Letërsia Shqiptare
Dergoni krijimet tuaja - Email: admin@zemrashqiptare.net
E shtune, 05-07-2008, 11:40pm (GMT) Letersia FAQ RSS Lidhje Harta Kontakt
 
 
::| Fjalekyc:       [Kerkim i Avancuar]  
 
Kategorite  
Ekskluzive
Kritika - Analiza
Libri
Informacione
Intervista
Gjuha Shqipe
Poetët e Zemrës
Autorët A
Autorët B
Autorët Ç
Autorët D DH
Autorët E
Autorët F
Autorët G-GJ
Autorët H
Autorët I
Autorët J
Autorët K
Autorët L-LL
Autorët M
Autorët N
Autorët P
Autorët R
 » Rasim Selmanaj
 » Renis Nushaj
 » Risto Siliqi
 » Radije Hoxha
 » Rexhep Qosja
 » Riat Ajazaj
 » Ridvan Dibra
 » Rifat Kukaj
 » Rita Petro
 » Roland Gjoza
 » Rudina Berdynaj
 » Rudina Madani
 » Rudolf Marku
 » Rrustem Geci
 » Rexhep Kasumaj
 » Rizah Sheqiri
 » Roland Beqiraj
 » Reshat Sahitaj
 » Rezart Palluqi
 » Rami Kamberi
 » Riza Haziri
Autorët S-SH
Autorët T-TH
Autorët V
Autorët XH
Autorët Y
Autorët Z
English
Letërsia Botërore
Zemra Shqiptare
Forumi
Njohje
Galeria
Direktoria
Lojra
Chat
::| Email Lajmerues
Emri:
Email:
 
 
 
Autorët R » Riat Ajazaj
 
Kaoni
E premte, 19-01-2007, 09:42pm (GMT)

Mjegulla shpërndahej ngadalë. Mjegulla zvarrë… Toka mbetej mbrapa. Toka zvarrë… Këmbët shkelnin mbi asfalt. Këmbët zvarrë… Toka mbrapa… Më në fund! Fundi zvarrë… Mendimet… Si të vinte nga Bota e Baltës!... Këmbët… Si të hynte në Botën e Asfaltit!... Këmbët zvarrë… Mendimet zvarrë… Ato i ishin trembur, i ishin arratisur… dhe tani po i vinin prapë dhe si për çudi. Mendimet si vija trupash, mendimet si vijë vazhduese kufiri… ZVARRË… Mendimet dhe mjegulla, mendimet në mjegull dhe në lakim trupash të nderë, trupash të trazuar peshë dhe me deje të fryra… Deje të fryra dhe lakim trupash ndanë… ndanë, ndanë, ndanë dhe zvarrë, zvarrë, zvarrë… dhe dëshira… dëshira, dëshira, dëshira… të formuluara me ngrohtësi gjuhësh të ndryshme, me ftohtësi gjuhësh... Lako… lako… lakoheshin trupat e mbledhur mbi kurriz toke, zgjateshin pafundësisht dhe ankueshëm, djersinin lëndueshëm, rënkonin sa nga kreu sa nga fundi, dhe asesi nuk gjenin prehje dhe qetësim! Lakoheshin gjymtyrët e ndera në pakthim, ditënatë lakoheshin mbi atë kurriz toke me vijë të padukshme kufiri dhe ethshëm shtyheshin tutje, binin dhe ngriheshin, uleshin dhe përkuleshin, rrëzoheshin për t'u ngritur e ringritur përsëri. Trupat në rroba të djersira që nuk rrinin si duhet, që dilnin nga rripat, griseshin, përgjakeshin, humbnin... Lakoheshin trupat me javë, muaj të tërë mbi kurriz toke që merrej si vijë kalimi prej një vendi në tjetrin, prej një bote në tjetrën. Këmbët, supet, belat lakoheshin mbi atë vijë ndarëse. Flokët u rrinin varur trupave të lakuar dhe gojët pa asnjë fjalë. Flokët mbi flokët, këmbët mbi këmbët, supet ndanë supeve DHE duart mbi duart, gjokset mbi gjokset, mishi mbi dhé... Lakoheshin trupat pas një pritjeje të gjatë, pas një rruge të gjatë... Gishtat dhe flokët, hundët dhe tesha, fjalët dhe gojët dhe barqet dhe shalët... DHE duart mbi gurë e këmbët mbi dihatje dhe shpinat mbi bar, bar, bar... DHE fjala gurë, dora gurë, gishtat gurë, flokët gurë, shputat gurë, boshtet gurë, qafët gurë, ballet gurë, sytë gurë, barqet gurë, bythët gurë, veshët gurë, faqet gurë, kokat gurë KUFIRI! Nën qiell të mbyllur. Nën qiell të hapur trupat e lakueshëm... «Eja të nisemi...» Era frynte. «Ah, eja, eja të nisemi më në fund. Eja të nisemi...» Njëri luajti nga vendi. Tjetri luajti nga vendi. «Eja të nisemi...» Tjetri nuk shikonte kurrkund. «Eja të nisemi...» Tjetri fliste nëpër dhëmbë, në mënyrë të atillë sikur të donte të shante dhe mezi e përmbante zemërimin. «Eja të nisemi...» Tjetri e shikonte në dritë të syve. «Nuk mund të nisemi ende, do na zënë.» Tjetri lëshoi një ofshamë. «Eja të nisemi... Eja të nisemi...» Tjetri kapi veshët me duar. E folura i vinte si oshëtimë. «Eja të nisemi...» Tjetri shikoi gurin, sikur të donte t'i merrte leje atij. Ai mëdyshej edhe më. Shikoi edhe qiellin. Era frynte. «Eja të nisemi...» Era frynte. «Unë do të hidhem në lumë», tha tjetri. Era frynte. «Ç´do të thuash me këto fjalë të marra? Atje tej duken ca që maten të kalojnë, kurse ne...», tha njëri dhe mbajti frymën, «eja të nisemi...» Era frynte. «Unë do hidhem në lumë», tha tjetri. «Eja të nisemi...», tha i pari dhe thartoi fytyrën. Tjetri nuk u tund. Njëri iu afrua më afër. Era frynte. I pari filloi të fliste. Nga hundët e tjetrit rrodhi gjak. Nga sytë pulitje. Era frynte. Mandej nisi një shi. Ata ndjenin ftohtë. Dikur, kur ndjenë të ftohtën t'u shkonte në palcë, u ngritën. Gurët mbetën prapa. Gurët që i ngjanin aq shumë një varreze të braktisur. Ata u nisën... u nisën... u nisën... duke kujtuar ndoshta se pas kalimit matanë do të ndryshoheshin... Në një vend u ndalën. Ndodheshin ndanë kufirit. Ata pritën. Ata vazhduan. Mesveti flisnin rrallë. Shoferët ishin më fjalamanë. Ata do të ktheheshin të nesërmen, të pasnesërmen... Ata dëgjonin kaseta me muzikë të hareshme. Ata dëgjonin këngë rapsodësh për heronjtë dhe bëmat heroike. Ndërsa ata mbanin shikimin në brendi. Vetëm ndonjëherë, kur i tërhiqte ndonjë peisazh, dilnin nga brendia e vetvetes. Ata u ndalën. Ata zbritën. Ata pritën. Shoferët duhet të ktheheshin. Të merrnin të tjerë. Ata zbrisnin. Nxirrnin plaçkat nga autobusi. Ata shikonin përreth. Diku aty afër ndodhej ai. E ndjenin. Shoferët do të ktheheshin. Kurse ata u shpërndanë. Diku aty ishte kufiri! I zuri nata. Dita. Nata. Kufiri. Ata pritnin të kalonin. Ata ëndërronin. I zuri nata. Dita. Ata u nisën. Natën. Ata u ulën. Ata u shtrinë. Ata u ngritën. Ata u shpërndanë. Ata ishin shumë… Mjegulla shpërndahej ngadalë. Mjegulla zvarrë… Toka mbetej gjithnjë e më mbrapa. Toka zvarrë… Këmbët shkelnin mbi asfalt. Këmbët zvarrë… Më në fund! Fundi zvarrë… Mendimet… Si të vinte nga Bota e Baltës!... Këmbët… Si të hynte në Botën e Asfaltit!... Këmbët zvarrë… Mendimet zvarrë… Ato i ishin trembur, i ishin arratisur… dhe tani po i vinin prapë. «Në metro, shpejt në metro!», tha njëri. Tjetri e ndoqi nga pas. Ishte ftohtë, ndonëse këmbët i lëviznin më lirshëm. Gjatë kalimit kishte ndjerë shtangie të gjymtyrëve, kurse në botën në të cilën kishte hyrë mund të zbrapsej nga çasti në çast, mund të kthehej andej nga kishte ardhur, nga malet e Çekisë, apo nga fushat... Mendimet i kishin ngecur te mali dhe «ORA E MIRË për kalim», ashtu si kishte thënë çeku që printe… Lako... Lakohe... Lakoheshin... Mali... fillimisht një perde mjegulle, mandej një ferrë, një lis, një hije njeriu... fillimisht një shteg, mandej një gur, një shtëpi apo një rrip asfalti mes peisazhit... fillimisht një shtëpi e vetmuar... fillimisht një fshat... Mendimet i vinin vetëm pas të shikuarit. Ec! Ndal! Ec! Ndal!... Kishte dëgjuar fjalët pëshpëritëse të çekut, për të mos bërë zhurmë dhe për të mbajtur vesh. Sikur t’i hasnin dritat e reflektorëve nga helikopteri, të lehurat e qenve, të shtënat e armëve? Ata kishin shikuar para dhe pas, ishin bërë sy. Dhe sytë e tij kishin parë fillimisht një copë fushë nga xhami i veturës që ishte nisur nga qyteti, mandej një shteg të vështirë dhe të gjatë mali. Mandej ai kishte parë se si këmbët e tij shkelnin mbi barin dhe gurët e shtegut, se si mjegulla i bënte ata të padukshëm, se si para syve shfaqeshin lisat e gjatë dhe të dendur, fëp, fëp, fëp... njëri pas tjetrit, se si këmbët dhe duart ngjiteshin përgjatë një shkrepi të madh dhe të thepisur. Mandej se si ai kishte ndihmuar një barkalec, cili, i lodhur nga pesha dhe frymëmarrja e vështirësuar, nuk mund të ecte dhe ankohej. Edhe një shtëllungë mjegulle, edhe një lis, edhe një ferrë... zëra... mbajtje fryme, ndalje hapash... një lis... një kaçubë... një lis... një kaçubë... një lis... një kaçubë... shkelje mbi gjethe të kalbura dhe gjethe të rëna, shkelje mbi shkarpa dhe degë të thyera... «Po ta kalojmë edhe kepin», kishte shkuar një përshpërimë gojë më gojë deri te ai, «atëherë jemi matanë.» Ai kishte kthyer kryet kot andej nga duhej të ishte maja e ndonjë guri. Në atë mjegull nuk kishte mundur të shquante asgjë. Sidoqoftë ishte trimëruar nga fjalët e thëna. Dhe kishin vazhduar më me forcë... edhe një lis, edhe një rrasë, edhe një kaçubë... dhe ishin ndodhur rrëzë shkrepit të thepisur, përmbi të cilin duhej ecur këmbadorazi. Me t'u ndodhur aty barkalecit i kishte hyrë frika. «Amani, mos më lini të fundit... do të mbetem... do të më zënë...», kishte thënë ai me dihatje të shpeshtuar nga lodhja. Andej nga kreu i kolonës kishin kërkuar me rreptësi që të mos flitej me zë, që të ecej heshturazi. «Ju kam vëllezër, mos më lini vetëm... Tutem se nuk ngjitem përpjetë... Pashë Zotin... Pashë fëmijët që kam lënë në shtëpi!...» Barkalecit i kishte shkuar torba e varur në qafë herë majtas herë djathtas. Frymë kishte marrë me vështirësi duke iu ngjitur shkrepit këmbadoras. Kur e kishin kaluar shkrepin e rrëpirtë dhe të rrëshqitshëm, barkaleci ishte gëzuar por nga lodhja nuk kishte mundur të vazhdonte më tej. «Ju kam vëllezër!», ishte lutur barkaleci me dhembshuri, «mos më lini këtu...!»  Diku në mesin e pyllit, apo në mbarim të tij kishte qenë kufiri. Diku atje tej... Prapa fushës, prapa kodrës, prapa horizontit të nxirë nga nata. Në ato sekonda kishte ndjerë vetëm ecjen e këmbëve mbi gurët dhe gjethet e malit, kishte ndjerë vetëm shkeljen e kufirit. Mendimet i kishin ardhur kur kishte kaluar matanë. Me turr i kishin ardhur ata, si vrushkuj të shpenguar lumenjsh! Dhe ai ishte ndjerë i lumtur, ishte ndjerë i lirshëm... Kurse trupi? Ai kishte qenë i mpirë. Kyçet e këmbëve dhe të krahëve po i liroheshin ngadalë, nofulla i hapej... Këmbët shkelnin gjithnjë e më të sigurta në tokën e huaj. Kurse atij i bëhej sikur toka e huaj po ia duronte ato «shkelje» dhe as po ankohej e as po rënkonte!... «Fikni cigaret...», erdhi një zë nga kreu i kolonës, «gaca duket që larg në natë...» Mandej ai kishte përjetuar mbarimin e pyllit dhe të gjendurit në një lëndinë lugine, prapa së cilës ndodhej një stallë me oborr të vogël përpara, dy vetura në shtëllungë mjegulle, zërin që urdhëronte hipjen dhe mbylljen e mbytur të dyerve, ndezjen e motorëve dhe të fareve që e ndriçonin copë-copë udhën... ‹Ku jemi? Ku jemi?...› Në dorë kishte shtrënguar çantën ku mbante një tufë fotografish dhe një hartë. Në veturë! Në kalim! Po sikur të pëlciste goma? Sa kohë do të duhej për gomën rezervë? Sikur të kapeshin para se të pëlciste goma, mbasi të pëlciste goma?... Kur kishte blerë hartën kishte kujtuar se ato udhë dhe vendbanime që ndodheshin të shënjuara aty ishin të largëta, hapësirë e largët dhe e paarritshme dhe kishte hyrë në një kabinë telefoni dhe kishte zgjedhur një numër të panjohur të vendit ku donte të shkonte. E kishte bërë nga kureshtja. Para se ta zgjidhte numrin e një të njohuri, numrin e Enisit për shembull, kishte zgjedhur një numër të panjohur. Në fillim kishte dëgjuar zërin e gruas nga automati «Kein Anschluss unter dieser Nummer...» mandej kishte zgjedhur përsëri dhe zëri i ishte paraqitur natyrshëm, «... Robert Stein... Frau Stein... Frau Marion Stein Alo... alo... Stein... Stein... Stein....», nga ndonjë zyrë apo nga ndonjë dhomë private. E kishte bërë disa herë këtë lojë ngase kishte dëshirë të ndjente zëra nga vendi ku shkonte, të përftonte një fije jete që do t'i mundësonte atij të krijonte një mendim të përafërt për vendin e huaj. Ai kishte dashur t'i njoftonte ata për ardhjen e tij. Ai kishte dashur thellë në vete të njoftonte fillimisht ata. «Hej, jam nisur! Tashmë jam nisur! Më në fund jam nisur! Zoti Stein... më në fund, Zonja Stein!...» E kishte bërë këtë para së gjithash edhe për t'u larguar paksa nga zhurma e të ikurve, nga prania aq e madhe e tyre në qytetin kufitar. Ata, të gjithë, gra, burra, fëmijë, pleq sikur kishin folur. ‹Unë kam zjarrmi! Unë s’kam zjarrmi! Unë kam fjalë! Unë s’kam fjalë! Unë kam sy! Unë s’kam sy! Unë kam gojë! Unë s’kam gojë! Unë kam dorë! Unë s’kam dorë! Unë kam therje në kyçe! Unë s’kam therrje në kyçe! Unë kam nxehtë! Unë s’kam nxehtë! Unë kam ftohtë! Unë s’kam ftohtë! Unë kam djalë! Unë s’kam djalë! Unë kam vajzë! Unë s’kam vajzë! Unë kam ethe! Unë s’kam ethe! Unë kam uri! Unë s’kam uri! Unë kam etje! Unë s’kam etje! Unë kam para! Unë s’kam para! Unë kam thikë! Unë s’kam thikë. Unë kam revole! Unë s’kam revole! Unë kam uran! Unë s’kam uran! Unë kam lënë fëmijë! Unë s’kam lënë fëmijë! Unë kam frikë! Unë s’kam frikë! Unë kam dhimbje! Unë s’kam dhimbje! Unë kam shpresë! Unë s’kam shpresë! Unë kam flokë të gjata! Unë s’kam flokë të gjata! Unë kam bërë mëkat! Unë s’kam bërë mëkat! Unë kam torbë! Unë s’kam torbë! Unë kam gjak në sy! Unë s’kam gjak në sy! Unë kam plagë në shpirt! Unë s’kam plagë në shpirt! Unë kam dëshirë! Unë s’kam dëshirë! Unë kam mall! Unë s’kam mall! Unë kam urrejtje! Unë s’kam urrejtje! Unë kam folur! Unë s’kam folur! Unë kam nevojë për shfrim! Unë s’kam nevojë për shfrim! Unë kam sy! Unë s’kam sy! Unë kam gjak në duar! Unë s’kam gjak në duar! Unë kam ngarkesë! Unë s’kam ngarkesë! Unë kam gojë! Unë s’kam gojë! Unë kam dorë të thyer! Unë s’kam dorë të thyer! Unë kam durim! Unë s’kam durim! Unë kam uri! Unë s’kam uri…›  E gjitha një pëshpërimë e mbetur në erë… Një e pathënë e marrë me mend, apo një e thënë e dëgjuar keq. Më shumë një lakim i vazhdueshëm trupash nëpër një rrip të ngushtë toke, më shumë një turr, një vrap drejt vetvetes. Dhe trupat lakoheshin plot shpërgim mbi atë copë tokë që mund të merrej si vijë kalimi, dhe krahët hapeshin e mbylleshin saora, në nyje, në kyçe, në muskuj të çjerrë... Në shkallët elektrike kishin hipur njerëz të tjerë dhe nëntoka ishte shfaqur me konturet e saj të ngushta. Automatë të vendosur në vende ku kalonin shpesh njerëz, shtylla të gjera që mbanin mbi supe të gjithë peshën e sipërfaqes dhe trena të nëntokës, që rrëshqisnin si përbindësha të hekurt mbi binarë, zhurma e vajtjeardhje të tyre... Në metro muzikë xhezi. Tingujt e murrmë të xhezit përhapnin një valë ngrohtësie nga muret e metrosë. Flokëgjati fliste por ai nuk e kishte mendjen te fjalët që ai thoshte. Teshat e lagura gjatë përpjekjes për të kaluar e kishin bërë të vetën dhe ai ndjente të dridhura. Një zonjë e parfumuar kalonte përbri. Ajo mbante një cigare të ndezur në dorë. Ata përcollën të ecurën e saj. Hapat e saj mbi platformën e lëmuar. Një tren me ngjyrë të kuqe erdhi me furi. Nuk zgjati shumë dhe erdhi një tjetër me ngjyrë po ashtu të kuqe. Shkallët elektrike ngjiteshin në sipërfaqe dhe zbrisnin sërish nën tokë. Flokëgjati dhe ai përpiqeshin të njoftonin për mbërritjen e tyre. Ishin përpjekur edhe nga qyteti matanë kufirit. Nga një kabinë prej të cilës mund të merrje edhe pa paguar para, po të dije të zgjidhje «një numër të mbrapshtë» dhe të gjatë sa vetë rruga që kishin lënë pas. Një numër, në zbrazëtirën e rrathëve të të cilit mund të fusje gjithë fushën e Kosovës, thatësinë e Maqedonisë, shiun e Bullgarisë, hapësirën e gjelbër të Rumanisë dhe gropat e rrugëve të Hungarisë, valët e Danubit apo erën e fushave çeke. Një numër, të cilit vetëm të ikurit i kishin rënë në fije. Një numri të gjatë me shumë zero. Duhet të provonin disa herë apo me orë të tëra. Të mërzitur dhe të kapitur ishin strukur në një kënd të metrosë dhe shikonin muret e mbushura me grafite. Ishte ndoshta mesnatë dhe tingujt e murrmë të xhezit nuk pushonin së mbuluari grafitet. Ata mund të lexonin fjalë të pakuptimta, emra të huaj. Emrat e të njohurve të tyre nuk i shihnin aty. Ndoshta ngase ata vetëm kanë kaluar atypari, duke u ngutur. Vetëm emra të huaj. Ai i shikonte ata emra. I ngulte sytë mbi ta. Paul... Fritz... Utta... I love you... Atij i bënin përshtypje emrat. Fjalët nuk i kuptonte krejt. Ishte dita e parë e mbërritjes së tij dhe flokëgjati, pas telefonimesh të vazhdueshme, e gjeti njeriun te i cili do të shkonte. Por ai banonte në një qytet të largët, kështuqë atij i mbetej të bënte rrugën me të. Ai duhej të shkonte po ashtu në një qytet ku jetonte një i njohur i tij. Ata shkuan te një automat dhe hodhën monedha hekuri. Që aty nxorën kafe të ngrohta me qumësht dhe sheqer. Mandej dolën në sipërfaqe. Qëndrimi në metro u dukej i guximshëm. Më mirë të dilnin në sipërfaqe. Por edhe atje u ndjenë të pasigurt. Ecnin nëpër hapësirën e stacionit. Në të ecur ndaluan një kalimtar dhe e pyetën për trenin. Ngaqë ngutej kalimtari mezi ndaloi. Ai linte përshtypjen e një të bezdisuri. Kur e përsëritën edhe njëherë pyetjen kalimtari e kishte kuptuar se ç'donin të thoshin. Ai kishte bërë me dorë nga platforma dhe ishte larguar në punë të tij. Ata u nisën... u nisën... u nisën... Ata preknin kokat. Ata preknin gjymtyrët. Flisnin fjalë të gjuhës së tyre, sikur të dyshonin se ato u ishin firuar diku. Si në ëndërr! Natën s’i kishte marrë gjumi. Natën i kishte marrë gjumi. Dhe, edhe pse ndodheshin nën strehë, u dukej sikur ndodheshin në qiellin e hapur. Iu kujtuan muret e dhomës së tij. Nuk dihej ç'mund të ndodhte aty. Ndonjë shndërrim i papritur nga njeri në shpend apo nga njeri në insekt?... Nuk e merrte gjumi. Iu kujtua llampa e çardakut, aty ku nën dritën e saj prindërit e tij bënin kuvendimin e mbrëmjes. Dhe ngaqë ata ishin bestytë, besonin se fluturat që vërtiteshin rreth dritës së llampës ishin shpirtrat e të vdekurve. Në praninë e fluturave edhe toni i bisedës së tyre merrte një ngjyrim përgjërues... Shpirt dhe flutur! Flutur dhe dritë!... Ndërsa njëri nga vëllezërit i shkruate letër të hapur ATIJ. Ai duhej të ishte i çmendur!...

Gjermania… Në dritare shtatet e plepave të rrethuar nga objekte betoni dhe mbishkrimet e stilizuara me neon. Një shi i rrëmbyeshëm fuste vapën brenda. Kalimtarët kërkonin strehët. Ecja e saj binte në sy. Me këmbët e zbathura dhe sandalet në dorë, si të ishte gjëja më e rëndomtë dhe më e parëndësishme në atë mbasdite të vonë! Pika mbi flokë. Një çadër e prishur dhe fletë bliri në trotuar. Rrugica çonte te shtëpitë në kodër. Ata që shpejtonin u iknin pikave të buta të shiut. Pikat pluskuese nuk ngjanin me kokrrat e ullirit dhe nuk merrnin plagë pas ndeshjes me sendet e forta tokësore. Ata vraponin dhe i hapnin çadrat sikur të donin të mos u prishej grimi i ditës dhe sikur të kishin frikë se uji do të shplante gjurmët e parfumeve nga lëkura dhe teshat, apo sikur të kishin frikë mos rëndoheshin nga pesha e pikave ashtu si fletët e blireve që bëhen edhe më të gjelbra... Kurse gruaja... nuk ndalej dot as prej shiut të tillë! Në çastin kur kishte menduar këtë gjë, i zgjatur në dritare, si nga inati për të bërë të kundërtën, ajo ishte ndalur në mesin e rrugicës që të çonte në kodër dhe si të dëshironte të ndërronte renë me të cilën kishte fluturuar deri në atë çast, kishte ngritur krahët lart. Nga flokët pikat i humbnin diku thellë në qafë. ‹O zot, ç'bukuri!›, sikur kishte ndjerë një përshpërimë së brendshmi. Ata që kishin arritur strehën e terur, u ishin afruar dritareve dhe shikonin pikat pluskuese, të cilat nuk ishin sa kokrrat e ullirit dhe që nuk merrnin plagë kur binin mbi trupin e gruas këmbëzbathur, që ngjitej vetmuar rrugicës. Ajo tërhiqte shikimet e tyre. Atyre s'kishte si t'u shpëtonte ajo flokëlagur me fustan të ngjitur pas trupit dhe me hapin e lehtë mbi gurë. UJËQIELLI mbi këmbëzbathurën që e shijonte atë shfrim të beftë dhe që nuk ndjehej e zënë në befasi. Ajo dukej e papërlyer nga balta (gurë të gdhendur i rëndonin baltës), megjithatë dukej sikur trupi po i lehtësohej nga kushedi çfarë mëkatesh, apo nga mbeturina fajnimesh të padëshiruara që e rëndonin në shpirt. Ajo, si të donte të mbrohej nga një rrënim i brendshëm, hapte krahët dhe mundohej të ruante njëfarë baraspeshe, sikur një ndalje në mes, ngecje, të nënkuptonte rënien e disa flamujve, disa pasthirrmave dhe të shumë zanoreve të pashkronjëta, por të tingullta dhe melodioze, sikur ta kishte frikë shfaqjen e disa rrathëve me zbrazëtira të shkreta të një vetmie të lashtë, që ndoshta datonte që para krijimit të jetës nga HYU dhe që do të ketë qenë e tmerrshme, më e tmerrshme edhe se vetë zbrazësia. Ajo sikur e dinte se rrënimi nënkuptonte kthimin e së keqes në qënien e saj, ndaj edhe i hapte krahët nga lart, ndaj edhe rrotullohej me sandalet në dorë, mbyllte sytë për të ndjerë rënien e rehatshme të pikave që s´ishin sa kokrrat e ullirit dhe që humbnin në qafën e saj (ah në qafën e saj të etur për pika). Mbi gurë, mbi gurë  mbretëronte hapi i saj. Në trup sikur i valonin flamujt ngadhnjyes që i shëmbëllenin aq shumë fustanit të ngjitur pas trupit (me këtë ngiste kureshtjen e atyre që e kundronin nga lart), dhe shikimi i saj i lagur, u drejtohej natyrshëm syve të epshëm të botës, ndoshta edhe qyteteve të strukura me frymëmarrje të gjelbër, kontinenteve të tëra me ngrehinat dhe kasollet e tyre të ulta, me lëkurat e larmishme dhe magjepsëse, me perëndimet dhe lindjet e dhembshme, me sipërfaqet e dallgëzuara oqeanike që lageshin e lageshin në shi…


Lexo/Shkruaj Komente (0)        Printo        Dergoje        Top


Other Articles:
Anija (19-01-2007)
fantazi 7 (19-01-2007)
duke më kërkuar shiu (19-01-2007)
takimi i fundit në bordel (19-01-2007)
përshpërimat e mureve (19-01-2007)
te katedralja (19-01-2007)
ëndërr për hijen e murit kinez (19-01-2007)
ajme ditëve me erë (19-01-2007)
kurtha e natës (19-01-2007)
këmbanat e mbrëmjes (19-01-2007)
INTERMECO (19-01-2007)
SYPRINË E FJETUR (19-01-2007)
LULET E KREVATIT (19-01-2007)
ÇADRA E BARDHË (19-01-2007)
ZANI I ZOGUT (19-01-2007)
NJË COPË KUJTIMI NGA FËMIJËRIA (19-01-2007)
ÇAST (19-01-2007)
KULLA E HÖLDERLINIT (19-01-2007)
PRIZRENI NATËN (19-01-2007)
BUZË DRINIT (19-01-2007)
AI DHE AJO (19-01-2007)



 
::| Krijimet e Fundit

 
SOSO NEWS EXPRESS
[Krye]