10. ZANAT
Zanat sapo kanë dalë nga Burimi i Kulluar. Një hënë e bardhë, ngecur si çerdhe zogjësh mes degëve të pishës, i sheh trishtueshëm. Kurse Zanat këndojnë dhe llastohen. Nën një muzg të butë, endur e varur majë maleve si pëlhurë e hirtë. Zanat qeshin. Ujërat u kullojnë nga flokët e gjatë e të lëshuar dhe prej dritës së hënës trupat e tyre të zhveshur duken si të ngjyer me argjend. Janë krejt lakuriq. Siç i kanë bërë Nënat (apo Nëna?) dikur. Këndojnë Zanat nëpër muzg. Krejt lakuriq. Pa u druajtur se mund t’i shohë ndokush. Për mburojë kanë vetë shikimet e tyre. Që vrasin dhe shitojnë. E dëshmojnë gurët aty pranë. Dikur ishin shtegtarë. Që harruan të kolliteshin. Domethënë të paralajmëronin. Ose bënë sikur harruan. Domethënë nuk i rezistuan ngasjes për të parë (një herë, vetëm një herë!) Zanat lakuriq.
Tashti janë thjesht gurë. Në madhësinë e një njeriu të zakonshëm dhe të zhveshur nga bimësitë. Asgjë nuk gjallon në to e pranë tyre. Në të rrallë ndonjë akrep. Ose ndonjë hardhucë që shullahet në diell. Vetëm Zanat fshihen pas tyre, kur luajnë ku - kë. Edhe flokët e gjatë e të njomur mbi ta i nderin dhe i thajnë.
Zanat i llastohen muzgut. Krejt lakuriq. Muzgut dhe njëra - tjetrës. Janë më të bukura se kurrë në muzg. Dhe pak e muzgu do thuret më dendur. Do të bjerë mbrëmja. Që do mbulojë e fshehë gjithçka. Edhe bukuritë e Zanave. Ndaj dhe ato nxitojnë. Hedhin vallen e fundit për sot. Mbledhin lulet e fundit. Këndojnë këngën e fundit. Tamam atëherë njëra prej tyre (ndoshta më e vogla) bëri pyetjen e çuditshme:
"Cila prej nesh është më e bukura?"
Zanat shtangen. Thua se një turmë shtegtarësh qe shfaqur krejt papritur para tyre. Të gjitha. Edhe ajo që kishte pyetur. Shtangen dhe i lënë lodrat. Asnjëra s’e kishte çuar këtë pyetje nëpër mend ndonjëherë. Qenë mjaftuar me faktin se ishin aq të bukura sa i kthenin të tjerët në gurë. Të bukura. Të gjitha të bukura. Pa e vrarë mendjen se cila ishte mbi shoqet. Zanat heshtin. Shohin me vërejtje njëra - tjetrën. Si kurrë më parë. Krejt lakuriq janë.
"Cila prej nesh është më e bukura?"
Pyetjen, kësaj radhe, e ka bërë një tjetër Zanë, jo ajo e para.
"Unë!", përgjigjen të gjitha njëherësh, duke ia drejtuar gishtin tregues njëra - tjetrës. Mandej shihen sy ndër sy dhe qeshin me zë të lartë. Aq sa muzgu shprishet disi. Tamam atëherë njëra prej tyre (ndoshta më e madhja) bëri konstatimin e çuditshëm:
"Nuk mund ta çmojmë ne vetë bukurinë tonë. Duhet një tjetër. Dikush jashtë nesh".
Të gjitha Zanat njëherësh kujtohen për shtegtarët.
Shtegtarët kalojnë andej përnatë.
Përnatë shtohen gurë të rinj.