Letërsia Shqiptare

Dhjete Parabola - 8
E marte, 19-06-2007, 10:04pm (GMT)

8. RINGJALLJA E OSIRISIT

Në të gdhirë, kur rrezet e para të diellit binin si heshta të argjendta mbi mbulesën e zezë të shtratit mbretëror, erdhën dhe i thanë Isidës se burrin e saj, Osirisin, e kishin vrarë. Në fillim, hyjnesha e Egjiptit pati ndiesinë se po vazhdonte të shihte ëndrrën e nisur qyshkur, ndaj dhe u rrotullua symbyllur në krahun tjetër; por më pas, kur lajmi i kobshëm u përsërit edhe dy - tri herë të tjera dhe kur njëra prej heshtave të argjendta ia çeli thuajse me zor syrin e majtë, ajo u bind se tashmë qe shkëputur nga mbretëria e magjishme e ëndrrës dhe sapo kishte kaluar në tjetrën, në atë të ashprën e banalen, në mbretërinë e reales. Isida kuptoi gjithçka dhe ia dha virrmës. Mandej, me thonjtë e gjatë dhe me majë, çorri gjithë teshat e trupit. Ashtu lakuriq, u hodh nga shtrati dhe kërkoi t’ia sillnin lajmëtarin që qe zhdukur sapo kishte dëgjuar virrmën e padrones së tij. E gjetën shpejt (qe strukur në njëren prej kthinave të shumta të pallatit) dhe ia sollën. Gjunjtë i dridheshin nga pesha e lajmit që kishte sjellë. Në fillim, Isida pati urrejte për të dhe për pak do t’u kishte thënë ushtarëve të saj që ta copëtonin menjëherë, por më pas ndjeu mëshirë dhe pyeti:
"Kush e vrau mbretin, burrin tim?"
"Vëllai i tij, Set Tifoni", më shumë bëlbëzoi se foli lajmëtari. Isida futi gishtërinjtë mes flokëve dhe i shkuli ato. Rojet u drodhën. Lajmëtari qe bërë i verdhë, meit. Priste dënimin e tij duke provuar brenda vetes një ndiesi të vagullt e të papërcaktuar faji. Por Isida vetëm se pyeti përsëri:
"Ku ndodhet kufoma e burrit tim?"
"Nuk e di askush, zonja ime", guxoi të përgjigjej lajmëtari.
"Flitet se mizori e ka prerë trupin e tij copa - copa dhe e ka hedhur në Nil", guxoi të shtonte njëri prej rojeve.
Isida ia dha virrmës përsëri dhe doli jashtë pallatit mbretëror. Askush nuk guxoi ta ndiqte pas. Kur as ajo vetë nuk e kishte kërkuar një diçka të tillë.
Isida brodhi dhe kërkoi për shumë kohë nëpër mbarë Egjiptin. Atëherë kur i kishte humbur shpresat, i gjeti brigjeve të Nilit copat e shpërndara të kufomës së burrit të saj. Bashkimi i tyre nuk qe i vështirë për një hyjneshë si ajo.
Kurse ringjallja e Osirisit - po!
"Pashë dashurinë që kemi patur bashkë, bëju i gjallë!", i tha Isida kufomës që shtrihej para këmbëve të saja. Peshqit e panumurt të Nilit i kishin bërë copë e çikë rrobat e stolisura të mbretit.
"Pashë punët e mira që kemi bërë së bashku, bëju i gjallë!", i tha Isida kufomës. Fytyra e mbretit kishte ngjyrën e dheut.
"Pashë punët e mira që do të bëjmë së bashku, bëju i gjallë!", i tha Isida kufomës. Me zë të bjerrur kësaj radhe. Ndihej jo mirë dhe me shpresa të lodhura: burri i saj tashmë i përkiste më shumë botës tjetër. Befas një ide i feksi në tru. Hyjnesha Isidë u çel në fytyrë, mandej u ul në gjunjë krejt pranë kufomës dhe tha:
"Pashë hakmarrjen tënde dhe timen bashkë, bëju i gjallë! Ka qenë Seti, vëllai yt bastard, ai që të ka vrarë e masakruar".
Ashtu siç priste dhe shpresonte Isida, mrekullia ndodhi pas lutjes së fundit: fytyra e burrit të saj ndërroi ngjyrë dhe gjymtyrët i lëvizën paksa. Isida ra me të shpejtë mbi të. Në fillim ia ngrohu dhe ia çeli me një puthje buzët e tij të ftohta e të mbyllura, mandej ia hoqi ato pak lecka që i kishin mbetur dhe e shtrëngoi fort pas vetes.
Ashtu siç priste dhe shpresonte Isida, pas nëntë muajsh lindi një djalë, Horin, i cili me t’u rritur do t’ia merrte hakun të atit.



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.