Dhjete Parabola - 3
E marte, 19-06-2007, 09:59pm (GMT)
3. MIZAT
Atlantin tashmë nuk e shqetësojnë dhe aq qiejt që mban mbi shpinë: shpatullat i janë regjur nga pesha e llahtarshme, siç i janë regjur edhe durimi e vullneti. Aq e vërtetë është kjo, saqë ai ka kohë që nuk bën më kurrfarë përpjekjeje për t’u çliruar nga barra e rëndë, duke e konsideruar përfundimisht atë si fatin e tij të paracaktuar. (Kurse thashethemet e përhapura e që rrëfenin se Atlanti ia paska lënë barrën e rëndë për pak kohë Heraklitit, ishin thjesht trillime dashakeqëse, të cilave ai pak ose aspak ua vinte veshin). Mizat! Mizat, po. Ato ishin tmerri i vërtetë për Atlantin. Ashtu të vockla e të shumta në numër, ato ishin krejt të paparashikueshme në sulmet e tyre, duke e bezdisur jo pak Atalantin e gjorë, i cili kurrë s’e pati tamam të qartë se çfarë synonin në të vërtetë ato krijesa të neveritshme me sulmet e tyre: ta pickonin apo thjesht ta gudulisnin, që ai t’i humbiste të gjitha ekuilibret dhe, mandej, të rrëzohej e të shëmbej me gjithë ngarkesën e rëndë që mbante mbi shpatulla. Prandaj dhe Atlanti ëndërronte që t’i kishte të lira (qoftë edhe një herë të vetme!) shpatullat dhe duart: për të marrë hak ndaj mizave.
|