Letërsia Shqiptare

Nga poema “Sapjana”
E shtune, 21-07-2007, 09:13pm (GMT)

*  *  *

Në pyje të kshtjellit kndojnë bylbylat,
po shkrepë rrezja pikë mâ së parit;
nder bedena del Valjana,
qi del në qiellë hylli i shtektarit.

Rrin Valjana e i kanë tretë syt
andej larg ku myllen malet,
shikjon rrugen qi del në grykë
edhe vaji po i ndalet.

Erdhi zoja e e pveti vashën:
Ç’ké, moj bíj, qi po kjan sot?
Pse s’je veshë, ku i ke stolít?
A s’e din se vjen yt zot?

Zoja nanë, kurrgjâ nuk kam,
M’u shkrej vaji vedit kot.
Desht me u ndalë vasha Valjanë,
por i pshtuene prap dy lot.

Thuej ça ke, moj bija e nanës?
Pásh nji anderr, zoja nanë.
U xî qiella mi keshtjell
e rá hija anë e m’anë.

Pash shqytjerin kur ia mrriti
edhe të madhe thirri e briti
e mas tí me frê nder kamë
erdh murrgjani në gjak i lám.

S’janë gjâ andrrat, bija e nanës,
Lajmi i mretit tash sa mrrini;
fitoi mreti e ushtrija e tí,
gjallë anmikun e perpini.

Foli nana e poshtë te ledhi
hingulloi murrgjani i zí.
Zdrypi vasha me frymë të marrun
e met shtang perpara tí.

Kali vetun pa zotní,
synin hapë e qafen zgjatun,
I lam në gjak, me frê per tokë
tuj rrahë kamë e tuj dihatun.

Ah! Murrgjani i tim zot!
Fshani vasha neper lot.
Ku e ke lanë e ç’e ka gjetë,
o murrgjani i im i shkretë?

Kush e vrau, ku e pshteti shtatin,
Pse s’mâ prûne mâ të pàfatin?
Mos ta shkelin kama e huej,
mos ta qeshin e t’i thonë:

Kshtu maroshin anmiqt tonë.
Ah Murrgjani i im i shkretë,
Muzak Bashta ku ka metë?
Vasha kalin e ferkon
Të dyve lotja çurkë u shkon
Djali vashes i kallxoi:
“Neper pyje e neper driza
doli turku si del miza;
sikur valë qi vjen prej detit
i rá turku Gardes së Mretit.
Kali i mretit se ç’u vrá
Edhe mreti per tokë rá.
Rá per tokë si të kish marue;
Mi të gjith turku se ç’u lshue!
Si luan gjimoi Nikë Peti:
Bini djelm, se na u vra mreti!
Ateherë zoja Valjanë,
U versul ushtrija e tanë,
E mâ i pari lshoi Muzaku,
Ku si lum po derdhej gjaku.
Mretin ora s’e kish lshue,
Brofi mreti si drangue,
e me pallë i bani ushtrís:
Mëtani, burrat e Shqipnís!
Me nji gjamë gjimoi ushtrija,
Me nji turr shperthei djelmnija.
Çallma e turkut per dhé zbriti,
Shqypja e Arbnit në qiellë u ngjiti.
E mlodh lamin at herë mreti,
Muzakë Bashten nuk e gjeti.
Të gjallë e të dekun u numruene
e të varruemit u rreshtuene.
Muzak Bashtën kurkund mreti
as shqytjerin nuk e gjeti.”

Rá nder gjuj at herë murrgjani
E Valjana i kcei mi shpinë,
Brofi kali si vetima
Edhe mori aratín.

Kalojnë fushë e kalojnë gryka,
Kalojnë lume e kalojnë vá;
Shkndija e pluhun permas tyne
E kurkush dy herë s’i pà.

SAPJANA, vepër postume, “Hylli i Dritës”, Tiranë, 2000.

Pregatiti: Arben Marku


Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.