Letërsia Shqiptare

Atdheut
E enjte, 01-11-2007, 07:20pm (GMT)

Krejt ç’mund t’i jap
atdheut
është një ofshamë greminore
e një vështrim dëshirak
pas qefinësh
me erë temjani të tretur
tek dhimbsurisht rrëfejnë
(ah,ndjesë qefini)
se nuk ka veç një mënyrë
për të vdekur…

Atdheut t’i jap ç’mundem
është bredhëritja verbtane
mes kotnarëve të turmës
me sytë lartë
drejt varresh të zotave
e shenjat 
që ngado ngrihen
ndanë portave joshtare
gozhduar
para çdo nisjeje
me fjalën e nëmur: e ndaluar!

Do të doja atdheut t’i jap
jo vetminë e fishkur
këtej poshtë
një tjetër desha sipër yjëve  
për këtë ai në vuajtje
ndërkallet
për vetmi të zjarrtë dielli
që shkrepëtin
që fuqi bën fillimbotshëm
e ndrin!...

Berlin,vjeshtë,2005



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.