| Letërsia Shqiptare | ||||
|
Anija E premte, 19-01-2007, 09:41pm (GMT) Ata merrnin rërën. Herë pas here fusnin duart në shtresat e flladshme të rërës dhe i hidhnin mbi bark, mbi këmbë ose mbi gjokse. Vapa. Deti. Anija. Rëra ishte e imtë. Rëra rridhte mes gishtave. Vapa. Heshtej. Rëra. Mendohej. Anija do të vij. Anija s'do të vij. Ata merrnin rërën. Ajo rridhte mes gishtave. Ata ecnin mbi rërë. Vapa. Deti. Rëra. Pauza heshtjeje. Djersitje. Ata hynin në ujë. Kokrra rëre dhe kripe në lëkurë. Ata shikonin horizontin e detit. Një guacë mbi rërë. Një syze dielli. Një fije floku. Një libër. Një copë pasqyre... Për të kaluarën nuk flisnin me dëshirë. Donin të harronin. Mandej prapë flisnin për të. Ata shikonin nga deti, sikur atje tej të ishte e ardhmja. E ardhmja. Deti. E ardhmja. Deti. E ardhmja. Deti. E ardhmja, sa e dëshiruar! Vapa. Heshtej. Rëra. Pasqyra. Mendohej. Anija do vij. Anija s'do vij. Në afërsi të tyre u ndie një këngë. Jo, në afërsi të tyre nuk u ndie një këngë. Vapa. Heshtej. Rëra. Pasqyra. Mendohej. Anija do vij. Anija s'do vij. Ishte viti i mbrapsht. Jo. Ishte një vit i dëshiruar gjatë. Ishte viti kur ra Muri i Berlinit dhe kur mbaroi «Lufta e ftohtë». Jo. Ishte një vit i mëparshëm. Një vit i mëvonshëm. Ishin vitet më parë dhe më vonë... Vite... vite... vite të mbrapshta... Dielli nxente mbi kokat e tyre. Vapa. Heshtej. Rëra. Pasqyra. Mendohej. Dikush u ndie. Ishte zëri i një burri: «Harroje. Nuk do të shfaqet asnjë anije. As sot e njëqind vjet. Asnjë anije nuk do të niset. Dhe ne do të vdesim duke pritur. Do të mbetet vetëm largësia e pambërrijshme, shkretia në ambientin që na rrethon, e stolisur me parullat e prapambetura për parajsën komuniste. Do të mbretëroj uri totale dhe ne do të hamë njëri-tjetrin... Dhe ne do mallohemi aq shumë për të parë qytete moderne, që natën thellohen në dritëza të neonta shumëngjyrëshe, njerëz të kamur me rroba elegante, limuzina të mrekullueshme, që gjarpërojnë nëpër udhët e panumërta... me një fjalë the amerikan dream.» Vapa. Heshtej. Rëra. Pasqyra. Mendohej. Zbrazëtia para tyre ishte e tmerrshme. Anija ishte një qytet! Anija ishte një fustan! Anija ishte një automobil! Anija ishte një iluzion!... Njëri thoshte: «Rroftë rrena!» Tjetri thoshte: «Rroftë televizioni!»... Këtu mbretëroi heshtje e gjatë. U ndëgjau të hyrët e gjymtyrëve në ujë. Ata shikonin nga deti. Matan detit, diku në bregun tjetër, duhej të ishte Brindisi. Qyteti i dëshiruar. Në afërsi luanin disa fëmijë me rërën. Ata ndërtonin anije rëre. Ata thoshin »Anijerëra« dhe »Rërëanija«. Disa të rritur ndodheshin të shtrirë në diell. Vapa. Heshtej. Rëra. Pasqyra. Mendohej. Dikush fliste. Ishte një zë gruaje: «Po vdes nga malli për të parë një anije. Një anije elegante që do të më çonte atje. Kam ndëgjuar sikur atje është bërë edhe revolucioni seksual dhe se gratë kanë defiluar lakuriq nëpër rrugë, dhe policia ka bërë sehirë... Burrat poashtu...» Gruaja heshti. Ajo shikonte valët e shkumbëzuara të detit. Vapa. Heshtej. Rëra. Pasqyra. Mendohej. Ata merrnin rërën në duar, sikur të donin të numronin vitet e shekullit të tyre. Gruaja fliste prapë. «Kam një dëshirë kaq të fortë, të shëtis njëherë lakuriq nëpër rrugë, edhe nëse më shikon gjithë bota ashtu...» Ata luanin me rërën. Një zhurmë bëri që ata të kthenin kokat. Vapa. Heshtej. Rëra. Pasqyra. Mendohej. «Është kjo një sirenë anijeje!?» Në horizont askund një anije për t'u parë. Vetëm disa zogjë. Një nosit. Një albatros. Ndoshta edhe një mjellmë... Disa fëmijë luanin mes valëve të ndotura. Në të djathtë ishin ndjerë lëvizjet e një vinçi. Jo larg prej tyre ndodhej porti, ku ishin të ankoruara disa anije të ndryshkura. Anijet ishin shumë të vjetra. Ndoshta ishin një mijë vjet të vjetra. Ndoshta dy mijë vjet. Dhe prandaj mezi lëviznin. Mbas një grime kishte mbretëruar përsëri heshtja. Ata shikonin nga deti. Vapa. Heshtej. Rëra. Pasqyra. Mendohej. Anija do vij. Anija s'do vij. Ishte ndier zëri i gruas. Ishte ndier zëri i burrit. Flitej mes veti. Zërat vibronin në vapë. Zërat ishin të lagur dhe të errët. Zërat ishin të frikësuar. Zërat kishin ngjyrim tmerri. Anjia ishte një përbindësh! Anija ishte një zog! Anija ishte një shtëpi!... Ishte ndier zëri i gruas. «Ha, ha, ha...», kishte qeshur ajo, «ju jeni hije, hije të së kaluarës... ha, ha, ha... Ju të gjithë jeni hije... I keni shpikur edhe sirenat mitike. Ato i grishin lundërtarët me melodinë e tyre dhe i çojnë deri në ndonjë ishull të huaj dhe atje i mbysin. Si në kohët e lashta... Ha, ha, ha, krejt si në kohët e lashta!...» Ata kruanin kokat. Ata shikonin nga deti. Ata merrnin rërën në duar. Ata thirrnin emra. Ata lëviznin trupat në rërë. Vapa. Heshtej. Rëra. Pasqyra. Mendohej. Gruaja kishte folur. Ata shikonin nga deti. Ata luanin me rërën. Gruaja foli. «Sirenat, kur shfaqen mes dallgëve, kanë koka grash, por që larg mund t'ua shohësh bishtin e zogut apo të peshkut. Ato këndojnë këngë të padëgjuara dhe u premtojnë lundërtarve sekrete e fshehtësira të papara... Ata kanë mashtruar shumë hije, shumë nga ata që donin të mbërrinin matan me gomone. Dhe i kanë mashtruar. I kanë hedhur në det apo i kanë çuar në ishuj të pabanuar dhe i kanë mbytur. Vetëm disa syresh kanë mundur t'i shpëtojnë magjisë së sirenave...» Ata piqeshin në diell. Ata shikonin nga deti. Ata dhe fëmijët luanin ditë për ditë me rërën. Në det asnjë anije. Më herët kishte pasur nën diell një diktator. Dhe gjurmët e ekzistencës së tij dukeshin gjithandej. Sepse ai kishte qenë një farë zoti dhe kishte lënë të ndërtohej statuja e tij. Dhe njerëzit mblidheshin rreth statujës së tij dhe e nderonin. Ata pëshpërisnin një lutje para simbolit të tij. Diktatori ishte pra një xhami. Diktatori ishte pra një kishë. Një ditë prej ditësh ai vdiq. Dhe njerëzit nuk frikësoheshin më prej tij. Dhe atëherë njerëzit ia rrëzuan statujat. Dhe ia lëvizën varrin nga varrezat e heronjëve. Atje nuk kishte vend për të. Heronjtë nuk e donin. E kishin mëri. Heronjtë e vdekur... Dhe anija pritej të vinte... Fëmijët luanin me rërën. Ditë për ditë. Ata shikonin nga deti. Vapa. Heshtej. Rëra. Pasqyra. Mendohej. Një burrë foli. Një plak. Jo. Ishte një i ri i plakur para kohe. Folën të gjithë së bashku: «Rroftë rrena!». Anija ishte një krevat!... Këmbëzbathura ecte mbi rërë. Me dorë i prekte flokët. Anija ishte një krevat! Vapa. Heshtej. Rëra. Pasqyra. Mendohej. Ajo ndjente! Ajo besonte! Ajo kishte fantazi! Anija ishte një krevat! Ajo shikonte nga deti. Vapa. Heshtej. Rëra. Pasqyra. Mendohej. «Ju keni të drejt. Ndoshta është vetëm një thashethem. Po vlon prej thashethemeve. Nga dëshira për të ikur, vetëm nga dëshira për të mbërritur të pambërrijshmen», thoshte gruaja dhe shtrihej në rërë. Një erë e lehtë i mori fjalët e saj. Dëgjoheshin valët e detit, që njëkohësisht nuk dëshiroheshin të ndëgjoheshin. Dëshirohej shurdhania, vrasja, ikja... Një plak donte të thoshte ‹Si në kohët e lashta, kur sirenat gati e kishin mashtruar vet Odiseun me shokët e tij›, por prej frikës, se mos mbahej për të luajtur, heshtte. Një zë thoshte: «Qyteti është dymijë vjeçarë. Kësi historish i janë tashmë të njohura.» Plaku bënte me kokë. Me shikimin e thyer dhe me mjekrën e zbardhëlluar, shikonte edhe ai nga deti. Anija ishte krevati! Nga mbrëmja, kur dielli perëndonte, dikush i binte kitarës së tij... Why in the world are we here? Surely not to live in pain and fear... Vapa. Heshtej. Rëra. Pasqyra. Këndohej. Mendohej. Anija ishte një lule! Anija do vij. Anjia s'do vij. Ditë për ditë shikohej nga deti. Deti ishte i kaltër. Deti nuk ishte i kuq. Një ditë prej ditësh pritej të kalonte andej një anjie. Një anjie! Një anije! Anija e Noas! Ishulli. Historia. Miti. Vapa. Heshtej. Rëra. Pasqyra. Mendohej. Anija do vij. Anija s'do vij... Anjia ishte gjaku! Natën plazhi braktisej dhe s'braktisej. Natën ndëgjoheshin valët e detit, RAIUNO dhe RAIDUE. Gjatë ditës luhej me rërën. Vapa. Heshtej. Rëra. Pasqyra. Mendohej. Anija ishte televizioni! ›Dhe ç'do të bëjmë ne, kur të vij anija?‹ Heshtej. Vapa. Rëra. Pasqyra. Mendohej. Shikohej nga e ardhmja. Anija ishte e ardhmja! «Nesër, nesër, nëse anija vjen!» Ata shikonin nga deti. Ditën dhe natën. Ata ndëgjonin zëra nga larg. Mandej ziheshin me fjalë. Ata luanin me rërën. Vapa. Heshtej. Rëra. Pasqyra. Mendohej. Anija do vij. Anija s'do vij. Ata flisnin për sirenat dhe për Odiseun dhe për Xhon Lenonin... Ata këndonin këngë. Ishulli. Anija ishte një krevat! Gruaja fliste. Anija do vij. Burri foli. Anija s'do vij. Gruaja heshtte. Anija do vij. Burri heshtte. Anija nuk do vij. Gruaja fliste. Ajo kishte një fëmijë, një vajzë. Diku në qytet kishte një fëmijë. Ose fëmija i saj luante me rërën. Jo. Ajo nuk kishte fëmijë. Nuk kishte dashur të lindte. Më mirë të mos ishte në këtë botë. Anija ishte fëmija! Meqë gruaja heshtte, nisën të flisnin të tjerët. Ata folën në mënyrë të ngatërruar. Të gjithë përnjëherësh. Vapë. Ishull. Vetmi. Ata folën për ikjen dhe për ditarët e tyre. Anija ishte një ditar! Të gjithë mbanin ditarë. Dhe të gjithë flisnin me veten. Ata pëshpërisnin. Anija ishte një lutje! Mandej ata folën si në kor: «Në mëngjez duhet të veshim dhe të hamë diç. Ditarët duhet t'i veshim dhe t'i hamë. Ditarët e burgut. Ditarët e jetës në paliri. Ditarët mbi det.« Heshtje. Era frynte. Rëra hynte në sy. «Po. Ne i marrim ata. E vetmja gjë që mund të marrim nga ky vend i mallkuar.» Era frynte. Rëra hynte në sy. Zëra. Vapë. Ishull. Vetmi. Anija ishte një syze dielli dhe një kashtore! «Dhe kashtoret, kashtoret të mos i harrojmë...» Ditare dhe kashtore mbi det. Era frynte. Rëra hynte në sy. Qeshje. Qarje. Zëra. «Dhe kashtoret të mos i harrojmë... Bashkë me ditarët të kalojmë detin...» Era frynte. Vapa. Heshtej. Rëra. Pasqyra. Zëra. Hije... Anija ishte një krevat! Një burr puthte një grua. Gruaja i bie në shuplakë. Jo. Ajo nuk i bie. Ajo e shikoi shtrembër. Ajo i bërtiti. «Mos më prek, thiu i ndyrë!...», i tha ajo. Mandej e lëmonte. Jo. Ata nuk putheshin. Ata donin të putheshin. Ata ishin puthur dhe dëgjoheshin ofshama qejfi. Ishull. Vetmi. Uri. Rënje mbi rërë. Vapa. Heshtej. Rëra. Pasqyra. Mendohej. I përkulur mbi trupin e gruas, burri këndonte: I'm looking through you... Where did you go?... I thought I knew you... What did I know?... Anija ishte një krevat! Ata dashuroheshin me pasion. Ata i zhvishnin teshat nga trupi. Vapa. Valët. Vitet e pritjes. Shekulli. Ata u bënë pleq. Të vjetër sa qyteti dhe sa anijet. Një mijë vjet... Dy mijë vjet... Ata luanin me rërën. Anija ishte një ëndërr! Ata e rrëfenin atë... Your lips are moving... I cannot hear...Your voice is soothing, But the words aren't clear... Natën ndiheshin gjinkallat. Era e çonte gjithandej nëpër rrugët e pluhërosura aromën e jodit. Fenerat dukeshin plot trishtim. Frika qarkullonte si era. Heshtej. Frika ishte ndryrë apo dëbuar me dhunë. Dhe njerëzit kishin dhe s'kishin frikë. Pritej. Mendohej. Anija ishte një dhomë e errët me lakuriqë të natës! Anija do vij. Anija s'do vij. Era frynte mbi pasqyë. Një qese najloni shkonte tutje-tëhu. Një qese letra kishte mbetur mbi rërë. Hahej një domate. Pritej me thikë. Mbi letër hidhej kripë. Një bukë. Një gojë. Një thikë. Një vezë. Një copë djathë. Të ngrënët mbi rërë. Era frynte mbi pasqyrë. Qesja e letrës shkonte tutje-tëhu. Qesja e najlonit mbetej mbi rërë. Uji pihej me shishe. Rakia. Vera. Shishja e Coca-Colës. Anija ishte gostia! Vapa. Heshtej. Rëra. Pasqyra. Mendohej. Anija do vij. Anija s'do vij. Stuhi. Ata vijnë nga qytete të tjera. Ata shkelin mbi statujat e diktatorit. Mendej e shajnë Leninin dhe Stalinin. Ata i përdhosin idhujtë. Ata vijnë. Stuhi në afërsi të portit. Shtrëngatë dhe stuhi në verë. Anija është stuhi! Dhe ata vijnë nga udhët anësore. Ata vijnë nga fshatrat. Ata vijnë nga malsia. Gojë më gojë e çojnë tutje një kumt. Nuk binte shi, as bënte shtrëngatë. Ata vijnë pra si stuhia. Anija ishte KUMTI! Era frynte. Një teneqe birre e shtynin valët mbi rërë. Dhe një krahër. Një spec i ngrënë. Dhe një frysë ajri. Një gëzhojë plumbi shtyhej me këmbë. Një shami. Dhe një monedhë... Dhe një Land Rover shkonte si përbindshi mbi rërë. Një pushkë mbahej në duar. Togje të uniformuarish ecnin mbi rërë. Anija ishte një e shtënë! Anija ishte vdekja! RROFTË ANIJA! Vapa. Kujtimi. Deti. Gjaku. Ajëri. Vurata. Valët. Klithma. Zhurma. Etja. Fusha. Keqtrajtimi. Era. Kolektivi. Dielli. Pasqyra. Libri i kuq. Tambëli. Sumbulla e përgjimit. Plazhi. Ne. Ishulli. Ne. Ishulli. Ne. Ishulli parajsë. Shekulli në mbarim. Pema e ullirit. Heshtja. Vapa. Qetësia mashtruese... Copa e pasqyrës mbi rërë. Dielli mplekset aty. Dhe hijet. Dhe oshëtima e detit. Duar e merrnin në duar për t'u kqyrur. Anija është pasqyra!... E unë kush jam afër saj?... Në atë ditë vere, edhe unë ndodhesha në port. Era ledhatonte krahun tim të vetëm dhe deti m'i freskonte këmbët e ndryshkura. Atë ditë shikoja herë nga deti herë nga turma. Dhe ndonëse më vinte keq për ata, më kishte hyrë frika edhe mua. Të ishe njeri nuk ishte e lehtë në atë ditë vere, por edhe vinç të ishe, si kjo puna ime, nuk ishte e lehtë. Armët e të uniformuarve vezullonin në rrezet e diellit. Nga deti frynte. Dallgët. Peshqit. Vapa. Rëra. Pasqyra. Vurata. Heshtja ishte thyer. Anija do vij. Anija s'do vij. Me vite kisha parë vetëm zbrazëtinë trishtuese mbi det. Nuk më merrte as gjumi. Ndonjëherë më shtireshin sirenat. Ndëgjoja zëra dhe melodi magjepse dhe kujtoja se ishin sirenat që më grishnin me magji. Ata kërcenin porsi peshqit në ajër dhe sikur donin të më preknin krahun metalik. ‹Jo, jo, mos provoni me mua. Unë jam sikur Odiseu i mbërthyer keq. E dëgjoj melodinë tuaj të mrekullueshme, por këmbët nuk më bëjnë...› Nga deti vinte zhurma e dallgëve. Peshqit kërcyes dukeshin poashtu. Deti ishte i kaltër. Deti nuk ishte i kuq. Turma ëndërronte anijen. Portat ishin të mbyllura. Rojet ishin shtuar. Mëngjezi kaloi. Vapa. Heshtja ishte thyer. Rëra. Oshëtima e detit. Portat ishin mbyllur. Anija. Ora. Mesdita. Oshëtima. Dielli. Turma. Portat. Shtyrje dhe ndrydhje në turmë. Vapa. Vurata. Vaji. Anija. Portat ishin të hapura. Shekulli. Portat ishin të mbyllura. Në mesditë u ndëgjuan të shtëna... Dikush ra përdhé. Gjaku. Toka. Ndryshku. Portat. Anija. Oshëtima. Damarët e fryrë. Turma gjëmonte. Rëra. Pasqyra. Asfalti. Ngrehinat. Shtyllat me tela. Portat. Muret. Kujtimi. Armët. Të uniformuarit. Oshëtima. Heshtja ishte thyer. ATA E PANË ANIJEN! Vapa. Vezullimë metali. Rëra. Pasqyra. Oshëtima. Anija erdhi. Anija s'erdhi. Vapa. Sharja. Fërshëllima. Dielli. Portat. Oshëtima. Mesdita kaloi. Fytyrat u lanë si në ar. Porta. Dhe kokat dukeshin të lara në ar. Duar, flokë, ëndrra të lara në ar. Vapa. Portat u hapën. Portat s'u hapën. Shtypje. Kalim. Muret. Vezullimë ari dhe armësh. Të shtëna. Kalim. Kalim. Kalim. Anija do niset. Anija s'do niset. Vapë. Përleshje. Vezullim marrëmendës. Të shtëna. Deti. Oshëtimë. Shtyrje. Grushtim. Goditje. Hapje portash. Ngjitje. Sharje. Kacavirrje. Lëshim litarësh. Shkelje gjymtyrësh. Oshëtima. Vezullima e artë. Vapa. Vuratat. Vitet. Zhgënjimi. Tradhëtia. Rendje. Heshtja u thye në fund të shekullit. Ata thirrnin «Liri!... Liri!...» dhe shkulnin e fshinin parullat për parajsën e së kaluarës. Gjendja dukej nga lartësia ime e pa rrokshme. Mësyhej gjithandej. Disa kacavirreshin edhe mbi trupin tim. Ndonjëri më godiste me ndonjë copë hekuri që mbante në dorë, kështu që një eho dhimbjeje dilte prej meje dhe pritja çdo çast me frikë, që dikush të thotë edhe fjalët sharëse që mua më fyenin: «PHË, HEKURISHTE RUSE!». Por me gjasë, ishin njerëz që nuk donin të kujtonin aspak të kaluarën. Prej lartësisë së trupit tim, kërcenin ata në det dhe prej aty, duke notuar, i afroheshin anijes. Disa goditeshin në mënyrë të ndërsjellë, përgjakeshin... Nuk mund ta kapja gjithë rrëmujën. Edhe rreth meje u bë e pamundshme kapja e çdo detaji. Mu bë për disa çaste, se një përleshje ndodhte në këmbën juglindore të trupit tim të hekurt. U mundova të shikoja më me vemendje. Tre policistë kishin rrethuar dy të rinjë dhe i godisnin me shkopinj. Por ata mbanin thika në duar dhe nuk linin njeri t'u afrohej për t'i kapur. Herëpasherë sulmonin edhe ata. Njëri, që kishte flokë të gjata, mbante në dorë edhe një torbë të vogël. Gjatë vazhdimit të përleshjes, djaloshi flokëgjatë lëshoi torbën nga dora dhe u tërhoq, i përcjellur edhe nga shoqëruesi i tij, në drejtim të portës dalëse. Policia u shkoi mbrapa, por të rinjët ishin përzier tashmë me turmën. Dhe aty ishin qindra mijëra njerëz që donin të hipnin në anije. E shikova torbën e lënë me dyshim, por rrëmuja ishte aq e madhe sa e harrova menjëherë, i tërhequr nga lëvizje tjera dinamike. Pa më shkuar kurrë në mendje, se pikërisht ajo torbë e vogël dhe e parëndësishme, do të më rrëzonte përdhé. Vapa. E kaluara. Oshëtima. E ardhmja. Anija. Jeta. Pasqyra. Vdekja. Kacavirrja... Vetëm pasi kishin kaluar disa minuta, ndjeva një shpërthim të fuqishëm. Nuk mund ta mbaja më baraspeshën. Brenda pak sekundave u rrëzova me furi, sa që turmës që ndodhej përfundi nuk i mbeti më kohë të ik, përpos të lëshoj një klithmë tmerri. Forca subverzive deshën ta hidhnin në erë gjithë portin, në rast se ata nuk e arrinin qëllimin e largimit jasht vendit. Pjesët e rënda metalike, që si kafshë karroce të durueshme, për dhjetra vite me radhë, kanë bartur miliona pesha të rënda, u përplasën dhe i shtypën ata. Ndjeja... oh... medet për mua të mjerin... nën hekurat e mia të rënda mishin, eshtrat dhe gjakun e njerëzve! Desha ta shihja detin, por ai nuk ishte më aty! Shihja vetëm një horizont të zbrazët dhe i ndëgjoja dallgët e tij. Edhe tokën nuk e shihja më ashtu si duhet. Edhe atë e shihja nga perspektiva e të hedhurit në erë. Unë vigani i dikurshëm, që tërë jetën kisha jetuar me lartësitë... Tokën e shihja të copëzuar, të afërt dhe të urryer... Në vend të tokës apo detit, unë shihja tashmë gjymtyrë njerëzish, gjakun dhe mishin e tyre dhe rrobat e tyre erëdjerse i ndjeja nën trupin tim të rrëzuar. Goja më ishte mbushur me cifla betoni, të dala nga furia e rënjes sime. Gjoksi kishte zënë përfundi copa pantolonash, fustane, kashtore vere, këpucë fëmijësh dhe diçka si fletore të përgjakura, që dukeshin si fletë ditari, cifla pasqyrash... E gjithë turma u shtang. Rrëzimi do t'u ketë asociuar shtatoren e diktatorit, apo vet vdekjen e tyre. Një pëshpërimë u ndëgjua. Anija ishte një lutje. Anija ishte kishë dhe xhami. Mandej turma lëvizi më me gjallëri. Si pas një lutje të dhimbshme. Ata vazhduan të kacavirreshin nëpër zingjirët dhe litarët e urës hyrëse dhe zbrapseshin nga të tjerë, që për shkak të pamjaftueshmërisë së hapsirës, nuk mund të qëndronin as vet. Shumë syresh binin në ujë, ndërsa ndihej zhurma e motorrit të anijes, ndërsa ajo lëvizte shtatin e saj prej metali të ndryshkur. Kur anija u largua paksa nga porti u ndëgjua sirena e saj. Një herë, dy herë, tri herë... Ishte si zëri i sirenave magjike, nga ato që viteve të humbura më shtireshin natën! Kurr më parë, kurr më parë, edhe nëse këtë dëshirë e kam përsëritur shpesh, kurr më parë se në këtë çast, nuk kam dëshiruar më shumë, pos të jem sirena e asaj anije ikanake. |
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||