Letërsia Shqiptare

Dhjete Parabola - 2
E marte, 19-06-2007, 09:57pm (GMT)

2. ME GURIN E PARË

Nga kampi i Filistejve u shkëput një burrë trupmadh, duke lënë pak hapa përpara shqyrtarin e tij. Ishte Goliathi. Qe armatosur deri në dhëmbë: ishte veshur me parzmore të rëndë, në kokë kishte vënë një helmetë të bronztë (vetëm sytë e ndezur dalloheshin përmes saj), kurse mbi sup mbante heshtën e gjatë prej hekuri. Tamam aty ku fillonte lugina Goliathi u ndal, duke shijuar deri në dehje shtangien dhe hutimin e armikut përballë. Ndenji ashtu për disa çaste, mandej thirri me sa zë që kishte:
- Zgjidhni një burrë që të dalë kundër meje!
Nga kampi i Izraelitëve, vendosur në malin përballë, nuk u dëgjua asnjë zë. Goliathi mori zemër dhe vazhdoi:
- Zgjidhni një burrë, thashë! Nëse do të jetë në gjendje të luftojë me mua dhe të më vrasë, ne do të jemi shërbëtorët tuaj; por nëse dal unë fitues dhe e vras, atëherë ju do të jeni shërbëtorët tanë dhe do të na shërbeni.
Në kampin e Izrealitëve nuk dëgjohej as miza. Goliathi qeshi me ligësi (askush s’ia dalloi buzëqeshjen) dhe shtoi:
- Unë sot po ju sfidoj: nxirrni një burrë që të matet me mua!
Asnjëri prej ushtarëve të Izraelit nuk guxoi të përgjigjet. Të gjithë rrinin të shtangur dhe dridheshin nga frika. Thua se në kampin e Izraelitëve sapo kishte kaluar murtaja. Dhe kjo gjëndje vazhdoi jo pak por dyzet ditë me radhë. Për çdo mëngjes dhe mbrëmje Goliathi dilte përpara dhe përsëriste kërcënimin e tij. Gjithnjë e me zë më të lartë. Gjithnjë e më fodull. Tashmë emrin e tij e dinin edhe fëmijët dhe ai qe bërë tmerri i tërë Izraelit. Kështu për dyzet ditë e dyzet netë me radhë.
Tamam në ditën e dyzetë kërcënimin e Goliathit e dëgjoi edhe Davidi, më i vogli ndër bijtë e Isait dhe shqyrtari besnik i mbretit Saul. Për hir të së vërtetës duhet thënë se Davidi u ndodh krejt rastësisht aty: kishte ardhur për t’u sjellë bukë dhe djathë të njomë vëllezërve të tij Izraelitë. (Kur vëllezërit e tij dridheshin nga frika e tmerri para Goliathit të tmerrshëm, Davidi kulloste qetësisht kopenë e të atit në Betlem). Po për hir të së vërtetës duhet shtuar se kurrfarë parandjenje nuk kishte pasur kur qe nisur për aty. Deri kur dëgjoi kërcënimin e përsëritur të Goliathit.
Tamam atëherë gjoksi sa s’iu ça prej një shungëllime të brendshme që kurrë s’e mori vesh se nga i erdhi (poshtë prej Dheut a sipër prej Qiellit?), dhe në çast mori vendimin që gjithkujt iu duk aventuresk dhe i çmendur (ende ishte djalosh dhe i pasprovuar ndër luftra): të dilte i vetëm në fushën e betejës dhe të përballej me Goliathin. Edhe kundërshtimet e vendosura të mbretit Saul, Davidi nuk i mori parasysh, duke thënë se "kishte bekimin e Zotit". (Kurse mospranimin e heqjen e armatimeve që ia dha dhe ia veshi vetë mbreti, i justifikoi duke thënë se "nuk qe mësuar dhe nuk mund të ecte me këtë veshje të rëndë").
Dihet ajo që ndodhi më pas: duke u mbështetur mbi shkop Davidi shkoi në përrua dhe, si zgjodhi pesë gurë të lëmuar që i futi menjëherë në torbën e tij prej bariu, i doli Goliathit përballë. Pasi u shanë e fyen rëndë njëri - tjetrin, siç dhe u ka hije heronjëve ("Mos jam qen që po del kundër meje me shkop në dorë? Eja këtu, dhe unë do t’ia jap mishin tënd shpendëve të qiellit e kafshëve të fushave", pat thënë Filisteu; ndërkohë që Izraeliti qe përgjigjur: "Ti po më vjen me shpatë e me shtizë, kurse unë po të dal në emër të Zotit, sepse përfundimi i betejës varet nga Ai"); si replikuan pra gjatë njëri me tjetrin, Davidi futi dorën në torbën ku kishte gurët, nxori të parin që i zuri dora dhe me të e goditi fort në ballë Goliathin, që u rrëzua sakaq për tokë, si të ishte foshnjë djepi e jo përbindësh që kishte tmerruar për mëse një muaj mbarë Izraelin. Më pas gjithçka qe më e lehtë dhe më e thjeshtë për Davidin: iu afrua me të shpejtë kundërshtarit, ia hoqi shpatën nga dora dhe me të ia ndau kokën nga trupi.
Këto dihen prej të gjithëve. Por askush s’mund të mburret se e ka dëgjuar Davidin kur, i hequr mënjanë turmës që ulërinte e brohoriste për fitoren dhe lavdinë e tij, i foli vetëm vetes dhe aspak të tjerëve:
"Kur gjithçka qe kaq e thjeshtë dhe e lehtë, pse më porosite të marr pesë gurë dhe jo vetëm një, Zoti im?"



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.