( E kam një atdhe që i vjen
era diell e hënë. )
E kam një atdhe
me bukuri të fildishtë
unë mot për mot
digjem
e vdes për të.
Në këtë atdhe
jetohet
e ëndërrohet
si në parajsë.
a) hijeshia e tij verbon
Atdheu im
pranë limaneve
i kunguar
deri në ballë të Adriatikut.
Vërtet kam një atdhe
që i vjen era dhe
era det,
era diell e hënë.
b) atdheu me dritare të hapura
O, kujdes
mos e egërsoni
detin hyjnor
se po çohen peshë malet,
mos ndërmendeni ta copëtoni
e ta lakmoni
këtë atdhe të madh
ju smirak të përhershëm
se do thaheni
gjysma njeri
gjysma peshk
do mbeteni.
c) kënga e poetit
Të përgjunjur rrinë poetët
para zhurmës
para heshtjes
para zgjimit
për ty,
me këngët që dridhen
në verë.
Ata edhe natën
përgjojnë portretin
e Shqipërisë së madhe.
Ç) historia ime
Eh, çka e kam një atdhe more
me histori
me gjuhë e traditë
unë mot për mot
digjem
e vdes për të.
Atdheu im
me një flamur kuq
që valëvitet verë e dimër
nga një puhizë
që shndrit mbretërinë.
d) dhuratë prej hëne
O vjershëtorë
e këngëtarë
ejani ta kompozojmë
himnin e shtatë
për atdheun
e moçëm,
ta stolisim
nurin e tij
me ca perla të zgjedhura
nga etimologjia,
e të predikojmë
shqipen
se e kemi
brenda
librave
faqe verdhë,
ne do ia rrisim namin
atdheut
prej ku lind
e perëndon.
O njerëz të urtë
mua më tha deti e mali
s’do humbim ëndrrën,
merrni dylbitë
dhe shikoni
këtë afresk parajse
që i vjen era dhe
era det,
era diell e hënë.