Letërsia Shqiptare

Dhjete Parabola - 6
E marte, 19-06-2007, 10:02pm (GMT)

6. VËLLA ME CENTAURËT

Megjithëse vëlla me Centaurët, Kironi nuk ndihet aspak mirë mes tyre thjesht për faktin se vëllezërit e tij, bij të babait Eksion dhe të nënës Nefelë, s'dinë (ose nuk duan?) t’i fshehin sadopak pasionet e egra e të papërmbajtura, pasione që i shfaqin orë e çast dhe me këdo. Në të vërtetë, deri para pak kohësh ai qe ndier si krejt i barabartë mes vëllezërve të vet; kishte vrarë e prerë si ta, kishte kurvëruar e përdhunuar si ta, qe dehur e zdërhallur mejhaneve me ta, pa provuar kurrfarë tronditjesh brenda vetes apo dëshirë për t’u vënë një cipë sado të hollë fshehtësie veprimeve e sjelljeve të veta. Por ditën që kishte filluar të mësonte shkrim e këndim, pikërisht atë ditë, Kironi kishte kuptuar se ndryshonte prej vëllezërve të tij analfabetë. Ky ndryshim, me siguri, duhej të kishte qenë që në lindje, por ai vetëm atë ditë e kishte vënë re për herë të parë.
Tashti Kironi nuk ndihet aspak mirë mes vëllezërve: sa më shumë që mëson të shkruajë e të lexojë, aq më shumë ndryshime vëren mes vetes së tij dhe atyre. Në rrethana të tilla, ai ka filluar të qëndrojë i vetmuar kohën më të madhe, megjithëse mbrëmjeve kur është i detyruar të mblidhet me vëllezërit e tij në shtëpi, talljet dhe fyerjet e tyre e mundojnë jo pak. Edhe një përpjekje që Kironi bëri para pak kohësh për t’u afruar me disa të afërm të largët të cilët, gjithashtu, kishin mësuar shkrim e këndim, dështoi sapo ata zbuluan pjesën prej kali tek kushëriri i tyre.
Tashti Kironi nuk ndihet aspak keq i vetëm me librat e tij. Edhe kur ndonjëherë në të rrallë del për shetي shtigjeve të Tesalisë, gjithmonë i vetëm është. Kurrë s’e panë të shoqëruar me ndokënd. Ashtu siç nuk e panë kurrë pa pelerinën e bardhë e të madhe, që ia mbulonte plotësisht pjesën prej kali. Edhe ftesave të shumta e të vazhdueshme të vëllezërve të tij për pjesëmarrje në dasma e në orgji, ai s’u përgjigjej më, pa e vrarë mendjen se ata, ndonjë ditë, me të drejtë, mund ta përzënë edhe nga shtëpia.
Deri një ditë kur në shtëpinë e tyre erdhi një ftesë që lajmëronte martesën e Piritonit, mbretit të lapitëve, me Hipodaminë, vajzën e mbretit të Elidës. Si përherë në raste të tilla, Kironi u bë gati ta kundërshtojë prerazi ftesën për pjesëmarrjen e tij në dasëm, por ndërroi mendje në çastin e fundit, sapo u kujtua për bukurinë e rrallë të Hipodamisë. Për habinë e madhe të vëllezërve, ai kësaj radhe pranoi; ashtu siç i duroi pa hapur gojë talljet e fyerjet e tyre, teksa lidhte në mes të trupit pelerinën e bardhë.
Dasma shkoi ashtu siç e kishte parashikuar Kironi: diku nga mesi i festës kur gazi e shendi kishin arritur kulmin dhe dasmorët qenë ndezur të gjithë nga pija, Centaurët deshën të rrëmbenin nusen e bukur dhe t’i përdhunonin gratë e pranishme. Atëherë ndërhynë Herakliti me Tezeun, që vranë shumicën e Centaurve. Kironi shpëtoi falë pelerinës së bardhë e të madhe që i mbulonte pjesën prej kali.
Këto dihen prej të gjithëve. Por është edhe një episod i vockël, të cilin e dinë vetëm dy vetë: Kironi dhe Hipodamia. Me të filluar sherri, duke përfituar nga rrëmuja e përgjithshme, ata të dy qenë tërhequr në njëren prej kthinave të shumta të pallatit dhe kishin bërë dashuri.
Thuhet se ishin marrë vesh me të filluar dasma: Hipodamia kishte pulitur sytë e bukur, kurse Kironi kishte ngritur paksa pelerinën e bardhë.



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.