaktori i revistës “Hosteni” në gjurmë që nuk zhduken

Niko Nikolla, faraoni i tetë

Shuhet Niko Nikolla

Dionis Bubani

U nda nga jeta, dje më 4 janar, në moshën 84-vjeçare publicisti dhe shkrimtari Niko Nikolla. Ai do të mbahet mend si kryeredaktori më jetëgjatë i revistës së humorit dhe satirës “Hosteni”, i vetmi organ që mundi të bëjë një farë rezistence të sinqertë në diktaturën komuniste. Dhe për këtë dëshmon në shkrimin e mëposhtëm kushtuar Niko Nikollës, një nga bashkëkohësit e tij, gazetar i “Hostenit”, shkrimtari Dionis Bubani. Këto radhë Bubani i hodhi në letër ditën kur Nikolla ra në koma. Redaksia e Kulturës në gazetën “Shekulli” i shpreh ngushëllimet, koleges, vajzës së publicistit, Flora Nikolla. Ngushëllimi më i madh është puna e këtij njeriu, që edhe në mungesë të jep forcë për të vazhduar, për të qenë gazetar edhe atëherë kur i humb të gjitha, veç pasionit, siç i është gëzuar ai vetë, Niko Nikolla.


Sa herë e kujtoj Niko Nikollën, kryeredaktorin e revistës “Hosteni” më del para sysh një skenë nga marsi i vitit 1971. Ai qëndronte te hyrja e gazetës “Zëri i Popullit” i rënë në mendime. Si e vështrova një copë herë iu avita dhe i thashë:
- Eja Niko, eja se të presim. Shejtani nuk është dhe kaq i zi!
E kishin propozuar në këtë post të rëndësishëm, por i kishte marrë vesh grindjet, përçarjen në kolektivin e “Hostenit” (saqë u shkri organizata e Partisë)... por më në fund ai na erdhi. Më bëri përshtypje dëshira e tij e zjarrtë ta ngrinte me çdo kusht nivelin e “Hostenit”. Në radhë të parë u mbështet te bashkëpunëtorët më të zgjedhur, me në krye mikun e tij të ngushtë Dritëro Agolli, pastaj me radhë Shefqet Musaranë, Qamil Buxhelin, Sabri Godon, Ymer Minxhozin, Nonda Bulkën, Spiro Çomorën, Koço Devolen, Gaqo Veshin, Naum Priftin, Skënder Haskon, Gjik Kurtiqin, Filip Çakulin dhe plot të tjerë se lista është shumë e gjatë.
Ndjemë menjëherë se filloi të rritet tirazhi i “Hostenit”, por Nikoja nuk u kënaq vetëm me kaq. Vendosi të krijonte kryeartikullin e revistës për çdo numër. Kështu u paraqit rubrika “Letër pa zarf” që trajtonte problemet më të rëndësishme në fushën ekonomike, kulturore, shkencore. Kryeredaktori energjik të cilin e cilësoja shpeshherë “faraoni i tetë” (për mua ishte i teti kryeredaktor), në këto letra pa zarf kritikonte me ashpërsi të gjitha rastet negative të shoqërisë sonë. Ne të gjithë e dinim se çdo numër i “Hostenit” kontrollohej nga Komiteti Qendror. Për çdo kritikë të botuar ose merreshin masa për njeriun e kritikuar, ose dënohej redaktori në rast se i kishte rënë në qafë kot së koti filan personi dhe duhej të botohej patjetër përgënjeshtrimi.
Dëgjoheshin zilet në zyrën e kryeredaktorit vetëm disa orë pas daljes së revistës dhe jo rrallëherë e ngrinte zërin i shqetësuar, në telefon të një personaliteti të lartë kur flitej për sektorin e tij. Përgjigja ishte e prerë dhe e saktë.
- Në këtë numër, për problemin tënd kemi shfrytëzuar pesë materiale. Mos harro se kemi edhe pesë materiale për këtë problem dhe po vazhdove të ankohesh mund t’i botojmë në numrin tjetër.
Ja se ç’telashe të vazhdueshme i kishte krijuar kryeredaktori me botimin e kritikave kaq të forta dhe me çfarë tensioni punonim edhe ne pranë tij. Dhe kur e mbaronte edhe paketën e dytë të cigareve, për të krijuar pak humor mes tërë atyre mërzitjeve, ai e vinte buzën në gaz:
- Mos harroni se unë si kryeredaktor shpërmblehem më tepër se ju çdo ditë vetëm me një paketë cigare!
***
Më 24 qershor të vitit 1971 erdhi në vendin tonë, shkrimtari i shquar rumun me origjinë shqiptare (i lindur në Boboshticë të Korçës), Viktor Eftimiu. Meqenëse e kisha njohur që në Bukuresht, gjatë viteve ’30, pas disa takimeve të përzemërta me të, fitova të drejtën që të vetmen intervistë të Viktor Eftimiut, ta botonin në revistën tonë. Entuziast shkova në redaksi dhe i lajmërova për këtë intervistë të rrallë (vetëm me kushtin të shkonim me të në Boboshticë), por u habita kur dëgjova disa zëra “revolucionarësh”.
- A ia vlen barra qiranë të nisim makinën deri në Korçë, për një shkrimtar që vjen nga një vend revizionist?
Nuk e prisja kurrë këtë logjikë naive. Por çdo gjë u sqarua shumë shpejt. Ndërhyri kryeredaktori Niko Nikolla i cili urdhëroi të bëhej gati makina. Dhe të nesërmen u nisëm që të dy drejt Boboshticës ku Eftimiu na dha intervistën që u botua në numrin e parë. Më 20 nëntor të vitit 1971 ai përfundoi poemën “Skënderbeu”. Dhe në numrin e “Hostenit”, me rastin e Vitit të Ri, Niko Nikolla i telefonoi shkrimtarit në shtëpi dhe botuam urimet më të përzermërta të tij për Vitin e Ri 1972.

***
Shkrimtari Nonda Bulka (një ndër themeluesit e revistës “Hosteni”) ishte prekur nga një sëmundje shumë e rëndë. Së shpejti do ta humbisnim “Chri-Chrinë” e shtrenjtë, pa marrë një dekoratë. Niko Nikolla, kurdoherë fisnik, prekej nga këto raste. Që të mos e kuptonte Nonda përse do të dekorohej me Urdhrin “Naim Frashëri Kl.I”, në prag të vdekjes, i thanë:
- Dekorata të jepet, sepse sivjet mbushen 40 vjet të krijimtarisë letrare, në vitin 1932.
Nonda kishte shkuar disa herë në Rumani për shërimin e sëmundjes. Sa herë që kthehej, Nikoja i kishte gjetur nga një arkë me qershi dhe kujdesej që çdo kokërr e qershisë të ishte sa më e mirë.
Kur në zyrën e “Hostenit” u zhvillua ceremonia e dekorimit, kryeredaktori e ndiqte me shqetësim qëndrimin e Chri-Chrisë, i cili në çastin e marrjes së dekoratës, duke e mposhtur dhimbjen, tha:
- Do ta mund demonin e mallkuar (gjendrat e kancerit në pjesën e djathtë të fytit).
Dhe kur më 20 nëntor 1972 pushoi së rrahuri zemra e Nonda Bulkës, kryeredaktori i mori të gjithë masat për të nderuar Chri-Chrinë. Caktoi një faqe të revistës për ta kujtuar, me organizimin e varrimit, kur ne, nxënësit e profesorit tonë, ndodheshim në rreshtin e parë.
***
Humori i Nikos ishte shpeshherë spontan. Kur nga fundi i vitit 1972 vendin tonë e vizitoi shkrimtari i shquar rumun Valentin Silvestru, organizoi drekën e mirëseardhjes në restorantin e Hotel Dajtit. Silvestru sapo ishte kthyer nga Spanja dhe na pruri librin e tij të fundit “1000 orë në Spanjë” (me të dhëna shumë interesante kulturore). Kryeredaktori ynë kishte ftuar dhe shkrimtarin Petro Marko dhe me ta parë librin e Silvestru-së, iu drejtua mikut rumun.
- Ti ke qenë sivjet në Spanjë dhe e ke shkruar bukur librin, por shkrimtari ynë Petro Marko ka luftuar në Spanjë kundër fashistëve të Frankos dhe shkroi librin kushtuar kësaj lufte, të titulluar “Hasta la vista”.
Përqafimi i këtyre dy shkrimtarëve ka qenë shumë i prekshëm, dhe ndoshta edhe më i emocionuar ishte Niko Nikolla.
Miku më i mirë i tij ishte shkrimtari Dritëro Agolli. Më kujtohet se nga viti 1973, Dritëroi pruri në revistën tonë një fletore të vogël ku kishte hedhur rreshtat e parë rreth Shokut Zylo. Me t’i lexuar, Nikos i pëlqyen aq shumë sa vendosi ta botonte krejt romanin satirik në revistë. Dhe me botimin e Zylos në “Hosteni”, Dritëroi sillte vazhdimisht fletore të tjera me ndodhi tërheqëse, plot humor dhe satirë. Kritika e ashpër kundër disa burokratëve të tipit Zylo, shkaktoi probleme lart në Qeveri dhe në Komitetin Qendror.
Një ditë e pyetën në telefon kryeredaktorin:
- Paske ndërmend ta zgjatësh kaq tepër Zylon?
Në numrat e fundit u botuan më shumë faqe që të mbaronte romani “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, një kryevepër e letërsisë sonë. Romani nuk do të merrej përsipër nga shtëpitë botuese, po të mos e kishte botuar Niko Nikolla me mprehtësinë dhe guximin e tij.
Si të mos i kujtojmë këto ngjarje që lidhen ngushtë me një personalitet të veçantë. Dhe ky është kryeredaktori i “Hostenit” Niko Nikolla.
Në këto çaste, kur shkruaj për një njeri i cili luftoi një jetë të tërë, me mish dhe me shpirt, për të rrezatuar kudo vetëm mirësi, mendoj i trishtuar se ai tashmë ndodhet i shtrirë në një sallon të reanimacionit, i goditur me ashpërsi nga një sëmundje e rëndë. Por na ngushëllon vetëm mendimi se në këtë përleshje mes jetës dhe vdekjes, kurdoherë për publicistin, shkrimtarin, kryeredaktorin e gazetës “Hosteni”, gjurmët që na la do të mbeten të pazhdukura.



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.