Dhjete Parabola - 1
E marte, 19-06-2007, 09:56pm (GMT)
URIA E ERISIKTONIT
Erisiktoni bredh krejt i vetmuar viseve të shkreta të Egobokës, duke provuar në çdo hap mallkimin e tmerrshëm të Dhemetrës; dënimi i saj ka qenë mizor: uri e përjetshme për fajtorin. Hyjnesha e nderuar dhe e respektuar prej të gjithëve, kësaj radhe nuk ka toleruar aspak: për disa drurë të prerë në Pyllin e Shenjtë (ripërtëritja e të cilëve nuk vonon dhe aq) ka vendosur të hakmerret barbarisht. "Me siguri, një vendim të tillë e ka marrë për t’më bërë shembull tek të tjerët", tha Erisiktoni dhe u shemb përdhй pa ndjenja. Vesa e mbrëmjes e solli në vete. Ndjeu një gërryerje të tmerrshme në stomak dhe me vështirësi, si mbështeti më parë bërrylet në tokë, hodhi vështrimin përreth: vetëm gurë dhe djerrinë, asnjë bimë a gjallesë çfarëdo me të cilat mund ta zbuste sadopak urinë. Ajo ishte bërë bishë që kafshonte papushim diku brenda tij. Dhe pak e kishte për të ardhur fundi. Provoi të ngrihej e të nisej për diku, por u ndie i pamundur: as edhe një hap nuk mund të hidhte pa futur diçka në gojë. As dhè nuk kishte aty pranë; vetëm shkëmbinj të verdhë e që, për më tepër, çlironin një nxehtësi të padurueshme. Vendosi ta priste fundin aty. Nuk kishte kurrfarë dëshire të vepronte. Edhe prindërit që e kishin braktisur nuk i urrente në këto çaste. E justifikonte veprimin e të dyve. Ata qenë përpjekur me të gjitha mënyrat ta ngopnin me bukë birin e tyre, por s’ia kishin arritur. E kishin braktisur vetëm atëherë kur qenë shterruar hambarët dhe kur vetë qenë futur deri në fyt në borxhe. Nuk duheshin fajësuar aspak ata. Fajtore për gjithçka ishte Dhemetra. "Dhe ka fytyrë e predikon pjellorinë. Dhe hiqet si mbrojtëse e familjes. Hipokritja!", tha Erisiktoni dhe me mundim pështyu mbi shkëmbin ku qe shtrirë. Pështyma avulloi në çast. Mbi shkëmb mbeti një njollë e bardhë, e vogël. Kishte rënë mbrëmja. E rëndë dhe e zezë si masë zifti. Hëna dukej si dhelpër e zënë në çark. Erisiktoni u kthye në brinjë. Nuk ndihej keq. Domethënë po mësohej me nxehtësinë që çlironte shkëmbi dhe me bishën brenda vetes. Bile tani arsyetonte më kthjellët se kurrë. Domethënë se fundin e kishte krejt pranë. "Edhe Dhemetra nuk ka faj", tha Erisiktoni me vete. "Me siguri, vendimin për dënimin tim mizor duhet ta ketë marrë në një periudhë tepër kritike për të. Ndoshta gjatë atyre nëntë ditëve të tmerrshme kur e hidhëruar deri në prag të çmendurisë, kërkonte Persefonin, vajzën e grabitur. Ose ditën e dhjetë, kur mësoi nga Heliosi se të bijën ia kishte vjedhur Hadi. Ndoshta më pas kur la Olimpin dhe e maskuar si plakë shëmtaraqe brodhi nëpër botë. Ose në vitin kur u realizua zgjidhja oportuniste e Zeusit, sipas së cilës duhej të kalonte dy të tretat e vitit me të ëmën, kurse pjesën tjetër nën tokë, me Hadin. Por, ndoshta, edhe më vonë, atëherë kur hoqi maskën prej plake dhe u rikthye në Olimp". Erisiktoni, për herë të parë gjatë gjithë ditëve të tmerrshme të dënimit, mori frymë i lehtësuar: më në fund e zbuloi shkaktarin e vërtetë të vuajtjeve të tija. Ai vetë ishte shkaktar për gjithçka. Ai dhe vetëm ai. Askush tjetër jashtë tij. Të tjerët, me pak dëshirë e vullnet, justifikoheshin. Prindërit. Miqtë. Hyjnitë. Krejt të pafajshëm ishin. Nata qe bërë më e zezë se kurrë. Hëna kishte këputur gjymtyrën e zënë dhe qe çliruar nga çarku. Erisiktoni tani nuk ndihet i uritur. Domethënë është koha të mendojë më seriozisht se kurrë për t’u ushqyer. Në çast u kujtua për gjymtyrët e veta. Mund ta shtynte ndonjë ditë me to. Më e arsyeshme do të ishte ta fillonte me duart. Më pas do t’u vinte radha këmbëve. Zgjati dorën e majtë dhe e afroi pranë gojës, por sa u bë gati ta kafshonte diku sipër bërrylit, u kujtua se ishte mëngjarash. Largoi dorën e majtë dhe afroi pranë gojës të djathtën. I mjeri Erisikton! Shpreson të hakmerret një ditë. Domethënë se ende nuk e ka zbuluar shkaktarin e vërtetë të mallkimit të vet.
|