Letërsia Shqiptare
Dergoni krijimet tuaja - Email: admin@zemrashqiptare.net
E merkure, 09-07-2008, 04:58am (GMT) Letersia FAQ RSS Lidhje Harta Kontakt
 
 
::| Fjalekyc:       [Kerkim i Avancuar]  
 
Kategorite  
Ekskluzive
Kritika - Analiza
Libri
Informacione
Intervista
Gjuha Shqipe
Poetët e Zemrës
Autorët A
Autorët B
Autorët Ç
Autorët D DH
Autorët E
Autorët F
Autorët G-GJ
Autorët H
Autorët I
Autorët J
Autorët K
Autorët L-LL
Autorët M
Autorët N
Autorët P
Autorët R
 » Rasim Selmanaj
 » Renis Nushaj
 » Risto Siliqi
 » Radije Hoxha
 » Rexhep Qosja
 » Riat Ajazaj
 » Ridvan Dibra
 » Rifat Kukaj
 » Rita Petro
 » Roland Gjoza
 » Rudina Berdynaj
 » Rudina Madani
 » Rudolf Marku
 » Rrustem Geci
 » Rexhep Kasumaj
 » Rizah Sheqiri
 » Roland Beqiraj
 » Reshat Sahitaj
 » Rezart Palluqi
 » Rami Kamberi
 » Riza Haziri
Autorët S-SH
Autorët T-TH
Autorët V
Autorët XH
Autorët Y
Autorët Z
English
Letërsia Botërore
Zemra Shqiptare
Forumi
Njohje
Galeria
Direktoria
Lojra
Chat
::| Email Lajmerues
Emri:
Email:
 
 
 
Autorët R » Rexhep Kasumaj
 
Hija e Qosiqit rishfaqet
E enjte, 01-11-2007, 07:06pm (GMT)

Falanga serbiane që vjen!
 
(Në kujtimet e tij De Goli thotë se “ ...pasi fati ishte siguruar - me çlirimin kombëtar - qasën sërish pretencat, ambiciet dhe mbivërshuan qejfet e favoret mbi popullin tonë, pothuajse u harrua, ndërkaq, se ç'fatkeqësi i kishin sjellë ato (në vitet e okupimit e në prak të tyre)...”!
Për të qenë, pra, ky vit i madh i Kosovës që do t'a shënonte a ndante epokën më dysh, do të duhej, nga “elita” politike prishtinase po dhe nga vetë “elektorët” që e mbajnë gjallë atë,të lexohen me shpirt këto radhë të De Golit të paharruar.
Ai qahej për harrimin e shpejt të fatkeqësisë së kaluar dhe, që këtej, nëse jo eshaloni prijës, të cilën e ndajnë vite drite me korifeun francez - aherë  ndjekësit e tij tepër të heshtur në radhët popullorë, kanë  një aryse më shumë për të qenë të indinjuar e të brëngosur, tashmë përtej ëndrrës frenuese për pavarsinë:  fatkqësia e tyre,ndryshe nga francezët e kohës së gjeneralit, ende vazhdon!...
E bërë njësh në tragjikën e saj:  e re dhe e vjetër!)

* Heshtja, pastaj – libri!
 
 Në  fillim ishte fjala, thotë libri më i moçëm i botës. Europianët (e ndoshta njeriu përgjithsisht), ndërkaq, duke i hequr asaj petkun hyjnor, e kishin adoptuar për punët e kësobotshme dhe për ta: në fillim e në fund ishte arma!
 Nuk ka punë të mëdha politike: fronsime a rrëzim sundimtarësh, rënje perandorish a lindje shtetesh apo shfaqje fesh e ndarje të tyre, që të mos kenë pasur në  ngjizjen fillestare armën dhe gjakun deri në miljeun e ri të revolucioneve të kadifenjta demokratike.
 Dhe, si për t'i dhënë provën konzistente përvojës së ligë, në Kosovë e rreth saj ka tani një përmasë të frikshme zhvillimi: vringëllimën e sërishme të armëve, jehonë që vjen nga Belgradi – kjo qendër rezervati mesjetar europian!
 Serbia,prandaj, pa mundur dot të japë Sartërin e vet – pararendës të vetëçlirimit nga makthi kolektiv i urrejtjes, është mbërthyer në antipodin e tij, në ideatorin dhe apologjetin e krimit shtetëror: Qosiqin e obseduar iracionalisht me „fantomin“ shqiptar që i fanitet hijadhë kudo dhe i nxijnë ditët e fundrrugës...
Në jetë përgjithsisht dhe në jetën krijuese veçanërisht,ndodh dendur që, më shumë se vetë fjala, është që heshtja flet!
 Heshtjet janë të ndryshme si rendjet, huqet dhe pasionet njerëzore! Heshtja mund të jetë ar. Një kursim mrekullor, një mosbërje, një shpëtim.Po ajo është gjithandej dhe veprim, formulë dhe një pozicion i caktuar shëmtan.Në të dy rastet, pra, si mosbërje apo veprim, ajo mund t'i përfalet kultit të jetës, kreacionit dhe dashurisë së kësaj bote, njësoj si dhe katandisjes së saj!
 Është, disi,e kuptueshme që një heshtje tirani t'a ketë shpesh hijen e kobit.Po është,tutje,krejt e panatyrshme që këtë hije zindjellëse t'a ketë heshtja e krijimtarit të proveniencës humaniste!
 Dhe i heshtur,në heshtje që mbaron me dhunë e gjak,ishte tash sa
kohë dhe serbi Qosiq. I heshtur qe poashtu dhe Qosiqi shkrimtar. Dhe kjo, për njohsit e natyrës së tij, ishte e pazakontë. Sepse kur heshtte njëri, si për të mbijetuar shurdhimin, tjetri do të fliste. Po kjo nuk prishte shumë punë. Ç'linte pa kryer i pari, në një rrafsh,e kompensonte, sakaq, i dyti në rrafshin tjetër.
 Ky njësim i përdyzuar ishte për ta fare i natyrshëm, madje pjesë e qenies dhe mënyrë ekzistimi e tyre. Qosiqi i letrave,sipas një rregulli të brëndshëm, i rrëfente udhën qytetarit, ideologut dhe serbit Qosiq! E ky i dyti,zelltar gjithmonë, i kthente devocionin aq kreativisht: vente më larg akoma se urdhëresa e tij  frymore...
Ata, dy pamjet e tij, dukej sikur rendnin ashtu dybinarshëm,por takoheshin sërish e përherë, për t'u bërë njësh në katrahurën morale që i shpinte drejt shtegut të njëjtë: vrasjes së jetës njerëzore!
Do t’i bashkonte ata veçanërisht, përpjekja për të ndërtuar mitin e  shtirur të humbësit dhe të disidencës. Duke u identifikuar në sens bolshevik me popullin, i tillë duhej të rrjedhonte dhe fati i tij: një humbës dhe disident kolektiv. Po ky s’ishte veçse një mashtrim dhe, si ndodh shpesh me serbët, një gënjeshtër entuziaste: populli i tij ishte hegjemon në hapsinë sllavojugore,kurse ai vetë oponent i ashpër i njëlloj fresku liberal që kish zënë të ndjehej në jetën politike të atëhershme dhe, prandaj, një viktimë e orvatjeve deshpërimtare për të mbrojtur këtë rol piemonti të përgjakshëm.

Dhe pikërisht në këtë kohë,në kohën kur një tjetër shkrimtar,me kredo e moral të kundërt, E.Heminguej, pasi kishte qenë në front për lirinë e një populli tjetër, i thoshte lamtumirë armës ( dhe në romanin „Përse bien...“  shprehte lajtmotivin e tij jetësor njeridashës tek shkruante se – mos pyet kurrë, o njeri, për kë bie këmbana, sepse ajo bie për ty!) në librin e tij gjithë shpresë -  ky, si një Erebos, një mbret të vdekurish, zjente në mëndjen e tij negative librat që i ngrinin pusi jetës dhe i shpallnin urdhërzhbërjen nacioneve të tjerë, që kishin  të njëjtën të drejtë natyrore jete, në jugperëndimin gadishullor!
 Maksima e dëgjuar e "Mein Kampf"-it hitlerian (në intërpretim të lirë) se, është vizioni gjenial i Fyhrerit ndanë trullosjes se masave, që ofron përlindjen e tyre, sikur gjente në këtë shfaqje të vonë serbe, përpjekjen satanike për trollzim fatkeq, por, natyrisht në pamjen që mohonte humanistin dhe turpëronte qytetarin me emërin Qosiq!


 * Libri, pastaj – falanga!

 Riparaqitja e beftë e librit ( para dy-tre vitesh me libër dhe më pas, e si sot vazhdimisht,me artikuj e promemorie drejtuar pallateve europianë), kur shumëkush e mendonte të mbaruar bashkë me autorin, duke qenë e parëndomtë, nuk është veçse kronikë e re e një vdekjeje të paralajmëruar!...
   Po ç'të ketë qenë vallë arsye e heshtjes?
 Athua shkrimtari i gjenocidit,i lodhur jete e prediktesh për kopenë e tij të 
komplotuar dhe në përgatitjet e ngutshme për gjyqin e fundmë, kishte ndërruar mëndje,imazh e fytyrë!?
 Por a ishte vërtetë kështu?
 Ishte mposhtur vallë nga oponentët  satrapë e dritëshkurtër, a mbase, i zhgënjyer ngaqë mendimi i tij nacional programatik fironte në gjysmëudhë, parashestonte librin e ri të vdekjes!?
 Kushedi,ndoshta ishin rivalizime të ashpëra klanesh - intelektuale e politikante, që i njeh aq primitive ky ambient i errtë i Europës. Apo, që besohet më shumë, për shkak të rënjes në blokadë të kreut  pushtetarë, të trashë e brutal,rishfaqej ai, ati i harruar shpirtëror, që duhej t'i jepte kuptim, imagjinatë e shtysë të re çështjës së ngecur serbe: Qosiqi i hollë e virtual!
Sidoqoftë heshtja e tij do të rezultonte aherë me librin mbi Kosovën, që përmbyllte opusin demonologjik dhe kodifikonte, si thoshte vetë, kredon e tij politike, të njëjtësuar pikëllueshëm me urrejtjen patologjike të jetës njerëzore.
Atë shqiptare veçanërisht.
E libri, tashmë fryma e tij e zvargur - ky manifest i ri i vdekjes, që   rekomandon e thërret për ndarjen e Kosovës, pra ekspandimin e ri në lebensraumin shqiptar, dha e jep gjithnjë frytin e tij të zi: inspiroi apo bashkërëndoi me forca politike serbiane që – si shkroi shtypi – patën hedhur më herët idenë, madje patën paralajmëruar dhe luftë për Kosovën.  
Paralojë e saj, sipas hullisë së sprovuar të mbarimshekullit në viset e Jugosllavisë avnojiste ku kishin grupimet etnohomogjene të tyre, do të ishte një formacion i organizuar ushtarak, një falangë serbe,me emrin të bërë publik aherë si ”Lëvizja antiterroriste” (për t’u pëlqyer mbase simbolikisht nga një lëvizje e njëjtë planetare me orbitë në Uashington!) por, tash, meqë vardisja kishte dështuar, do të alternohej ajo në “Gardën e Llazarit”, e cilsuar pak me ngut nga si donkishoteske.
 Autori i kanosjes e deklamuesi publik i saj, ishte asokohe Nikoliqi i radikalëve. Por ai nuk u mor asnjëherë seriozisht. Influenca e epigonit sheshelian vlerësohej margjinale, anipse përfaqësonte (si sot e kësaj dite) boshtin e masës zgjedhore serbiane. Nuk ishte dëgjuar,ndërkaq, që zyrtarë qeverie, rrethe intelektuale të rrugës së potershme “Franca 7” , ose dinjitarë feje, që, të skandalizuar si do të duhej të ndjeheshin, t’a kenë izoluar e kthyer mbrapsht atëbotë marrëzinë e tij!  Në të vërtetë, kompania qeveritare serbe s'kishte bërë zhurmë për tjetër punë. Asaj, përmes heshtjes, i voliste ruajtja e imazhit dhe pushtetit të nëvojshëm për të vënë në jetë po atë ndërsymje, veqse tani me një profil më kredibël dhe në një kohë më oportune politike që do të ofronte konstelacioni i ardhmë botëror... 
 Pas një pritjeje, gjithsesi taktike, atë ,prandaj, do t'a përsërisin kësaj kohe pa rezervë, krerë të tjerë serbë: premieri Koshtunica dhe trashëgimtari i Xhinxhiqit  “eurofil”,  Tadiqi meskin që herë i kundërvihet e herë i bashkohet korit kërcënimtar me një lojë që kurrë s'kuptohet mirë se ku sos dredhia e ku nis ideja sublime e europianizmit të moderuar.
 Po cila është natyra e vërtetë e kanosjes serbe?
 Është athua shantazh adresuar Europës me shenjën e luftës  (që do të prodhonte sërish përçarje radhësh të saj e refugjatë që e kanë sfilitur) apo, mbase, njëmend prapa kërcënimit verbal qëndron një qëllim i prerë dhe një planimetri e hollë zbatimi e establishmentit serb?
 Prononcimi i të ashtuquajturit ministër serb për Kosovën se, pas luftës që zhvilloi Millosheviqi me shqiptarët, duket e vështirë të bindësh ata për të njohur Serbinë si shtetin e tyre, sikur zhvesh fare intencën gëlltitëse ndaj truallit kosovar. Përshtypjen e kompleton dhe një intervistë e presidentit serb vitin e shkuar gjatë takimeve të Durrësit, që hedh poashtu pakëz dritë në dilemën e vënë, kur ai për “Top Chanel”-in e Tiranës përdorte sintagmën “...nëse pavarsohet një pjesë e Kosovës...”  e që, siç del praj saj, vijëzonte, pra, qartë strategjinë e coptimit të saj.  Kurse, nga ana tjetër, nëse coptimi nuk mund të bëhet pa forcën e armëve – aherë lufta, me prerjen territoriale si uvertyrë, mbetet alternativa predominante e shthurjes që, e nënçmuar, mund të nëpërkëmbë sërish fatet shqiptare.   
 A nuk jep kjo kompendiumin  e sotëm belgradas që, sipas lëvizjes së kompasit interesor të tij, në agun e ditës refuzon e në muzgun e saj, e kapitur varfërie dhe zhgënjimesh, aspiron ethshëm Europën?
 Dhe ç’ofron ajo, pra, për të qenë e denjë të aderojë në rradhët e saj?
 Varret masivë që,për të mbajtur një korrespondencë politike qoftë dhe në këtë mënyrë makabre me Kosovën,shumë syresh mbahen ende mbyllur,ruajtja me xhelozi e kriminelëve të luftës,mosbërja e katarzës së madhe nacionale si shkëputje nga ideologjia e përgjakjes së pragjeve të huaja, fillesë mbi cilën do të mund të niste renasanca serbe – dhe tani kërcënimlufta e re në emër të ëndrrës së pashuar për Rajhun serbomadh!
Kjo është oferta, më saktë helmi i saj!
Në fakt ajo nuk mund të bëjë luftë klasike për Kosovën e tërë. Por, si janë mësuar “ab eterno” ose që nga fllimi i botës (kështu së paku iu duket shqiptarëve nga lodhja e viteve nën stemën e tyre!) - për të shkëputur copëra toke shqiptare. Dhe “nuk do të jetë në luftë” si dhelpëronte edhe atbotë kur trupat e saj spastronin etnikisht Bosnjën që kishte përzjerje nacionesh, si thuhej figurativisht, ngjashëm me lëkurën e Leopardit. Në luftën e pashpallur. Po në prapaskenën e saj. Është, që këtej, filozofia e viktimës dhe instrumentalizimit të saj që do të hidhet në qarkullim. Dhe janë poashtu serbët lokalë ai eshaloni falangist, këmishazinj të të gjithë llojeve,që do të bëjnë trupin e gjallë të skenarit infernal.
 Ja, ky është tani prepozicionimi i taborrit serbian , mbështetur linjash besnike në testamentin e patrikut të shovenizmit të ri serbian Qosiq - për të krijuar, ndoshta, me një blic-luftë të befasishme përparësi fakticiteti në terren dhe, në prak mbylljeje negociatash apo të një Konferenceje ndërkombëtare (të trumpetuar me aq interes ngaqë kompromisi, rëndom, është në  traditën e  saj!) për Kosovën –  të imponojë, sipas mentorëve të tyre, kryestandardin strategjik: aty askush nuk mund t’i marrë të gjitha!
 Banorësia e paktë serbe e ngujuar në eksklavë (skutat serbe nuk janë
enklavë,si definohen gabimisht,po më keq akoma – eksklavë,pra pjesë toke nën jurisdikcionin e një shteti të huaj) duhet të dyshojë përgjegjshëm për të refuzuar këtë projekt që kërkon flijimin e tyre. 
 Ata,meqë ishin kauzatorët e gjakosjes së shqiptarëve dhe përfunduan të vetmuar,kësaj radhe mbase, do kenë mësuar diç nga leksioni i historisë: të mos i prijnë të keqes!
 Sidoqoftë ka një arsye madhore që shqiptarët të jenë të vëmëndshëm: nuk janë mësuar kurrë,në ndërrim kohësh,t’i shohin fqinjtë e tyre serbë  -  të reflektojnë arsyeshëm!
E ky vit, që ka zënë të quhet prapë  “viti i Kosovës”, viti i shtetësisë së saj, le të jetë, pas statu-quosë së gjatë e të lodhshme, vit i ndërrimit të kohëve.
 Mirëpo shkaku i luftës është përherë brenda nesh, shkruante Terzani. Dhe jo vetëm, do shtonim ne, kur njeriu humbet i ndërkryer në tallazet  e luftës së padrejtë, po duke pranuar poashtu gjysmëzgjidhje a gjysmëliri, që në fakt s'është veqse maskë skllavërie të re, stolisur nga bizhutë e dogmat e kohës, tek ndryjnë në vete embrionin, tharmin e keq të luftës që pëlcet në ftomën e parë.
Në kujtimet e tij De Goli thotë se “ ...pasi fati ishte siguruar (me çlirimin kombëtar), qasën sërish pretencat, ambiciet dhe mbivërshuan qejfet e favoret mbi popullin tonë,thuase u harrua, ndërkaq, se ç'fatkeqësi i kishin sjellë ato (në vitet e okupimit e në prak të tyre)...”!
Për të qenë, ndërkaq, ky vit i tillë, i madh që do t'a shënonte a ndante epokën më dysh, do të duhej, nga “elita” politike prishtinase po dhe nga vetë “elektorët” që e mbajnë gjallë atë, të lexohen me shpirt këto radhë të De Golit të madh.
Ai qahej për harrimin e shpejt të fatkeqësisë së kaluar dhe, që këtej, nëse jo “prijësit e merakosur”, të cilët i ndajnë vite drite me korifeun francez - aherë  ndjekësit e tij tepër të heshtur në radhët popullorë, kanë  një aryse më shumë për të qenë të indinjuar e të brëngosur, madje përtej ëndrrës për pavarsinë që i mban të frenuar:  fatkqësia e tyre, ndryshe nga ajo e francezëve të kohës së  gjeneralit, ende vazhdon!...
E bërë njësh në tragjikën e saj:  e re dhe e vjetër!


Lexo/Shkruaj Komente (0)        Printo        Dergoje        Top


Other Articles:
I DASHURUAR PAS FATIT TRAGJIK! (01-11-2007)
MARSHTARËT E PASY! (01-11-2007)
Marathonomakët e disfatës! (01-11-2007)
MYSHKU I VJETËR I URREJTJES! (01-11-2007)



 
::| Krijimet e Fundit
::| Speciale
Rexhep Kasumaj

 
SOSO NEWS EXPRESS
[Krye]