(Pazotësia e „elitës“ oficiale të Kosovës për të koncipuar strategji të sofistikuar shumëvariantëshe brenda një politike inteligjente dhe një mendimi të konsoliduar kombëtar, bën që nisma historike për t'a ofruar këtë, të transferohet diku tjetër. Figurantët letargjikë nuk do të mund të mbijetonin dot paqësisht zhvendosjen e levës shtytse dhe vetëm brezi i ri „ margjinal e i pavërejtshëm“ politik, si cilsohet jorealisht e me frikë prej tyre, do të arrijë, mbase, të korrigjojë kodin e mendësisë së robit, të cilin e hetonte aq bukur bamirësi i paepur Neudeck!
Të trathtojë dashurinë e pararendësve në fatin e tyre tragjik!)
* Kosova mes dy vijash të kuqe!
Ndër mote e qindvjeçarë, Kosova e shqiptarët, ndjenin të rëndë peshën e trysnisë së tri Romave dhe ansamblit të trishtuar të tyre me ide e doktrina që kishin yshtjen e shfytyrimit të truallit të saj...Kohët e mëpasme, ndërkaq, si për të përsosur botën nga një ndërhyrje hyjnore, patën një prurje të re: shpresën amerikane! Kur vite më parë mbytej në shtypjen dhe mjerimin serb, Kosovës do t'i vinte që larg kumti shpëtimtar nga një aleancë natyrore e ndrydhur resh të plumbta të diktaturës së kuqe, shtrirë pikëllueshën në gjysmën e botës! Ishte kjo vija e famshme e kuqe e Bushit plak, Presidentit të atëbotshëm amerikan i cili, në fillimvitet 90-të, i dërgonte autoriteteve belgradase një letër ku kërcënonte përdorimin e forcës nëse serbët do të ndiznin një luftë në Kosovë. Pra kosova ishte vija e kuqe të cilën ata nuk do të guxonin t'a kalonin. Por kur kompania vrastare Millosheviq nuk e mori seriozisht mesazhin, pritmëritë e kosovarëve u treguan plotsisht të ligjshme: pasoi intervenimi ushtarak amerikan.
Mirëpo tani gati dy dekada më vonë rreth Kosovës është ngritur dhe një vijë tjetër e
kuqe: vija e kuqe ruse. Putini ose kryediplomati i tij Lavrov ua bëri të njëjtën vërejtje ( pa kërcënimpërdorimin e forcës) përendimorëve se, Kosova tok me mburojën raketore amerikane, është vija e kuqe që Moska nuk e kapërcen dot.
Dhe tani Kosova, e mbërthyer si në prrallat e frikshme, mes dy vijash të kuqe në përkitjet planetare, jep provën e rendit të ri botëror: të etabluar mbi principet e së drejtës natyrore dhe politike të kombeve për vetëvendosje apo në multilateralizmin e baraspeshuar të interesave të mëdhenj që flijojnë fatet e vegjël.
Por parimet apo interesat që lansuan dy vijat e kuqe dhe pasojat që prodhojnë ato, janë krejtsisht të ndryshme. Ndërsa vija e kuqe amerikane adresonte lirinë e një populli – vija e kuqe ruse, nga skaji tjetër i moralit, bën një linjë cerberi infernal kundër lirisë tij. Tutje, nëse e rilexuar, vija e kuqe amerikane mund të interpretohet si digë për mosreintegrimin e Kosovës me kurrëfarë vegëze nën Serbi – vija e kuqe ruse ndryn në vete qasjen negative për mospavarsinë e Kosovës, një vijimësi e traditës së mendimit shtetëror të Kremlinit për të jetuar nga djersa e huaj. Në parantezë le të kujtojmë një dromcë nga përgjigja lapidare që jepte i dëgjuari Leh Valensa në vitet e furtunshme të 80-ta kur, në pyetjen e intervistuesit se si ishin raportet me Bashkimin Sovjetik, ai thotë: marëdhëniet me mikun e madh janë të shkëlqyera - ne atyre u japim vaj, kurse ata ne na marrin sheqer! Dhe, së mbrami, ndërkohë që, si shkruante W.Klark në kujtimet e tij, ndërhyrja e aleatëve në Kosovë nuk kishte asnjë shtysë interesi të vetëm veq humanitetit të pastër - përzierja ruse në definimin e të ardhmes së Kosovës rrjedhon të jetë, më parë se solidaritet sllav, një orvatje restaurimi të statusit të fuqisë së humbur imperiale, pastaj një akt i dëshpëruar kundërpeshe nga ndjesia e
rrethimit të trefishtë që i shkakton, si thotë Peter Scholl-Latour në librin „Rusia në shtrëngim darësh“ : Nato-ja në perëndim, islamistët në jug dhe ekspandimi kinez drejt Siberisë së boshtë.
Mirëpo Kosova nuk është e vetmuar mes dy vijash të kuqe. Aty, e vetëpranguar, gjendet dhe kontinenti i saj mëmë, Europa që, për dallim nga ekponentët e dy vijave të kuqe, ka të vetmen aspiratë ruajtjen e unitetit të brishtë. Pas rënjës së Murit të Berlinit europianët thoshin se nuk joshen më nga gjeopolitika e vjetër, por plasaritjet e fundme sikur dëshmojnë të kundërten. E trembur nga vetja e saj, ajo nga samiti në samit, thërret me alarm për unitet. Tani uniteti është bërë apotheoza ekzistenciale e saj. Dhe apeli për „unitetin mbi gjithçka“ nuk refuzon por pikërisht pohon gjallimin e nënujshëm të gjeopolitikave të saj të vjetra. Zëdhënës të hallaktur zbërthejnë tani hapur floskulën e unitetit: ai qenkësh më i rëndësishëm se statusi i Kosovës dhe, për të ruajtur atë, ngasen të sakrifikojnë sërish interesin shqiptar për hiret ataviste të ca konstituentëve të saj.
Në qarqet vendimmarrëse europiane mbase ngjizet filli i një spekulimi për një zgjidhje të midisme: as autonomi për hir të parimeve dhe as pavarsi për shkak të interesave.
Dëshmi e këtij kërkimi të zorshëm identiteti unik është dhe prononcimi i shefit të diplomacisë frënge B. Kushner, se qëndrimi europian do të mbajë një barasdistancë ndanë Uashingtonit dhe Moskës për Kosovën. Por ky identitet nuk mund të ndërtohet me kategorizimin e kombeve të saj: në shtetëror dhe (si thotë E.Morin në „Shpirtin e Europës“) në kombe nënshtetëror. Aq më pak mund të nëpërkëmbën popujt si në kohët e shkëlqimit të sovranitetit absolut. Nëse nga vetë europianët është thënë me elokuencë (nga një ish-ministër gjerman) se në epokën e re të globalizmit dhe të të drejtave të njeriut, politikat e jashtme kanë vdekur për t'i lëshuar vend një politike të vetme të brëndshme
planetare – aherë dhe Kosova nuk mund të murohet (si në baladat e vjetra) e trajtuar si çështje interne në ngrehinën e përgjakshme komunitare!
Por parimet dhe interesat, të pajtuar në një identitet politik, mund të bashkëjetojnë rreth temës së madhe të Kosovës vetëm duke injoruar vijën e kuqe ruse, fantazmën e njëmendtë që përçan e tronditë themelet e saj.
Brukseli, ende heterogjen, do të duhej të kthente mbrapsht influencimin nga disidenca e personifikuar në ish-kancelarin Schröder, që u cilsua i tillë nga kryeredaktori i „ Moskovskie Novosti“ për afeksionin e fortë prorus (ka adoptuar dhe një fëmijë rus), të mbrojtur edhe në promocionin e memoareve të tij në Moskë, kur kritikoi ashpër përendimin, duke i thurur njëherësh dithirambe ministrit të jashtëm Walter-Steinmayer, i cili, sipas tij, ndjek traditën e mirë të Ostpolitik-ës, një lajtmotiv politik i Wili Brantit e, më pas, i gjithë kancelarëve të tjerë socialdemokratë. Dhe ky obstruksion nuk është, thjeshtë, një ide, një opcion i sinqertë i Gerhard Shröderit. Prapa tij fshehen, me gjasë, të tjera afarizma meskinë, jashtë politikës dhe interesit europianë. Ai është përfolur shpesh në etapën e fundit të qeverisjes së tij për biznese të pista me Vladimir Putinin, kryedespotin e Rusisë...
Kohezioni i vërtetë identitar europian do të duhej, pra, të ngërthente në vete edhe interesin kombëtar shqiptar dhe, meqë fati është i përbashkët, thirrja portugeze (ku u bë takimi i fundit) për unitetin mbi gjithçka, pra dhe mbi shqiptarët e flijuar, është një kob i ri për Europën vetë.
Pa Kosovën, Europa e Strasburgut nuk do të jetë tjetër veqse gjysma e dytë e emrit – gjysma e tij burg!
* Oferta e pamundur!
Dyshimet raciste për afinitetin shtetëbërës të shqiptarëve, vinin sërish, si të nxjerra nga muzetë, në shekullin e ri. Nuk ishte parë në historin e Europës që një popull, pasi kish fituar luftën, të shpallej i humbur. Në pirgun trukeve të zeza ishte elementi serb që instrumetalizohej për të kontestuar gjithçka: karakterin e luftës, të drejtën e luftëfituesit për të gëzuar frytet e saj, përmasën klasike të pavarsisë... Mitrovica dhe bazeni i artë i Trepçës me “eksklavën” ( ato quhen gabimisht “enklavë” sepse janë në lidhje varsie me autoritetet e një shteti fqinjë) serbe përreth, bën pengmbajtësin e shëmtuar serb të fateve të Kosovës dhe pendesën e mallkuar të segmentëve europianë për shpërnguljen ( nga forca e çlirimtarëve dhe aleatit tejoqeanik) e establishmentit kolonialist serbian nga Kosova!
Ç'është e vërteta, rrethet politike shqiptare, secili krah me limitin apo me motivin e vet, sikur mbanin tash sa vite distancë me banorësinë minoritare serbe. Belicistët, ata që çliruan Kosovën – sepse, për shkak të luftës ishin larguar shumë prej saj, kurse pacifistët, ata që bënin sehir e prisnin bestytërisht rënjën e sistemit okupator me zhaurimë të lodhshme daullesh, si muret e qytetit biblik Jeriho – sepse, për shkak të mosluftës kishin qenë shumë afër saj dhe tani, për të riparuar imazhin nga frika e kompromitimit historik, duhej të qëndronin në larginë!
Por edhe sikur të kishin pasur kurajon këta të dytët, tani që, të rifronsuar gjatë, nëvojitet impenjim i shpejtë e agil, vështirë se do t’u hynte në punë invenca dhe kultura e varfër politike.Ajo dhe bagazhi i vjetër doktrinar (doktrina e kujdesit për të mos i prishur punët me Serbinë!) pëngojnë shkarkimin e rëndesës, prishjen e përshtypjes së pamirë se shqiptarët nuk duan a nuk ia dalin dot t’a identifikojnë problemin e getoizimit serb.
Kjo, në fakt, ishte njëra anë e keqkuptimit europian dhe, për pasojë, e imponimit nga ana e të Ahtisarit të Planit mbi jetën e stisur paralele (jo të përbashkët) etnike në Kosovë..
Ana tjetër, në kufi të së pamundurës, që ata nuk arritën apo nuk deshën t'a kuptojnë asnjëherë, ishte siç është dhe sot, vetë pozicioni i barrikaduar konfrontues i serbëve lokalë!
Si duhej të dukej athua formula e shenjtë e akomodimit?
Cili ishte elaborati që do të tërhiqte vokacionin e tyre politik?
Fillimisht e cytur nga rëndesa e fajit ose e regjisurës së tij, tkurrja serbe në zona homogjene, nëse nuk ishte e paramenduar që në nismë, do të evoluonte
pastaj në strategjinë e ndërrimit të roleve me shqiptarët, ndër te cilët tani do të mërgonte faji dhe pafuqia për shtet e civilizim demokratik...
“Nëse doni një Kosovë të tërë të pavarur, aherë integrojini serbët”- thoshte kryeemisari pararendës Petersen në prak të një udhtimi të hershëm në Beograd. Mesazhi,ndërkaq,më parë se shqiptarëve ishte menduar, si duket, t’u shkonte serbëve të fantaksur eksklavor. Danezi i butë e skofiar do të përshfaqte gjithë brutalitetin e diplomacisë së kushtëzuar dhe lojës së dyfishtë! Nënteksti i deklaratës së tij duhej të lexohej qartë prej serbëve në
stilin:”o serbë, nëse nuk doni një Kosovë të pavarur apo dhe të tillë, por të coptuar, aherë hidhni poshtë gjithë nismat e Prishtinës dhe rrini të gozhduar në politikën konstante të shantazhit!”
Një mesazh i rrallë meskin.Një ogur i keq që u ndodhte në legjendë ustallarëve të Rozafës...
Ç’mund t’u ofrohej, vërtetë, serbëve, që ata të ndjeheshin të mëkuar dhe të gatshëm për koekzistencë?
Statusin e shumicës politike, ndërkohë që janë pakicë etnike, pra restaurimin e kohëve të ikura në pakthim?
Statusin e entitetit të dytë në Kosovë, si prelud i baraspretendimit, në rast të pavarsisë dhe të baraseliminimit, në rast të mbetjes së fijeve ndërlidhëse të saj me Unionin provizor sllav?
Natyrisht ky spektër ofertash është i huaj për ndërtimin a funksionimin e një societeti demokratik. Por edhe kur shqiptarët, pjesa e përpunueshme e udhëheqjes së tyre, ulur në “Grupin e unitetit” do të kalonte rubikonin për të ofruar njërën prej tyre në Pakon e Ahtisarit, më saktë, një korpus të drejtash ekstreme për komunat minoritare, të pashëmbëllt në praktikat e demokracive konsolide, reagimi serb doli të ishte ishte përçmues. Fleksibël do të dukej reflektimi tyre vetëm nëse, nëpërmjet saj, do të arrinin prolongimin e statusit në pritje ndërrimi të konstelacionit ndërkombëtar, apo të rrëmbenin copë toke të saj.
E vetmja ofertë që do të entuziasmonte ata do të ishte një rrjeshtim i ri, dramatik, vetëskllavërues i shqiptarëve: që kuvendarët kosovarë të miratonin një Rezolutë me të cilën do të deklaronin vullnetin politik dhe dëshirën e ngrohtë për t’u ribashkuar me shtetin e Serbisë!
Ofertë tjetër, për sa kohë mentorët e kryehershëm i furnizojnë me shpresë a iluzion, serbët vendorë nuk pranojnë dot, kurse, nga ana e tyre, ofertën makabre, ofertën e robërimit vullnetar, shqiptarët, në kushtet e vendosjes së lirë ( është, ndërkaq, i diskutueshëm kapaciteti përfaqësues dhe legjitimiteti i delegimit të tyre), nuk mund t’ua bëjnë kurrë.
Bisedimet (edhepse të dëmshme në vetvete pse janë idejuar për të lëmuar sedrën serbe) e reja të moderuara nga “treshi” pretencioz ( pa Wisnerin amerikan), nëse përfaqësia kosovare i shmanget shpirtshitjes a orës së ligë, nuk mund të gjejë dot pikën centripetale që do të afronte rreth saj palët në makthin që s'ka të sosur...
Askush dhe askund në botën e lirë, pra as kolonia serbe e Kosovës, nuk mund të ngrejë në zemër të demokracisë parlamentare paradoksin e trishtë: të jetë pakicë etnike dhe, në të njëjtën kohë – shumicë politike! Jashtë ambivalencës së tillë nga e stinët e egra të okupimit, statusi i tyre mund të realizohet vetëm brenda çelësit të artë demokratik: pakicë etnike dhe pakicë politike.
Çdo formulë tjetër eksperimentale që mbikalon këtë prag do të prapashpinte në jehun e armëve dhe kundërmimin e vdekjes në Ballkan!
* I dashuruar pas fatit tragjik!
Humanisti i shquar gjerman Rupert Neudeck, me rastin e Koferencës së Rambujesë, kur Demaçi hezitonte, për të mos e dhënë, më në fund, mendimin e tij pozitiv për Marrëveshjen e njohur, e pat cilsuar atë si njeri që di të bëjë Rezistencë por jo dhe politikë!
Kjo na vjen tani si metaforë tepër e saktë ngaqë, mjerisht, kodi i mendësisë kolektive është formësuar pikërisht në robëri, në robërinë e gjatë heroike.
Stefan Zweigu në një ese për Dostojevskin shpjegonte jo vetëm aftësinë e adaptimit, nëpërmjet fatalitetit, me të keqen por madje apasionimin pas saj ( sëmundjes së rëndë), pas fatit tragjik!
Dhe ky popull sikur shfaq një sens të lartë organizimi në shkallë harmonie nacionale
nën pushtim e skllavëri, sa që, gati njësoj, mund të thuhet se ai është i dashuruar pas fatit të tij tragjik...I mësuar me një të vetme referencë negative të metropolit kolonial apo tiranisë, ai me të ikur ajo, sikur humbet torruan, për t'u shtjellë ashtu mnershëm mes dy skajesh të kundërt: pasigurisë së të urtit dhe hovit të vulgut në hapsirën e bardhë të lirisë.
Dhe kjo ndjesi e ultë robi virtytin e parë që shuan është - ndërgjegja. Duke vënë një relacion frike a respekti të përdhunuar me instancën e huaj të instaluar fundbotshëm në krye të tij, ajo firon ashtu në zallahinë e gjallimit selektiv! Gjendja e tillë sikur gjen shprehje në një nga dialogët shekspirianë, kur i zënë ngushtë prej saj, personazhi që shijon të athtën e gjakut të tjetrit, bën thirrje për t'a përtrollisur atë. Ajo, ankohet ai ( i parafrazuar), është tharmi i së keqes dhe me te në shpirt s'mund të arrish askund: as në vrasje, as në hajni dhe as në adultëri...
Reprezentantët politikë kosovar, jashtë arsyes e ndërgjegjës, jetojnë kështu me shërbesë e adhurim, stadiumin e parë estetik të Kierkegardit (shkëputur nga libri „Bota e Sofisë“ të Jostein Gaarder) tek bëjnë mbretëria e kënaqësisë shqisore, larg të dytit ,ku mbisundojnë logjika e morali apo përkorsisë religjioze të stadiumit të tretë...
Që këtej, mbase, e liga e politikës së kudoshtrirë të protagonistëve shekspirianë, thuase se rrah të dëshmojë se ç'shenjtëri ka marrë lufta e pamshirë kundër saj në Kosovë!
Kur sllovenët, asaj kohe të stuhishme, bëhëshin gati për pavarsinë, kishin hartuar dy katalogë objektivash kombëtar: në njërin, ata parashtronin me një leksik kristalisht të qartë se çfarë nuk duan të keqe, ndërsa në tjetrin, ndërkaq, kishin formuluar kërkesat decidive, pra se ç'duan të mirë për popullin e tyre.
Në pozicionin e tyre politik ishte, prandaj, mohimi dhe njëherësh pohimi: mohimi i ingranazhit jugo-serb dhe, si antitezë logjike, pohimi i vullnetit për vetëjetesë nacionale. Por, duke mos u mjaftuar me kaq, aty nuk figuronte thjeshtë deklamimi ëndërrtar dhe deshirak i lirisë, por përvijohej poashtu strategjia e sendërtimit të saj...
Kjo është arsyeja që i dallon aq shumë shqiptarët prej tyre: klasa politike në Kosovë i është dhënë përhumbshëm improvizimit fatkeq. Improvizohej para luftës „shteti stabil“ me konferenca shtypi, me audienca krishtlindjesh, me konkurse bukurie... dhe improvizohet tani „shteti faktik“ me zgjedhje të lira nën dirigjencën e huaj, me infrastrukturë të arnuar, me urbanistikë kaotike, me toponimi përtallëse ( vendbanimet herë quhen me emrin e ri e herë me të vjetrin sllav) dhe me jetë sociale e kulturore të përçmuar...
Institucioni klasik i kujdestarisë që aplikohet për popujt e paarrirë quhet liri, ndërkohë që kërkohet, si shprehet me obskurancë të neveritshme një opozitar, vetëm zyrtarizimi ( term që fqinjëron me „formalizimin“ e Rugovës) i pavarsisë, që sugjeron tezën se realiteti i tashëm politik qenka një „pavarësi private“ , një emirat i landlordëve të Kosovës! Mund të imagjinohet tani, nga kjo parashfaqje, se ç'shtet të lirë e demokratik do të ndërtonte kjo „elitë“ me gjuhën dhe kulturën e tillë parapolitike.
Pjesë e këtij improvizimi, si kredo politike magjistrale, është taktika defansive e lëshimeve, e tërheqjes dhe sprapsjes. Nuk vemi kurrsesi në Vjenë, se punët tona kanë një itinerar tjetër, brohorisnin në nisje të dialogëve – dhe vanë të gjithë, madje ata më zhurmëtarët desh thyen këmbët për të marrë kryesimin e dërgatës kosovare. Nuk do jemi palë bisedash suplementare, thanë prapë pastaj – për të shkuar me vrap, me të parë shenjën, si demi i lojës spanjole dhe, së voni u betuan solemnisht se nuk negociojnë statusin – për t'a shkelur vetëm ca ditë më pas këtë zotim të zjarrtë: po, thotë Presidenti, në Londër do bëhët fjalë edhe për statusin, por ne, shton sërish ai me patos, nuk do lëvizim nga fillesa jonë independiste.
Por ç'garanci mund të ketë „elektorati“ i hutuar se, në Londër dhe pas saj, nuk do të vijojë zinxhiri fatkeq i koncesioneve?
Drojën do t'a përligjte prijësi i sipërcekur opozitar, tek me një prozelitizëm politik radikal, do të theksonte para një udhtimi të tij të jashtëm, se është kundër afatizimeve në procesin e status-zgjidhjes, tezë që s'ka si të mos korrespondojë, mjerisht, me ngulmin belgradas për prolongimin e pambarim të kuvendineve vjeneze deri në një ujdi, një kompromis varrmihës të lirisë së Kosovës!
Dhe ç'do bëjë, pra, ky popull dhe elita e tij e fjetur akademike, kur ky zinxhirë të përthyhet me vullnetin e tij politik?
Cila është alternativa?
Përse fetishizohet (pa absolutizuar as rolin vetanak të stilit bolshevik) faktori botë?
Si kompensim për dështatën e madhe?
Meqë kjo statu-quo, bën, me ç'duket, ambientin e artë për prapsitë e çdolloji, ekipi politik kosovar thuase përgjërohet për jetëzgjatjen e saj: spostohet gjithçka në emër të idealit (shpesh i shtirur) të lartë të shtetit që pritet të vijë herë me zogjtë shtegtarë , e herë me vesën vjeshtore!
Por, ja, që Europa (ose oborrë të veçantë të saj), prirë klishesh të moçme ende lëngon mungesën një „ optima fide“, e qëllimit të mirë, të drejtë e real ndaj shqiptarëve dhe, si të
mos mjaftonte gjaku i rënë, kërkon më shumë - si kusht për t'i njohur Kosovës mëvetësinë sovrane. Kërkon kulturë qeveritare mondane dhe dedikim të përulur ndaj interesit publik, tipare që klasa politike e Prishtinës nuk arrin t'i përshfaq dot.
Pavarsia e Kosovës, prandaj, nuk fitohet vetëm në përballjet salloneske. Jo! Ajo fitohet dhe brenda Kosovës vetë: me vetmohim demokratik dhe krijimin e shansit të barabartë për të gjithë. Më parë se ligj, demokracia është ndjenjë, një sens i kultivuar hollë i së drejtës së tjetrit. Madje dhe Hitleri (në „Mein Kampf“-in e tij) anipse në kulmin e cinizmit, thoshte se e drejta e qytetarit rrëzon të drejtën e shtetit!
Ndaj, nëse ndër netët e errëta bizantine të viteve të shkuar, rebelimi i organizuar ushtarak kundër serbit kolonizator, i referohej patriotizmit çlirimtar nacional – puna shtetformuese me zell, dije e nder sot, bën, si mund të lexojmë te R.Dahrendof, patriotizmin civil kushtetues: me lojalitet ndaj shtetit, ligjit dhe vlerave sublime të shoqërisë së lirë. Mirëpo disfatistë të dikurshëm të rroposur nuk mund të rezultonin të denjë as për të parin dhe, të bashkuar më pas me fragmente çlirimtarësh të vetçheroizuar, as për patriotizmin e dytë!
Pazotësia për punë shtetbërëse në përditësinë e jetës apo për të koncipuar një strategji të sofistikuar shumëvariantëshe brenda një politike inteligjente dhe një mendimi të konsoliduar kombëtar të „elitës“ oficiale, bën që nisma historike për t'a ofruar këtë, të transferohet diku tjetër. Figurantët letargjikë nuk do të mund të mbijetonin dot paqësisht zhvendosjen e levës shtytse dhe vetëm brezi i ri „ margjinal e i pavërejtshëm“ politik, si cilsohet jorealisht e me frikë prej tyre, do të arrijë, mbase, të korrigjojë kodin e mendësisë së robit, të cilin e hetonte aq bukur bamirësi i paepur Neudeck!
Të trathtojë dashurinë e pararendësve në fatin tragjik!