Pas asaj harrese fatale kur Bija e Natës, Erida, nuk u ftua në dasmën e Tetidës me Peleun (ndodheshin tërë hyjnitë dhe hyjneshat), dhe kur ajo për t´u hakmarrë hodhi mes të të ftuarve një mollë të artë me fjalët përsipër "më të bukurës", mbishkrim që bëri të lindë sherri mes Herës, Afërditës dhe Atenës, ngaqë secila prej tyre e çmonte veten të denjë për ta merituar mollën; pas gjithë këtyre travajeve pra, Zeusi që u ndodh më ngusht se asnjëherë tjetër në jetën e tij prej Sovrani të Plotfuqishëm, mendoi (d.m.th. edhe vendosi, edhe urdhëroi) se një ngatërresë të tillë mund dhe duhej ta zgjidhte vetëm bukuroshi Parid.
Këmbëshpejti Hermes i shoqëroi menjëherë të tri hyjneshat për në malin Ida, aty ku ndodhej Paridi, që qe rritur prej barinjëve, mes të cilëve edhe jetonte prej shumë e shumë kohësh.
Tri hyjneshat e bukura, të mënçura e dinake u vendosën përballë djaloshit të padjallëzuar, i cili s´mund të mburrej se e njihte dhe aq natyrën femërore, megjithë përvojën që kishte me nimfën Enomë. Zgjedhja nuk qe aspak e lehtë për Paridin: të tria bukuritë qenë të përsosura dhe ishte e vështirë (në mos e pamundur) të veçoje njëren mbi dy të tjerat; aq më tepër kur ai ndodhej krejt i vetëm: Hermesi kushedi ku bridhte tashti, ndërsa miqtë e tij, barinjtë, do të ishin të tepërt aty.
Koha kalonte. Paridi po djerësinte. Kurse hyjneshat e kuptuan se bukuria e tyre tashmë nuk u hynte dhe aq në punë, duhej zgjedhur një armë tjetër. I duheshin bërë premtime konkrete djaloshit të pavendosur. Vetëm kështu mund ta bënin për vete atë.
"Eshtë djalë mbreti dhe pa dyshim që mbi gjithçka çmon pushtetin", i tha Hera vetes, kurse Paridit:
- Nëse ma jep mua mollën e artë, të premtoj sundimin mbi gjithë Azinë.
Paridi heshti.
"Eshtë i fortë dhe pa dyshim që mbi gjithçka çmon famën dhe lavdinë", i tha Atena vetes, kurse Paridit:
- Nëse ma jep mua mollën e artë, të premtoj famën e një heroi.
Paridi heshti.
"Eshtë i ri, i bukur dhe i rritur mes barinjësh", i tha Afërdita vetes, kurse Paridit:
- Nëse ma jep mua mollën e artë, të premtoj Helenën, gruan më të bukur në botë.
Paridi u kujtua në çast se Helena e bukur ishte gruaja e një tjetri, megjithatë bëri një hap para dhe ia dha mollën e artë Afërditës.