Xhuxhit po i merreshin mendtë si ruletë ruse.
Tymi epshndjellës që rrotullohej si shtjellë uji rreth tij,
ia kishte mpirë intelingjencën djallëzore.
I ulur në kolltukun qeveritar, ndjehej sikur
e kishte mbështetur kokën në një copë shkëmbi.
Por kur shikonte drejt dritares mesdhetare,
ku ishte varur harta turistike,
kur shikonte drejt dritares jugpërëndimore,
ku ishte varur harta e monopateve
të tre vampirëve “Krraba”,
apo kur shikonte mbi tryezën qeveritare,
-pranë globit të tokës- ku ndodhej
fotografia e të dashurës së tij belunazë,
shkundej i tëri nga letargjia e thellë,
dhe ripërtërihej si ai gjarpëri nën diellin
e vakët të shkurtit.
Nëse humbet karrigen në zyrë,
shih drejt tre idhujve tuaj-i kishte këshilluar psikologu.
Më në fund u ngrit nga kolltuku qeveritar.
Dua të më pregatisësh një fjalim:
shprehu sikur po flet para një arene qensh,
që duartrokiten nga qen të tredhur.
- Ah, mos harro ta bastardizosh shqipen
me ndonjë sinonim Anglofon!-i tha ai
sekretares të tij me një zë të vobekët.
Po mirë, ti do flasësh para popullit?-e
pyeti sekretarja e re e djersitur.
Për cilin popull e ke fjalën?-u përgjigj ai.
Ledhatoi lehtë fotografinë e belunazës së tij,
dhe u drejtua për nga harta turistike.