(Populli, ose nëse kjo fjalë tingëllon disi arkaike, aherë “elektorët” e vënë në skeda të përgjakura eksperimentimi, duhet të shkunden nga makthi marramendës për t’i dhënë dëshminë truallit dhe kohës së vet.
E marshtarët, në mungesë të Jang-Cesë, pasi të kenë bredhur tokës le t’i hyjnë Drinit për së gjati deri në det…
Një ditë edhe ai do të flasë për ta! )
* Marshtarët e pasy!
Marshimi i gjatë me këmbë të përgjakura i titajve të piramidës pushtetare, me masën e sugjestionuar a të përdhunuar të ndjekësve nga pas… ky maraton i lajmit të gëzuar e poaq i mashtrimit meskin, vjen i paarkivueshëm si pjesë e fatalitetit njerëzor dhe në kohën tonë!
Të rrallë janë lajmëtarët në marshin e tyre për të dhënë kumtin e fitores nga një luftë që ndan mëdysh kohën. Shtegtimi i tyre është, të thuash, individual dhe maratonomaku vetmitar, rëndom, posa jep mesazhin e ngadhnjimit, ndërron jetë me frymën e fundit.
Është një galeri tjetër historike ajo e marsheve kolektivë ose e kopesë së marshtarëve të lajthitur a mbase të apasionuar pas idesë madhore të prijësve të pavdekshëm. Marshi e marshtarë të tillë janë të ndryshëm: me vula e stema, veshje e dogma të gjithfarshme në rrugëtimin e tyre grotesk. Po ata, megjithë dallimet e kohës, kanë një shpirt të vetëm që i njëson në yshtjen e egër kundër njeriut. Ka dy lloje shpirtërash, thotë një nga librat e shenjtë: shpirti fisnik është njëri, dhe tjetri - shpirti ineligjent. E, ndërkohë që i pari ka prirjen natyrale për mirësinë, i dyti ndërkaq, shfaq afinitetin diametral, për keqësinë, por do të përmbahet shpesh nga keqbërja jo nga fisnikëria e tij, po nga frika prej pasojave të saj.
Dhe është, pra, pikërisht ky i dyti - shpirti inteligjent që bashkon marshtarët: të kuq apo të verdhë,ata me gjysmëhënë a me kryq të thyer…
Ka një rrëfenjzë për një mbret të cilit, adjutanti i tij, në një çast marshimi, i thotë se ushtria, madhëri, na ka braktisur duke na lënë krejt të vetmuar para një humnere, dhe kur ai, të cilin s’kish guxuar askush t’a shikonte përballë, ishte këthyer papritur për t’i dhënë shenjën e vazhdimit të udhës, adjutanti ishte shtangur, gati rrëzuar nga tronditja: shkelqësia e tij kishte qenë i pasy!
Dhe vetëm aherë, anipse vonë, adjutanti i devotshëm do t’a kuptonte absurdin e marshit të pluhurosur…
Është legjendar poashtu dhe një tjetër marsh,tashmë tepër real, i gjatë e i lodhshëm: ai i sundimtarit të kinezëve me emrin Mao Ce Dun, apo dhe marshi i i torturshëm i të burgosurve brenda muresh të çelisë së errtë…
* Shembëllimi ynë!
Po kush tha se ato, marshet e absurdit humneror, të iluzioneve të hidhta dhe të torturave burgëtare janë sosur dhe kjo koha jonë e fillimmijëvjetshit nuk i njeh më?
Ditët që po jetojmë provojnë, mjerisht,të kundërten.
Në Kosovën e kësaj vere të zallahishme, një pjesëtar i nomenklaturës politike ka ndërmarrë një imitacion të ngjashëm trup e tërthor visesh të saj. Por ai nuk është i vetëm. Është metafora e stagnimit, e squllosjes së kastës politike prishtinase dhe e orvatjes së saj të ultë për të stolisur dështimin me një shpërblim të ri nga demosi i lodhur…
Ç’mesazh, vallë, rrah të dërgojë ai dhe ç’frymë e vjetër i vjen atij nga shëmbëllimet e epokave të ikura?
Përderisa mbreti i rrëfenjëzes popullore, duke qenë i verbër, marshonte nëpër terr me gropat e syve të shterruar mespërmes asgjësë, i dyti, ky perandori i kuq kinez që marshonte herë mbi tokë e herë në ujë, i kishte vënë vetes misionin e madh mesianist: të ndryshonte njeriun! E i yni, ndërkaq, sikur ka sublimuar në integritetin e tij diç nga verbëria e mbretit, po më shumë gjithsesi, për shkak të ndërtimit të mendësisë së tij, nga e kuqja e Maos… Dhe prandaj, ky, do thoshim, Maoja ynë, ka shenjuar në agjendën e marsh-mashtrimit të madh qarkor, sërish diç të re që i je atij paksa pamjen dhe meritën e marshtarit origjinal.
Pararendësit e tij shpirtëror donin të dëshmonin për bëmat e tyre të kryera, duke aspiruar të hiqnin çdo vegëz dyshimi në natyrën dhe qëllimin misionarist të tyre. Tek ne nuk lindin njerëz por vetëm organizma njerëzor, të cilët pastaj Partia i instrukton sipas nëvojave të saj, thoshte hazjajin Stalini. Që këtej ,prandaj, rezulton urrejtja e despotëve ndaj mendimit të lirë dhe dyshimi, si thelbi i tij, kjo armë e shenjtë që na e dhuroi Sokrati i lashtësisë, bën hijen, përbetimin e fshehtë dhe armikun e vdekshëm të gënjeshtrës dhe tiranisë.
E nga ana tjetër marshtari ynë, lideri (si u pëlqen të vetquhen mburrshëm) i një Partie opozitare të Kosovës, për të qenë përherë vetja e tij, do t’i japë një përvojë të re, krejtsisht të panjohur e të pakapshme, madje, dhe nga mentorët e tij aziatikë: ai nuk synon të dëshmojë vetëm për bëmat e deritashme por, dhe ky është kulmi i strategjisë, për bëmat që mund të kryejë shpejt në të ardhmen!
Maoja i Kosovës së sotme, duke përshkuar në këmbë udhët dhe mrizet e buta të saj, nuk mëton vetëm t’i hedhë mjegullnajë triumfi një pjese të popullit shkretmbetur (të quajtur parakohshëm elektorat ngaqë, thjeshtë, nuk mund të ketë elektorat pa zgjedhje të lira dhe këto të bekuara zgjedhje nuk mund të mbahen kurrë të tilla pa pasur shtetin dhe rendin e etabluar demokratik në te) për protagonizmin e tij historik në Rambuje apo së voni në Vjenë.
Jo. Ai nuk mjaftohet me kaq.
Ai vete kështu tutje, shumë më larg se idhujt e tij: ai do qysh tani, paraprakisht, të krijojë apologjinë e heroizmit të tij të përsëritur në Rambujenë e dytë, atje ku ky, epigoni fragmentar e i vockël ballkanik, do të kurorzojë mbase,po iu kërkua nga padronët e pamëshirshëm, veprën e tij jetësore: vdekjen politike, të bukur dhe egzotike të Kosovës! Marshi i madh i ksenofilisë, është ideuar të bëjë, prandaj, një sehir, një rekuiem e një lament apriorist prej shplarje duarsh Pilati për krimin e parandjerë!
Mirëpo për të shpënë deri në fund projektin e pamirë, elitës moralisht të demisionuar të Kosovës (më saktë “grupit të unitetit“) i nëvojitet ngutshëm, me alarm retushimi i imazhit dhe një legjitimitet i ri. I vjetri tashmë është konsumuar keq nga prapakthimi i procesit politik. Në fakt po bëmë deduksionin elementar na del se çdogjë legale nuk është patjetër e drejtë dhe e arsyeshme. Fjala vjen, në sistemet tiranike apo të aparthejdit klassik, persekucioni politik e segregimi racial kishin një mbështetje legale, por meqë ligjet pozitive ishin të padrejta, e pra të paarsyeshme, për rrjedhojë, dhe aktet që afirmonin represaljet shtetërore nuk mund të cilsoheshin legjitime!
Që këtej, nëse legjitimiteti është legalitet i drejtë dhe i arsyeshëm - aherë duket qartë si drita diellore, se edhe legjitimiteti i deritashëm, nuk ishte aspak i tillë. Përkundrazi. Ishte joreal. I shpifur. Duke pasur regjisurë të huaj e mbështetje në strukturë legjislative jashtë vullnetit suprem popullor, ai s’ishte veqse një legalitet i paarsyeshëm, dhe pra, i padrejtë. Një popull është lirë vetëm kur është i pavarur. E legjitimiteti i rikonfirmuar, njësoj si vjetri, pa verdiktin e sovranit, do të ishte një dhunë politike, që do t’a bënte pikërisht legjitime e të denjë përtrollisjen politike të autorëve të saj.
* Statu-quo ante!
Që këtej, mbase, vetëiluzionimi dhe besnikëria, gati bolshevike, e “elektoratit” kosovar, ndoshta nuk do të mbajë gjatë, së paku më shkurt se konzistenca e moderatorëve të fatkeqësisë tij.
Ai ende, mjerisht, sikur lëngon njëlloj sindromi të frikës, të frikës nga liria që i shartoi rugovizmi mbrapshtan i viteve 90- të të miljeut të shkuar. Dhe si për t’a kompletuar atentatin ndaj shpirtit të tij, klasa politike e ish-luftëtarëve, ka adoptuar me kreacion të pashoq filozofinë vernile të
kohabitantëve politikë të paraluftës, duke bërë ashtu shkakun fillestar të heshtjes, të pritjes bestyte apo të shtypjes së ndërgjegjes dyshimtare të njeriut politik të Kosovës.
Me logjikën partizane të meritës për pushkën e parë kryengritëse, ata i janë dorëzuar ngasjes për t’i zgjatur jetën këtij reliefi politik që ka degjeneruar gati në po atë “statu-quo ante”, kur lulëzonin kuvendimet shqiptaro-serbe në nëngrupin e Gjenevës dhe askush nga kierarkët, nuk është i padorë në defansivën diplomatike dhe apatinë civile të Kosovës.
Në Tetovë disa mijëra bashkëkombas demonstrojnë me patos e vizion politik për lirinë e Kosovës ( ajo nuk është akoma e lirë si brohorasin prijësit folkorik të kosovar, sepse në të kundërten për ç’e duam Indipendencën!), kurse në Prishtinë në qendrën e vuajtjes dhe njëherësh të nismës kundër saj, protestojnë vetëm disa dhjetëra “elektorë” të deshpëruar…Kjo trashëgimi, e ndërprerë në mbyllje mijëvjeçari po e rehabilituar trishtëm sërish, se dikush tjetër, qoftë dhe në Tetovë, duhet të flijohet për ta, ka marrë tashmë përmasën e frikshme të mbytjes së ëndrrës. Të vdekjes në shpirt, si do të thoshte Sartëri për francezin e tij në vitet e para të pushtimit gjerman.
Populli, ose nëse kjo fjalë tingëllon disi arkaike, aherë “elektorët” e vënë në skeda të përgjakura eksperimentimi, duhet të shkunden nga makthi marramendës për t’i dhënë dëshminë truallit dhe kohës së vet.
E marshtarët, në mungesë të Jang-Cesë, pasi të kenë bredhur tokës le t’i hyjnë Drinit për së gjati deri në det…
Edhe ai një ditë do të flasë për ta!