Çuditërisht rrëfimet e babait asnjëherë nuk më dukeshin të mërzitshme. Rrëfimet e tija më shpinin herë në botën reale e herë në atë joreale. Takoheshim me zana të malit e me shtojzovalle duke udhëtuar në botën enigmatike Hyjnore. Bisedonim me engjëj e engjëllesha nga më të bukurat që mund t’i imagjinonim në mendjen tonë.
Në rrëfimet e babait ekzistonte edhe jeta e botës nëntokësore nëpër të cilën ai me fuste ngadalë duke më shtrënguar në kraharorin e tij të gjerë, për t’u takuar me Divin Mervan. “Kush është ky Divi Mervan?”, e pyesja babanë e ai nuk përgjigjej, por vazhdonte rrëfimin që unë ta gjeja përgjigjën. Ma mbante dorën e më tërhiqte thellësive më të errëta të botës nëntokësore për të shkuar deri të Kau i Zi . “Ç’bënë Kau i Zi?!, i thosha babait dhe dridhja nga frika pa i treguar shqetësimin tim. “ Kau i Zi, e mban botën të mos shembët, biri im! Mban mend kur toka u dridh- më thoshte babai me zë të vogël sikur frikësohej mos po e zgjonte Kaun e Zi. “Po!” , iu përgjigja me të njëjtin zë frikësues. “Kau i Zi e dridhi vetëm pak lëkurën “, me tha. Dëgjoja pa bërë zë kur fliste se si Kau i Zi qëndron duke mbajtur botën dhe nëse ai shqetësohej, toka dridhej, shembeshin shtëpi e male. Çdo gjë nën tokë e mbi të varej nga Kau i Zi, mendoja në vete dhe ndjeja një frikë që ma përshkonte trupin. “Po Divi Mervan a është kundër Kaut të Zi ?!” , e pyesja babanë nga se kisha frikë se Divi do ta vriste Kaun e Zi e bota do të shembej. Vetëm kur më thoshte se Divi ishte mbrojtja e rrugës që askush të mos depërtonte të Kau i Zi, ndjeja se zemra më gëzohej. Ndjeja lumturi që dikush po e mbronte Kaun e Zi e ky i fundit ruante botën.
Rrëfimet e tij ishin të paskajshme, më dërgonin në botë e kohë të ndryshme. Më fliste për Penelopën, Itakën, Odiseun …Në rrëfimet e tij hollësisht përshkruante bukurinë magjike të vajzave dhe forcën enigmatike të dashurisë. Kur fliste për femrat dhe dashurinë, ofshante thellë dhe gjithnjë loti i derdhej nga sytë. Fshehtas pastronte lotët dhe vazhdonte të fliste për një Perandor persian, se si e kishte pushtuar vendin tonë për të vjedhur të gjitha vajzat e bukura që të bënin fëmijë për ta zbukuruar popullin e tij. Shumë vite më vonë nga autorët klasik mësova se Dari ishte ai që kishte vra shumë burra për t’i vjedhur vajzat tona. Habitesha me rrëfimet e babait tim. Nuk dija se si ai dinte për Penelopën dhe Odiseun e kurrë libër me dorë nuk kishte prekur. Natyrisht në tregimet e tij Penelopa quhej ndryshe. Vendemërimet ishin ndryshe nga ç’i përshkruante Homeri. Në mendjen time mendoja se rrënja e familjes së babait tim kishte ndonjë lidhje të largët të gjakut, por nga rrëmujat e kohës diku ishin ndërpre dhe askush sot nuk ua gjente fillin. Sa herë e lexoja “Iliadën” kisha përshtypje së po dëgjoj zërin e babait që më dukej se tash njëri-tjetrit i rrëfejnë historitë e tyre mijëra vjeçare.
Sa herë mallëngjehem për babanë, e marrë “Iliadën dhe Odiseun”, ku nga vargjet parafytyroj mjekrën e thinjur, rrudhat e ballit dhe zërin magjik të babait. Mrekullohem nga mënyra e rrëfimit të tij dhe vetëm tash e kuptoj se ato nuk ishin përralla të trilluara për të më vënë në gjumë, por histori të përjetuara të gjeneratave të shkuara. Kau i Zi e Divi Mervan, ishin vetëm një parathënie që të ngjallte dashurinë e vëmendjes sime që të ma përcillte të kaluarën pa e rënduar mendjen time.
Tregim i pabotuar