E veja Vetmi me rrobe të zeza kalon në kujtimet varreza.
E veja Vetmi vetëm ti
Vetmia fle te një lule nën takë kur zgjohet kupton se është flakë.
E veja Vetmi vetëm ti
Ku ishe? Ku ike? Pse s’u ktheve?
Vetmia gjithnjë bën pyetje, përgjigjet i pret në formë ethesh.
Vetmia: druri pa gjethe.
Mbyllur brenda mureve me myk zgjedhon foljen “ik”, drita i duket armik.
Harrove? Lajthite? Pse? Kush?
Vetmia: lulëkuqe
plagos
grunajën
në gushë.
Për femrën vetmia ka formë mashkulli: bie kur ngrihet.
Vetmia e burrit dremit në gotën e konjakut
Dhe pyetjet deformohen si trupi i një gruaje shtatzënë
Burri i vetmuar dashurohet me merakun
Për mashkullin vetmia si femra: ngrihet duke rënë.
Vetmia: lulëkuqe
plagos
grunajën
në gushë.
Tiranë, 2006
Shkëputur nga vëllimi i ri “Hallelulja”, botim i “Globus R.”
© Petraq Risto