(Kur i dashuri i saj, teksa mbante në dorë një buqetë lulesh, kishte pyetur për varrin e Margaritës – kryevarrtari (rojtari), pasi ishte menduar pakëz, i kishte thënë me psherëtimë: oh, po si të mos e di, zotëri, ajo është e vdekura më e bukur që kam në varrezë!
Ky fragment nga romani i Dymasë „Zonja me kameljet“ mu kujtua ndërsa shkruaja këto radhë për ndërhyrjen e çuditshme të Havier Solanës në procesin bisedimor në Bruksel. Përfaqësuesi i lartë komunitar për një çast dukej se i shëmbëllente ( disa gjeste të pamira ma japin të drejtën e krahasimit) rojës së Dymasë, me dallimin e vogël, se ky do të deshte që
„e vdekura Kosovë“ të zbukuronte varrezën e popujve të shuar të botës...)
* Konvergjenca e ligë!
Këto ditë më rastisi të lexoj shënimin interesant se nga 18 monarkë që paska dhënë afërsisht kombi shqiptar, vetëm njëri prej tyre – Zogu i parë, kishte sunduar apo i kishte shërbyer shqipëtarëve.
Të tjerët, pa përfshirë këtu dhe shumë themelues e guvernatorë principatash nëpër botë, i kishin shërbyer të hujave.
Zhvillimet e fundme rreth Kosovës si epiqendra e çështjes kombëtare, transmetojnë nga kohët hijen e këtij mësimi të keq të historisë. Dhe ajo rishfaqet aty-këtu, si për të dëftuar se nuk është zhdukur plotsisht. Se është brënda nesh me pusinë tinzare në prakdimrin e madh të vetmisë!..
Në Bruksel, siç bëhët me dije, u bë një hap përpara në procesin negociator. Por ky, thonë diplomatët që bëjnë karrierë mbi fatin e Kosovës, ishte hapi i dytë i progresit. Të parin e çmoi lartë madje dhe Stejt Departmenti amerikan. Ishte miratuar një dokument që obligonte palët të jenë kooperativë dhe të mos ndërmarrin veprime të njëanshme që do të ndërlikonte skemën e paravënë të shthurjes.
Ky postulati i mbramë – mosndërmarrja e veprimeve të njëanshme, duke qenë pjesë e kësaj skeme, lansohet si term politik i njëvlershëm me mosshpalljen e pavarsisë, e kjo, pastaj, zbërthehet me pajtimin e tyre për të gjurmuar durimshëm zgjidhje të negociuar, e pra, të ndërmjetme, të tillë që do të reduktonte vullnetin indipendist të shqiptarëve.
E Brukseli, ndërkaq, do të vente përtej pritmërisë nga të tri palët: serbët do të hidhnin taktikisht efektshëm plan-autonominë ( „ e gjerë“, „të thellë“, „unikale“ ) për Kosovën brënda jurisdiksionit shtetëror serb, mandej, Havier Solana do të bënte një presedan duke animuar me ndërhyrjen e tij personale në bisedime dhe në fund fare, shqiptarët nga ana e tyre – për dallim mga herat tjera – do të pyesnin më shumë e, si i portretoi vetë më pas përfaqësuesi i lartë europian, do të buzqeshnin fare çlirshëm!
Plan-autonomia serbe nuk bën asgjë të re, ndërkohë që interesimin tonë e grishin elementët e dytë: presioni i Solanës dhe buzagazi shqiptar.
Përse shqiptarët, gjithnjë me humor të mirë e duke qeshur, duhej të pyesnin aq shumë serbët për strukturën e ofertës së tyre? Pyetjet nënkuptojnë përherë joshjen fillestare të njeriut për diçka që sillet në orbitën e interesit të tij dhe, prandaj, në rastin e kuvendimeve statusore, ato, megjithë refuzimin publik të tij, sikur paralajmërojnë lëkundjen e pozicioneve parake drejt grackës fatkeqe të shkitjes në lojën fatale të braktisjes së idesë së lirisë!
Asgjë brënda pakos armiqësore serbe nuk mund të ketë fuqinë magjike të tërheqjes së interesit shqiptar. Të gjitha versionet e mundshme apo modifikimet suplementare që do të pasonin, nuk do të përfundonin veçse në rrethojën e kompromisit, mirëpo jo në variantin e shqiptarëve: midis tyre dhe banorsisë lokale serbe në shtetin e pavarur të Kosovës, por tashmë në variantin e serbëve: midis shtetit tyre dhe Kosovës që do të ishte ose territorial – me ndarje, ose politik – me rëgjim të shkallës së sovranitetit të aspiruar në zgjidhje „atipike“ a „sui generis“ me emrin autonomi të formës së „statusit special“!
Një kthim i trishtëm prapa në formulën e Lordit Karington të fillimviteve 90-të dhe stuhitë përgjakshme që mbyllën mijëvjeçarin...
Ndaj për çfarë do të kenë pyetur dhe për çfarë do të jenë interesuar, me humor e buzëqeshje, negociatorët kosovarë?
Traktati i miqësisë i ofruar prej tyre ka në preambulën e tij, si çelës që hap arkën e thesarit, një si zhgënjim, si dhëmbje e thellë për luftërat, e sidomos këtë të
fundit ( kursehen poshtërueshëm nocionet e sakta „agresion“, „pushtim“, „luftë çlirimtare“) që paskësh shkaktuar ndarjen e Kosovës dhe të dy popujve me „ lidhje të lashta etnike, ekonomike e kulturore mes tyre“! Kjo ndjesi pikëllimi e përhumbjeje, mbase, do të ketë qenë shtysa e këtij ngazëllimi me të pasur në dorë elaboratin serb që, me gërshërë të gjakosura, prenë kufinjtë e lirisë për popullin e tyre.
Ndoshta ishte, pra, ky sentiment i gjysmëfjetur, kjo dëshirë djegëse për të mbijetuar humbjen nga “ shkëputja e lidhjeve të thella e të lashta“ me Serbinë, që do të ketë vizatuar në fytyrat e tyre atë hare, gëzimin që do të gjejnë sërish shansin e shkelur historik për të rimëkëmbur gjithçka: kontaktin e gjallë dhe fijet e lashtësisë!
Ngashnjimi që, mbase, ka ngërthyer pyetjet e shumta të kuvenduesëve shqiptarë, mund të bëjë uvertyrën e „marrëveshjes historike“ mes dy kombesh dhe ai, megjithë habinë e përgjithshme, nuk rrodhi të jetë aspak i beftë. Përkundrazi. Ishte, të thuash, i paralajmëruar, i ngjizur më herët prej vetë atyre në „traktatin e miqësisë“ të trumpetuar si një akt i hollë diplomatik. Kështu në pjesën e fundme të tij propozohen „organe të përbashkëta të të dy vendeve“ që do të koordinonin bashkëpunimin mes tyre! Dhe këtu dinakëria europiane mund të ketë hetuar pikënisjen e konvergjencës së „plan-autonomisë“ serbe dhe „traktatit shqiptar“: në institucionet e përbashkëta të Kosovës e Serbisë për të bërë obstruksionin e radhës ndaj vullnetit politik shqiptar si një kthim i përhershëm i vrasësit në vendkrimin e tij!
Në këtë kontekst, „treshi“ intermediator, aniqë zotohej se nuk do të ofronte platformë që do të rekomandonte formulë politike përfundimtare – me një dukument pune në trajtë pyetsori sugjestiv që do të hidhet në tryezën e blertë të Vjenës, sikur duan të pikasin momente përkitjeje për të shkrirë bastionet e ngurta të tyre. Dhe që aty do të mund të niste a të vijonte rrokullisja e pozicionit indipendist shqiptar. Teposhtja gati jep tashmë parashfaqjet e saj: ngërdheshja, pastaj afrimiteti dhe, në fund, kanosja e përafrimit ndërpozicional në një qendër të zgjidhjes së midisme që do të favorizonte interesin absolut serbian.
Ndërkohë që, çfarëdo koncesioni i serbëve, sado dramatik të ngjajë, nuk cënon fare interesat e tyre – lëshimi i lehtë, kozmetik e syprinor në dukje, i shqiptarëve do të zhbënte krejt esencën e interesit vital shqiptar: pavarsinë kombëtare. Autonomitë mund të jenë të ndryshme, madje si shprehej Drashkoviqi dikur, deri në njohje të njëlloj subjektiviteti të brëndshëm të Kosovës – por gjithnjë duke ruajtur suazat e shtetit të Serbisë. Kurse sovraniteti ose pavarsia, ndërkaq, është një dhe i pandarë: ose është sovranitet ose negacion i tij! Ndaj, çdo prekje, qoftë dhe nga krah fluture, do të prishte substancën e tij imanente për t'a përmbysur në të kundërten e tij: në poshtëvënie nën këmbët e hegjemonit serb, këtij shërbëtori të pështirosur rus në Ballkan.
Trysnia për të trandur qëndrimin shqiptar është tashmë tepër e tejdukshme për të mos u parë qoftë dhe nga syri i një vdektari të rëndomtë.
Dhe negociatorët kosovar qeshin.
Fillimisht drojshëm e tani në dheun e tyre, në Europë, krejtësisht shkujdesshëm...
Por më parë se qeshje e shtirur elegante për të vënë një përparsi nismëtare ndaj kundërshtarit, ajo do të ketë qenë thjeshtë një zgërdhirje e pamatur, sepse ndërsa Kosova që përfaqësohet prej tyre lëngon e gjunjëzuar palirie, vetëm një ngucje patologjike mund të nxjerrë jashtë atë zbardhje dhëmbësh të qartur.
A do të vijojnë sërish këtë shtimung edhe në dialogun e ardhmë që do të mbahet nga fundtetori? Apo, siç e do puna, do të ngrysen kur „treshi“ do t'u prezantojë palëve një dokument-pyetsor dhe ata duhet të japin përgjigjet e tyre?!
Nuk dihet, por sidoqoftë pritmëria është joreale, ngaqë a nuk kishin ata dhe tani një pirg arsyesh për merakosje dhe paskëshin qeshur?
A do t'u ngrihet ajo në buzë një ditë?
Ngrirja e saj mund të ndodh por jo nga sallonet verbuese që jetojnë nga klientela e të pafatëve. Ajo do vijë nga poshtë, nga rrënja e zemëratës së demosit të nëpërkëmbur...
Kam lexuar diku mendimin e çmuar se, me thëniet e Biblës në gojë të qeveritarëve, deri tash s'ndodhi dot asgjë e gëzuar, e që do të mund të përshtatej mrekullisht për të dhënë tabllonë e establishmentit provizor të Kosovës nga rituali i bezdisshëm i të cilëve për lirinë, nuk rezultoi poashtu asnjëherë asgjë e gëzuar...
Asgjë veç shpresës së ronitur...
„ E vdekura më e bukur!
Kur i dashuri i saj, teksa mbante në dorë një buqetë lulesh, kishte pyetur për
varrin e Margaritës – kryevarrtari (rojtari), pasi ishte menduar pakëz, i kishte thënë me psherëtimë: oh, po si të mos e di, zotëri, ajo është e vdekura më e bukur që kam në varrezë!
Ky fragment nga romani i Dymasë „Zonja me kameljet“ mu kujtua ndërsa shkruaja këto radhë për ndërhyrjen e çuditshme të Havier Solanës në dialogun e ngrohtë në Bruksel. Përfaqësuesi i lartë komunitar për një çast dukej se i shëmbëllente ( disa gjeste të pamira ma japin të drejtën e krahasimit) rojës e Dymasë, me dallimin e vogël, se ky do të deshte që „e vdekura Kosovë“ të zbukuronte varrezën e popujve të shuar të botës...
Ç'kërkonte, njëmend, Solana në bisedat për Kosovën?
I mandatuar nga kush?
Nga gjeografia – pse Kosova është pjesë e Europës apo nga siguria – pse ajo bën sfidën më serioze të saj?
Nëse ishte punë gjeografie, aherë përse asistonte aty rusi i stepave Harçenko?
E nëse ngjan më tepër çështje sigurie kontinentale, e ajo është e pandarë nga siguria gjithatllantike, aherë a nuk duhej të ndërhynte pokështu drejtpërdrejtë në procesin kuvendimor edhe zonja Rajs?
Kjo, në fakt, është ndërhyrja e dytë mbrapshtane e Solanës në dëm të interesit kombëtar shqiptar. (Urdhëri për bombardimin e Serbisë nuk ishte zgjedhje e tij e lirë dhe as e Europës vetë.)
E para ishte kur do të shpërbëhej Jugosllavia e Zhablakut dhe kur ajo ridefinohej në sajesë të konfederuar apo union shetetesh sovrane si „Serbi e Mali i zi“ . Atëbotë ai pati bashkëautorsinë e një aneksi a dispozite të veçantë të Marrëveshjes e cila i njihte Serbisë trashëgiminë e ligjshme të të gjitha traktateve e rezolutave ndërkombëtare që i referoheshin Jugosllavisë së tretë të Millosheviqit, përfshirë këtu dhe Rezolutën 1244, që rikonfirmonte qenien e Kosovës si pjesë e shtetit të Serbisë!
Mos vallë ndërhyrja e tij e re në Bruksel është orvatja që kjo dispozitë vrastare (ditën e miratimit të saj shqiptarët brohorisnin triumfalisht shesheve të Prishtinës) të bëjë shtegun dhe cakun definitiv ku do të duhej të çonin negociatat për Kosovën?
Dhe s'ka si të shmanget pyetja: mbi ç'vlera ndërtohet Europa e re?
Janë instituuar parimet dhe janë ligjëruar vallë idealet e lirisë në ngrehën e saj apo gropën e zezë ia bëjnë bijtë e saj vetë?
Ky trill i pabesë i dinjitarit të lartë provon pse duhet të ekzistojë ende „Shoqata e popujve të rrezikuar të Europës“ me seli në Gëtingen. U përpoq t'a shuante përgjithmonë individualitetin nacional e shtetëror të Malit të zi, por, vullneti i çeliktë popullor për vetërrnesë politike dhe udhëheqja e paepur atdhetare, kthyen mbrapsht komplotin e tij.
Dhe dështoi.
E tani na vjen kjo si përvojë e mesazh i vyer për Kosovën e orës së madhe të historisë!
Për popullin e saj në shtrëngim të dyfshtë mashtrimi veçanërisht...
Që këtej, Kosova, përveç si çështje e gjeografisë politike të Europës dhe interesave të përplasur planetar, është, si pohojnë vetë ata, çështje e sigurisë së lartë të Europës! Mirëpo siguria komunitare është pjesë e sigurisë së përbashkët atllantike dhe ky argument, rrjedhimisht, rrëzon qasjen e disa krerëve të saj se Kosova është kryekëput punë e europianëve që duhet zgjidhur vetëm prej tyre.
Kjo demonton njëherësh dhe oportunitetin e ndërfutjes së Rusisë në proces, e cila jo vetëm që nuk aderon në ingranazhet e sigurisë kolektive të Europës, por si dëshmon pozicionimi atavist, joparimor dhe detronizues rreth Kosovës, bën pikërisht të kundërten: faktorin prishës të sigurisë dhe përgjithsisht armikun natyror të botës së lirë!
Dhe duket të jetë kështu për dy arsye: e para, pse europianët nuk kanë as fuqinë e domosdoshme e as vullnetin fisnik për t'a zgjidhur drejtë atë, e për pasojë, një zgjidhje e padrejtë që do të kishte vulën dështane të tyre, do të ngrinte e kalcifikonte bërthamën e krizës në trajtën e një robërie të re shqiptare dhe një këcënimi virulent për paqen e saj të brishtë. Kurse arsyeja e dytë, siguria europiane, si thamë, duke qenë pjesë e sistemit të sigurisë kolektive panatllantike, duhet të inkludojë aktivisht Amerikën në procesin e status-zgjidhjes, në masën e fuqisë dhe peshëmbajtjes që ka ajo në sigurinë e Europës!
E meqë roli dhe përmasa e participimit amerikan në sistemin e sigurisë atllantike, e pra, dhe europiane, është vendimtare – aherë i tillë, vendimtar duhet të jetë dhe roli i Uashingtonit në zgjidhjen e çështjes së Kosovës!
Por këtu ka pasur shpeshherë një moskuptim deri në xyfje, brenda krahësh të formacionit euroatllantik, që rezultonte nga njëlloj standardi i dyzuar interesash jokomplementar të Kontinentit të vjetër.
Republikani amerikan Kagan i kundërvihet, prandaj, në shkrimet e tij, pikërisht kësaj ndërdyshjeje morale dhe interesore të europianëve të cilët, thotë ai, meqë kanë ngelur ende pengë të historisë dhe njëherësh duan të ridestinojnë bugjetet nacionale për zhvillim – janë të pazotët për sigurinë vetanake, në një anë, e, për paradoks, në anën tjetër duan të bëjnë „pater familias“-in e rreptë e krenar, derisa shtëpia t'u merr zjarr e mandej të thërrasin me alarm aleatin tejoqeanik. Ata, thotë pra figurativisht Kagan, synojnë përherë t'u rezervojnë me komocion amerikanëve rolin e egër të sherifit që kujdeset për rehatinë e tyre, ndërkohë që vetë, si zotërinjë të vërtetë me frak e borsalino, të pijnë viski në shoqëri zonjash të teleisura në sallon.
Ky shpjegim interesant, nëse ngjan i drejtë e i tillë është padyshim, i jep verifikim të plotë tezës se Amerika, konform rolit të saj suprem në sigurinë kolektive të hemisferës atllantike, duhet të ketë dhe primatin në dhënien fund të makthit frymëzënës të Kosovës!
Por pavarsisht rikomponimeve të sferave interesore apo (në mungesë prijësish që, si do të thoshte A.Finkielkraut, nuk bëjnë jetë të epërme idealiste), duke përfillur me intuitë linjat përfituese të tyre, kosovarët ose elektorët nëse kjo tingëllon moderne, do të duhej të lëviznin, të jepnin një shenjë të re refuzimi të planimetrisë që parasheston zgjedhën e përsëritur sllave mbi kokën e Kosovës.
E vërteta, thotë, Herman Hess, nuk duhet të sakrifikohet asnjëherë, qoftë dhe për hir të atdheut. Ndaj, ata duhet të reflektojnë shpejt e ndërgjegjshëm, sepse e vërteta kësaj here nuk është matanë interesit atdhetar dhe, anipse revolucionet nuk janë të pëlqyera, kur e lyp nëvoja, shton sërish Hess, asgjë nuk mund t'a bëj me faj shpërthimin popullor...
Berlin, vjeshtë 2007