|
|
|
Dhjete Parabola - 7
E marte, 19-06-2007, 10:03pm (GMT)
7. PLAGA E FILOKTETIT
Nuk ishte i vetmi Filokteti që çmendej pas Helenës së magjishme dhe që ëndërronte të martohej një ditë me të. Një ushtri bëhej me ata që e kishin synim dhe ëndërr. Ushtri që kishte nisur marshimin drejt Trojës. Por Filokteti e mbante veten si më të privilegjuarin e të gjithë pretenduesve thjesht për faktin se zotëronte harkun dhe shigjetat e helmatisura të Heraklitit, armë të cilat Heroi ia kishte falur pak para se t’i mbyllte sytë. Gjatë gjithë rrugës për në Trojë ai kishte përkëdhelur me duar e me shikime harkun dhe shigjetat e tmerrshme, pa i vënë re vështrimet ziliqare të shokëve. As nga supi nuk e hoqi harkun gjatë gjithë rrugës. Përveçse në ishullin e Lemnosit kur e kafshoi ai gjarpër i mallkuar. Në fillim qeshi dhe u tall me plagën e vogël ngjyrë vjollcë. Plaga që i kishte hapur në shpirt Helena e bukur zbehte çdo plagë tjetër. Aq më tepër një pickim gjarpri. Por me kalimin e ditëve Filokteti filloi të shqetësohej. Jo aq për faktin se plaga nuk po mbyllej, sesa nga duhma e rëndë dhe e keqe që ajo filloi të lëshonte. Atëherë porositi jo më ilaçe, por bimë e lëngje të ndryshëm aromatikë. Nga të katër anët e Ishullit vinin erëzat e llojllojshme të porositura nga Filokteti. Por më kot. Plaga qelbej gjithnjë e më shumë. Deri një ditë kur era e saj e rëndë u bë e padurueshme për të gjithë. Atëherë shokët filluan ta braktisin Filoktetin dhe të largohen nga ishulli Lemnos. Gjenin lloj - lloj arsyesh e shkaqesh. Një nga një. Të gjithë. Asnjëri nuk përmendi plagën dhe erën e padurueshme që dilte prej saj. Deri një ditë kur Filokteti mbeti krejt vetëm. I vetëm me plagën e tij. Në dy - tre vitet e para nuk e pati aspak të lehtë. Përkundrazi: qenë vitet më të vështira të jetës së tij. Duhma e plagës bëhej gjithnjë e më e rëndë, aqsa edhe gjumi trembej prej saj. Kurse vetmia, jo rrallëherë, i rëndonte dhe i dhëmbte edhe më fort se plaga. Disa herë qe përpjekur të mësonte se ç’bëhej me shokët e tij atje larg, pranë mureve të Trojës, por e kishte pasur të pamundur: të gjithë i largoheshin Filoktetit porsi mordjes. Jo pak herë kishte dashur t’i jepte fund jetës (deti poshtë shkëmbinjve të Lemnosit premtonte një vdekje të shpejtë e të sigurt), por nuk kishte guxuar. Aty nga fillimi i vitit të pestë nisi të mësohej. Edhe me plagën që qelbej erë të rëndë. Edhe me vetminë. "Ky paskësh qenë fati im", i tha vetes disa herë me radhë. Porse ideja e vetëvrasjes i shfaqej përsëri, sidomos muzgjeve pa hënë, kur Ishulli dukej si i hedhur rastësisht në det. Pikërisht në një muzg të tillë mësoi (njerëzit kishin filluar t’i afroheshin Filoktetit, duke mos u bezdisur dhe aq nga plaga e tij) se shokët atje pranë mureve të Trojës nuk i kishin punët hiç mirë. Jo pak prej tyre qenë vrarë në luftë. Tamam atëherë u kujtua për harkun e tij me shigjetat e helamtisura (i kishte fshehur para shumë kohësh në një shpellë të sigurt, vendndodhjen e së cilës e dinte vetëm ai) dhe në çast provoi brenda vetes do ndiesi kurrë të njohura më parë. Ndoshta, grekët nuk fitonin ngaqë në radhët e tyre mungonte ai, Filokteti. Ai me harkun dhe me shigjetat e tija të helmatisura. Po, po, kështu duhej të ishte me siguri. Shokët dhe miqtë e tij të dikurshëm kishin nevojë për shigjetat e helmatisura. Që të triumfonin mbi armikun. Tamam atëherë Filokteti u ndie si i lindur rishtas dhe, për herë të parë pas pesë vjetësh, iu rikthye dëshira për jetë. Domethënë ai prapë i duhej dikujt. Ai me shigjetat e tij të helmatisura. Kur kishte kujtuar se tashmë vlente vetëm si ushqim për krimbat. Po atë ditë shkoi në shpellën ku kishte fshehur harkun me shigjetat. Ndërsa ngjitej, gjunjët iu drodhën nga emocionet, çka e lumturoi pa masë Filoktetin: pa dyshim se po rikthehej plotësisht në jetë, përderisa ishte në gjëndje të përjetonte ndiesi të tilla njerëzore. Pranë harkut u ndal. Kishte pesë vjet pa e përkëdhelur me duar dhe me shikime. Sytë iu veshën nga një perde malli, kurse zemra nisi t’i rrihte si e çmendur. U kujtua se ndiesi të tilla s’kishte provuar as para Helenës së bukur. Po atë ditë i pastroi harkun dhe shigjetat nga barërat e myshqet dhe u gjeti një vend më të sigurt e më të thatë. Për plagën e tij as që pati kohë të kujtohej. Mandej u ndie i uritur. Ushqimi i shijoi si asnjëherë tjetër. Mandej i erdhi gjumë. Fjeti më mirë se kurrë. Në ditët që erdhën mendonte gjithnjë e më rrallë për plagën e tij. Edhe vetmia nuk e mundonte si më parë. Lajmet që vinin nga Troja e ngazëllenin jo pak: grekët, domethënë shokët dhe miqtë që dikur e kishin braktisur, vazhdonin ta mbanin të rrethuar qytetin, por pa arritur ta pushtonin atë. "Pa armët e mia as që keni për ta pushtuar ndonjëherë!", thëriste me sa kishte zë Filokteti dhe një dritëz e ligë, kurrë e ndezur më parë, ndriçonte në syrin e tij të majtë. "Më kot luftoni, miqtë e mi. Asgjë s’keni për të arritur pa shigjetat e mia të helmatisura. Lini mënjanë fodullëkun tuaj të shtirur dhe ejani më bini në gjunjë, më kërkoni ndjesë. Unë do t’iu falë. Nuk do të tregohem mosmirënjohës, si ju dikur me mua". Dhe Filokteti priste. Me ditë. Me javë. Me muaj. Me vite. I bindur se një ditë, ndonjëri prej miqve të dikurshëm do të vinte dhe do t’i kërkonte harkun me shigjetat e helmatisura. (Me siguri, ushtarë të thjeshtë do të ishin. Megjithëse Filokteti guxonte të ëndërronte se mund të ishte edhe ndonjë prej drejtuesve. Më tej, as ëndrra nuk guxonte). Pritja nuk e lodhi Filoktetin. Përkundrazi: e mbajti gjallë. Tamam në vitin e dhjetë erdhën në Ishull - kush thoni ju? - vetë Odiseu me Diomendin dhe i kërkuan Filoktetit harkun me shigjetat e helmatisura. Na paralajmëroi orakulli, thanë ata të dy njëherësh. Kokat i mbanin përtokë. Filokteti bëri sikur i besoi, mandej mbylli sytë dhe shijoi si i dehur magjinë e atyre çasteve. Ia kishte vlejtur gjithë ajo pritje. Mandej të tre u nisën për në Trojë. Plaga e Filoktetit qe shëruar plotësisht. Kurse Podaliu dhe Makaoni, bijtë e Asklepit të famshëm, vetëm sa e pastruan atë.
|
|
|
|