- duke shkruar prozë-
Na bëre kokën, por s’të përkasim.
Na hape sytë, do të shikojmë!
Na fale gojën, do të flasim!
Na vure veshë, do të dëgjojmë!
Krijues, baba, perëndi a ç’je!
Me frymë e letër e penë
nga hiçi, demek, na shpike ne.
Pra jemi, s’paskemi qënë.
Nga lotusi yt me qindra pikuam,
e bukur shumë ishte kjo botë.
U turrën me vrap por ç’u gjakuam
në cepat e buzëve nga freri i ftohtë.
Na the këndomëni mirënjohjen e thellë
në gjunjë, me sytë plot adhurim dhe bindje!
Unë romancieri ju kam pjellë,
në kokë futni kokën time!
Krijues, baba, perëndi a ç’je!
Mos luaj me fatin tonë siç do!
Njëri u nis të arrijë një re,
tjetri një dasmë: mos i ndalo!
Nga hija dhe drita jote pushtuese
lirim, lirim! - në kor thërrasim.
Në këtë botë shumë të bukur,
na bëre kokën, por s’të përkasim .