| Letërsia Shqiptare | ||||
|
TAKIMI I PARË ME LIRIMIN TE BREGORJA E RINUAR E marte, 19-06-2007, 05:45pm (GMT) Mbaje mend, dyzimi im i fanitur! Nga kjo qeli burgu, ku pjesëtarët e fiseve endacake sllave po më mbajnë lidhur duar e këmbë, po të nis atje, për në shtëpinë prindore ku, ndoshta për së gjalli, kurrë më s'do të mund të shkoj vetë. Kur të kesh mbërritur buzë pyllit, kundruall tij janë ca varreza të vithisura romësh. Tevona do të kalosh skaj pyllit, në të djathtë të vështrojnë me habi disa verra të gjatë. Në fund të pyllit, atje do të të zënë sytë shtëpitë e para të katundit tim. Më tej shtëpitë do të shumohen si t'i kishte nxjerrë nga një botë e mistershme një dorë e padukshme. Atje, afër varrezave do të dëgjosh një zhurmë. Mos u shqetëso! Aty hidhet nga lartësitë një ujëvarë dhe poshtë saj vrundullon i Rexhë Ahmetajve. Mulliri, me gjithë vrundullimën e tij, të kujton diçka krenare e çapkëne. Ai do të përshëndet me gjuhën e vrundullimës, ndonëse ti nuk do ta kuptosh këtë. Sido që të jetë, do të të pëlqejë. Aty janë ngujuar ëndrrat e gjyshstërgjyshërve për bukën e kuqe. Aty edhe vet, për herë të parë, provova shijën e ëmbël të miellit. Më tej mullirit prapë kanë rënë në heshtim ca varreza të vjetra. Tre gurë varrezash veshur me myshqe dhe një tyrbe mezi dallohen. Ata do të shpalosin një faqe të moçme kohe. Fluturimi i pëllumbave sërish do të të kthejë në kohën tonë. Ata do të harkojnë dhe do të sillen rrotull mbi bregoren kundruall fushës. Do të të përpijë ty bregorja plotë përmallim. Si nuk e kupton, dyzimi im i fanitur? Është nëna ime e pagjumë, fjalët e së cilës pikojnë lotë e ngrohtësi. Ajo do të të thotë : “Mjaftë u çmalle me Bregoren, bir! Hajt të t'fillojmë për në shtëpi se na zuri nata!” Dhe ti, fanitje, mezi do të zgjohesh nga deliri. Atëherë, megjithatë, do të çlirohesh nga trajta e hijeve dhe do të veshësh muzgjet e jetës, pikërisht si vetë unë. Tevona ke për të takuar bijën e Hanajve dhe Lirimin, djalin tim më të vogël. Nënë e bir do të të hidhen në përqafim. Atëherë ti, dyzimi im bredharak, mos ma lësho Lirimin nga krahërori dhe tregoi se jam i ati. E di, tevona ju të tre do të zdirgjeni Bregores teposhtë dhe kur të arrini të blirët, do të takoni grupin e miqve. Atyre do t'ua mbysë fjalët pesha e përmallimit dhe vetëm do të zgjasin duart të të prekin në errësirë. Do të të duket, natyrisht, se edhe kullat po përkulen të të përqafojnë. Ndonëse do të jetë terr, ti do të pikasësh edhe shumë shtëpi të djegura deri në themel. Mos u shqetëso! Andej sapo ka kaluar dyndalla e fiseve endacake sllave. Mos e ndal hapin te blirët, dyzimi im bredharak! Shpejto për te përroi! Atje, përpara shtëpisë gërmadhë, të presin Pajtimi, Premtimi, gruaja, motra dhe gjithë fisi im. Atëherë, do të të duket sikur prapë ke rënë në fund të ëndrrës. Gjumë, megjithatë nuk do të kesh. Do t'i rrëfeheni njëri tjetrit deri ndaj të gdhirë, aty te Dardha e Vogël, në qoftë se ka shpëtuar. Kur agu t'i ketë përzënë hijet e natës, ti prapë do të marrësh trajtën e fanitjes dhe mbi krahët e dallëndyshes sakaq do të shndërrohesh në shtegtar, do të kaptosh male, gryka, vise të pikëlluara, hone të mistershme dhe sërish do të arrish në qelinë time që të më rrëfesh ç'ke parë e ç'ke dëgjuar atje. |
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||