Kapitulli I tetë - faqe 196-216
A do të vyshken lulet?
Ditën e fundit të pashkëve e festova sëbashku me Anestin, në verandën stërgjatëse të ballkonit të shtëpisë së tij, të lyer me gëlqere të bardhë dhe të stolisur me vazo lulesh shumëngjyrëshe, me tela plastike të gjata, ku vareshin pizhamat e bardha me kryqe të stampuar në ngjyrë të kuqe “X large” të Anestit, dhe golfi rozë prej lesh deveje i Poliksenit që varej nga mëngët me grykën poshtë që lëkundej nga flladi pranveror si poç uji.
-Ulu, ha ç’të duash, shijoje ditën e fundit të pashkëve...Fushata e mbjelljeve mbërriti—tha Anesti me zë sa bujar aq edhe këshillues...
Mbi tavolinën e bardhë plastike, në formë drejtkëndëshi, që e kishte blerë tek jevgjit që shëtitnin çdo ditë në fshat dhe ftonin fshatarët të blejnë karrige e tavolina, herë me zë sorkadhje dhe herë zë të dëshpëruar qengji, ishin shtruar gjellë të shijshme.
–Nuk ka vend më—i tha Anesti të shoqes me gojën plot sallatë jeshile që kullonte vaj ulliri të murrmë, kur ajo zgjati dorën me një pjatë me djathë kaçkavall, që nga dera e ballkonit të veshur me sitë të imët kundër mushkonjave, që sëshpejti do të ringjalleshin dhe do të më këndonin në vesh në mes të natës si një transistor.
-Nuk të pëlqen recina ?—më pyeti Anesti dhe ktheu me një gllënjkë gotën e qelqtë shkurtabiqe, që të më stimulojë të pi recinë, pija më popullore e maqedonasve.
–Jo edhe aq… birra “Amstel” po—i thashë dhe shqita një thelë mishi të pjekur me merak nga kofsha topolake e qingjit të njomë, që deri dje blegërinte më i lumtur se unë në livadhin e gjelbërt, në muzgun e mbrëmjes.
Anesti u ngrit pa përtuar nga karrigia i veshur me peliçe delje, hyri në guzhinë dhe e vendosi birrën mbi tavolinë me zhurmë festive.
–Gëzuar!—më uroi në Shqip, dhe çugritëm gotat e qelqta fort. –Aaaaa, sa i shijshëm Jorgoja(emri i qengjit) –belbëzonte shpesh i velitur dhe fërkonte barkun e fryrë nga kënaqësia.
Fillova të ha edhe unë si i babëzitur: salcë kosi, japrak me gjethe të ziera rrushi, barëra dhe sallatëra jeshile të freskëta, speca të kuq turshi, patate të ziera në furrë me rigon dhe vaj ulliri, sallatë me domate të kuqe të prera në formë gjysmë hëne dhe ullinj Agrinio jeshilë.
I përziva të gjitha në stomak siç përziu dikur Zoti sëbashku oksigjenin, dritën dhe misterin e padukshëm dhe krijoi, dheun, pemët, zogjtë, kafshët, tempullin e tij të padukshëm dhe më në fund,për bela, njeriun.
“Sikur të gostisnin katër herë në vit për Krishtin grekët?!” pëshpërita nëpër dhëmbë.
Java e Krishtlindjeve nuk më ofronte vetëm gjellë të shijshme për të lëpirë buzët e gishtat, por edhe rastin të gostisja sytë duke vozitur fshatin nga kati i dytë, si ai bilbili
sqeppalodhur që cicëron me zë të mrekullueshëm për lulet e mbjellura në saksitë ballkoneve, mbi ahurin tim. Lashë ata të bredhin si rripa drite mbi çatitë tjegullkuqe piaramidale të fshatit, nëpër rrugicat e ngushta të rrethuara me gjerdhe me tela, që i pata kapërxyer me shpirtin në dhëmbë duke trembur gjelat që fryheshin si kapedanë para pulave të shushatura, tek më ndiqte nga mbrapa si vetëtimë polici.
“Ju prishi gjumin ky xhindi, ë ?” i ngushëllonte polici gjelat dhe pulat që kakarisnin të trembura, kur më shtiu në dorë, pas kotecit, në mës të natës.
U përpoqa të kullos sytë në ndonjë cep të fshatit ku preheshin kujtime të gëzuara, por për çudi nuk po i zbuloja ato në asnjë qoshe shtëpie, oxhaku, apo oborri të mirëkujdesur. Ndoshta kujtimet e lumtura egzistonin, por jo oxhaku i shtëpisë, pranë të cilit do t’i ruaja ato. Nuk mund t’ia besoja ato kujtime të pakta të lumtura ahurit të ftohtë dhe të errët ku flija. Iu luta kujtesës t’i ruante në skutën më të errët të saj, ku vetëm drita hyjnore mund të depërtonte, ato buzëqeshje të rralla, të rrahurat gazmore të zemrës, mikpritjen shpirtringjallëse të Anestit, të puthurat djersdhënëse të Andonisë dhe duartrokitjet e saj tek spërdridhja këmbët e stërmunduara(që kishin kaptuar qindra kodra të fildishta dhe qafa malesh me kafshë të përgjumura, ushtarë syskifterë, ura lumejsh që i pata përbuzur dhe çarë rrëketë gjaktharta të lumit si një sardele pa bisht, fusha të pafundme, të sheshta si tepsi buke), kur hidhnin valle çiftateli...
“Sa i bukur që u dukërka fshati kur e shihke nga ballkoni, i ulur përbri Anestit mikpritës!” thashë me vete i përmbytur nga lumturia dhe qortova fantazinë të mos u prishë sonte gjumin kujtimeve të kurbetit.
“Lëri të flenë nën thëngjijtë e mbuluar nga hiri! E rini, si thua ?... Ti, që merr zjarr nga shkrepëtimat e shiut pranveror. Ti, që zor se të shuajnë edhe dallgët e oqeanit. Harroji për pak çaste egzistencën e ahurit, shkopin e gomës së ushtarit buzë lumit, që e nxeh duke e fërkuar në kurrizin kockëdalë të kurbetçiut, doganierin bukurosh me sy nëpërke që ia damkosi kyçin e dorës Petro Bilishtarit me vulën bythërrumbullakët të Republikës Greke, gazetarin grek që vendos fotografinë e kurbetçiut rreckaxhi nën fotografinë e afrikanit lëkurëmanaferrë, banditët shqiptarë që presin si urithë mbrapa gëmushës me trëndafila të oborrit të shtëpisë, derisa të dalë nga shtëpia plot lajka çifti i dashuruar dhe t’i hidhen si akrepa në fyt e të këpusin me forcë nga qafët e buta zinxhirët e floririt me kryqe të punuar me dorë nga zanatçiu arjetdhënës, perandorët kokëmykur që i ndajnë popujt nëpërmjet vijëzimeve të hartave prej lekure dashi ,të vjetra, siç i quajnë ata.
-Hë, po numëron oxhaqet e shtëpive të fshatit ?—më pyeti Anesti kur më pa të shoh i përhumbur pamjen panoramike të fshatit.
–Jo oxhaqet, por shtëpitë—iu përgjigja i qetë, por nënkuptonte të kundërtën.
–U ngope ?—më pyeti ëmbël.
–Sigurisht, pastaj stomaku im nuk është mësuar me vakte të tilla-i thashë me humor.
Po ngrysej. Dita e fundit e pashkëve po perëndonte sëbashku me diellin, që po zbehej si fener pa vajguri në qafën shtatlartë të malit të Verias. Perëndimi i diellit, që për mua përçonte kujtime të brengosura, sidomos kur Anesti më luste ose detyronte të punoja një apo dy orë më tepër, saqë kur kthehesha në shtëpi ai kishte perënduar, sonte më joshi pamasë. Ishin nga ato ditët e pakta që thosha me vete : “Hallall që më ka shfrytëzuar! Të paktën e njeh devotshmërinë time dhe di ta shpërblejë atë, sado që me gjëra të vogla, në momente të shenjta.”
Fakti që ai më adhuronte, jo mbi baza fetare, por njerëzore, më bënte të ndjehesha mirë. Bujaria Shqiptare që ndeshi gjatë dasmës në Korçë, i’a çelikosën bindjet se, njeriu njihet në shtëpinë e tij dhe se fqinjtë ngelen fqinj, prandaj edhe miqësia është pothuaj e detyrueshme.
–Shko të fleshë herët se nesër na pret ditë e gjatë dhe e lodhshme - më tha Anesti duke i shqiptuar fjalët me vëshitrësi. Turlia e gjellëve që kishte ngrënë e rëndoi dhe zuri të fërkojë barkun lehtë dhe kur u shtriq ai i preku në kangjellat e zeza të ballkonit.
Ndërsa Anesti po mblidhte kockat e njoma të qengjit të sakatosur për qenin qimekuq të vëllait të tij dhe i mbështillte ato me zhurmë kilikosëse me letër celefoni, thashë ta fotografoj edhe një herë peisazhin “myzeqar” të fshatit nga kati i dytë. Ai sonte më dukej krejt ndryshe. Seç ndjenja një ngrohtësi shpirtërore kur kundroja tymin e oxhaqeve të shtëpive të avullonte në hapësirën qiellore.
Pasi falenderova Anestin për drekën e bollshme, zbrita shkallët në formë L dhe eca pak pa e ditur as vetë se ku po shkoja. Papritur u gjenda pranë kopshtit të mirëmbajtur të Panajotit, që në pjesën e përparme të shtëpisë rrethohej me kaçuba trëndafilash të mëdhenj të kuqërremtë që varnin kokën me lajka mbi rrjetin e telava rrethuese.
“Po të isha dhjetë centimetra më i gjatë do t’u merrja erë trëndafilave pa m’u dashur të hidhem j lart apo të mbath këpucë me taka të holla e të gjata si një vajze shkurtabiqe” thashë me vete duke gromësirë zhurshëm grahma birre. Kërceva disa herë dhe u mora erë fluturimthi farave të kuqe të trëndafilave. Më pëlqeu loja e vështirë e nuhatjes së tyre. Aventurat sfiduese më kishin ndjekur nga pas nje jetë të tërë. Kur më pa Panajoti nga veranda e tij tek po rufiste me shije llumin e kafesë u gajas së qeshuri me gjithë shpirt.
–Çbën, o i marrë?! Qënke pirë më duket… të ushqen mirë Anesti. Ti je djalë me fat - dhe u zgërdhi sërish.
–A dukem i pirë ?—e pyeta i habitur.
–Si dita me diell—u përgjigj ai. –Nëse dëshiron mund të këpusësh dy-tre trëndafila.
–Ç’më hynë në punë trëndafilat—u përgjigja nën dhëmbë.
–T’ia dhurosh të dashurës—shtoi ai tymthi, pa e dëgjuar se ç’thashë unë.
“Andonia… po, po, trëndafila me fara për Andoninë” fola me vete duke hingëllitur si kalë nga dashuria. U kacavirra në telat e gardhit dhe këputa katër trëndafila me bisht të gjatë. U mora erë lehtë, me kujdes që të mos i dëmtoj petalet e kuqe dhe renda për në ahur t’i vendos në një vazo me ujë. “Tre trëndafila për Andoninë dhe një trëndafil do t’ia dhuroj Anestit” fola me vete i ngazëllyer. I vendosa me kujdes trëndafilat mbi krevat dhe u vura të kërkoj ndonjë vazo qelqi. “Vazo qelqi ? Sa naive! Vazo qelqi në një ahur?!” belbëzova duke u tallur me vete.
Pranë një thesi të bardhë liri me zunë sytë një kusi të vogël prej alumini, në të cilën dikur pinin ujë lepujt lozonjarë të Anestit. E mora, rënda ta shplaj me ujë të bollshëm, te çurgu i ujit të çesmes në oborrin e shtëpisë, e mbusha gjysmë dhe zhyta kërcejtë gjëmbashë të trëndafilave të pijnin pa kursim. Kusinë e alumintë e vendosa me kujdes mbi kafazin e lepujve të pluhurosur dhe çerga merimangash.
“Po sikur minjtë mistreca të kërcejnë aksidentalisht brenda në kovën me ujë trëndafilash? Pse e vras mendjen, nesër në mëngjes do t’ia dhuroj Anestit” qetësova veten dhe u shtriva të fle. Futa kokën poshtë jastëkut, u rrotullova për dy orë të tera me vrull duke u përplasur me barkun e rënduar në krevat, por ishte e pamundur të flija. Dy ditët e fundit përjetova ndodhi që nuk i pata imagjinuar kurrë.
Në përgjithësi dimri i vitit 1995-1996 shënoi një kthesë të madhe rreth vlerësimit tim për fqinjtë Grekë. Sonte i patundur besoja se popujt, po të lihen të lirë, të mos ndikohen nëpërmjet fantizmit fetar, nacionalizmit territorial, ngjyrës së lëkurës apo superioritetit kulturor, mund të bashkëjetojnë si fqinj paqësorë. Po t’i fusja fenë totalitare ortodokse dhe vulat e doganierit në sirtar, atëherë Anesti dhe unë adhuronim të njëjtat virtyte në jetë. Ushqim të mirë, seks, gjak mesdhetari, mikpritje. Zakonet, që ndoshta na bënin të ishim të ndryshëm, janë se Grekët kanë dinakërinë. Ata janë të rrahur ndaj jo grekët dhe nuk e urrejnë njeri-tjetrin, ndërsa shqiptarët janë gjakmarrës ndaj vetë shqiptarëve. Por zakoni më themelor që na bën të ndryshëm (sipas Kristinës)është se pjesës më të madhe të grekëve të sotëm u pëlqen te jenë trashegimtarë te grekërve të pas Krishtit dhe jo stërgjyshëve të tyre helenë. Shqiptarët sipas Shkëlqimit, ruajnë në botën e tyre origjinën e tyre të lashtë. Përshëmbull, Shkëlqimi më tha një ditë se, tani duhet jemi më pak shpatarë trima dhe më shumë inteligjentë dhe qytetarë.
–Të bëhemi burracakë—e pata pyetur
–Jo, jo në emër të zotit, e kam fjalën që të balancojmë trimërinë me qytetërimin—m’u përgjigj ai.
–Kulturë gjejmë me tonelata te fqinjtë tanë—i thashë Shkëlqimit.
–Po, por kulturën e lashtë helene—u përgjigj ai me zë kritik.
Teksa po ripërpunoja në tru ngjarjet e dy ditëve të fundit dhe copëza dialogjesh jetëdhënëse me Shkëlqimin ,rripi i ngushtë i dritës së neonit ndriçues në oborrin e Anestit, duke depërtuar nëpërmjet vrimës së murit anësor të ahurit, pranë markushit të ujit, që tani pinin ujë trëndafilat e dashurisë time, vezulluoi një si flakë e zbehtë qiriu në sytë e mij gjysmë të mbyllur.
Më kishte përvjedhur gjumi.
–Zgjohu!—dëgjova të më thotë një zë përkëdhelës në orët e mëngjesit.
“Do jetë Anesti mendova”. “Vetëm ai thërret kaq butë në këtë orë.
Ndërkohë një dorë e paturpshmë i tërhoqi kuvertat e leshta dhe i hodhi në dyshemenë me njollat e kakardhive të minjve. Fërkova sytë me dhimbje kur drita e fortë e një elektriku më goditi kokordhët e tyre të mbushur me sklepa.
–Mos je i çmendur!—i tha një burrë me zë të hollë atij urithit të mëngjesit që po lozte me dritën e elektrikut në sytë e mi.
–Kam sy të zinj—i thashë me neveri dhe bëra me kokë majtas t’i shmangesha fashave të forta të dritës së elektrikut.
Kur zotëria e drejtoi dritën e elektrikut drej koqeve të mija arrita t’ia vë re fytyrën qesharake. Ai zgërdhihej sikur të kishte pirë hashash. Zbavitej me acarimin tim ndaj dritës së thatë të elektrikut. Ai sillej sikur unë të isha një mace torrollake që i fluturon rradakja kur sheh në mur një rreth dritë që vezullon nga një copë pasqyrë që rrotullohet nga dora e njeriut. Si në ëndërr dallova fytyrën e rrumbullakët si të vizatuar egzakt me kompas të Gregorit, i cili po i fliste ashpër zotërisë që më urdhëroi të vishem shpejt dhe ta ndjek nga mbrapa, sepse sipas tij, ai ishte polic me kapele blu. E pashë të veshur me pantallona xhinse që ia shtrëngonin këmbët si getat e ngushta kofshët e grave. Kishte veshur një këmishë fanellate me mëngë të shkurtra, me kuadrate katrore ngjyrë kafe dhe fushë me ngjyrë menteje. Goja i kundërmonte erë birrë dhe mish qëngji.
–Gregor, më ndihmo, ky nuk është polic. Ku e ka uniformën e policit dhe pistoletën e futur në kllefin me lëkurë demi. Mos është ndonjë i pirë i tavernës tënde dhe më ngatërron mua me Judën—i thashë Gregorit, vëllait të Anestit, pronarit të tavernës që e ndanin atë pesë vazo me lule fikusi nga kafeneja, herë me zë rebel dhe herë mëshirues.
–Ky është shefi i Policisë së Aleksandrisë—më tha me keqardhje Gregori. Ia pashë fytyrën ndriçuar nga neoni i shtyllës që reflektonte një pikëllim të papërshkruar, sikur të më thoshte : “E dehur hareja e pashkëve idiotin… skam ç’të bej!”
Zotëria, që sipas Gregorit ishte shefi i policisë, qeshi si fëmijë dhe më shtyu me brryl ta ndiqja pa m’u drdhur këmbët. Kur po i afrohenim autoveturës të tij, tip BMW , përbri tavernës, dhe sheshit të fshatit ku derdhej pa kursim drita e pesë neoneve, i thirra kujtesës t’ia përpunonte mirë tiparet bjonde të fytyrës së tij, që m’u duk sikur e kisha parë dikur në të kaluarën. Atë fytyrë të rrumbullakët kuqaloshe, qerpikët e hollë verdhacakë si fije fshese, hundën shkurtabiqe të prerë si kumbull, sytë blu të thellë dhe gojën e buzëqeshur si një kukull barby.
–A nuk është ky ai shefi, miku juaj, që na la të lirë parvjet si vorioepirotë mua dhe Vasilit(Zydiut në Shqip)?,-pyeta Gregorin me zë të trishtë.
Shefi me rroba civile bëri sikur nuk dëgjoi dhe Gregori kafshoi buzët me dhëmbin e qenit që ta qepja gojën.
–Natën e mirë!—e përshëndeti shefi Gregorin. Nxorri nga xhepi çelësat e makinës personale , u drejtua me gëzim drejt bagazhit, e hapi atë dhe më urdhëroi të hyja brënda.
Më mbërthyen drithërimat kur mendova se do të transportohesha për në rajonin e policisë në bagazhin e BMW-së.
– Shpejt, shtrihu!—më tha egër dhe lëshoi një grahmë të rëndë mishi qingji.
I pata provuar pothuajse të gjitha llojet e torturave: kur më urdhëroi ushtari të qëndroj me një këmbë dhe më pas më shkelmonte putrën dhe unë rrëzohesha përmbys ë dysheme me sy të lidhur. Kur ushtarët më zunë, njeri nga këmbët dhe tjetri nga duart, dhe më hodhën fluturimthi në makinën ushtarake apo tek po lyeja këpucët e ushtarit në katin e poshtëm të krevatit, në kapononin e gjumit, ushtari i katit të dytë, më godiste në qafë me pëllëmbë t’ia llustroj këpucët më shpejt.
Por se do të trasportohesha për në rajonin e policisë në bagazhin e makinës private të shefit të saj, këtë nuk e pata përfytyruar as në ëndrrën më të tmerrshme. U shtriva në bagazhin e ngushtë të makinës duke qarë e ulërirë në panik. Pashë Gregorin në hyrjen e tavernës, midis dy vazove të mëdha prej balte me palma të hedhura, aty ku kisha parë shpesh të bijën e tij të bukur Konstandinën, të tërheqë flokët e pakta me dhimbje dhe lëshoi një klithmë. Zhurma që bëri bagazhi i makinës kur u mbyll më ka mbetur e stampuar përjetësisht në shiritat e kujtesës. M’u duk sikur hëna ra në një humnerë, dhe yjet u fikën si thëngjillë të ndezur në gjirin e detit.
Kur makina u nis, zemra po më rrihte më shpejt sesa rrotat e saj që lëshonin një tingull hakmarrës në asfalt. “A mos nuk është ky shef i dehuri i Krishtit, apo ndonjë mafioz grek që vjedh rrefugjatë, u merr frymën, dhe ndërsa trupi regëtin ende akoma u vjedh zemrën ?” Pata dëgjuar, jo pak herë, se në Athinë dhe Selanik janë paraqitur mafiozë të tillë zemërvjedhës. Ata janë paraqitur si pronarë me makina bujqësore, me kazma e thasë pambuku në karroceri në sheshin e punës, i kanë ftuar rrefugjatët e pashpresë për punë dhe pas disa minutash kanë përfunduar në sallat e tyre të nëndheshme të operacionit, ku doktorët misteriozë u grabisnin zemrat dhe ua shitnin klinikave private. Ndjeva frenat e makinës t’iu nxjerrin gjuhën e tyre prej ferrotash rrotave dhe t’i frenojnë ato. U gëzova që vetura BMW ndaloi. Dëgjova menteshën e ndryshkur të derës të bënte zhurmë kur shefi tërhoqi gjuhëzën nëpërmjet dorezës së çeliktë dhe hapi derën. Në të njëjtin kohë mendja më fluturoi në gjëra makabre. Po mendoja, duke u dridhur, se shefi mund të ketë ndaluar përbri ndonjë kanali të errët. Ai tani do të hapë shpejt derën e bagazhit, dhe do të ma bëjë trupin shoshë me plumbat e pistoletës të cilët do të fishkëllonin :
pshiu, pshiu...derisa daullet e veshëve të shpoheshin dhe të mos dallonin më tingujt e botës reale. Ai mund të bënte ç’të donte me mua. Të më hidhte në kanal me trupin të brimuar si shoshë mielli, të më përdhunonte, të më lidhë rreth trungut të plepave që dekoronin në të dyja anët e rrugës që lidhte fshatin me qytetin e Aleksandrisë, të më braktisë në bagazh deri në mëngjes dhe pasi të zgjohej në mesditë të më përshëndeste : « Mirëmëngjes, buçko ! Si fjete? » Kishte të ngjarë që të përplasej me ndonjë maune fytyrëmadhe dhe të jepnim shpirt sëbashku të bërë petë nën hekurat e ndryshkur të autoveturës dhe shpirtërat tanë të fluturonin njëkohësisht drejt qiellit. Nuk e di se kujt do t’ia hapnin dyert e kateve të qiellit engjëjt, mua apo Shefit ? Teksa po mendoja këto mundësi të frikshme, që vetëm një gjysmë i vdekur i harruar në frigoriferin e morgut mund t’i kalonte në mendje, u hap dera e bagazhit të makinës dhe pashë fytyrën e gajasur të Shefit.
–Ha, ha, ha, -u shkri ai së qeshuri.
Mbylli sërish kapakun e bagazhit, kësaj radhe më fort, dhe sipas daulleve të veshëve të mi, u largua dhe ngjiti shkallët me zhurmë si një fëmijë që i ngjit shkallët e pallatit kur e ëma që nga dritarja e shtëpisë i premton dhurata të bukura.
Nga një çarë e bagazhit arrita të shihja vetëm disa shkallë të ngushta, të lyera me gëlqere të bardhë. Kapaku që kisha mbi kokë ma pengonte pamjen. Nuk munda të shihja se me çfarë ndërtese lidhshin shkallët e gëlqerosura. « A mos ndodhesha përpara shtëpisë së shefit? Mos po shkon të zgjojë të shoqen me fëmijët në mes të natës për t’i prezantuar me gjahun e tij, në bagazhin e makinës? » Ndjeva të me mpiheshin këmbët. Isha strukur kotullaç. Këmbët i kisha përthyer si potkojtë e kalit dhe kokën e kisha mbështetur në kutinë e hekurt të veglave të makinës. “Kutia e veglave?” Mëndja më fluturoi tek kutia e veglave të zetorit të Anestit, në të cilën pata fshehur kursimet dhe groposur pranë trungut të arrës, por që për fat të mirë ua kisha dërguar prindërve nëpërmjet Zyhdiut, i cili u kthye në Elbasanan, dy javë më parë. Ndërkaq u dëgjuan trokitjet e këpucëve duke zbritur shkallët dhe u afruan pranë bagazhit të makinës.
–Ku e ka flashin ky aparati?—pyeti një zë burri i përgjumur.
–Butoni i rrumbullakët i zi, majtas—dëgjova shefin t’i thotë shefi.
–Gati?
-Po, gati!
–Mos lëviz!—më urdhëroi egër shefi dhe kolegu i tij, polic, mori pozicion të mirë përballë trupit tim të kallëposur si buka në tepsinë e rrumbullkët, dhe shkrepi dy-tre herë aparatin fotografik.
– Panajot, je i madh!—i tha i hyjnizuar kolegu polic shefit dhe futi në këllëfin e zi prej lëkure aparatin fotografik.
—Dil ngadalë, duke nxjerrë kokën para, më pas këmbët dhe mos të të gënjejë mendja t’ia mbathësh—më tha Shefi me zë lajkatar.
M’u duk sikur po lindja për së dyti, por jo nga barku i nënës: nga prapanica e makinës... U gëzova jashtëzakonisht kur pashë se ndodhesha përballë ndërtesës së rajonit të policisë.
–Ku e mbërtheve këtë qullacin?—e pyeti kolegu shefin dhe i rrahu shpatullat fort si të ishte një kapiten i një anije që u kthye pa dëme nga deti me stuhi.
-Mbrapa tavernës së Gregorit, në një ahur lepujsh—u përgjigj ai dhe kryqëzoi një shikim tallës me kolegun e tij këmbëhollë si shkopinj patericash.
Kur ngjita shkallën e fundit, sytë më shkuan majtas, në shufrën e hekurit të salduar trashë në kangjellat e verandës, ku valvitej flamuri i kaltër grek, me shirita të bardhë dhe një kryq në cepin e djathtë.
–Ec para!- bërtiti kolegu i shefit, dhe më shtyu më shuplakën si putër ariu mbrapa kurrizit.
U zhvendosa dy hapa në ajër dhe gati sa nuk putha dyshemenë e çimentes në hyrje të rajonit.
–Ndalo!—ulëriu shefi egër. Kësaj rradhe i kumboi zëri fort sikur e kishte shkundur alkolin nga truri si ai ajo pula e lagur kur shkund krahët.
Ndalova si në inerci, jo i drejtuar nga intuita por pavetëdija për atë që po bëja.
–Mos u dridh, nuk të bëjmë keq, edhe një fotografi dhe do të të dërgojmë në dhomën e luksit...
–Të fleshë gjumë si princ—shtoi kolegu i tij.
Nuk guxoja t’i shoj në sy, ose ndoshta nuk ia vlente ta bëja këtë. Sytë e shefit i kisha kundruar dikur i lumtur dhe me tallje kur Gregori, dy vjet më parë, u paraqit në polici dhe i kërkoi shefit, që e kishte klient të vjetër, dhe që kush e di se sa kade me verë të kuqe dhe bardhë korinthi e pula të pjekura i kishte përpirë, të na linte të lirë. Ai së bashku me ish pronarin e zdruktharisë kishin shpikur kartën e lirimit : « Janë Vorioepirotë ».
-Përpara se të vinte shefi të na testonte (sa për sy e faqe) emrat e prindërve, Gregori ishte paraqitur përpara portës të hekurt të qelisë, që kundërmonte era urinë të vjetër si verë franceze dhe na pëshpëriti nxehtë në vesh mua dhe kushëririt tim, Zydiut. “Po t’iu pyesë shefi për emrat e prindërve, ti do të thuash, m’u drejtua mua : “Mua ma quajnë nënën Kristina dhe babin Evripidhi, vëllain tim të vetëm Petraqi”, ndërsa ty Vasili-Zyhdi- mamin t’a quajnë Polikseni, babin Sokrat ndërsa motrën e vetme Kostandina. E qartë? Kujdes!”
“Pra, i përsërisim edhe njëherë, Jani: Kristina, Evripidhi dhe Petraqi, ndërsa Zyhdiu: Polikseni, Sokrat dhe Konstandina—na i rikujtoi Gregori një për një me gisht.
Për mrekullinë e magjishme që po përjetonim atë mesditë magjistare e përshëndetëm shefin si autoktonë grekë dhe zbritëm shkallët e rajonit famëkeq tërë salltanet si krushq të rrallë.
–Po qeshe shpejt përpara fleshit të fotografisë do të të dërgoj pas hekurave të qelisë pa t’i goditur bythët me shkelm—tha kolegu i shefit, që mesa duket ishte oficeri i natës, dhe nxorri për së dyti aparatin e zi nga këllëfi katror i lëkurës me rrip të hollë.
Në vend që të tendos buzët dhe posoris trurin t’i japë mesazhin zemrës të qeshë, më zunë të qarat.
–Fotografoje, e qara është motra e së qeshurës—i tha shefi policit hundëmushmollë dhe e shtyu nga krahu ta shkrepë butonin e rrumbullkakët që aparatit të filmojë në shiritin ngjyrë kafe të zezë fytyrën time të çnatyrizuar.
Mu’ duk sikur fleshi i aparatit shkreptiu para syve të ngashëruar si rrufe në formë drapëri.
–Mjafton!— i bërtiti shefi papritur kolegut të tij kur ai e humbi kontrollin dhe po më fotografonte si të isha Miss Bota.
Polici paparaç u tremb për një çast, e pa shefin me tallje, sikur donte ti thonte : “Ç’të gjeti të ulërasësh? A mos të pickoi miza e kalit?”. Në heshtje e futi aparatin poshtë sqetullës dhe më urdhëroi egër ta ndiqja pa folur. Nxorri tufën e çelesave me zhurmë fërfëritëse , shpejt e shpejt rrotulloi njërin nga ata në vrimën e bravës së ndryshkur dhe më shtyu fort në birucë.
Aty mbizotëronte terri i plotë. Në çastin kur polici shkrepi edhe një herë flashin e apartit fotografik pashë bebat e përskuqura të syve të një djali që po flinte në dysheme, në njërin cep të birucës.
Mbështeta kurrizin pas murit dhe fshiva lotët me mëngën e këmishës poliester me kuadrate ngjyrë vishnje dhe të kuqe. Ishte hera e parë që përfundoja në biruce i veshur e kallajisur mirë, me rroba festive. Ndjeva aromën e parfumit të Andonisë ta humbte forcën kundra erës së urinës dhe jashtëqitjeve që vinte nga nevojtorja pa derë, që ndodhej brënda në birucë. Një çast mendova se duhet të ndjehesha i lumtur që kisha veshur këmishën me të cilën u paraqita për herë të parë përpara Andonisë, por kur mendova se aroma e lëkurës së saj do të zhdukej brenda pak orësh, më vinte të thërrisja policin e t’i lutesha të ma varte këmishën në kangjellat e ballkonit, pranë degëve të bajames së lulëzuar dhe të ma jepte kur të hipja në autobuzin e policisë, ditën e kthimit për në Kapshticë.
–Zoti polic,a mund të shkoj në banjo?—pyeti një djalë që ndodhej në qelinë tjetër me një zë të zgërlaqur, sikur ta kishte bërë në mbathje.
–Po shoh lajmet e mëngjesit?—u përgjigj polici i kapardisur.
–Ah, bythshkërdhyer—belbëzoi djali në shqip.
Në të njëjtën kohë pashë djaloshin e shtrirë përballë meje, të ngrihet në këmbë i mpirë. Shtriqi kurrizin dhe krahët me dhimbje, si të ishte një shqiponjë e plagosur, ndaloi këmbët në pragun e banjos verore në qeli, dhe la urinën të derdhet në pellgun e pistë me presion si impjant vaditës.
–Po ta dija se do të më kapnin, nuk do të pija asnjë gllejkë birrë—më tha djaloshi dhe lëshoi një britmë rehatuese pasi i zbrazi topet e mbushur me urinë. –Birra e rilindjes së Krishtit—shtoi ai gjithë ironi dhe më ofroi dy gazeta të zhubravitura që të ulem.
—Ku të mbërthyen?-e pyeta djaloshin.
–Teksa po blija cigare në njé kioskë të fshatit—u përgjigj ai i hidhëruar. –Po ty?
–Mua? Duke fjetur në ahur—iu përgjigja.
–Të pafetë !–mallkoi djaloshi dhe nxorri një cigare LM nga paketa, i vuri flakën shpejt dhe e thithi me mllef filtrin e verdhë.
Frengjia e vogël, në krye të tavanit të lartë të birucës, u la me rrezet e para të diellit. Mëngjesi i plumbtë u shpartallua nga drita e kuqerremtë . Djaloshi që ishte mbështetur me bërrylin e djathtë në dysheme po kundronte me pikëllim të papërshkrueshëm copëzën e qiellit që dukej nëpërmjet frengjisë me tre hekura të trashë. Gurët e ndriçueshëm të vathëve që ishin ngulur në veshët e tij më magnetizuan vëmëndjen. Ishte hera e parë që ndeshja një rrefugjat me vathë në vesh. Djaloshi vazhdoi të kundrojë dritën magjike të agimit që derdhej në hapësirën e kufizuar. Mbuloi dy-tri herë me shuplakat e tij sytë dhe lëshoi rënkime
përçart. Dukej mjaft i përkujdesur. I qethur shkurt, me favorite të vogla me formë harku rreth veshëve si parafango makine, me veshë të mëdhenj, me sytë ngjyrëgështenjash të ziera dhe me hundë me majë të mprehtë. Vetëm nishani me qime të gjata, faqet e djegura nga mungesa e vitaminave dhe molla e Adamit në fytin e tij të venitur, ia prishte tiparet e bukurisë djaloshare.
–Ec para, mafioz !—u dëgjua t’i ulërijë me tërbim polici një rrefugjati që llomotiste papushim.
Djaloshi flokëgjatë, që po i afrohej birucës, e mbante kokën kërrusur dhe lëshonte të shara të ndyra ndaj policit i cili i çkyçi prangat dhe pasi hapi derën e qelisë e shtyu sa fuqi kishte drejt nesh. U struka nga frika kur pashë sytë e policit të përcëlluar nga urrejtja, si speci djegës.
–Ku shkon me flokë të gjata ti, mafioz?!—ulëriu polici dhe kyçi përsëri derën e hekurt me potere të madhe.
–Nëse djemtë me flokë të gjata ju i gjykoni si mafiozë, atëherë edhe Krishti që i mbante kështu na paska qenë mafioz—iu përgjigj djaloshi duke e parë drejt e në sy policin, pa iu bërë vonë se ai mund t’ia zbuste kockat me shkopin e gomës.
Në atë çast në sytë e policit lexova një tërbim prej tigri. Ai hapi derën e birucës, duke rrotulluar çelësin me shpejtësi marramendëse dhe e goditi me majën e këpucëve me llokma traktori ,drejt e në stomak. Kur e pa se djaloshit iu mor fryma, si një fëmijë kur gëlltit gjuhën, braktisi qelinë duke vënë buzën në gaz gjithë qejf. Djaloshi, i cili qëndroi disa sekonda me kokën të kërrusur, pështyu padashje flokët e gjata që i vareshin para fytyrës si kurora e një peme.
–Ngriji duart lart !—e këshillova dhe bëra ta ndihmoja, por ai më shtyu lehtë me mendjemadhësi.
—Rracistë të poshtër !—ulëriu ai duke u çjerrur në shqip dhe goditi me atletet e bardha sportive pjesën e poshtme të derës së hekurt.
Në hyrje të koridorit shpërtheu një potere me turli fjalësh, herë në Greqisht dhe herë në Shqip.
–Rrefugjatë të rinj !—thamë njëzëri dhe u zvarritëm me shpejtësi në cepin e majtë të qelisë nga ku nuk dukeshim nga hyrja e qelisë. Era prej myku,tepër tipike për një rrefugjat të porsambërritur, që kundërmoi me shpejtësi me brimoi hundët dhe zgjoi kujtime të hirta.
–Nëse ngrihet niveli i urinës, ulërini të alarmuar, do t’iu sjellim komardare shpëtimi— u tall polici të cili nuk ia shinim fytyrë bukuroshe.
Nga zëri e njoha se ishte ai që ia zbuti stomakun, pak më parë, djalit ose borgjezit të pafe siç e baptisi ai. Mjedisi u ndot në mënyrë të rrufeshme : shëmbëllente me një moçal me ujë të ndenjur i ngrohur nga drita e diellit. Edhe dhoma ku rrija u ngushtua mjaft. Brënda një gjysmë ore në qeli sollën më shumë se dyzet rrefugjatë nga malet e Verias: shumica e tyre të freskët. Ndërkohë shpërthyen biseda me zë të ulët, si gratë te gryka e pusit.
–Ku të mbërthyen zagarët?
–Duke fjetur!
–Pasi ndezëm zjarr!
–Teksa po kaloja urën e lumit Aliakmona!
–Duke larë sytë në çesmen e oborrit!
–Duke ngrënë bukë me margarinë e qepë!
–Po falesha për Krishtin!
–Po falesha për Allhahun!
–Po falesha për Bena bamirësin!
–Po i bija me dorë!
–Çfarë, po e tundje?—e pyeti një burrë fytyrërrudhur, si një grua që përdor krem të tepërt në fytyrë, djaloshin me fytyrë të njollosur me dheun e kuq të malit.
–Ho,ho, domethënë ia lage shkopin e gomës policit me qumësht të kondensuar?
–Për pak, po. E lëshova me rënkim teksa polici goditi derën me shkelm.
“Të ngriva gjakun? –më pyeti polici.
“Jo, jo, pashë një ëndërr të makthshme”.
“Mirë së erdhe, e urova—tha djaloshi fytyrënjomë duke ruajtur seriozitetin si aktor teatri.
–Ha, ha, ha, çfarë arrestimi pornografik?—shpërtheu së qeshuri xhaxhai.
–Heshtje, mos bëni zhurmë! –tha polici që u shfaq si hije para qelisë me një filxhan porcelani me kafe të ngrohtë.
E mekëm zërin si një radio kur rrotullon butonin e volumit dhe ulëm kokat të trembur, si ushtarët në betejën e luftës pasi shohin në ajër një predhë që bie në tokë. Ndjeva ëren e barit të thatë që kutërbonte goja e një djaloshi fytyrëtrëndafiltë, i cili kishte kërrusur kokë pranë meje. Ngjanim me dy gurë varri fqinj.
–Mos urinoni më, o djema!—na u lut një burrë flokëbardhë i cili ishte ulur pranë derës së banjos.
Ishte zbehur i tëri në fytyrë nga kërma vështirosëse e banjos së përmbytur. Urina kishte mbuluar dyshemenë e banjos dhe jashtëqitjet notonin mbi të si pala fiku.
–Ta bëj në brekë?— pyeti burri që po priste radhën me padurim.
Burri flokëthinjur heshti me mirëkuptim, hoqi çorapin e leshtë të irnosur nga këmba dhe e vuri para hundës.
–Zoti polic, do bëj çiçin!- ulëriu një djalosh i xhindosur dhe shkundi me tërbim hekurat e derës së hekurt.
–Bëje në pantallona!—u përgjigj polici nga zyra e tij, në hyrje të ndërtesës.
–Kush donte të urinojë?—pyeti pas dy minutash.
–Unë—iu përgjigj djaloshi gjithë qejf, duke shpresuar se polici do t’ia plotësonte dëshirën. Polici nuk foli, por hyri të urinojë vetë, në banjon –e veçantë të policave që ndodhej përballë qelisë sonë.Të gjithë dëgjuam në heshtje(duhej të heshtje kur polici i afrohej qelisë) zhurmën gurgulluese të çurgut të urinës në grykën e porcelantë. U josha aq shumë, saqë për pak desh e imitova policin: ta bëja në pantallona pa kokëçarje, njëlloj kur isha foshnje në culet prej fanellate borë të bardha nga pastërtia. Polici doli duke mbërthyer kopsat e pantallonave, i hodhi një shikim mospërfillës djalit, sikur ti thoshte :
—A njihemi diku?
--Ne Shqiptarët nuk i trembemi kërbaçit!—tha djaloshi me vrull dhe urinojë përpara derës së qelisë.
–Na piu e zeza—i pëshpëriti një burrë që e kishte lëkurën e fytyrës më të hollë së lekura e gjarprit, djalit të tij të mitur me buzë të plasura dhe të enjtura nga të ftohtit.
–Nga je ti ?—më pyeti burri i përvuajtur kur më pa të vështroja me shpirt në dhëmbë të birin e tij të rraskapitur.
–Nga Elbasani, po juve?
—Nga Peshkopia—u përgjigj ai.
–E njeh këtë birucë?
–Më duket më e shumtuar sesa dhoma e morgut. Dymbëdhjetë herë jam flakur këtu si thes me plehra. Jam gdhirë dyzet e tetë net, në këtë dhomë që është turp i qytetërimit.
–E sheh atë zemrën e pikturuar me laps të kuq të përshkuar tej për tej nga një thikë?—më pyeti dhe drejtoi gishtin tregues drejt faqes së djathtë të murit.
Ia ngula shikimin faqes së murit të shkarravitur me laps të zi, me stilolaps dhe gozhdë. Vërejta lloj-lloj zhgarravinash të vizatuara keq, dialogje të vogjël vetmie dhe shenja gishtash të pistë. Pranë tavanit pashë të vizatuar një zhapik me sy të mëdhenj të ngjyrosur me laps të zi, ndërsa pjesa më e madhe e murit ishte mbushur me datat e hyrje-daljeve nga biruca mesjetare. Ja disa dialogje dhe parrulla shpirtbrenguesëse : « Këtu, shtatë ditë gushti, temperatura 40 gradë » « Çdo kafshatë buke, një shkelm barkut ». I mallkuar polici dhe fara ime...”
Një dorë e durueshme kishte vizatuar një anije që lundronte mbi një kalldrëm. Rrëzë murit pashë një diell të vizatuar më të gërvishurat e gozhdës, me zemërimin e një qeni të egërsuar që kërcënon duke gërmuar me putrat e tij tokën, të panjohurin teksa ai tenton të kapërcejë pragun e derës së oborrit,
–Ja ku është vizatimi tjetër, të vizatuar parvjet. Ai më tregoi me gisht një gojë të madhe tigri dhe u vu të shikojë nëse koha i kishte zbehur dhëmbët e ngjyrosur me stilolaps të kuq.
Tek po kundroja i brengosur ato çka kishin shkruar e vizatuar me drithërima të gjithë ata që ishin gdhirë në këtë birucë zgjebarake të policisë së Aleksandrisë, përtej portës së hekurt dëgjova një zë burri të shqiptonte i shqetësuar emrin “Jani”. Kur ktheva kokën pashë edhe dy djemë të tjerë të zgjasin kokën si lejlekë drejt derës se mos shohin pronarët e tyre.
–Ky është zëri i afendikoit tonë—thanë njëzëri djemtë dhe e shkundën portën e hekurt me mllef.
Papritur zërat u ngritën me nota zemërake, por fytyrat e personave, që sa nuk po kafshonin njëri-tjetrin, nuk po dukeshin.
–Vasili? Aristidhi ?
–Jani, Jani,këtu—klithën fort djemtë për ta nxitur personin që shqiptoi emrin “Jani”, të vinte deri në fundin e koridorit të ngushtë të ndërtesës ku ndodhej qelia-shpellë.
–Heshtni!—ulëriu një zë i trashë bualli.
–Kështu ulërin vetëm Vasili kur flak pambukun e pashitur në asfaltin e autostradës—pëshpëritën ata ngadalë me tallje.
–Është Vorioepirot—i tha burri me kërcënim. Kësaj radhe ia njoha zërin, ishte Anesti.
–Nuk e hamë më sapunin për djathë. Vorioepirot?! Na doli gjysma e Shqipërisë Vorioepir.
-Kriminelët shqiptarë qarkullojnë lirshëm nëpër Greqi duke na hedhur hi syve me gjëegjëzën e Vorioepirit—i tha polici duke holluar zërin sikur kishte pirë hashash. M’u duk si zëri i shefit fytyrëbajame, por nuk isha mjaft i sigurt.
–Vorioepirotët nuk janë më shumë se një qytezë e Shqipërisë—shtoi shefi kur pa Anestin të heshtëte.
– Ju shërbëtorët e shtetit jeni shpirtkazmë—i tha Anesti shefit, që sapo iu duk maja e çizmës jeshile prej llastiku dhe e gishtave të dorës së djathtë që i luante me kërcënim sikur po qortonte sjelljen e një maceje mistrece që përmbys kusinë e qumështit.
–Keni gojë dhe flisni ju bujqit, që po ua pini gjakun nga mëngjesi deri në darkë. U pasuruat më shpejt se çifutët. I lini djemtë tuaj duarpambuktë të pinë kafe frape në kafeterie, të kapërdisen si dervisha dhe gratë të depilojnë këmbët në verandat e vilave si sulltanesha. Dhe nëse njeri nga këta fatkeqë ngre kokë dhe ju kërkon t’i paguhet më mirë haku i punës, ju na telefononi në mesnatë, në kohën kur ata flenë të rraskapitur si gomerë, në ahuret tuaja. Pastaj vini e na luteni t’iu vimë në ndihmë pasurive tuaja, sepse ata papritur nga argatë të bindur u bënë grabitës—tha shefi me zemëruar.
Ishte hera e parë që zëri dhe logjika e shefit më preku në shpirt. « Domethënë ky shefi nuk qenka vetëm shërbëtor i poshtër por edhe njeri shpirtmirë » belbëzova i ngashëryer. Vetëm se Anesti i ngjante më pak atij tipit të bujkut për të cilin bënte fjalë shefi.
Një burrë i moshës mesatare, hundë mprehtë si thikë kasapësh, dhëmbë çakall, sy skifter dhe faqe rrudhur nga buzëqeshjet dhelparake, u frymëzua fort me akuzat e shefit që i bëri Anestit.
–Nuk pendohem që kam vjedhur dhjetëra kisha, kryqe floriri dhe kasaforta me dhrahmi. Kështu duan këta shfrytëzues—shtoi ai me zë të lartë, pa iu trembur qerpiku kur pa shefin të shfaqet me trupin e tij si qiparis para qelisë tonë.
—Çfarë llomotit, ti, petrit ?—e pyeti shefi egër, sikur donte t’i thoshte : « Si guxon të ngresh zërin? Merr shembull nga bashkëpatriotët e tu që heshtin si dele pa çoban!»
Pashë Anestin me fytyrë të përskuqur nga inati përkrah shefit. Ai vuri buzën në gaz me përbuzje kur pa çizmen me majë të mprehtë të shefit të shkelte mbi urinën që bëri pak më parë djaloshi kur polici refuzoi ta shoqërojë në nevojtore. Shefi e spikati Anestin me cep të syrit tek buzëqeshte pa ia ndarë sytë çizmeve të tij. Ai uli kokën drejt çizmeve dhe kur pa urinën të dallgëzonte poshtë tabanit të tyre u hodh në ajër sikur i takuan këmbët mbi një remë llave vullkanike.
Anesti ktheu kokën në krah të kundërt dhe qeshi nën dhëmbë.
–Është për të qeshur kjo, zoti bujk?—pyeti shefi duke u çjerrë si një vjerrë ngatërrestare.
–Është për të qeshur dhe për të qarë—u përgjigj Anesti. Mbylli flegrat e hundës me shpejtësi dhe pështyu i vështirosur kur pa pellgun e urinës të shkumosur si sapun të skaduar, në brëndësi të nevojtoresqelisë sonë.
–Kush urinoi këtu?—pyeti shefi i xhindosur dhe fshiu tabanin e urinuar në faqen e murit.
–Unë !—u përgjigj pa iu dridhur zëri, autori i urinës.
–Përse? –pyeti Shefi egër dhe nuk po u besonte daulleve të veshëve, ngaqë djaloshi guxoi të pohonte se urina verdhane poshtë çizmeve kishte kulluar nga bolet e tij që sa nuk po shpërthenin nga sikleti si një granatë kur e shtrëngon me grushtin të djersitur.
-Në shtëpinë tënde kështu urinon ti?
-Banjua ime nuk mbyllet me derë hekuri... –Iu luta me mirësjellje policit të urinoj në banjon e pastër, përballë teje, por e di çfarë bëri ai ?
–Pa ma thuaj?—u përgjigj shefi me neveri.
–Nxorri koqet si një i pafe dhe urinoi para meje aty pranë teje, duke më përqeshur, ndërsa unë sa s’po nuk urinova në mbathje.
–Si quhej polici?—pyeti shefi i zënë ngushtë me sjelljen e paqytetëruar të kolegut te tij.
–Ku ta di unë ? Ai nuk u prezantua duke shkundur duart por me ne, por me një shkelm barkut që në agim, në kohë që po këndonin gjelat—iu përgjigj djaloshi.
Dialogjet cinike ma futën frikën në bark. Në bebat e syve të shefit lexova një tërbim, një si stuhi që sa vinte e tërbohej dhe pritej të shpërthente nga rëte e hirta nga çasti në çast.
–E sheh, sa kujdeseni ju për këta fatkeqë ?—i tha Anesti shefit. U afrua prapa derës së qelisë dhe zgjati kokën flokërënë të më shihte.
U ngrita në këmbë nga mesi i qelisë. –I flakni në kët palo qeli, ku as qeni nuk do të flinte, dhe i rrihni sa herë t’iu kërcejë djalli në kokë—shtoi ai me përbuzje.
–Këtu jam—i’u përgjigja Anestit dhe bëra me ngut të çaj trupat gjysmë të shtrirë të rrefugjatëve. Sytë m’u ngjitën në fytyrën zemërvjedhëse të shefit që kur më pa iu ravijëzua një reflektim sarkastik.
–Ha, ha, kush na...ai zuri të qeshë duke shkundur shumtuar barkun topolak.
Anesti e pa me bisht të syrit fshehurazi dhe më tundi kokën me kuriozitet sikur të më pyeste: « Ç’e gjeti këtë trupeshkun që zgërdhihet me ty ?! A mos njiheni më parë? » E gëlltita si një tabletë ilaçi të hidhur sjelljen provokuese të shefit, dhe i kryqëzova qerpikët Anestit të mos i kushtojë kujdes shefit të tmerrshëm.
Atë çast, për habinë time të madhe, ironia shpërfytyruese e shefit nuk më bëri të ndjehem keq që më transportoi për në rajonin e policisë në bagazhin e autoveturës të tij si një valixhe me hashah, por m’u zu fryma kur solla ndër mend se ky trupeshku ishte kryeroja e qetësisë së qytetarëve të Aleksandrisë. « Sa keq ! » pëshpërita me shpirtin ndër dhëmbë.
—Të kam sjellë dhjetë suflaqe, bukë, ullinj, djathë dhije, rroba të lara, kuverta leshi dhe një jastëk, –më tha Anesti me dhimbshuri si të ishte babai im dhe i kërkoi shefit, i cili lëshonte të qeshura sikur dikush po i guduliste barkun me pupla pule, që të hapë derën e hekurt.
–A ushqen akoma mëri ndaj meje ?—më pyeti butësisht, ndërsa rrotulloi për të dytën herë çelësin e gjatë në vrimën me dhëmbë çakalli të bravës së qelisë.
–Pak, por do ta fal se ishte natë pashke. U deve me verën e Judës—iu përgjigja ëmbël.
Më pa vrazhdë, por nuk e ç’kyci derën dhe të më qëllojë kupat e gjunjve me shkop gome,si babai dikur godiste me thoin e gishtit shalqirin për të parë nëse ishte pjekur.
–Të jap pesë minuta të flasësh me ish argatin tënd—i tha shefi Anestit dhe u zhduk shpejt si hija e pemës në mesditë kur dielli është në zenith.
-Nëpërmjet vëlla im dëgjova, se ai polici të detyrojë të futesh në bagazhin e makinës.
–Po, po nuk dua të flasim për këtë akt të turpshëm—i thashë Anestit.
—Si the, barba, në bagazhin e makinës?—pyeti Anestin një burrë i moshuar andej nga fundi i qelisë.
–Po, mor bir… burra të tillë, pa turp e namuz, po e detyrojnë botën shqiptare dhe më tutje, të na quajnë ne grekërve, racistë—u përgjigj Anesti.
-Popullsia e thjeshtë greke nuk ka as edhe një grimë dijenie për skena të tilla të turpshme—tha sërish burri, kësaj here duke bërtitur ngaqë në qeli shpërthyen biseda të ethshme. Secili nisi të tregojë bëmat e udhëtimit në këmbë për në Greqi , për ushtarët e fshehur mbrapa gëmushave dhe shkëmbinjve me dylbi në sy, për këmbët e enjtura dhe të irrituara nga djersa dhe egzema e lëkurës : aventura të ngjashme si ato të Tomis dhe Xherrit.
Ne emigrojmë më shumë se zogjtë shtegtarë në Greqi. Shtatëqindmijë shqiptarë shumëzim për tre herë në vit bëjnë dy milion. Ne shtegtojmë të katër stinët e vitit, në pranverën gjoksçelur, verën lëkurzeshkët, në vjeshtën lakuriqe si Eva dikur dhe në dimrin zemërakullt, ndërsa zogjtë kanë lindur me këmishë, ata shtegtojnë vetëm në pranverë.
« Ç’farë zogjsh të çnatyrizuar që jemi ne, shqiptarët ! »—pëshpërita i pikëlluar.
–Bëju shumë të fala prindërve dhe mos u gjunjëzo para këtyre kushteve sëmundjengjitëse—tha Anesti, dhe bëri të më përqafojë, por harroi se hekurat e qelisë nuk e lejonin të ma shtrëngonte kraharorin.
Shtrënguam duart midis hekurave duke u dridhur nga pikëllimi për miqësinë e dhunuar. Në mëngjes një polic i parruar dhe flokë të harlisura si lulet e pemëve na kërkoi të shkruajmë emrat në një listë të gjatë, që e kaloi midis ngushticës të hekurave të qelisë.
–Emra shqiptarë apo grekë ?—e pyeti me shaka dikush nga fundi.
-Arabisht, turqisht, greqisht apo shqip, nuk ka rëndësi emri se kush je, por numri.
-Dëbojeni Berishën... Nanoja, Nanoja do t’u shpëtojë—tha polici me zë qortues kur u kthye të marrë listën me emrat tonë të shkruar turli.
Të nesërmen në mbrëmje, pasi pata lënë pas shpine pikën kufitare të Kapshticës dhe autobuzi zhurmëmadh po udhëtonte në bulevardin kryesor të Pogradecit, pashë nga xhami i qelqtë i veshur me pluhur të zi një veturë të bardhë të stolisur me lule shumëngjyrëshe dhe çiftin e lumtur në ndenjësen e mbrapme të kundronin botën përtej veturës duke ëndërruar për një të ardhme të lumtur. Atë çast mendja më fluturoi te katër trëndafilat, që i pata futur në kusinë e vogël me ujë, ku dikur pinin lepujt buzëçare dhe dënova veten se si nuk më shkoi ndër mend t’i tregoja Anestit se katër trëndafilat i këputa për Andoninë dhe për të.
« A do të vyshken trëndafilat petalekuq? » pyeta e ripyeta veten panumërisht derisa më kishte marrë gjumi i kapitur në ndenjësen me gëzof të kadifenjtë të autobuzit poteremadh...