Mexhit Prençi
1.
Në varfëri dhe mjerim të plotë, poeti pesimist Piro Kuqi, iku i tmerruar dhe zhgënjyer nga kjo botë e ndyrë dhe e egër, këto ditë. I veshur me rroba Gabi. Herë i rruar më shumë i parruar. Gjithnjë i zymtë e rrallë i qeshur. I verdhë, thatim me sy të futur thellë në zgavra. Përherë i hidhëruar mga varfëria dhe mjerimi. Pak, fare pak, çaste gëzimi. Vetëm kur magjia e krijimit të poezisë e rrëmbente, i qeshte buza. Jeta e tij, jetë bohemi, jetë qeni. ...Në një dhomë- kolibe, një sustë krevati mbi ca tulla të vjetra. Dyshek e batanije dalë boje. Një tavolinë e ngrënë nga krimbi, mbuluar me libra e letra të shkruara me poezi, -ky është portreti i këtij bohemi, që akuzon shoqërinë, shtetin dhe shtresën e ish-të përndjekurve dhe ish-të burgosurve politikë, -kolegë të burgut..... Askush nuk i zgjati, as dorën, as ndihmën (!)...Madje as ai vetë nuk e ndihmoi dot vetveten!
2.
Nga studimi im: “Kumte dashurie, fisnikërie dhe drejtësie” për poezinë e ish-të burgosurve të ndërgjegjes, po shkëpus një fragment që portretizon edhe poetin bohem e pesimist Piro Kuqi: “Çdo poet e përcepton dhe konfiguron realitetin në mënyrën e vet poetike... Kështu dhe Piro Kuqi. Ai ka individualitetin e tij të spikatur si poet pesimist. I traumatizuar nga diktatura; nga vuajtja e mjerimi në kohën e sotme, shpreh dramën e tij ekzistenciale në dy realitete: dramën e mungesës së lirisë në totalitarizëm dhe dramën mjerimit në kohën e sotme. Poeti e sheh realitetën me ngjyra të errta e të zeza, me dhimbje, trishtim, pesimizëm, një realitet që është sjellë i egër me të. Po ai nuk akuzon, nuk mallkon, nuk urren, gjithçka e mban për vete, e ndryn në shpirtin e plagosur. Një fisnikëri e heshtur, në varfëri. Një pesimizëm që vret.”
3.
Ja disa vargje nga poezia “Ujqërve” marrë nga libri “Botë e panjohur”
“Përse ulurini ujqër, netëve
Nën qiell të kaltër... nën qiell me re;
Në terrin e natës, në tokën tonë mëmë?
Ulurima jua zgjatet posi gjëmë!...”
Dhe pasi ujqërit sulem mbi poetin duke i ngrënë gjumin, ulurijnë:
“Eja me ne, eja
Vdis dhe nga urija,
Ose nga rrufeja.”
Poeti i përgjigjet:
“O të dashur ujqër, s mund të vij me ju
Nën lulen e moshës, dergjem unë këtu,
Bota më kapiti, bota më sëmuri...
O ky shtrati im, është vetë qivuri!”
Vini re vargjet: “O ky shtrati im, është vetë qivuri!” Pesimizmi, rënia shpirtërore dhe arratisja e shpresës, përshkojnë poezinë e tij, e cila do të mbetet dëshmitare e jetës së dhimshme, të trishtuar dhe të mjeruar të poetit pesimist Piro Kuqi. Po edhe një kumt-akuzë ndaj shoqërisë, shtetit dhe drejtësisë.
05/01/2007