Letërsia Shqiptare
Dergoni krijimet tuaja - Email: admin@zemrashqiptare.net
E diel, 06-07-2008, 11:56pm (GMT) Letersia FAQ RSS Lidhje Harta Kontakt
 
 
::| Fjalekyc:       [Kerkim i Avancuar]  
 
Kategorite  
Ekskluzive
Kritika - Analiza
Libri
Informacione
Intervista
Gjuha Shqipe
Poetët e Zemrës
Autorët A
Autorët B
Autorët Ç
Autorët D DH
Autorët E
Autorët F
Autorët G-GJ
Autorët H
Autorët I
Autorët J
Autorët K
Autorët L-LL
Autorët M
Autorët N
Autorët P
Autorët R
 » Rasim Selmanaj
 » Renis Nushaj
 » Risto Siliqi
 » Radije Hoxha
 » Rexhep Qosja
 » Riat Ajazaj
 » Ridvan Dibra
 » Rifat Kukaj
 » Rita Petro
 » Roland Gjoza
 » Rudina Berdynaj
 » Rudina Madani
 » Rudolf Marku
 » Rrustem Geci
 » Rexhep Kasumaj
 » Rizah Sheqiri
 » Roland Beqiraj
 » Reshat Sahitaj
 » Rezart Palluqi
 » Rami Kamberi
 » Riza Haziri
Autorët S-SH
Autorët T-TH
Autorët V
Autorët XH
Autorët Y
Autorët Z
English
Letërsia Botërore
Zemra Shqiptare
Forumi
Njohje
Galeria
Direktoria
Lojra
Chat
::| Email Lajmerues
Emri:
Email:
 
 
 
Autorët R » Reshat Sahitaj
 
LËVIZJA
E diel, 27-01-2008, 10:00pm (GMT)

RRUGA PA KTHIM 

Roman

LËVIZJA

Kur nata kishte pllakosur fshatin, poçi elektrik në ballë të murit të shtëpisë së Bardh Bjeshkës dukej si xixëllonjë. Në dritaren e odës përpiqej të depërtonte një xixë e dobët drite.
- Ende nuk paska fjetur Skënderi,- tha më vete Bardhi, duke mbyllur me shul derën e oborrit. Hapi ngadalë derën e odës. Dy bijtë u ngritën për t’i ndihmuar ta hiqte xhurdinë e leshtë. Bardhi murmuriste ndër dhëmbë dhe fërkonte duart e plasaritura. Zuri vend pranë stufës së skuqur dhe lëmonte mustaqet e thinjura. Nxori kutinë e duhanit dhe drodhi një cigare.
Nga jashtë dëgjoheshin të lehurat e qenve. Agroni, djali më i vogël, këqyrte  kafen të mos derdhej. Plaku nxori çibukun e qelibartë dhe futi cigaren në të. Skënderi  u ngrit dhe ia ndezi cigaren. Agroni ua ofroi kafet dy burrave, që lëshonin shtëllunga tymi në heshtje.
Skënderi hetonte në fytyrën e babait se kishte një hall, por nuk dëshironte ta shqetësonte. Ai, kur dëshironte të kallëzonte diçka, merrte një pamje serioze, ofshante thellë dhe binte në heshtje derisa e pyeste dikush. Kësaj radhe Skënderi nuk dëshironte ta pyeste për asgjë.
Derisa  ai po pinte kafen, Agroni e prishi heshtjen:
-   Pse nuk flet gjë, baba?
- Ç’të flas. U plaka e forca më ka lëshuar. Sytë i kam në ty, biro!-iu drejtua me vështrim Skënderit.
- Ti ende je i fortë, baba, -i tha Skënderi me gjysmë zëri. Ai kishte një parandjenjë se diçka e keqe do të ndodhte në këtë shtëpi. As vetë nuk dinte të shpjegonte se pse këto mendime të këqija i vërdalloseshin në kokë. Shpeshherë kohëve të fundit thoshte më vete se njeriu zakonisht është i prirur të mendojë vetëm keq. Kështu, kur nënës i vonohet fëmija, mendja i shkon se ka humbur ose e ka shkelur diçka. Asnjëherë nuk kujton se ai është diku në një shoqëri të mirë. Kur  i vonohet burri , ajo mendon se ai bën dashuri me një femër tjetër, por kurrë nuk kujton se burrit i ka dalë ndonjë punë  e papritur. Gjersa po pinte kafe dhe vështronte fytyrën e zymtë të babait, kujtonte gjërat më të këqija që mund t’i ndodhnin. Mund ta burgosnin, ta vrisnin para syve të grave ose  t’ia humbnin gjurmët  tinëzisht.
 - Biro, kohë të vështira kanë ardhur!- foli plaku.
Dy djemtë pohuan me kokë. Skënderi deshi t’i thoshte se tani po vinte koha e shqiptarëve, se atyre kurrë nuk u ka munguar trimëria, por tytën e kishin drejtuar gabimisht kundër vëllait dhe se tani ajo kohë po perëndonte. T’i fliste kështu babait, i dukej pakëz e tepërt, ndoshta edhe jo krejt e vërtetë. Para syve i rrinte gjithnjë xhaxhai i tij Maliqi.
Shqetësimi i plakut nuk ishte pa vend, sepse kishte përjetuar shumë tmerre serbe.
- Biro, nuk i zihet besë shkaut. Ai natën të vran e ditën të qan. Kur ta ka hallin, të shqyen si llavë qensh.
Gjatë luftës na thanë luftojeni gjermanin, se do të fitoni lirinë. Ne dolëm partizanë në male. Erdhën brigadat e Shqipërisë dhe çliruam Kosovën. Në Bujan bëmë Rezolutën për bashkim me Shqipërinë, por nuk e mbrojtëm atë.
- Kështu i kishte fjalët atëherë Kominterni. Edhe Karta e Atlantikut garantonte vetëvendosjen e popujve,- e plotësoi Skënderi.
- Brigadat e Shqipërisë i përzunë matanë kufirit dhe në Kosovë u dyndën tri divizione sllave, - vazhdoi plaku. Neve na thanë ndiqeni gjermanin në Veri. Fadil Hoxha u nis për në Srem, por Shaban Palluzha hetoi tradhtinë dhe krisi luftën në Drenicë. Sikur të ishte e bashkuar gjithë shqiptaria, kurrë s’do të na ripushtonte Serbia! Atëherë kishim mjaft armë dhe njerëz. Në Kosovë ra ploja dhe Tito ishte më i zi se kralët. Na varguan për në Tivar dhe na prenë si dhentë. Deti u skuq me gjak shqiptari, jo nga gjermani, por nga hasmi i vjetër sllav!- ofshani plaku.    
-Po, ç’ndodhi më vonë?- pyeti i shastisur Agroni.
- Kosova ra nën Serbi në një kuvend, që ishte mbledhur në Prizren. Kopili Tito  i jepte vetes të drejtë të prishte kufijtë dhe të rrëmbente Istrien me ujdhesa nga Italia, por shqiptarëve ua tregonte bërrylin. Nuk pranonte as një republikë si Maqedonia, duke u shtirë se do të hidhërohej shumë Serbia. Kështu kishte vepruar me dinakëri edhe gjatë ndryshimeve kushtetuese më 1974, kur Kosova kishte mbetur me një këmbë në Serbi dhe tjetrën në federatë,- shpjegoi Skënderi dokumentet historike të porsabotuara.   
Perandori i kuq kishte zhgërryer mirë edhe Lindjen, edhe  Perëndimin, në pozitën e vijës së gjelbër, por këtë më vonë do ta paguanin shtrenjtë popujt e mjerë.
Demonstratat e fuqishme në Kosovë kishin zhdavaritur iluzionin e lirisë së pushtimit. Lëvizjet studentore kishin shpërthyer nëpër Evropë. Atë vit pranvera kishte çelur më herët. Ishte rizgjuar vetëdija për Atdheun e gjymtuar dhe kombin e ndarë. Disa vjet kishin ligjërurar në Universitet profesorët e Tiranës. Këngët e vallet e shqipeve brumosnin shpirtin liridashës. Kërkesa Kosova-Republikë  ishte bërë flamur kudo. Parulla Trepça punon, Beogradi ndërton tregonte tërë pozitën tonë të kolonizuar. Pas vdekjes së perandorit të kuq, pritej edhe vdekja e perandorisë së sllavëve të jugut. Atij ia kishin  bërë gjëmën në Beograd, por e kishin varrosur tinëzisht diku mes Kroacisë e Sllovenisë, sepse urrehej shumë nga serbët. Kosovën nuk duhej ta zinte gjëma si në Perandorinë otomane. Tani mbi Kosovën ishin vërsulur ushtria dhe njësitet speciale me helmeta e tanke blu nga gjithë perandori, sepse pikërisht këtu trandeshin themelet e saj. Shumë demonstrues ishin vrarë, ndërsa mijëra të tjerë ishin burgosur e arratisur jashtë.
Në Kosovë kishte filluar riciklimi i terrorit shtetëror për linçimin e shqiptarëve. Së pari bëhej gënjeshtra, pastaj vinte lamenti sllav dhe në fund ndodhte krimi.
Shërbimi sekret serb kishte filluar edhe përndjekjen e veprimtarëve tanë jashtë. Ne Bruksel u vra Vehbi Ibrahimi. Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka ishin vrarë në një pusi te Shtutgarti. Militantët Rexhep Mala e Nuhi Berisha kishin rënë duke luftuar e duke kënduar në një rrethim të hekurt në Prishtinë. Të gjitha krimet sllave kishin ndodhur në janar.
Mbaheshin mbledhje varg e vijë të komiteteve. Demonstratat ishin shpallur armiqësore dhe kontrarevolucion. Shqiptarët satanizoheshin për të gjitha të ligat e perandorisë. Mallkoheshin foshnjat në djep, flamuri dhe shkolla, që kishin zgjuar ndërgjegjen kombëtare. Serbët kërkonin mbylljen e Universitetit, si bastion i nacionalizmit, dhe heqjen e autonomisë. Ata tregonin me gisht atdheun e shqiptarëve përtej Bjeshkëve të Nemuna, se Kosova ishte djepi serb i një beteje të humbur. Kështu, demonstratat provuan tërë brishtësinë e autonomisë deledashe.
Atëherë villej shumë vrer mbi Shqipërinë. Thoshin se atje populli vuante si gjarpri nën gurë, se nuk kishin as shporete, as frigoriferë. Vetëm këndej lulëzonte liria e vërtetë e vetëqeverisjes.
Kalorësit tanë të kuq politikë sikur bënin gara të shtypnin frymën e lirisë. Ishin lëkundur pozitat e tyre dhe devotshmëria vasale. Ata dënonin demonstratat, por edhe lansonin dyshime se ato i kishte organizuar vetë Beogradi. Hafijet shqiptare përhapnin frikën e masakrave të llahtarshme.
Bakalli e Vllasi ishin pajtuar me ndërhyrjen e forcave serbe në Kosovë. Me miratimin e tyre ishin shtypur me gjak demonstratat.
Kryevasali Hoxha e kishte quajtur hiç më pak se  pleh lulen e rinisë kosovare dhe ia kishte treguar për treqind groshë birën e miut. Dhëndurët serbë Hasani, Shukria dhe Shiroka demonstronin vëllazërim-bashkimin dhe miqësinë e përjetshme me Serbinë.
Vllasi kishte lëshuar fshesën e spastrimit nëpër Universitet. Për të flitej se ishte pëllumb i dresuar i Titos, të cilit një herë ia kishte dorëzuar edhe stafetën e ditëlindjes. Edhe yllin mbi krerët e shqiponjës e kishte qitur në anën serbe. Mirëpo, dasmorët e mbështillnin flamurin deri te ylli dhe shqiponja valonte e lirë.
Shtëllunga tymi po përziheshin ne ajrin e dhomës së ngrohtë, kur në derën e oborrit u dëgjua një e trokitur e lehtë. Qeni i lidhur në stelë filloi të lehte si i çartur, sikur donte ta këpuste zinxhirin. Agroni doli duke përplasur derën e dhomës.Të lehurat e qenit pushuan.
- Kush do jetë kaq vonë?!- tha Bardhi, pa  kthyer kokën nga i biri.
- Mund të jenë patrulla të policisë!
- Jo, biro, policia nuk troket kaq lehtas në derë. Këto janë trokitje të ndonjë miku. Por, edhe sikur të jetë policia,  më ngushtë nuk kemi ku të shkojmë. Ty të përjashtuan nga puna, Agronin nga gjimnazi, ndërsa  Bashkimi nuk guxon të vijë nga Gjermania as për t’i parë fëmijët e vet.
Gjersa po fliste plaku, në derë të odës u duk një burrë.
- Po ku je, more Ilir? U bë shumë kohë që nuk u pamë!
- Nuk ka një muaj që isha këtu,-tha Iliri duke qeshur e  përqafuar  ngrohtësisht plakun. Skënderi e Iliri u shikuan në sy me një dashuri vëllazërore. Në sytë e Ilirit shprehej një keqardhje për shokun e tij të përjashtuar nga gjimnazi. Në rrudhat e tij vërehej ende shpresa për ditë më të mira. Shpresa ishte ajo forcë shpirtërore, që i mbante ende njerëzit. Nga u vinte gjithë kjo shpresë  në këtë mynxyrë? Ndoshta nga historia e shumë popujve që ishin çliruar nga pushtuesit e tyre. Skënderi ia lexonte mendimet shokut, që  përputheshin me të tijat. Skënderi ishte një tip i mbyllur. Ai nuk dëshironte që vuajtjet e tij të bëheshin barrë e të tjerëve, ngase çdokush kishte hallet e veta dhe përballej me të papritura.
Agroni vuri kafen për mikun, ndërsa plaku ia ofroi kutinë e duhanit. Iliri tregoi se kishte lexuar në gazetë  për përjashtimin nga puna të Skënderit. Skënderi dukej i lodhur, ngase një dhimbje ia kishte pushtuar zemrën qëkur e kishin larguar nga procesi mësimor. Kishte një dashuri të madhe për profesionin dhe nxënësit, të cilët i donte si fëmijët e vet. Pa praninë e nxënësve, çdo gjë i dukej e zbrazët dhe pa kuptim. Qëkur e kishin përjashtuar, rrinte i mbyllur në shtëpi. Gjente prehje në libra, por në fillim e kishte vështirë të përqendrohej.
- Për çka të përjashtuan?- e pyeti Iliri, duke ndezur cigaren e porsadredhur nga kutia e plakut.
- Me thanë se isha i rrezikshëm për edukimin e brezit të ri!
Agroni i solli kafet. Lëvizjet e tij ishin të lehta e të qeta si vetë natyra e tij. Të gjithë e njihnin si djalin më të urtë të fshatit, që kurrë nuk i kishte kundërshtuar askujt. Një ditë kujdestari i klasës, i shoqëruar nga një njeri i pushtetit, kishte kërkuar të dënoheshin demonstratatat dhe të quheshin kundërrevolucionare. Agroni s’ishte duruar dhe kishte kundërshtuar i pari. Ky kundërshtim bëri që ai të përjashtohej nga shkolla, pa asnjë të drejtë regjisitrimi në ndonjë shkollë tjetër. Prej asaj dite u shkëput nga nxënësit e  tjerë dhe nuk pa rreze dielli disa muaj në burgun e Prizrenit.
Sistemi policor zbatonte masa të padukshme ndaj ish-të burgosurve. Vazhdimisht përcilleshin lëvizjet dhe kontaktet e tyre. Hafijet hapnin fjalë se të burgosurit politikë ishin bërë bashkëpunëtorë të policisë. Në anën tjetër, bëheshin tubime publike të leçitjes së njerëzve, që dyshoheshin të rrezikshëm për shtetin.
Agroni  duhej të mbyllej në shtëpi, midis librave. Edhe sikur të dilte në rrugë, pakkush guxonte t’i afrohej. Ai më se shumti brengosej për të dashurën, që po i rrallonte takimet. Një fije shprese i thoshte  se ajo ishte e zënë me mësime, ose frikësohej nga prindërit.
Plaku qe zhytur në mjegullën e duhanit, kur dëgjoi një zë që kërkonte Agronin. Ishte zëri i Luanit, që kishte hetuar Ilirin, duke rrëshqitur si hije në derë të oborrit. Kishte ardhur për të hetuar se kush ishte ky mysafir i vonë në shtëpinë e xhaxhait. Luanin e kishte çuar këtu kureshtja e babait të tij. Ai ishte moshatar i Agronit, por me karakter krejt tjetër. Kishte prirje për të përgjuar bisedat e fshehta e njerëz të panjohur, për të cilët raportonte rregullisht babai i tij. Agroni i urrente  përgjimet dhe nuk i interesonin fshehtësitë e të tjerëve. Ai ishte nxënës i shkëlqyeshëm, kurse Luani gati po mbaronte gjimnazin  në saje të lidhjeve të Maliqit, i cili kishte vendosur ta vishte milic.
- Ç’e mirë të pruri Luan?- e pyeti djaloshi, edhe pse e dinte qëllimin e ardhjes së tij.
- Mos e ke një libër të ri, që është botuar në Tiranë?-tha duke lëvizur këmbët për të qenë më bindës. Luani nuk ishte aq naiv, sa të bëhej i dyshimtë. Pyetja nuk ishte aspak bindëse. Të ishte ditë, do të kishte formuluar një pyetje tjetër. Njerëzit që lëvizin natën, janë të rrezikshëm për shtetin,- i kishte thënë babai.
- Ti e di mirë se unë nuk lexoj libra të tillë, -ia priti Agroni.
- Pak më parë dëgjova disa trokitje, kë e keni mysafir?- e pyeti ai  me një zë normal, sikur të mos ishte edhe aq i interesuar.
- Është Sokoli. Eja hyn brenda!- i tha Agroni qetas, sikur donte t’ia hapte derën.
- Jo, jo, qenka ai budallai!- tha Luani porsa dëgjoi emrin e tij dhe u largua.
Në dhomë biseda qe prerë. Skënderi ia kishte ngulur sytë fotografisë së Skënderbeut në ballë të dhomës dhe me vështrim nga burrat sikur u thoshte :
 Eh çfarë kohe paska ardhur! Vëllai vëllanë dëshiron ta përpijë të gjallë. Eh, sikur të isha gjallë e ta rrokja përsëri pallën time. Po këta trima, ç’presin që nuk mbrojnë atdheun, trojet, vashat, nuset e fëmijët e tyre!
Skënderit iu mbushën sytë lot. Iu duk se Skënderbeu kishte zbritur në odë dhe me një ecje të rëndë i qortonte burrat.
Agroni hyri brenda, tregoi arsyen e ardhjes së Luanit dhe mënyrën si e kishte larguar, pa  hetuar praninë e Ilirit.
- Është kopil ai djalë. Do të bëhet edhe më i keq se i ati !-pshëretiu plaku.
Iliri këshilloi Skënderin ta largonte Luanin nga ajo rrugë e keqe. Skënderi  tregoi se shpesh ishte munduar, bile kishte porositur edhe Agronin, si moshatar të tij, por ai ishte nën ndikimin e prindit dhe të shokëve të tij  në zyrat shtetërore. T’ia ndalonin hyrjen në shtëpi, u dukej pa mend, sepse Maliqi mund t’i akuzonte për ndonjë veprim kundër shtetit e popullit.
Uji i xhezves qe derdhur në gacat e prushit. Agroni bëri edhe një kafe tjetër. Bardhi e Agroni shkuan të flenë, ndërsa Skënderi vazhdoi bisedën me shokun e tij.
- ndërhyrjen e forcave serbe në Kosovë?!-  i tha me pezmatim Skënderi.
- Do të vijë dita kur këta kodoshë do të përgjigjen para gjyqit të popullit! –ia priti me mllef Iliri.
- Thonë se pehlivanët janë si peshqit, rrëshqasin lehtë nga dora.
- Si është e mundur që këta politikanë tanë të nënshkruajnë Nuk do të mund t’i rrëshqasin gjyqit të historisë.
- Ata do të thonë se kanë punuar për interesin e popullit dhe sërish do të vazhdojnë lojën! – shtoi me dyshim Skënderi.
- Mund të thonë gjithçka, por populli nuk do t’i harrojë kurrë këta butakë. Ata denjojnë të burgosen mijëra të rinj, por vetë të mos qëndrojnë as një natë në burg.
Dy burrat bisedonin me zë të ulët, sikur të frikësoheshin nga ndonjë përgjim pranë dritareve. Skënderi e dinte se çdo përgjim ishte i pamundur, madje edhe nga Luani, sepse Agroni  kishte zgjidhur qenin, që nuk linte njeri të huaj të shkelte oborrin. Skënderi ishte në Lëvizje dhe punonte në sistemin e treshes, me Ilirin shef të grupit. Veprimtarëve, që dëshironin të çliroheshin nga pushtimi sllav, nuk u interesonte prejardhja e sistemit të treshes. Ky sistem jepte rezultate, sepse agjenturat e shërbimit sekret nuk i binin aq lehtë në fije. Edhe kur i binin, arrestoheshin vetëm tre veta, e assesi i katërti. Skënderi ishte i vetëdijshëm se në rast të kapjes nga policia dhe torturat çnjerëzore të organeve të hetuesisë, ishte vështirë të mos e tregoje shokun, por nuk  kishte mundësi të nxirrje të katërtin, edhe sikur të të vrisnin. Se Iliri ishte një ndër nyjat  kryesore të veprimtarisë në Kosovë, e dinte mirë Skënderi,  por asnjëherë nuk e kishte pyetur për kontaktet e tjera  dhe mënyrën e finacimit të Lëvizjes. Këto ishin çështje konspirative dhe as  i shkonte ndër mend t’i bënte një pyetje të tillë. Kishte kureshtje të dinte për hierarkinë e organizimit vetëm për të pasur siguri në vetvete. Shpesh i bënte pyetje vetes, që  më vonë i dukeshin absurde. Kështu ai provonte vetveten për ta forcuar më shumë karakterin në rrugën e nisur. Ai dëshironte të dinte  se a ishin përfshirë në Lëvizje intelektualët, sidomos profesorët e Universitetit e shkrimtarët, dhe se a përkrahte masa e gjerë veprimtarinë e tyre. Nuk dinte a kishin përkrahjen e shtetit amë apo të ndonjë shteti tjetër, me të cilin kishte miqësi Shqipëria. Skënderi kishte dëshirë, që shteti amë të kishte  përkrahjen e ndonjë vendi evropian për ta ndihmuar Kosovën. Disa pohonin se Shqipëria ishte e armatosur mirë me armë të sofistikuara. Edhe Papa ishte lutur të mos drejtoheshin kokat e raketave atomike nga Vatikani, sepse mund të pëlcisnin rastësisht dhe ta digjnin Evropën.
Se a kishte diçka të vërtetë në këto pohime, askush nuk dinte. Mirëpo, derisa kryepari i Shqipërisë po dilte në televizion me fjalime aq të zjarrta, kjo forconte bindjen se diçka po lëvizte në të mirë të Kosovës. Zotimet se shteti amë ishte i gatshëm për gjithçka forconin moralin e veprimtarëve të Lëvizjes.
- Ti duhet të vish në Prishtinë!- i tha Iliri. Takimin e lanë për të dielën, në orën dhjetë, në banesën e Ilirit, ku Skënderi do të merrte kontakt me Norën.
Pak pas orës katër të mëngjesit, Iliri vendosi të largohej më herët, për të mos u vërejtur nga hafijet e shtetit. Para se të ngrihej, ia dha një zarf me të holla Ilirit, duke i thënë se këto ishin ndihma të diasporës për veprimtarët e mbetur pa punë.Skënderi kundërshtoi ta merrte zarfin, por këmbëngulësia e shokut e zuri ngushtë. Kishte shumë nevojë për të holla, por i dukej edhe shumë rëndë të merrte të hollat, që ishin ndarë nga kafshata e gojës së mërgimtarëve tanë.  Ai përjetoi njëherësh një gëzim dhe një rrëqethje.
Në oborr qeni sillej vërdallë rreth këmbëve të Skënderit, por nuk lehte, sikur ta kuptonte se po përcillte njeriun, që nuk duhej të zbulohej nga fqinjët. Ndoshta qeni kishte instinkt dhe i kuptonte sekretet e njeriut.  Skënderi e ledhatoi disa herë me shuplakë në shpinë. Ishte errësirë pus. Mjegulla që kishte rënë përtokë, kishte mashtruar edhe këngën e gjelit të hershëm. Dy duar u shtrënguan miqësisht. Iliri po largohej me hapa të qetë e të ngadalshëm. Skënderi ende qëndronte para dyerve të oborrit, duke përcjellë me sy trupin e tij, që humbiste si hije. Sakaq një veturë  kaloi atypari.
Mbylli derën, duke menduar për saktësinë e shoferit, që në kohë të caktuar kishte ardhur ta merrte Ilirin. Për të davaritur çdo dyshim, shoferi kishte shkuar më larg, për të dalë më pas në rrugën  ku e priste Iliri. Një vonesë e tij, ose një ardhje para kohe, mund të ishin fatale për Ilirin dhe Skënderin. Të vinte para kohe, ai nuk do të kishte mundësi të qëndronte para dyerve e të priste daljen e Ilirit. Do të dukej i dyshimtë sikur të vazhdonte deri në fund të fshatit, e pastaj përsëri të kalonte para dyerve. Një xhiro e tillë do të ishte me pasoja të rrezikshme. Po t’i kapnin këta, do t’i torturonin edhe anëtarët e familjes, duke pandehur se ata dinë diçka më shumë për veprimtarinë e tyre. Njëmend, familja dinte se djali a vajza e saj merrej me aktivitet ilegal, por nuk dinte se për çka dhe me kë. Kjo ishte rreptësisht e ndaluar për çdo veprimtar.
Skënderi shtrëngoi zarfin dhe iu duk se po përqafonte të gjithë ata që  ndihmonin këtë luftë. Dy pika lot i ranë mbi zarf dhe e zuri gjumi.
Të gjithë anëtarët e tjerë qenë zgjuar, veç Skënderit që ende flinte. Në xhamat e dritares nga oborri i Maliqit ishin krijuar lloj-lloj figurash nga acari, që dukeshin si perde të bardha.
Në dhomë, pos shtratit bashkëshortor, ishin edhe dy krevata të vegjël, ku flinin Guri e Astriti, ndërsa Drita, që ende s’i kishte tre vjet, flinte  me prindër.
- Babi, zgjohu se u bë dreka!- e thirrte Astriti, duke e prekur lehtas në fytyrë. Skënderi u rrotullua në anën tjetër dhe mbështolli kokën me jorgan.
- Babi, zgjohu, se babëloku më tha të ta prish gjumin!-vazhdoi ta thirrte Astriti, duke ia hequr jorganin nga trupi.
- Ja, po ngrihem,-foli përgjumshëm Skënderi, duke futur djalin në shtrat për ta përqafuar.
Jashtë dëgjoheshin zëra fëmijësh, duke lozur në oborrin e Maliqit. Qielli nuk dukej nga mjegulla, që kishte rënë në fshat dhe nuk po ngrihej dot. Mbi çati ende vezullonte bora vende-vende. Zhurma  nuk lejonte të dëgjoheshin cicërrimat e harabelëve nëpër pemë. Ndonjëri zbriste nga pema dhe i afrohej cungut të druve. Pasi kërcente disa herë, pushonte majë cungut. Një macë e bardhë me dy vija të zeza qëndronte paluar pranë stivës dhe priste çastin të kapte ndonjë harabel të hutuar. Këtë pamje  shikonte Skënderi nga dritarja e hapur, duke thithur ajrin e mëngjesit. Në çastin kur Luani po dilte në oborr, ai mbylli dritaren. Me gishtin tregues  gërvishti akullin në xham. Vuri syrin dhe shikonte nga vrima si në ndonjë tejqyrë. I pëlqente t’i shikonte fëmijët duke luajtur pa brenga. Macja ende qëndronte e paluar nën turrën e druve. Ajo filloi t’i lëvizte këmbët e pasme, që ishte shenjë se bëhej gati të hidhej mbi viktimën. Harabeli çukiste rrëzë cungut. Para çdo çukitjeje, ai ngriste kokën lart dhe vështronte në  të katër anët për të hetuar ndonjë rrezik. Macja u sul në drejtim të zogut, por ai fluturoi mbi degën e një arre. Skënderi u gëzua që zogu i shpëtoi maces. Fëmijët vazhdonin lojën, pa vënë re as zogjtë, as Luanin që po kalonte përmes tyre.


Lexo/Shkruaj Komente (0)        Printo        Dergoje        Top


Other Articles:
MALI I NDALUAR (27-01-2008)



 
::| Krijimet e Fundit
::| Speciale
Reshat Sahitaj

 
SOSO NEWS EXPRESS
[Krye]