Letërsia Shqiptare

…NUK HÎJNË SHPÍRT-MDHAJT
E shtune, 21-07-2007, 09:11pm (GMT)

“Rruga e Madhe” në Shkodër. Kumbona e mbrames kishte rá ka herë, e terri i shpejtë i dimnit kishte mblue gjithshkafen. Vargu i giatë i elektrikve dukej si nji kolanë hyjsh e ndême per të giatë rrugës. Nen nji nder këta elektrikë kishte xanë vend nji malcore me ’i mushk ngarkue me qymyr per brî. Fryte nji veri akulluer, kishte fillue nji të prém qi depertote thellë deri nder eshtna. Grueja kishte kryqzue krahët permbí parzem e strukë dy duert nen sjetulla, e me i pasë kalue ngiet kishi mujt me ia ndîe dhamët qi i krisshin kaq e kishin kapë të dridhunat. Edhè mushku i shkretë ishte kerleshë e bâ grusht prej së ftoftit. Popull s’kishte mbetë gadi kerkush nder rruga. Ata pak vetë qi vîshin o shkoshin ecshin në heshtim me kapela ulë mjè më sy, me qafore të çueme e duer rrasë nder xhepa. Veri gjithnji fishkullote tuj u sjellë neper rruga. As malcorja as mushku s’luejshin; u dukshin si dy statue vûe në rrugë per shêj. Kerkush s’iu avit m’e pëvetë: sá e man?; por prej nji dugâje plot me dritë derdhte gjithfarë muzikash nji radio i kumbueshëm.

*  *  *

Atje lerg nder lugje të Cukalit te nji tubë ahash qi janë rritë si vigana per brî do shkambîjsh thinak âshtnji gurrë e gjallë. Pak gjâ nen at gurrë, e strukun neper landë, âsht nji kësollë e ultë. Mbrendë nji trim me dy fëmí. Tymi i zjermit siellet rreth e rrotull neper shpí e flaka, herë tuj u ndalë herë tuj u ndezë, qet e zhdukë perietas çaklat e gjinden e asaj odë. Fëmija ishin merzitshem; i kishin syt si të kuqun, si me pasë kjá. Ai trimi zeshkan, me rrudha të thella në fëtyrë, u thei dy grima buk kollomoqe, të verdha e të trasha, u vûni në voter nji maje gishtash krypë e ’i qepë e u ul edhè vetë mbë tjetren anë të voters. Kurrnjêni nder të tre nuk bâni zâ. Sa maruen së hangunit, fëmija filluene prep vajin; i ati i muer me të mirë si dijti e i vûni me fjetë ngiet zjermit pa shtrojë pa mblojë. Lott e mbrame iau teri Gjumi tuj i lëmue faqesh  me duer të ngrohta pambuku. Ça do të kén pa n’anderr? Nji grue me ‘i mushk perpara, tue u njitë sa mujte shpatit qi bjen kah shpija.

*  *  *

Sa at qymyr, fisnike?

Malcorja u shkund, çili syt, u mundue m’e mbledhë menden sa mâ shpejt. Dresht me ia kallzue çmimin, prandej ia suell: Sa po nep?

—Shtatë lekë—pergjegji ftoftas blesi, gadi si tuj u nisë.

—Per at kishë më kan dhanë nandë e më janë dukë pak.

—Në daç m’e prûe njaq mirë—e u nis.

(Prej Cukalit, zdeshë e zdathë; vetë mushku, shtatë lekë?—e strukun neper landë âsht nji kësollë e ultë;... mbrenda nji trim me dy fëmí; ... qi kjajshin...; veri gjithnji fishkullote tuj u sjellë neper rruga...)

—Merre shtatë e gjysë.
Me të zi muejt m’e shkarkue. Tuj u nisë kahë hâni me ata lekë të helmuem në dorë, dy currila lot i pështuene permbí ta. Prej kumbonares rá sahati dhêtë. I shkoi në mend me bâ kryq e bâni, mandej filloi me peshperitë dy kokrra uratë me vedi.

Êjlli i Rojës i fershlloi nen zâ: Durò edhè pak se shpejt kan me u çilë dyert e qytetit ku nuk kà as váj as lot as brimë, kû nuk hîjnë shpirt-mdhajt.

KUMBONA E SË DIELLES, Shkodër, Kallnduer 1939, nr. 1, fq. 1-2.

Pregatiti: Arben Marku


Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.