Perrallat e Muzgut - Ne burg
E marte, 19-06-2007, 10:14pm (GMT)
Kishte kaluar shumë kohë që nga dita e parë e dënimit dhe Akrestit, filozofit të njohur nga Argosi, as që i kujtohej tashmë faji për të cilin ndodhej i mbyllur brenda kësaj qelie të lagësht e të errët. Kohën e dënimit po, atë e mbante mend shumë mirë: njëzet vjet duhej të rrinte në burg; deri më tash kishte bërë dhjet vjet, d.m.th. gjysmën.
Akrestin vinin ta shihnin (të dielave të fundit të çdo muaji, pasdreke) fare pak njerëz. Në muajt e parë të dënimit kishin qenë shumë. Më pas qenë rralluar. Kurse tashti kishte raste kur nuk vinte askush. Ishte e qartë: miqtë e shumtë atje jashtë e kishin braktisur thuajse të gjithë. Dy ishin shkaqet e kësaj braktisjeje sipas filozofit Akrest:
Së pari, kushdo që rraset brenda në burg (pavarësisht nga natyra e fajit) humbet jo pak nga besimi, dashuria dhe respekti i të tjerëve atje jashtë.
Së dyti, Akresti i kishte pritur miqtë e tij vizitorë (të dielave të fundit të çdo muaji, pasdreke) gjithnjë e më ftohtë, gjithnjë e më i painteresuar, pa qenë i aftë të sillej me ta si përherë; gjithnjë e më shpesh i kishte parë ata me dyshim, si të vinin nga një botë tjetër me të cilën ai i kishte këputur tashmë lidhjet.
Por ishte edhe një arsye e tretë (që i kishte bërë të largoheshin veçanërisht adhuruesit e rinj të filozofit), të cilën Akresti guxonte t´ia pohonte vetes në të rrallë, sidomos muzgjeve me hënë kur qelia bëhej më e ngushtë se kurrë. Lidhej me qëndrimin dhe sjelljen e tij në burg. Qëndrim që dihej prej të gjithëve, sepse Akresti s´qe përpjekur aspak ta fshihte atë.
Filozofi i njohur kishte bjerrur në burg çdo cilësi të vyer për të cilat qe çmuar aq shumë atje jashtë, duke i befasuar jo pak miqtë e tij të shumtë të cilët, si qenë mburrur se e njihnin mikun e tyre më mirë se veten, kishin vënë baste për të kundërtën.
Por Akresti i kishte zhgënjyer të gjithë; kuptohet, përveç vetes.
Ai nuk ishte më i ndershëm: që natë e parë kishte fjetur me rojen e tij, duke i kërkuar si shpërblim ta linte të shihte perëndimin e diellit muzg për muzg.
Ai nuk lexonte më: shtrihej në dyshemenë e ftohtë të qelisë së tij dhe për orë e orë të tëra vëzhgonte me vëmendje insektet dhe njollat e lagështirës nëpër mure.
Ai nuk ishte më i besës: që ditën e parë kishte paditur njërin prej shokëve, duke marrë si shpërblim një racion bukë më tepër.
Kur një ditë (e diela e fundit e vitit të dhjetë të dënimit, pasdreke) njëri prej miqëve të rrallë që kishte ardhur për vizitë kishte guxuar dhe ia kishte përmendur të gjitha këto, Akresti qe përgjigjur atypëraty, thua së për dhjetë vjet burg nuk kishte pritur gjë tjetër veçse atë pyetje:
"Karakteri? Librat? Nderi? Përralla janë në burg. Ato kanë kuptim vetëm në liri. Në burg është e rëndësishme që të mbijetosh. Që të dalësh një ditë dhe të hakmerresh me të gjithë ata që të dënuan. Kuptove, miku im?"
Miku kishte tundur kokën mosbesues: ishte i ri dhe ende në jetën e tij nuk kishte provuar kurrfarë burgu.
|