Libri më i ri i Rexhep Kasumajt, „Marathonomaku i vonuar“.
Pak rreth Poetit Rexhep Kasumaj
Nga Rrustem Geci, Dortmund
 |
| Rexhep Kasumaj |
Libri më i ri i Rexhep Kasumajt, me titull „Marathonomaku i vonuar“, është një klithmë e brendshme shpirtërore, një mesazh shumë kuptimplotë se jetën dhe të bukurën duhet t'i bëjmë çdo ditë e nëpër vite.
I mërguar nga terrori serbian në Kosovë, poeti Kasumaj, në të gjitha poezitë e tij shquhet për prushin e ngrohtë poetik, për temat dhe motivet e përjetuara. Metonimia, togfjashi, semantika, leksiku i pasur dhe natyrshmëria, e vënë atë në radhën e poetëve të vlerësuar. Motivi i lirisë, thirrjes së urtë, i revoltës së mënçur, i dhimbës së krijimit e çojnë poetin Kasumaj në letërsi, në gjirin e saj të bukur.
Berlini ku jeton poeti s'do ishte interesant, po të mos ishin thëllimat e prushta të shpirtit. Të gjithë gjërat e mëdha, shkruan poeti, përpara se të bëhën e të njihen, i nënshtrohen më parë shkollës së ashpër të dhimbjes, pa të cilën nuk ka krijimtari.
Libri „Marathonomak i vonuar“, është edhe një libër më shumë në letërsinë tonë të bukur. Në këtë vetëmbërritje të poetit lexojmë një impuls të ri me plot meditime e figuracion. Poezia e R.Kasumajt është poezi e pasionit, e strukturës së fortë, e shprehjes së guximshme. Ai nuk rresht së shkruari asnjë çast. Shkel mbi errësirat e pashkelura dhe me ndërgjegjen e fjalës këndon: „...veç ti e çlirta erë, fry paprerë ...me privilegj hyjnor, sipër fatit skllavnor...Veç ti,...sonte do të doja të mos jem unë,...Do të doja të jem Ti,...një Marathonomak i shekullit të ri...diku Anëdrinit të Zi.
Këto dhe vargjet e tjera shprehin poetikën e sublime të poetit, të cilin e urojmë për librin e tij të arrirë.