|
|
|
GJAKU TE RRAPI
E diel, 27-01-2008, 10:02pm (GMT)
RRUGA PA KTHIM
Roman
GJAKU TE RRAPI
Bora, që kishte rënë tërë natën, kishte zbardhur fshatin. Frynte një veri i ftohtë. Rrugës kryesore dukej një rrah i ngushtë, që ishte çelur nga nxënësit e shkollës. Shumica e fshatarëve rrinin të mbyllur në shtëpi. Pakkush dilte për të shijuar bukurinë e fshatit të veshur në të bardhë. Disa nxirrnin vetëm kokën në dritare dhe shpejt afroheshin pranë stufës. Bardhi nuk ishte nga ata që mund të qëndronte mbyllur. Mbathi çorapët e leshta e opingat, vuri xhurdinë e gunën krahëve dhe çau borën. Ecte përmes rrugës, që dilte nga fshati për në thellësi të fushave. Shikonte përtokë, duke patur kujdes të mos rrëzohej. Diçka i vlonte përbrenda dhe ndiente nevojë të ecte fillikat. Shtëpitë përdhese të fshatit dukeshin më të bukura nën borën,që kishte mbuluar myshqet e çative. Pasi kaloi shtëpinë e fundit të fshatit, ngadalësoi hapin, rregulloi gunën dhe ndezi një cigare. Kur iu afrua shkollës, dalloi nipin e tij, Gurin, në mesin e fëmijëve në oborr. Ata loznin sikur të mos nirthnin fare. Loja dhe të qeshurat e vocrrakëve i jepnin gjallëri fshatit. Plaku ua kthente përshëndetjet, duke bërë me dorë. Pranë dyerve të shkollës dalloi mësuesin Fadil Saranxha, nga i cili shmangu shikimin. Fëmijët e fshatit mësonin në këtë shkollë vetëm deri në klasën e katërt. Për të pestën e më tej duhej të vazhdonin në Therandë. Fshatarët kërkonin të hapeshin edhe klasat e tjera, por nga lart u vinte kërcënimi se mund t‘ua mbyllnin edhe atë që kishin. Fusha shtrihej menjëherë pas shkollës. Ai ndieu lodhje , por nuk donte të pushonte. Kapërceu rrugën që shpinte në Prizren, nga dukej kroi i Beqir Halitit dhe rrapi shekullor. U ndal para kroit, ku verës vashat mbushin kënatat për punëtorët në ara. E soditi kroin gjatë thuajse nuk do ta shihte kurrë më. Bëri dy hapa në drejtim të rrapit dhe u ndal para tij. I dukej shumë më i moçëm se ai vetë. Veriu shungëllonte degët e tij, por ai qëndronte i fortë. Uji rridhte nga çepi në lugun e çimentos, që Beqiri e kishte mbaruar para pak vitesh, rrëshqiste në vijën e hollë dhe zhdukej nën akull. Plaku ofshani thellë duke kujtuar ditën kur, mu para këtij rrapi dhe këtij kroi, qëndronin disa dhjetëra fshatarë të lidhur, në mesin e të cilëve edhe ai me të vëllanë Kadriun. Edhe ajo ditë ishte me borë dhe të ftohtë si sot. Atë ditë kishte gjurmë opingash e çizmesh nën rrap, ndërsa bora ishte skuqur nga gjaku. Kurrë nuk mund ta harronte atë ditë, kur policët i rrahën e ua hoqën rrobat, duke i lënë vetëm në tëlina. Këtu, Kadriu me disa fshatarë të tjerë, dhanë shpirt. Ata kërkonin armët që nuk i kishin. Eh, sikur t’i kishim të shkretat e t’ua jepnim për koke!- thoshte më vete. Pas aksionit të dimrit ishte hapur rruga për në Turqi. Askush nuk e dinte se ishte përtëritur marrëveshja e paraluftës. Njerëzit të tmerruar shisnin me nguti pasuritë e tyre dhe mësynin atje larg. Flitej se atje i prisnin pallate të reja dhe pasuri përrallore. Në Prizen mund të blije me një grigjë dhensh shtëpinë më të bukur. Karvani i shqiptarëve ndalej në Shkup për të marrë kombësinë turke dhe pastaj vazhdonte për në shkretëtirat e Anadollit. Bardhit i dukej më mirë të vdiste këtu se t’i treteshin eshtrat në atë rërë të verdhë. - Jo, do të qëndroj këtu si ky rrap!- tha më vete. Shumë herë ishin munduar të na zhbinin, por kishte ngadhënjyer gjithherë Nëna shqiptare. Shqiptarët rilindnin si feniksi i bardhë. Bardhi u gjunjëzua para vendit, ku për herë të fundit vëllai kishte marrë frymë. Këtu dha shpirt, por shpirti i tij nuk ka qetësi derisa ende na mashtrojnë me përralla. Kështu gjithnjë ka ndodhur me ne. Kur dikush luftonte, të tjerët bënin dasma me lodra. Kur thyheshin të parët, pushtoheshin të dytët. Binin nën kthetra njësoj edhe ata që luftonin, edhe ata që lodronin. Maliqi im mendon se koha e tyre do të zgjasë gjithmonë. Një ditë edhe atë do ta djegë flaka e luftës. Kadri, hë vëlla, amanetin tënd nuk e kreva se Genci yt vdiq, e gruaja doli nga shtëpia. Veriu fishkëllonte si kërbaçi i policit dikur mbi shpinën e Bardhit. - Genc, biri im, lamtumirë! Bardh, hë vëlla, unë po vdes, por nëse ti jeton, kujdesu për birin tim. Genci të më rritet për Kosovën!- iu kujtuan fjalët e fundit të të vëllait. Bardhi fshiu lotët dhe shtrëngoi dhëmbët e grushtet. Ishte po ai dimër i egër e ajo natë sterr. Ku binte kërbaçi,lëkura bëhej ushël; ku mëshonte kondaku, rridhte gjaku çurg… Plaku u kërrus dhe futi dorën nën borë. Dora preku gurin e ftohtë. Çizmja e policit serb ia kishte ndrydhur gishtat mu mbi këtë gur. Çizmja, kërbaçi, thika me dy teha dhe krisma e hollë e patllakës ua merrin shpirtin njerëzve duarthatë. Plot shtatë muaj Bardhi ndenji i mbështjellë me lëkurë të deshve, që thithte plagët. Kur mori veten, menjëherë pyeti për Gencin. Plaka i tregoi se ai kishte vdekur, ndërsa Maliqi kishte përzënë edhe nënën e tij. Pasi Kadriu nuk kishte trashëgimtar tjetër, shteti ia kishte dhënë tërë arat e kullotat Maliqit. Tani veriu po përplaste gjithjnë e më shumë borën syve të skuqur. Ishte lodhur e djersitur dhe i dilte avull nga goja. Derisa reshte bora e imët, Bardhi u nis për në shtëpi. Në dhomën e ndenjës Mimoza, bashkëshorte e Bashkimit, përgatiste çajin. Nëna e Skënderit thurte triko. Syzana ushqente Dritën. Pasi secili morën gotën me çaj, Mimoza u qiti çaj edhe Dardanit e Vjollcës. Nga jashtë u dëgjua melodia e borisë së postierit. Në Sopi postieri vinte vetëm një herë në javë ose sa herë që dëshironte. Ardhja e postierit varej sa letra ishin grumbulluar për t’u shpërndarë në fshat. Ai letrat nuk i dërgonte shtëpi më shtëpi, siç bënin postierët e qytetit, por hipte mbi shkallët e gërmadhës dhe lexonte emrat e marrësve të letrave. Porsa hynte në fillim të fshatit, fëmijët ngarendnin pas biçikletës së tij. Kur arrinte te rrojtorja e Zeqës, ai mbulohej nga grumbulli i fëmijëve. Ardhja e postierit ishte një çast dëfrimi për fëmijët. Sa herë që vinte ai, fëmijët ndërprisnin lojërat për të dëgjuar adresat. Për çdo letër dy-tre fëmijë zgjatnin duart. Nuk ndodhte të mbetej asnjë letër pa u shpërndarë. Fëmijët rendnin të gëzuar me letra në duar në katër anët e rrugëve, pa ditur se ndoshta ato kishin edhe ndonjë lajm të hidhur. -Babë, Bashkimi ka dërgue letër!- thirri i gëzuar Agroni me një letër në dorë. Bashkimi qëmoti nuk kishte dërguar letër. Ndoshta ai dërgonte, por ato ndaleshin diku nga njerëzit e shtetit. Dardani e Vjollca klithnin nga gëzimi: Babi na ka dërguar letër! Vjollca nuk dinte ç’ishte letra, por imitonte vëllanë e saj, ndërsa pas tyre klithnin edhe fëmijët e tjerë. Agroni hapi letrën, duke ia zgjatur Skënderit për ta lexuar. Skënderi një kohë kishte punuar spiker në Radio-Prishtinë, por edhe prej kësaj pune e kishin larguar, si të papërshtatshëm politikisht. Skënderi e luti të vëllanë ta lexonte, ngase nuk ndihej mirë nga pagjumësia e mbrëmshme. Agroni ngurronte të lexonte me zë të lartë para të vëllait. Vetëm kur Skënderi nuk ishte në shtëpi, Agroni lexonte me zë pjesë nga romanet, ose ndonjë poezi të shkëputur nga libri. Kishte dëshirë të imitonte të vëllanë, duke shpresuar se një ditë do të bëhej spiker.Këtë fshehtësi nuk ia thoshte askujt. Mimoza priste me padurim që letra e burrit të saj të lexohej nga kushdo qoftë. Çdo sekondë i dukej e gjatë. Fëmijët ishin ulur pranë këmbëve të Skënderit dhe prisnin në heshtje leximin e letrës. Të dashur prindër, Unë ju dërgova disa letra, por ju asnjë. Kohëve të fundit po shoh disa ëndrra të këqija. Gjithnjë më kumbojnë fjalët tuaja të mos e harroj Kosovën. Babë, më ka marrë malli për plisin tënd. Po digjem për sytë e nënës, që gati e kanë lënë. A mblidhen ende fëmijët rreth gjyshes, për të dëgjuar tregime për Skënderbeun, Mic Sokolin…? A ka filluar të flasë Drita e vogël? Jam mallëngjyer shumë, madje edhe për qenin, baltën, gurët, lumin, fushat… Disa herë kam menduar të kthehem përgjithmonë, por qëkur makina ma këputi dorën, më duhet të qëndroj këtu. Këtu kam shumë shokë shqiptarë, me të cilët largojmë mërzinë për disa orë. Të fala të gjithëve, prej më të madhit deri te më i vogli, nga biri juaj Bashkimi. P.S. Do të kthehem me zogjtë e verës në Kosovë!- Shtutgart , më 23. 11. 1981. Gjersa Skënderi lexonte letrën, Mimozës i ndërrohej fytyra; herë vinte buzën në gaz, herë rrudhat ia mbulonin nusërinë. Shqipja e Bardhi fshinin lotët e mallëngjimit për djalin e tyre. Gëzoheshin që do të kthehej, por si do të jetonin pa punë. Madje ai ende nuk e kishte rregulluar as pensionin invalidor. Pastaj i kapi frika se ai mund të hynte edhe ilegalisht, siç bënin disa të tjerë, që shpërndanin libra e gazeta të botuara në diasporë. Kur kapeshin ata, dënoheshin rëndë, ose vriteshin ende pa hyrë në Kosovë. Bardhi e dinte se duhej sakrifikuar për lirinë, por jo vetëm një familje, ndërsa të tjerët ta gëzonin lirinë e pamerituar. - Tokë e bekuar është kjo jona, -bëri Bardhi për të larguar mendimet e këqija. Edhe në fund të botës të shkosh, prapë këtë vend nuk mund ta harrosh. - Bashkimi im tash do të na kthehet!- tha Shqipja, duke kujtuar trupin e tij të gjatë, flokët e zinj të kthyer anash, që i rrinin bukur mbi fytyrën zeshkane. - Po, ju na harruat ne të tjerëve. Nuk e dinim se e donit më shumë Bashkimin!- tha Skënderi për ta larguar mërzinë e pleqve. Skënderi e dinte se dashuria e prindërve për fëmijët është e njëjtë. Bashkimi tash ishte i përkëdheluri i babait, pas aksidentit që i kishte ndodhur. Ai përpiqej ta zbuste atmosfrën e pikëllimit. Mimoza fshinte tinëz lotët me cepin e shamisë. Mjaftonte vetëm një fjalë prekëse, që ata të shpërthenin të gjithë në vaj. - A jeni këtupari, o Agron!-u dëgjua zëri i Luanit. Ky zë bëri të zhdukej zymtësia nga fytyrat e tyre. Skënderi futi letrën në xhep dhe nxori një cigare. Gotat e mbushura të çajit kishin mbetur të paprekura. - Ky këlysh vjen të marrë informata!- pëshpëriti plaku. - Hyn Luan!- iu drejtua Agroni, duke hapur derën e dhomës. Syzana dhe Mimoza morën fëmijët dhe dolën në dhomën tjetër. Me Luanin nuk rrinte asnjëra nuse, nga frika se mund t’u dilte ndonjë fjalë e keqe. Për moralin e Maliqit, babait të Luanit, flitej keq e më keq. Qe shumë vjet ai nuk kishte shkelur në shtëpinë e të vëllait. Luani i përngjante kryekëput babait të vet. Plaku ia zgjati një cigare, ndërsa Luani e ndezi me çakmakun ngjyrë ari. - Dimër i fortë mori sivjet, mixha Bardh, - filloi bisedën Luani, duke imituar burrat kur mblidheshin në oda. Biseda fillonte me motin, kalonte te shëndeti, pastaj te kafshët, arat, e shumë më vonë te tema, për të cilën ishin mbledhur. Luani nuk ishte aq inteligjent, sa të mbante mend bisedat e burrave. As nuk i kishte rënë të rrinte me ta, përveçse ndonjëherë me xha Bardhin, por edhe ky i ikte kontaktit me të. - Paj, dimër i thonë, more çun,-iu përgjigj plaku. Luani e konsideronte veten burrë. Fjalën çun e mori nënçmuese dhe u skuq prej inatit. Mundohej ta gjente një shprehje, që do ta rëndonte plakun. A kishte ndjenjën e superioritetit ndaj çdonjërit në fshat, por ndihej inferior ndaj çdo serbi. Ai pandehte se ata ishin racë e qytetëruar për ta sunduar botën. Ndoshta kështu kishte dëgjuar nga bisedat e tyre në odën e tij, ku i ati nuk ndahej natë e ditë prej tyre. Kohëve të fundit mallkonte prindërit që e lindën shqiptar, e jo serb a sllav tjetër. Qe disa muaj këtë e thoshte hapur para të tjerëve. Miqën dhe Jordanin, dy shokë të babait të tij, i respektonte shumë. Kur e shihte Bardhin, që ishte prej një nëne me Maliqin, fillonte ta urrente edhe prindin e vet. Mirëpo, kur kujtonte se Maliqi ishte shok i pandarë me Jordanin, Miqën, Ladën e serbë të tjerë, niste të korrigjonte mendimin për babanë. -Ah çka jeni ju pleqtë, që një këmbë e keni nën dhe e një mbi të! Vështirë të flitet me ju,- shfryu Luani, duke lëshuar shtëllunga tymi prej goje. Në birën e derës së shporetit të ndezur Bardhi hodhi duqin e cigares. - Eh more çun, njëmend u plaka, por jam i lumtur që kurrë nuk iu dorëzova furtunave, sado të fuqishme ishin ato.Ka njerëz që nuk meritojnë t’u përmendet as emri për së gjalli, sepse nga emri i tyre frikësohen edhe foshnjat në dejp. Nuk është me rëndësi sa vjet jeton njeriu, por ç’lë pas për fëmijët e vet. - Njeriu duhet të shfrytëzojë çdo ditë të jetës dhe çdo të mirë që i ofrohet. Shembull është Bashkimi yt që punon në Gjermani,- tha Luani për t’ia malcuar plagët xhaxhait. Skënderi dhe gjithë të tjerët e kuptuan se Luani kishte ardhur të mësonte për letrën e Bashkimit. Letra ndoshta ishte çelur më parë nga pushtetarët, por Luani kishte detyrë të kuptonte reagimet e anëtarëve të familjes dhe planet e tyre. Miqa disa herë i kishte folur për aktivitetin e Bashkimit, duke i thënë se ai ishte një armik i rrezikshëm i shtetit. Luani e kishte pyetur i habitur se si mund të jetë një njeri pa dorë aq i rrezikshëm. Miqa i kishte thënë se forca fizike e një individi nuk është aq rrezik, por aftësia e individit të organizojë një grup njerëzish. Këta individë janë një makineri, që në fillim duket e parëndësishme, por dalëngadalë grupi i tillë mund të rritet shumë dhe të shkaktojë dëme të mëdha. Individët e tillë duhet ndjekur, duke mos lejuar që puna e tyre ekipore të marrë përmasa të gjera. Për këtë arsye duhet infiltruar në mesin e tyre njerëz të pushtetit për t’i përçarë. Luani po kuptonte ngadalë mbajtjen e pushtetit dhe ëndërronte një ditë të bëhej një pushtetar i madh. Kishte të tjerë që me kurse dy-tri mujore ishin ngritur shumë lart. Do të mjaftonin disa muaj kurs të partisë në kryeqytetin e shtetit dhe të priste posti. Miqa nuk e përgatiste për poste të larta, por për hafije të thjeshtë. Ai interesohej se me kë kishte lidhje Bashkimi në Kosovë. - Ç’u bë me Bashkimin?- pyeti Luani krejt indiferent. Skënderi e vështroi Agronin, sikur desh t’i thoshte të mos tregonte asgjë. - Shumë kohë nuk morëm letër prej tij, por sot na erdhi një. Shkruan se është mirë, por lodhet shumë,-u përgjigj Skënderi, duke ditur se Miqa e kishte çelur letrën më parë. U ngut të përgjigjej, duke menduar se babai mund ta fshihte letrën prej Luanit. Nga jashtë vinin lingat e kuajve dhe zhurma e qerreve të fshatarëve. Shumë rrallë dëgjohej uturima e motorit të ndonjë veture a xhipi. Tenxherja me lakra gurgullonte, duke nxjerrë avull, që ngrihej lart e pastaj binte si pikla mbi shporet. Kjo zhurmë monotone e piklave përsëritej ritmikisht. Plaku ndezi cigaren tjetër nga duqi i pashuar. Luani nxori çakmakun, trusi një sustë, që lëshoi muzikë, pastaj ndezi cigaren e vet dhe të Skënderit. Shqipja vazhdonte të thurte. Në dhomë hyri Syzana dhe ngriti kapakun e tenxheres. Piklat e avullit rrëshqisnin nëpër xham deri në kornizën e dritares.Vija në xhamin e dritares i ngjante shiritit të rrugëve të asfaltuara, që përshkojnë male, fusha e lumenj. Kur dreka po bëhej gati të shtrohej, Luani u ngrit, pa mësuar asgjë. Plaka e luti të rrinte për drekë, por ai u arsyetua se kishte ngrënë vonë. Derisa Luani po largohej, Shqipja i rrëfeu se kur kishte lindur, nëna e tij Hajria qe sëmurë dhe katër muaj ai kishte thithur gjiun e Shqipes, bashkë me Agronin, me të cilin kishin vetëm dy muaj ndërmjet. Këtë gjë ia kishte treguar disa herë, por atij nuk i bënte fare përshtypje.
|
|
|
 |
::| Krijimet e Fundit |
 |
|
|
|
|
|
|
 |
 |
::| Speciale |
 |
|
|
|
|
|
 |
|
 |
|