Le të ndrijnë pikëllueshëm gjithë yjtë
Le të blerojnë fushat gjithsajanë
Dielli le të ngrohë shpirtëra të përhënur
Malet le të agojnë me sipër plisa bore
Të pamundurën le të kumtojë Pashtriku i nëmur
Le të rrjedhin lumenjtë amshueshëm tejendanë
Muzgu le të bie honesh të zemrës prore
Qirinjë le të digjen dridhshëm në shandan
Le të krenohen akullnajat nëmitjes së ftohtë
Le të përfytet me erën e trishtmja Saharë
Shiu i takimeve le të rigojë lirik a ziplotë
Vashëzat dashurinë le të thurin ne mansardë
Melankolia le të shtjellet mbi një kujtim të vjetër
Mbi një foto plazhi mbrëmësor patjetër
Le t’i këndojnë zogjtë përmallshëm ringjalljes
Ndër skamnorë le të pikojë mëshirë e Nënë Terezës
Fletëverdhat,me mijëra,le të stolisin vdekjen
E bar e lule e flutura le të gëlojnë varrezës
Le të thahen lotët faqesh blozë të Nënëlokes
Myshkut të pendesës le të rrëzohen Kullat e ngujimit
Le të venë shtigje jete me dritë e lodhje tërthor botës
Hëna le të dëshmojë heshtane për natën e pabesë
Le të vijnë,fundja,ushtritë mbretërore që s’i pres
Perënditë le të smirojnë dhëmbjen e njeriut
A trishtimin e bukur që s’i qaset Hyut
Hare e harrim le të ftojë pikturë e Degasë
Miqtë këngët e humbjes le të vargojnë në Parnas
Kapitenët,të gjithë,le të kaptojnë oqeanet me not
Në breg udhe unë seç jam
Dhe në pritje s’jam dot!
Berlin,vjeshtë,2003