Letërsia Shqiptare
Dergoni krijimet tuaja - Email: admin@zemrashqiptare.net
E merkure, 09-07-2008, 08:04am (GMT) Letersia FAQ RSS Lidhje Harta Kontakt
 
 
::| Fjalekyc:       [Kerkim i Avancuar]  
 
Kategorite  
Ekskluzive
Kritika - Analiza
Libri
Informacione
Intervista
Gjuha Shqipe
Poetët e Zemrës
Autorët A
Autorët B
Autorët Ç
Autorët D DH
Autorët E
Autorët F
Autorët G-GJ
Autorët H
Autorët I
Autorët J
Autorët K
Autorët L-LL
Autorët M
Autorët N
Autorët P
Autorët R
 » Rasim Selmanaj
 » Renis Nushaj
 » Risto Siliqi
 » Radije Hoxha
 » Rexhep Qosja
 » Riat Ajazaj
 » Ridvan Dibra
 » Rifat Kukaj
 » Rita Petro
 » Roland Gjoza
 » Rudina Berdynaj
 » Rudina Madani
 » Rudolf Marku
 » Rrustem Geci
 » Rexhep Kasumaj
 » Rizah Sheqiri
 » Roland Beqiraj
 » Reshat Sahitaj
 » Rezart Palluqi
 » Rami Kamberi
 » Riza Haziri
Autorët S-SH
Autorët T-TH
Autorët V
Autorët XH
Autorët Y
Autorët Z
English
Letërsia Botërore
Zemra Shqiptare
Forumi
Njohje
Galeria
Direktoria
Lojra
Chat
::| Email Lajmerues
Emri:
Email:
 
 
 
Autorët R » Reshat Sahitaj
 
MALI I NDALUAR
E diel, 27-01-2008, 09:48pm (GMT)

 MALI I NDALUAR

Roman

Fragment

I

Kohëve të fundit Donika dukej e çuditshme. Njerëzit, që e njihnin, mendonin se kjo kishte kaluar në fazën e çmendurisë. Kështu thoshin vetëm pse tani rrinte e mbyllur në vete: nuk fliste me askënd, madje as përshëndetjet nuk ua kthente.
Çdo pasdite, pikërisht në orën pesë, pa u penguar nga shiu, bora apo dielli përvëlues, ngjitej malit deri në majë dhe për një kohë të gjatë sodiste e palëvizur  perëndimin e diellit. Kurrkujt s'i lutej - as perëndisë dhe as njeriut. Shikonte në horizont duke çuçuritur fjalët: “Zot, ç'të kam bërë?!”
Qante pa zë. Lotët e nxehtë i shkonin rrëke faqeve duke iu ndalur në buzë dhe ajo pa dashur shijonte njelmësinë e tyre. 
Asnjëherë nuk dilte me flokë të çrregulluar e me veshje të çoroditur. Jo, ajo vishej me shije. Lyente fytyrën, hiqte vetullat dhe në buzë vinte një të kuq të dalluar, veç nuk e kufizonte me lapsin e zi, siç bënin shumica e grave. Veshja e saj, ecja dhe qëndrimi nuk dalloheshin nga ato të grave të rëndomta. E vetmja gjë për të cilën njerëzit zunë të pëshpërisnin, ishte se kjo nuk fliste me askënd, përveç me vëllezërit në të rrallë. I çudiste sidomos heshtja e Donikës përpara kolegëve të punës, me të cilët dikur bënte biseda të gjata rreth nxënësve, për lëndën e saj dhe, natyrisht, për problemet e ndryshme të jetës së përditshme. Po të hapej në bisedë, njerëzia ndoshta nuk do të kishin filluar të thoshin gjithë ato pandehma e  thashetheme për çmendurinë e saj. Banorët e rrethit të saj ishin edhe më të çuditshëm. Përzierja në punët e tjerëve ishte traditë e trashëguar qysh nga kohërat e lashta. Kështu flitej, por askush nuk ishte i sigurt. Prandaj, edhe sikur Donika të ishte engjëllusha më e denjë për respekt, prapë s'do të mbetej pa hyrë në gojët e botës. Njerëzit rreth saj s'do të linin pa rrëmuar thellë e më thellë veçan në moralin e saj. Fjalë do të thuheshin nga burrat që shpresonin ta kalonin një natë me të, por dhe nga gratë që po i linte pa gjumë bukuria e saj.
 Pasi përfundonte orët në shkollë, ajo hidhte ditarin, ndizte veturën dhe shkonte në drejtim të malit. Parkonte atje tej veturën dhe pjesën tjetër e bënte këmbë. Një orë qëndronte e palëvizur e me sy të rrëmbushur, pastaj zdirgjej, ngiste fluturueshëm veturën dhe mbyllej në dhomën e saj.
Në fillim vëllai i madh Arbeni kishte tentuar disa herë që të hynte në dhomë e të fliste me të. Gjithnjë si pretekst për të hyrë merrte ushqimin. Pas derës i thoshte se duhej të hante diçka. Ajo nuk u përgjigjej luetjeve të tij të kota. Arbeni kalonte çaste të tëra pas derës duke u munduar të përgjonte edhe zhurmën e saj më të vogël. Rrallë dëgjonte ecjën e saj në dyshemenë prej dërrasash, apo kërcitjen e krevatit. Përpiqej të merrte vesh se çfarë bënte e motra mbyllur në dhomë. Ditët e para frikësohej se ajo mund të bënte vetëvrasje. Me kalimin e kohës u sigurua se ajo nuk kishte ndërmend të vdiste. Të vritej në shtëpinë e tij do të ishte një akt i turpshëm për familjën dhe për të, prandaj kujdesej që një gjë e tillë të mos ndodhte. Shpesh në bisedë me të shoqen pendoheshin që e sollën në shtëpi dhe nuk e lanë të banonte në banesën e saj. Nga frika se bota do të thoshte se ky s'e kish ndihmuar të motrën në çastet më të vështira, përpiqej t’i rrinte gati për çdo gjë. Të kish pasur fëmijë nga martesa, me siguri që nuk do të ngulnin këmbë të kthehej në shtëpi, ngaqë për të do kujdeseshin edhe ata të shtëpisë së burrit.
Donika ndante jetën e saj herë me familjen e vëllait, herë në banesën e saj filli vetëm.
Gruas së pafëmijë, ata të burrit as që ia hidhnin sytë. Sidomos Donikës, që s'e kishin dashur asnjëherë.
Donikës burri kurrë s'i kish treguar përse e urrenin prindërit e tij. Megjithatë, ajo e kuptonte këtë nga sjelljet e tyre. As ajo s'nguli këmbë të mësonte shkakun e kësaj mërie. Për të mjaftonte që Agimi e donte. Tregonte kujdes të veçantë dhe bënin jetë normale. Urrejtja e prindërëve me kalimin e viteve, në vend se të zbutej, shkonte çdo herë duke u shtuar. E quanin grua të lazdruar, mendjemadhe, madje e fajsonin se për të ruajtur bukurinë e trupit, nuk dëshironte të bënte as fëmijë.
Vitin e parë të martesës Donika mundohej të tregohej e sjellshme me prindërit e të shoqit, por ata nuk pranonin asnjë shërbim të saj. Refuzonin, madje, edhe dhuratat që ua dërgonte.
Vitin e dytë, nga dashuria për Agimin, vendosi që me çdo kusht t’u hynte në qejf dhe të bëhej sikur s'po ua dëgjonte asnjë fjalë fyese. I dukej absurde që ta donte burrin dhe të mos tregonte respekt për prindërit e tij. Zgjohej që pa gdhirë, ua përgatiste mëngjesin dhe, fshehurazi, posa ata dilnin nga shtrati, rendte të  pastronte dhomën e tyre. Megjithatë, kur kthehej nga puna, i thoshin me zë të rreptë që më mos t'u hynte në dhomë, madje edhe sikur t'i kish rënë zjarri.
Vitin e tretë akuzat e tyre u bënë edhe më të hidhura.
-Vetëm djali im po të mban ende, - i tha një ditë plaku, - po të ishte kushdo tjetër, moti do të kishe parë udhën!
 Që nga ajo ditë Donika s'denjoi t'ua hidhte më sytë. Ata, megjithatë, vazhdonin dërdëllisjen. E vjehrra po i thoshte:
-Ke marrë djalin më të mirë në gjithë rrethinën! Ti, që ke kalëruar në aq shtretër burrash dhe, kur s'të ka lënë asnjëri brenda, ke gjetur të mashtrosh këtë axhamiun tonë!
Donika sërish nuk fliste dhe e vjehrra prapë i mëshonte zërit:
Të gjitha i kam marrë vesh qysh ma ke mashtruar Agimin. I ke bërë sehire te ajo shtriga plakë! Veç ato s'do ta mbajnë gjithmonë. Atëherë do të shohë ç'hakubet e ç'grua të përdalë ka futur në shtëpi! Madje një që as fëmijë s'do t'i bëjë! Atëherë do të shohësh kë do më shumë: laviren apo prindërit! Do të të hedh në rrugë si leckën, kurrgjë mos dysho!
Donika vetëm sharronte edhe më thellë në mendime. Çuditej, megjithatë, si mund ta urrenin me kaq forcë pa u bërë asnjë të keqe. Habitej sidomos si s'ngurronin t'ia prishnin lumturinë të birit.
Para martesës njëmend kishte bërë dashuri si gati të gjitha vajzat e moshës së saj. Këtë e dinte Agimi. Atë e kish dashuruar marrëzisht që nga takimi i parë dhe me të kish vendosur të kalonte pjesën e jetës që i kish mbetur. Digjej dhe nga  dëshira për të bërë fëmijë, natyrisht. Por, fatkeqësisht, pas analizave që bënë, doli se ai ishte steril. Veç, si t'ua thoshte këtë prindërve të tij?
Në vitin e katërt vendosën të shpërnguleshin në Prizren dhe të merrnin një shtëpi me qira. Motmot më vonë bënë apartamentin e tyre. Por, prindërit as që denjuan t'u shkonin në derë. Asnjëherë prindërit e burrit nuk i erdhën mysafirë në banimin e tyre te ri. Agimi, megjithatë, ndonjëherë u shkonte në katund dhe ata s'ngurronin ta ngacmonin sikur të ishte ende ai fëmija i vogël që mezi mbahej në këmbë. I thoshin sidomos se ishte harruar pas një gruaje rrugësh dhe i kish braktisur prindërit. Agimi herë pas here shkonte në fshat për të vizituar prindërit. Më kot mundohej t’i bindte se kjo s'ishte e vërtetë. Veçse edhe ata duhej të kuptonin ç'hidhërime po i jepnin me grusht.
 Këtë mendonte tash Arbeni pas gjithë asaj që kish ngjarë dhe thoshte vetmevete se vetëvrasja e Donikës do të ishte turpi më i madh që do të mund t'i binte mbi kokë. Kjo ishte arsyeja që ai s'pushonte së përgjuari. E qetësia, që mbretronte në dhomë, e mundonte më së shumti. Nuk ishte në gjendje të dinte nëse ajo bënte gjumë, meditonte apo kish pirë helmin dhe i kish dhënë fund jetës. Qetësohej vetëm ku ia dëgjonte ecejaket nëpër dhomë, apo shushurimën e librave që shpaloste.
Kur s'ndodhej ajo në shtëpi, Arbeni hynte brenda dhe kontrollonte me gre raftet e komodinat. Por, s'gjente asgjë, përveç hapave për grip. Madje as literatura s'ishte nga ajo që tundonte vetëvrasjen. Kish ca romane frengjisht, libra shkollorë dhe një sërë artikujsh të prerë nga gazetat, ku bëhej fjalë për të burgosurit, të zhdukurit dhe të ekzekutuarit. Kurrgjë më shumë. Krejt normale, pra. Ajo kërkonte gjurmët e burrit të zhdukur, për të cilin ende kurrkush s'dinte gjë. Dhe ai akoma as s'mund të vihej në radhën e të gjallëve, as në atë të të vdekurve. Për të shoqin e zhdukur u fol vetëm në fillim. Pastaj e harruan. Kujtoheshin se kish qenë gjallë vetëm kur binte fjala për Donikën. E atë rëndom e ankonin që kish mbetur e paburrë në moshë kaq të re. Ajo, ndërkaq, s'ishte dhe aq e re, ndonëse me shtatin prej lastareje, me flokët derdhur supeve dhe me sytë e kaltër të njomë, dukej sikur kish rikthyer çupërinë. Por, dhe kjo shprehje dhembshur ishte e shtirur, qesëndisëse dhe me hipokrizinë që vlonte përbrenda. Prandaj e gjitha përfundonte me të qeshura sherraqe.
-Vallë do të ketë gjetur gjë ende ajo grua? - pyeti Mazllumi bashkëbiseduesit. Ishte një dyzetvjeçar, që të ufmonte me erën e parfumeve turke. Ky qëkur ia kish vënë syrin Donikës, andaj mëtonte që duke yshtur të tjerët të përpushnin jetën e saj, të kuptonte në mund të kishte shpresa. Ai, me pasurinë e pamatur që i sillnin pompat e benzinës, kish shtënë në dorë gra edhe më të reja, megjithatë Donika ishte për të një peng tjetërfare, fanitja e kurmit të së cilës e linte pa frymë.
-Qysh? Kujtove se gjithë jetën do të mbetej vejushë duke të pritur ty? - tha Mehmeti, i cili njihte sfilitjet e tij për gratë. Njiheshin pothuaj që nga rinia, madje me vite punon bashkë. Mehmeti gjithashtu ishte pronar i një pompe benzine, andaj me Mazllumin jepnin e merrnin. Por, Mazllumi për vite të tëra kish bërë tregti me serbë, andaj ishte shumëfish më i kamur. Kish furnizuar tanket serbe kur luftonin kundër kroatëve dhe më vonë kur u hodhën t'i shqyenin boshnjakët. Tash, ndërkaq, u jepte nga pak fshehurazi edhe partive shqiptare, ngaqë s'i dihej si do të gdhihej e nesërmja. 
-Thuaj ç'të duash, o Mehmet, veç fitime e një dite do t'ia kisha dhuruar vetëm për një natë.
-Nuk dyshoj, por Donika s'është e tillë!
-Pra, është grua si të gjitha të tjerat. Këtë s'do të mund ta mohosh.
-Gratë s'janë njëlloj, zotëri. Njëmend ka që mashtohen lehtë, por ka edhe aso që s'mund t'u hedhësh spangon. 
-Kështu thoshin edhe për Bukurinë, megjithatë…
-Gabohesh, qe ku po ta them! - i mëshoi zërit Mehmeti. Ky, duke njohur Abrenin, shtirej sikur dinte çdo gjë edhe për motrën e tij. E vërteta, ai dinte fare pak, por kish qëllim që duke zmbrapsur Mazllumin, të hidhej vetë në luftë për zemrën e kësaj gruaje. S'kish frikë nga Mazllumi, por nga kamja e tij, që bëhej karrem i lehtë për çdo grua. Për këtë shkak ky muajve të fundit qe pleksur aq shumë me Arbenin. Herë pas here, madje, e kish ndihmuar edhe me para. Tevona edhe Donikës disa herë ia kish mbushur veturën me binzinë. Thoshte se e ndihmonte si motër të mikut dhe sidomos si grua të burrit të zhdukur pa gjurmë. Njëherë dikush e kish pyetur me qesëndi se në qoftë se njëmend e ndihmonte për këtë arsye, përse s'e bënte këtë edhe me gratë e tjera të paburra? E të tilla kishte mjaft. S'e kam zgjedhur unë, o i marrë, tha vetmevete, por zemra. Donikën e kam dashur që nga djalëria. Shpresoj se kështu pak nga pak do ta yshtë e do ta tundoj. Pastaj do ta ftoj në darkë dhe puna do të kryhet fët e fët. Njëherë me të vëllanë, pastaj fillikat. Atëherë do të ulemi pranë e pranë dhe unë do t'i rrëshqas dorën në kofshën lakuriqe. Po në qoftë se reagon? Eh, ndoshta është më mirë më parë t'i jap një gotë dhe në të t'i hedh barin që kam blerë jashtë për ndezjen e dëshirës seksuale. Po në qoftë se...? Çka? Le të përmbyset bota! Është aq e bukur dhe s'mund të heq dorë. 
Megjithatë Arbeni i kish thënë se ajo rrinte mbyllur, madje as s'fliste me njeri. Domethënë ende s'e ka ndërmend ta harrojë të shoqin! E ky e kish dashur  që nga koha e studimeve, përpara se ajo të njihte burrin. Kish qenë një dashuri e fshehtë, që s'kish guxuar t'ia shpallte kurrë. Net të tëra kish zgjedhur çdo fjalë që do t'ia thoshte, por të nesërmen frika gjithnjë ia kish lidhur fjalën në fyt. Kish frikë se, po t'i thoshte gjë, do ta humbiste për fare. Nuk do t'ia jepte më dorën në mëngjes, s'do të pinte kafe me të, madje as sytë s'do t'ia hidhte fare.
Në vitin e fundit të studimeve vendosi të bëhej burrë dhe t'ia përpushte zjarrin që e digjte kaherë. Veç të njëjtën ditë, derisa po shkonte në konvikt, pa një djalosh që e kish mbështetur për muri dhe po e puthte me afsh. Ky u bë më vonë burri i saj. Kish qenë një çast fatal, që do ta përcillte gjithë jetën.
Më vonë ajo nisi punën si profesoreshë e frengjishtes në Gjimnazin e Prizrenit, ndërsa Mehmeti u bë tregtar. Udhët e tyre u ndanë definitivisht dhe shpresat u vagëlluan. Atij iu ringjall dashuria shumë më vonë, vetëm kur mori vesh për zhdukjen e mistershme të të shoqit. Dhe nuk do të lejonte më të mposhtej nga frika. Vetëm të mos ia rrëmbenin të tjerët papritur!
 Mehmeti e pa me urrejtje Mazllumin. O zot, sa shumë e irritonte ky njeri! Ky lehtë mund të bëhej varrmihësi i shpresave të tij. I yshtte gratë me barrët e florinjve dhe, kur t'u kish pirë lëngun, i hidhte dhe i harronte. Dhe ato asnjëherë s'mbusheshin mend. Prapë gjendeshin mendjelehta që binin bëlldum në kurthin e tij. Edhe Donika ishte ngusht për para. Mund të tundohej nga ky matrapaz dhe Mehmeti të mbetej veç me zhgënjimin. Disa herë mendoi t'i rrëfehej Mazllumit dhe t'i përgjërohej të hiqte dorë nga Donika.  Ndoshta do ta kuptonte dhe nuk do t'i vardisej më. Por, kish frikë se do të dilte qesharak. Mazllumi nuk do ta kuptonte. Madje edhe do ta qesëndiste. Vendosi që sa më parë të kontaktonte me Arbenin që t'ia shpejtonte rastin të takohej me Donikën. Në fund të fundit, edhe pse nuk ia kalonte me kamje Mazllumit, kishte mjaft sa t’ia përmbushte të gjitha kërkesat asaj gruaje. Për fillim do t'i blente një veturë luksoze dhe gjatë vitit do ta dërgonte dy herë në pushim ku të dëshironte ajo. Do të shtroheshin në dreka e darka në restorantet më të mira, do t'i blente rrobat më të shtrenjta. Më në fund do të bënte të dukej si një princeshë e vërtetë. Po të kuptonte Donika të fshehtën e zemrës së tij, do t'i ngjitej si rrodhe dhe s'do t'i shkoqej më.
-Çka the?! - thirri Mazllumi duke shqyer sytë. Vetëm atëherë Mehmeti kuptoi se kish folur me zë.
-Asgjë! - u përgjigj. - Kush të tha se fola?
-Qysh s'fole, burrë? Nuk jam aq i dehur. Vetëmse isha duke menduar për atë vejushën sykaltër dhe nuk të kuptova ç'the.
-Ëhë, po, - u ngut Mehmeti, - të pyeta për atë shoqatën franceze të naftës. A do të guxoj të futem në biznes me të?
-Atë ti e di më mirë se unë. Vetëm rreth fustanit të Donikës mos m'u pështill!
Por, Mehmeti tashmë kish vendosur që qysh të nesërmen t'i binte në gjunjë Arbenit.


Lexo/Shkruaj Komente (0)        Printo        Dergoje        Top




 
::| Krijimet e Fundit
::| Speciale
Reshat Sahitaj

 
SOSO NEWS EXPRESS
[Krye]