4. KREUSA DHE DILEMAT E ENEUT
Afërdita iu shfaq Eneut krejt papritur (nuk ishte tamam prani fizike, por as fantazëm jo) dhe i pëshpëriti në vesh që të largohej sa më parë, se përndryshe kishte për ta pësuar keq. Troja kishte rënë përfundimisht në duart e grekëve, të cilët digjnin, dhunonin e plaçkisnin gjithçka. Eneu ngurroi për pak çaste, por shpejt e kuptoi se po të rrinte aty, edhe ai me gjithë familjen do të bëheshin prehë e atij dhunimi mizor. Vendosi menjëherë që edhe kësaj radhe t’i bindej këshillës së nënës (më shumë se këshillë, kishte qenë urdhër), ashtu siç kishte bërë dhe në të gjitha rastet e tjera. Pranë kishte babain, Ankizin; djalin, Askanjin; dhe pak më tej të shoqen, Kreusën. Të tre, vështirë se do të mund të dilnin jashtë qytetit pa ndihmën e tij.
"Shpejt, nxito! Çdo çast i humbur mund të të kushtojë shtrenjtë", tha Afërdita dhe u zhduk s’diseku menjëherë, po aq rrufeshëm siç edhe ishte shfaqur. Eneu ndoqi me shikim fjollën e dritës që e ëma la pas (i bindur se për kaq pak kohë të humbur - nëse mund të quheshin të tillë ato dy - tri çaste - nëna Afërditë nuk do ta qortonte) dhe mblodhi rreth vetes të tijtë. Ankizi dukej më i tremburi dhe më i lodhuri. Thua se brenda një nate qe plakur dhjetë vjet njëherësh. Gjestet i kishte të ngathta, kurse shikimet lutëse. Asgjë prej princi nuk kishte mbetur tek ai. Eneu ndjeu MËSHIRË për të atin. Askanji qe bërë i tëri sy e veshë. Nuk parandiente kurrfarë rreziku. Veçse dëshironte të shihte e të përjetonte gjithçka që po ngjiste rreth tij. I dukej se ndodhej në ndonjëren prej atyre shfaqjeve të zhurmëshme, ku i ati e kishte çuar shpesh. Eneu ndjeu DHIMBSURI për të birin. Kreusa ishte më e përhumbur se kurrë. Thua se rastësisht ndodhej aty. Qe mbështjellë e tëra me një vel të padepërtueshëm indiference e mospërfilljeje. Dukej e painteresuar për gjithçka që po ndodhte përreth. Megjithatë, përsëri ishte shumë e bukur. Eneu ndjeu DASHURI për të shoqen.
Një tra gjysmë i djegur u shkëput që sipër dhe ra me zhurmë mu para këmbëve të Eneut, duke i kujtuar se rreziku po afrohej gjithnjë e më shumë. Nuk kishte më kohë për të humbur. Duhej të vepronte. Të mirrte të tijtë dhe të largohej. Për dore do t’i mirrte. Me njëren dorë djalin, me tjetrën gruan. Po babain? Atëherë me njëren dorë babain dhe me tjetrën djalin. Po gruan? Po sikur me njëren dorë të mirrte babain dhe me tjetrën gruan? Po djalin?
Në djall të gjithë, tha Eneu me vete, nuk kam tri duar por vetëm dy. Mandej pështyu mbi traun që digjej me zhurmë mu para këmbëve të tija. Pështyma avulloi në çast. Eneu ndihej bosh përbrenda, krejt i paaftë për të marrë një vendim. Zallmahia përreth kishte arritur kulmin: grahma, rënkime, vaje, ulërima. Papritur Eneut i feksi një ide: po sikur ta mbante në shpinë, mbi shpatulla, njërin prej të tijëve? Për dy të tjerët, mandej, do ta kishte krejt të lehtë. Në secilën dorë njërin prej tyre.
"Mrekulli! Eureka!", thirri Eneu me zë të lartë. Ankizi i hodhi të birit një shikim plot shpresë e përulësi. Askanji rrahu shuplakat, siç bënte përherë në përfundim të shfaqjeve. Kreusa as që që ia hodhi sytë të shoqit.
"Njëri prej jush do të hipë mbi shpatullat e mia", tha Eneu dhe u ul në gjunjë. Ankizi bëri një hap para. Askanji bëri një hap prapa për të ndjekur më mirë një dyluftim që po zhvillohej pak më tej. Kreusa ndenji në vend.
"Hë pra, kush do të hipë në shpinën time?", pyeti Eneu me padurim: një shigjetë i kishte fërshëllyer mu pranë veshit të majtë. Ankizi bëri edhe një hap tjetër përpara. Askanji u largua edhe më, për të qenë sa më pranë dyluftimit. Kreusa përsëri nuk lëvizi.
Djalli ju marrtë të gjithëve, tha Eneu me vete, ndërsa vazhdonte të rrinte në gjunjë. Babai duhet marrë mbi shpinë. E meriton. Eshtë më plaku, më i tremburi dhe më i lodhuri. Por jo vetëm kaq. Ai më ka rritur dhe më ka dashur. Thua vërtet më ka dashur aq shumë sa kujtoj? Mos duhet ta harroj se ime ëmë, Afërdita, ka qenë gjithçka për të? Ndoshta në shërbim të kësaj dashurie ka qenë edhe dashuria e tij për mua. Por, sidoqoftë, ai është im atë dhe duhet nderuar. Mandej, ç’kishin për të thënë të tjerët nëse do të mbaja mbi shpinë djalin apo gruan, teksa babain për dore? Kishin për të më sharë e për të më përbuzur të gjithë. La babain në këmbë, kurse gruan e mori mbi shpinë, kishin për të thënë. Nuk do të kem fytyrë t’u dal njerëzve përpara.
"Hajde, baba, hip!", tha Eneu me zë të butë. Ankizi hodhi me mundim njëren këmbë në qafën e të birit, mandej edhe tjetrën. Eneu u ngrit në këmbë. Ankizi për pak u rrëzua. Dridhej i tëri. Me zë të mekur tha:
"Më ruaj, biri im!"
"Mbaju, baba! Mbaju fort pas qafës sime", tha Eneu.
"Nuk mundem, biri im. Jam plak. Jam i lodhur. Kam nevojë të më mbash edhe ti. Me njërën dorë, të paktën".
"E pamundur, baba. Duart duhet t’i kem të lira. Kam për të mbajtur edhe djalin, edhe gruan".
"Po unë jam babai yt, biri im. Të kam bërë kokën, të kam rritur".
"Prandaj dhe po të mbaj mbi shpinë, baba".
"Duhet të më japësh edhe dorën!"
"Duart më duhen..."
"...duhet..."
Një teh shpate vetëtiu mu para syve të tyre. Eneu u shmang në kohë. Ankizi aty sipër dridhej si thupura. Eneu ngriti lart dorën e djathtë dhe përfshiu belin e hollë të të atit. Me dorën e majtë afroi pranë vetes Askanjin. Kurse Kreusës, pa guxuar ta shohë në sy, i tha:
"Ti na ndiq pas. Rri sa më pranë që të mos humbasësh".
Dhe Eneu me të tijtë u nis.
Kur u ndodh larg Trojës së shkrumbosur, domethënë larg rrezikut, dhe pasi kërkoi e thirri për mjaft kohë, e kuptoi se ajo së cilës i ishte trembur aq shumë kishte ndodhur: Kreusën e kishte humbur.
Atëherë Eneu u ul në breg të detit dhe para syve të çmeritur të të atit, për herë të parë në jetën e tij, qau si fëmijë.
"Nuk ia vlen të bësh kështu për një femër", tha Ankizi. "Bota është e mbushur me to".
"Por jo me Kreusa", u përgjigj Eneu mes dënesjeve.
Ndërsa Askanji ndiqte i mrekulluar një çift delfinësh që lodronin përmbi ujëra.