Letërsia Shqiptare

NË SYTË E TIJ, PIKËLLIM
E diel, 27-01-2008, 10:14pm (GMT)

Nuk i kujtohet apo  mbase nuk dëshiron ta kujton atë ditë të kobshme. Tjetërkush kujton se atij nuk i kujtohet 24 maji i vitit 1999. Atij i kujtohet jo vetëm data por edhe që ishte ora katërmbëdhjetë e njëzetë e katër minuta e pesë sekonda. Në thellësinë e shpirtit të tij iu ngulitën fytyra të vizatuara me vija të zeza e në kujtesën e tij ende i tingëllojnë fjalët e njerëzve me fytyra të përshkllira me ngjyrë të zezë. Ai ende ka përshtypjen se ata nuk e kishin nxirë fytyrat për t’u maskuar,por kishin bërë ashtu siç e kishin edhe zemrën. Ai nuk është i çmendur, siç i thoshin tjerët. Ai e din se zemrat e tyre nuk ishin të zeza. E din që zemra e secilit çfarë funksioni kryen dhe se ajo është një copë mish me arterje. Vetëm ne biseda me tjerët rrëfen për shpirtra e zemra të nxira të atyre që atë ditë ia shndërruan në pikëllim të përjetshëm.
I kujtohet saktësisht çdo zë dhe lëvizje e asaj dite. Kur kishte ngritur kokën në drejtim të qiellit për të kërkuar mëshirë nga Perëndia, kishte parë një shqiponjë që fluturonte qetas në hapësirë. Çuditërisht në qiell nuk pa asnjë shpezë tjetër dhe asnjë aeroplan të  NATO-s.
Nuk e dinte pse njeriu gjithnjë kur i lutët Perëndisë e ngrit kokën nga qielli?!  I silleshin ndërmend fjalët e babait kur i rrëfente se Zoti jetonte diku në lartësitë e qiellit ku syri i njeriut nuk mundët Ta sheh, e Ai dëgjon dhe sheh çdo gjë. Kishte ngritur sytë pa guxuar të lutej me zë, që  Perëndia të ndërhynte në zbutjen e zemrave të egërsuara. Të lutej me zë kishte frikë prej fytyrave të nxira që lutjen do ia ndërprisnin. Kishte dëgjuar të thoshin se fytyrat e nxira askënd nuk e lejonin të kërkonin mëshirë nga Perëndia sepse ata ishin vetë Zoti i kësaj jete. Që ta vërtetonin atë që thoshin e kishin vra njërin pikërisht në shtëpinë e Zotit kur po bënte meshën e së dielës. Thoshin se u tallën me kufomën e tij duke u lavdëruar ne trimëritë e tyre që as Perëndia nuk kishte çka u bënte.
Shumë afër rrotave të traktorit, që qëndronte i palëvizur dalloi një flutur shumëngjyrëshe, e cila pasi bëri dy tri rrotullime në fluturim iku për t’u vendosur ne petalet e një luleje jo larg tij. Afër lules syri ia zuri rrëshqitjen e  një gjarpri që po largohej për diku. Në qerpikët e syrit i vinte një mizë e cila edhe pse e largonte me dorë ajo i kthehej si për inat.
Nga mendja nuk mund ta largonte zërin që ashpër i tingëlloi: “ Stanite!”. Mornica të ftohta ia përshkuan trupin e stepur në traktorin e ndalur. Të paraqitej i nervozuar kishte frikë se do i vrisnin njëzetë e pesë anëtarët që i kishte në rimorkio të traktorit. Vuri buzën ne të qeshur që të dukej se nuk frikësohej dhe se gabimisht e ndaluan. E dinte se përveç anëtarëve të familjes që i kishte hipur në traktor, pasi ia dogjën shtëpinë nuk kishte asgjë tjetër. Nuk kishte as miell e as bukë. Nuk kishte as armë e as luftëtarë, por kishte ngarkuar në traktor vetëm aq sa tjerët ia lejuan pasi ia dogjën shtëpinë dhe çdo gjë, që kishte në të. Nuk e dinte nëse këto fytyra të nxira  ishin të njëjtit që e lejuan të merrte anëtarët e familjes. Nuk arrinte ta bënte dallimin ngase edhe ata ishin me fytyra të vizatuara e me uniforma të njëjta. Një lloji flisnin. Njëlloj bërtisnin. Njëlloj digjnin dhe vrisnin. Dëgjoji kur thanë se askush nuk duhej të zbriste nga traktori ngase duhej t’i digjnin të gjallë të gjithë. Nuk i kujtohej nëse kishin kaluar orë, minuta apo sekonda kur pas atyre fjalëve kishte dëgjuar njërin të thoshte se vetëm njërin prej tyre do ta vrisnin.
 - Vetëm një do ta vrasim!- tha dikush duke qeshur.
 - Të gjithë do t’i vras !- ndërhyri një tjetër.
Askush nuk dinte më, se a do vriten të gjithë apo vetëm një. Njerëzit me vija të zeza në fytyrë qeshnin mes tyre duke u shtyrë se sa do të vrisnin. Njerëzit e ngarkuar në traktor heshtnin pa kërkuar as mëshirë për shpëtim. Mbase do t’u kërkonin t’ua falnin jetën fëmijëve por nuk u punonte goja.
 - Merre vetëm një dhe veje para rrotave të traktorit ! – e urdhëroi një zë i egër.
 - Pasi të shkelësh mbi trupin e tij, tjerët mund të shkoni lirisht ku të doni! – i tha një fytyrë tjetër e ngjyrosur ne të zi.
Ai mbet pa ditur ç’të bënte. Cilin ta merrte që me dorën e tij ta vriste nën rrotat e traktorit?!  Nëse nuk vendoste cilin ta mbyste ata do i vrisnin të gjithë. “Më mirë një i vdekur se të gjithë”, thoshte në vete por nuk dinte cilin ta vinte para rrotave vdekjeprurëse?! U ngrit ngadalë dhe u shtri para rrotave. Para se të shtrihej buzë rrotës iu duk se pa vdekjen dhe ndeju një ligështim në tërë trupin. Kurrë në jetën e tij nuk e kishte menduar se ishte aq trim sa të shtrihej e ta priste vdekjen. E dinte se kurrë në jetën e tij nuk ishte treguar trim. Shtrirja e tij para rrotës së traktorit që mund të nisej në çdo sekondë e dinte se nuk ishte trimëri por mëshirë për të shpëtuar jetët tjera më të reja. “ Le të jetojnë tjerët”, tha ne vete duke iu sjellë ndërmend secila fytyrë e anëtarëve të familjes. “Të jeton Agimi”, pëshpëriti në vete duke menduar se ai kishte përjetuar dhe jetuar mjaft të mirat e të këqijat e jetës. Agimi ishte djali i tij pas katër vajzave. Të shpëtonte Agimi formoji bindjen se do vdiste i lumtur.
 - Neqesh ti da umresh danas! – dëgjoi një zë që e urdhëroji të ngrihej.
 - Unë do të vdes për të shpëtuar tjerët! – si në ëndërr dëgjoi zërin e Agimit.
Për një çast nuk dinte në ishte ëndërr apo realitet. Për një çast çdo gjë iu errësua para syve të tij. Më nuk pa shqiponjën duke fluturuar në qiell. Nuk e pa fluturën nëse ende qëndronte në petalet e lules. Nuk e pa zvarritjen e gjarprit që tani më ishte zhdukur. Nuk dëgjoi asnjë vaji as britmë të anëtarëve tjerë. Dëgjoi vetëm zhurmën e motorit të traktorit që me duart e tij po e drejtonte drejt trupit të shtrirë të Agimit.
Vetëm ajo ditë dhe ato momente i kujtohen dhe asgjë tjetër. I kujtohet fytyra pesëmbëdhjetë vjeçare e Agimit që nuk ishte luftëtar. Agimi nuk është as dëshmor, as luftëtar, as viktimë e luftës , as trim. Ai për tjerët nuk është asgjë veçse një i harruar nga tjerët. Agimi mbet vetëm në njëzete katër zemrat e atyre që ua shpëtoi jetën duke e sakrifikuar të tijën me njëzet e katër maji të vitit 1999.

Tregim i pabotuar



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.