24 qeshor 1971, Bukuresht
E diel, 17-06-2007, 04:08pm (GMT)
Të dashur shokë, Sterjo, Zisa, Fate "L'inevitable, l'inexorable, l'ineluctable, l'irreparable ...erdhi. (E paevitueshmja, e papërthyeshmja, e paluftueshmja, e pariparueshmja..). Po hyj edhe unë në listën e kandidatëve të 50000-ve që i venë pikë librit të jetës, çdo ditë në turmën e miliardave frymorëve që mbërthen globi..". Këto mendime trazonin trutë e mija të thartuara, ndërsa aeroplani çante qiejt. Kur zbrita, ndryshova mendim. Janë ato grackat e pabesa të jetës që shpesh tallen me ne. Mora penën t'ju shkruaj shokë të dashur. Se s'kam ç'bëj këtu në spital. Doktorët më panë në fillim dhe janë optimistë. Na mbyti optimizmi... Këto ditë do të më shikojnë me nge. Spitali i mirë..po spital..Optimizmi dhe pesimizmi alternohen si dita pas natës..po më shumë natë se ditë, megjithëse verë. Dokumentat e spitalit të atyshëm rreth sëmundjes time nuk kanë ardhur, as në ambasadë, as në spital. S'di pse. Unë paraqita xhamat e biopsisë që t'i ekzaminojnë ata. I kisha marrë me vete. S'di çdo të thotë shkenca, se ka raste kur shkenca i ha m.. sëmundjes. Siç e shihni edhe nga këto fjalë, shokë të dashur, humori i një farë Nonda Bulka është dhj...fare. Ishallah t'i kthehet prapë, por si zorr e kam. Tashti po e mbyll duke ju puthur të gjithëve familisht. Sot i shkrova edhe Qefserit - po ndryshe. Juaji me dashuri,Nonda P.S: Në hyrje të spitalit me shkronja të padukshme, po që duken është shkruar "Voi ch'entrate Lasciate ogi speranza" (Ju që hyni, braktisni çdo shpresë). Jo Dante, po K...(Kancer)
|