Letërsia Shqiptare

MYSHKU I VJETËR I URREJTJES!
E enjte, 01-11-2007, 07:00pm (GMT)

(Çdo kohë dhe Rend i ri i botës ka flinë e vet. Ngreha e tij përherë është spërkatur nga tizgë e gjakut të pafajshëm njerëzor. Të vjetrit, njësuar me këtë kod ekzistence, kishin në themel gjakun shqiptar që do t'i ushqente si hijenat për një shekull me radhë. Dhe kur ata u përtrollisën, nga rrënojat e tyre, do të ngrihej një tjetër me ide e emblemë të re, por që konstant e të dikurshëm do të ruante huqin e lig: kërkon prapë atë lëngun e kuq hyjnor të mbijetesës! E dikurshme dhe vetmitare, ndërkaq, ngjan të jetë poashtu dhe viktima e shenjuar: populli shqiptar, i cili, mbase është i rralli në planetën Tokë që jep tagrin e gjakut jo vetëm për lirinë, po çuditërisht, edhe për robërinë e tij!)  


 * Myshku i urrejtjes dhe mumifikimi politik!
 
 Kur gjermanët provuan shpatën nënshtruese të Napoleonit, thotë A.Finkielkraut, idetë universaliste volteriane që justifikonin pushtimin, i kundërpeshonte filozofia e re e të pushtuarëve: renesanca përndritëse e individualitetit kombëtar. Krijues vokacionesh të ndryshme, do të merrnin pësipër misionin romantik të përshfaqjes së vlerave fisnike të gjermanitetit, si një vetënjohje krenare kolektive që duhej të kompensonte disfatën politike.  
 Po sot dhe këtu?
 Anarkia e prijësve dhe apatia e „elektorëve“ nuk japin dot assesi reliefin e përspektivës që sfidonte Bonapartën.
 Në Serbi, me ç'tregojnë punët e tyre, kombinohen të dyja teoritë
bashkë: përgjërohen, kur e do nëvoja, në prurjet universaliste të civilizimit të ri demokratik, por poaq pasionant përshfaqet edhe  „ mëkati i krenisë“ kombëtare (term i qarkulluar prej autorit   të sipërcituar të librit “ Disfata e mendimit“), si një idolatri e vërtetë që vë në qetësi të thellë ndërgjegjen, pas kaq krimesh popullvrasëse gjithandej Ballkanit.
  E shqiptarët, ndërkaq, për dallim nga gjermanët e kohës së okupimit frëng, kujdesen tepër suksesshëm që të mos tundohen nga „mëkati i krenisë“.  I dashurisë së thjeshtë për vetveten. I vetëvlerësimit. Të traditës e kulturës, e kjo domëthënë, të popullit si demiurg dhe frymë e tij e gjallë...
 Vransirat e para stuhindjellëse tashmë u shfaqën në horizontin shqiptar.
 Gjithë myshku i urrejtjes parake, tërë diplomacitë e aritmetikës gjeopolitike dhe krejt farsa e kuvendimeve statusore, nuk paskëshin pasur veçse një cak: si të gjendej formula magjike për të kënaqur vrasësin!
 Dhe ajo u gjet me dokumentin e „treshit“ ndërmjetës, që përkon në plotni fatale, me tezën serbiane „më shumë se autonomi e më pak se pavarsi“, e lansuar që në fillet e shtegtimeve negociatore.
 Tashmë jo vetëm keqdashësit – ata që paktojnë me Serbinë për hire të së kaluarës ose me frikë nga fuqizimi i faktorit shqiptar, apo skeptikët – ata që i trembeshin analogjisë së Kosovës me zona të ngjashme në Europë, por edhe aleatët e besës, sikur i janë bashkuar këtij kori korbash.
 Në Uashington pohojnë kundërthënshëm, se do të njihnin pavarsinë e shpallur nga shqiptarët dhe, njëkohsisht, paralajmërojnë evakuimin e trupave nga Kosova në çastin më delikat të vendimmarrjes për fatin e saj.
 Ç'të jetë ky mesazh vallë? 
 Në një anë, pra, premtimi ose kanosja për njohje të pavarsisë – u shkon, me sa duket, serbëve si një këshillë e mirë që të jenë kooperativë për të ofruar koncesionet e nëvojshme, të pranueshme, së paku, për botën atllantike.
 E, në anën tjetër, paralajmërimi ose kanosja me tërheqje trupash – u shkon si një moment dekurajimi shqiptarëve, sidomos krahut radikal, si preferojnë t'i cilsojnë atje forcat e rezistencës aktive në Kosovë! 
 Dhe, gjithnjë me shpresë se kjo është një taktikë e rafinuar amerikane në përballje me Rusinë, na duket megjithatë, se të dy mesazhet bashkë, kasnecojnë atë zgjidhjen mushkë që do të shpërblente luftëhumbësin dhe krimet bestiale të tij.
 Për t'i hequr maskën diplomatike qasjes së beftë, u përpoq tepër drejpërdrejtë ambasadori britanik në Beograd Goldsworth, që rekomandoi fare pa takt zgjidhjen e tillë me shije e përmasë serbe: një entitet i ndërvarur midis autonomisë e pavarsisë! Madje mori përsipër të na bëjë dhe një zbulim epokal e tejet interesant: termat nuk janë të rëndësishëm dhe autonomia, thotë ai, është poashtu një vetrregullim i jetës. Njëmend deri sot nuk e paskëshim ditur, po ja që e mësuam se, fjala vjen, Tiroli jugor nën jurisdikcionin e huaj shtetëror, qenkësh i barabartë në ndërtim vetëjetese me Britaninë e tij sovrane.  
 A do të jetë influencuar kjo zhvendosje, të cilën e artikuloi tmerrsisht qartë diplomati anglez, nga vizita e Kondoliza Rajsit në Moskë?
 Dhe ç'peshë ka Kosova në matje me Mburojën raketore amerikane në Europë?
 Kosova apo mburoja – nuk është, thjeshtë, çështje prestigji. Është, para së gjithash, avansim interesi vital: të Amerikës për t'a instaluar dhe të Rusisë për t'a penguar atë!  Duket paksa paradoksale, por logjikisht,një prapsje amerikane do të çonte, ndoshta, si pjesë e ujdisë apo e kompensimit të ndërsjellë, edhe në braktisjen e ngurtësimit rus rreth Kosovës.
 Mirëpo, me gjasë, si shkroi dhe shtypi, dërgata amerikane i paskësh bërë Rusisë së Putinit koncesione të mëdha në dobi të miratimit prej saj të ombrellës së famshme raketore...
 Ah, kjo gjeopolitika e pashpirt...Arsyeja, shkruan një dijetar, nuk banon më në pushtetin politik!
 Por ka banuar ndonjëherë vallë? 
 
 * Teposhtja dhe kthimi në gurrën e energjisë!
 
 Në Vjenë mori udhë teposhtja e Kosovës. Udhën e pakrye ku e kanë shpënë epigonët e strategjisë negative të vetënënshtrimit.  
 Në artikullin pararendës (“ E vdekura më e bukur!“) të botuar tashmë, kemi shkruar se si intermediatorët do të përpiqeshin të hetonin dinakërisht pikëpërkitjet e palëve për të lëkundur barrikadimet ndërpozicionale të tyre. Se, tutje, në „Traktatin e miqësisë“, do të gjenin, mjerisht, shkëndijimet e hedhura nga dorë e huaj, e të akseptuar verbueshëm nga dërgata shqiptare. Dhe i rrëmbyen ato uritshëm menjëherë: dokumenti  prej 14 pikësh i referohet pikërisht përkufizimeve traktative ( „ lidhje të thella e të lashta mes dy popujsh“  dhe „ organe të përbashkëta“ me formulimin e korrektuar, tashmë, jo „mes dy vendesh“  sovrane por „të Prishtinës e Beogradit“) , si kategori që bëjnë fillesën „marrëdhënieve speciale“ , këtë kupolë të re sllave mbi krye të shqiptarëve!
 Shqiptarët, prandaj, u gjetën apo ranë vetë dy herë në kurthin e lëshimeve që i kurdisën mjeshtrit mëdhenj të përbetimit.
 Fillimisht, do t'i dhuronin Ahtisarit si një gjasë kulture të demokracisë multietnike, krijimin dhe sanksionimin e zonave puroetnike serbe, të cilat do të gëzonin privilegjin e organizimit territorial  e më pas të një linje vertikale jetese me amzën e tyre shtetërore.
 Kurse tani, sërish, me „traktatin e miqësisë“,  pokaq bujarisht ndihën „treshin“ ndërmjetës në ngulmin e tyre hileqar, me idenë e institucioneve të përbashkëta që do të bëjnë premisën tragjike të  „marrëdhënieve speciale“ me Serbinë.
 Pasi i kishin dorëzuar Belgradit fatin e pakicës – tani atij ia lënë në dorë dhe fatin e nxirosur të shumicës që historia e ka njohur gjithmonshëm si zot të tokës së Kosovës! E shfytyruan, pra kështu, vatrën plasaritjesh interne e mandej, të tillë, të perimtuar, rrezikojnë t'a lidhin në një fjongo shteti me serbët si hegjemon të saj.
 Këtë do t'a pohonte, ndonse me arsyetimin e kundërt entuziast, dhe spikeri i „grupit“ shqiptar, që do i cilësonte jo vetëm të favorshme, por do të mburrej pse intermediatorët paskëshin transponuar në dokumnetin e tyre  pothuajse gjithë esencën e „traktatit“ kosovar. Njëri prej tyre zotëronte dhe komoditetin e shprehjes së figurshme tek thoshte se, dokumenti joshës me çelësin e indipendencës, ishte shkruar nga vetë shqiptarët.
 Pas përplasjes së Planit Ahtisari në digën e interesave të serbo-rusëve,  për t'u ngrirë e mënjanuar, ishte fare e pritshme që një dokument i ri, për të pasur shansin e kalesës, duhej të ligjëronte vullnetin dhe interesin e tyre...
 Mirëpo dokumenti, çuditërisht, u shpall nga analistë si version i prefinuar i këtij Plani të pafat...
 Por a duket vërtetë kështu?
 Plani paraprak nuk ishte ideal. Përkundrazi. Ai përcopëzonte Kosovën së brëndshmi: edhe territorialisht me sanksionim enklavash serbe edhe politiksht me instrument vote të dyfishtë, duke e lënë, të tillë, me portën hapekrah për Serbinë...
 Dhe si mund të shpallnin, pra, kaq hareshëm përfaqësues të Prishtinës, pajtesën,  gati totale me të, kur kjo ofertë, anipse pa pretendim propozimi final, kompromiton ende më keq postulatet e Planit Ahtisari?
 Plani i emisarit nordik, së paku, nuk kishte një korpus dispozitash sugjestive me të cilat, aspirohet tinëzisht instalimi i  marrëdhënieve speciale midis Prishtinës dhe Beogradit, në një anë dhe në anën tjetër shoqërohej me rekomandimin e prerë për statusin e një pavarsie ( megjithëse të përcopëzuar së brëndshmi) të mbikqyrur të Kosovës!
 Dhe përseri: si mund të ngacmonte interesin e ekipit prishtinas ngjizja fillestare e një sajese të veçantë shtetërore ku do të varrosej ëndrra independiste shqiptare?
 Autonomitë mund të jenë të shumta – por pavarsia është vetëm një dhe e pandarë. Ndaj, çdo njëjtësim mes tyre dhe çfardo mesi , sado i artë të jetë ai, do të rezultojë i zi shqiptarët . Jo një ar i zi, natyrisht, po pus i terrtë sofistikuar nofkash mondane të skllavërisë.
 Çdo kohë dhe Rend i ri i botës ka flinë e vet. Ngreha e tij përherë është spërkatur nga tizgë e gjakut të pafajshëm njerëzor. Të vjetrit, njësuar me këtë kod ekzistence, kishin në themel gjakun shqiptar që do t'i ushqente si hijenat për një shekull me radhë.
 Dhe kur ata u përtrollisën, nga rrënojat e tyre, do të ngrihej një tjetër me ide e emblemë të re, por që konstant e të dikurshëm do të ruante huqin e lig: kërkon prapë atë lëngun e kuq hyjnor të mbijetesës!
 E dikurshme dhe vetmitare, ndërkaq, ngjan të jetë poashtu dhe viktima e shenjuar: populli shqiptar, i cili, mbase është i rralli në planetin Tokë që jep tagrin e gjakut jo vetëm për lirinë, po çuditërisht, edhe për robërinë e tij.  
 Viktima, kësaj here, nisur nga konstelacioni që, megjithë pusitë e kujdestarëve të së keqes, nuk duket i pafavorshëm, do të mund të alternohej, sikur shqiptarët ose, më saktë, klani reprezentues i tyre, të mos e kishin heshtur popullin. Të mos i kishin shurdhuar zërin: me mashtrimin se ëndrra e tij do të shohë shpejt dritën e bardhë të jetës dhe me frikësimin që tani u vjen nga ata, pas të cilëve, njëherë e një kohë, djemëria e tij bënte vdekjen...
 Po të evokojmë sërish autorin e fillimshkrimit, prijësit kosovar me frymëzim nga vargu i poetit tonë, do të duhej t'i drejtohen pastorëve të merakosur të vendmuzgut me klithjen: oh, mos u lutni për ne, se duam pash më pash t'i biem „ mëkatit të krenisë“!
 „Mëkatit“ të së vërtetës.
 Rikthimit në gurrën e përjetshme të energjisë: në gurrën së rezistencës popullore!... 

 
Berlin, vjeshtë



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.