Hir i zi u bë ëndrra presidenciale e vetëfatbraktisurit tonë, Nano.
Gjuha e tij kalibër, fjalori i gdhendur me plugun estetik,
e humbën hapësirën dominuese aq shumë,
saqë mund t’i përmbledhësh në fushën e zarfës të gjashtë sms-ave.
Thënia e mëncur: “Historia e Aleksandrit të madh
dhe e një pleshti janë po aq interesante” e ringjalli egër.
“Të paktën t’a thur vetë karrigen e lavdishme!
Pak rëndësi ka kush ulet!”—murmuriti ai shurdhër
për të mos e dëgjuar shpirti i tij.
Me ndihmën e gjashtë kallamapunuesve amatorë, thuri Nanua,
përbri një kënete plot bretkosa dhe llum pise,
karrigen më të bukur dhe intrigante presidenciale.
Të nesërmen i’a dhuroi karrigen Topit.
I dha atij dorën me shpirtin ndër
dhëmbë, dhe ndërsa po zbriste shkallët,
ndjeu në pëllëmbën e dorës,
ndjenjën aristokrate që i la dora e tij.
Ah, Nano! Sapo ia shtrëngove dorën Topit!
Atë dorë, e cila do të prekë stilografin presidencial, penën e shqipes,
gishtat e hollë leshator që do të hapin zarfat diplomatike të burrave me peshë.
Haj! Të qoftë e hajrit!
Të paktën ia ndjeve butësinë dorës së tij lavdipraruar...