Duka i Skurjes, Llezhder Gjika,
tre djelm të mirë na i kishte pasë:
Progni i pari e Mekshi i dyti
edhe i treti qi i thonë Vasë
Nder te tre mâ i miri Vasa,
si punili tuj u rritë;
ballin lule, buzen të qeshun,
synin të zí me flakë e dritë.
Shtatëmbëdhetë vjetat sa i ka mushë;
s’të ngîhet syni tuj e pá,
s’të ngîhet zemra tuj e dashtë;
shoq nder shokë kurrkund nuk ka.
Gjak e luftë urren e i ndyhen,
dhe dhunít qi bâjnë të mdhajt,
pse ka zemren të butë e të dhimtun
per të vogjlit e të pafajt.
Asht i shkathët e guximtár
e në shpinë të kalit kush s’ia shkon;
e i ka hije kur buzëqeshet
e mes tjervet vezullon.
Nji ditë prendvere Vasa fisniku
mori shqytjerin e i hypi kalit;
u nisen të dy së bashku per kremte motit
per Kruen ledh-bardhën n’at vetull malit.
I ráne pylles, pylles pa fund
qi çak prej Skurjes shtrihet në Gjolâj,
e kur hine sa kish çilë drita
e shpend kendoshin prej skajit në skâj.
Tozhmi shqyteri njizet vjeçari
u perqeth shtatit kur mbrenda hine
e kualt nji herit me qafë të kularzun,
me veshë të curatun, te dy hinglline.
Ish pyllë e terrshme dhe e kapërthyeme,
shtek aty rrezja nuk gjenë kurrkund,
dhe breshta e dendun, e lisa e shkurre
prej në mal te deti shtrihet pa fund.
U dridh shqytjeri per të zonë e vet
pse e ka me ndore, pse e ka per shpirt
e besë kusari nuk ka as gjaksi,
as terri, as prita, as pylla e shtirtë.
Shkojshin djelmoçat per hije të thella
e kuvendojshin dy djelmt e rí,
e u prîte shteku me brryla e kthesa
e u lshote pylla jetë e freskí.
Lisat si fjolla me mija e mija
ngjiten kah qiella me degë gjelbroshe
e rresht mas rreshtit djelmt i percjellin
qi shkojnë e flasin si të rít nji moshe.
Terflluen e u ndalen dy kualt nji herit
e me sy të hapun shkermojnë per tokë
pushuen kalorsat e e lán kuvendin
e njeni e tjetri armët i kanë rrokë.
Armët vetuese, armët e bardha
xueren prej millit Tozhmi e fisniku
e vrik si rrfeja para djaloçit
vetoi shqyteri Tozhem besniku.
U zhgreh nji herit nji shllungë shigjeta
e dy djelmoçat u rrxuen per dhé,
tufa e kusarvet prej pritet doli
u turr grabitshem si ujku në Shndré.
U kcyene sypri me shpata në dorë
e kual e pare jau kanë plaçkitë
e sikur bisha qi i ka rá tufes
në terrin e pylles janë zhdavaritë.
* * *
Dy djelmoçat shtrî per dhé
janë mulue me gjak të valë,
kanë krahnorin me varrë plot
edhe shpirti don me u dalë.
Baba Mark, si ditë per ditë,
ka çilë vathin e lshue dhít
e i kullotë n’at pyllë të gjanë
ku sa të lypin gjejnë me ngranë.
I ka lshue nder ferra e kurpna
E kullosin gjithku të donë;
larg e larg per të gjatë lisnajes
shetitë skjapi me kumonë.
Baba Mark e njeh gjith pyllën
edhe e ka si shpín e vet;
lis e pod e grop e prrue
nji per nji n’emen i thrret.
Ndjeu laroshin tuj lehë thellë
edhe e njohti qenin në zâ,
se diçka qi s’âsht e mirë
ati krahit kenka bâ.
Baba Mark u nis mas zanit
e n’at anë dhít i valloi;
thirri qenin dy trí herë,
por laroshi s’e ndigjoi.
I fishkllon bariu tufës së vogel
edhe e njell e e rregullon,
e tuj folë me dhít e veta
baba Mark kah qeni shkon.
Kohë mas kohet qeni lehë
sikur ai qi kerkon ndimë
e prej vendit gjâ s’e shkulë
as me zâ as me vershllimë.
Baba Mark e shpejtoi kamën.
Ka jetue e ka pa shum.
Iu dridh zemra e perqeth shtati
si ne dimen kur hin në lum.
I rá breshtës trup mas zanit,
drejt kah gmushtat qi u thonë “Shita”.
E din plaku se n’at sjetull
cubi e gjaksi ngrehin prita.
E ndjeu qeni se po qaset
edhe lehi me rrembim;
plaku i mirë ia dha te rruga
e met shtang kur pau at krim.
Dy djelmoçat lá me gjak
e krahnorin lot me shigjeta.
Ra në gjûj plaku e vuni veshin
e po u shuhej të mjervet jeta.
I la dhít permjedis pylles,
U la djelmvet qenin prane
E pa frymë kah shpija mori
Tuj ça pyllen anë për ane.
DUKLA, vepër postume, “Hylli i Dritës”, Tiranë, 2000.