Letërsia Shqiptare

Dhjete Parabola - 5
E marte, 19-06-2007, 10:01pm (GMT)

5. PROTESILAU

Me dhjetra qenë anijet që prisnin brigjeve të Trojës.
Mbi to me qindra e mijëra luftëtarë,
Ushtarë të zgjedhur,
Komandantë e prijësa të sprovuar,
Mbretër të velur nga aventurat,
Heronjë që gëzonin mbështetje hyjnishë.

Por bregut i druheshin njëlloj të gjithë!

(Se Orakulli qartë e kishte parathënë:
"I pari grek që do shkelë tokën trojane
Do të vritet menjëherë, pa asnjë dyshim").

Atëherë doli Protesilau prej Tesalie
(Askush s’e kishte vënë në listën e heronjëve)
"Zbres unë", tha ai, duke ia fshirë lotët gruas, Laodaminës së bukur.
"Gjithmonë dhe në gjithçka dikush duhet të jetë i pari".

Me të shkelur në tokë, Protesilaun e priste vdekja.
Kurse të tjerët, më pas, lavdia.



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.