Letërsia Shqiptare

Perrallat e Muzgut - Trillimet e Nauplit
E marte, 19-06-2007, 10:15pm (GMT)

Naupli, mbreti plak, po e vuan jo pak vrasjen barbare (me gurë, si qentë) të djalit të tij, Palamedit, pas asaj akuze të pavërtetë të dinakut e sedërliut Odise. Edhe më të mprehtë e bën këtë vuajtje fakti që gati të gjithë prijësit e komandantët grekë e besuan shpifjen në adresë të Palamedit, sipas së cilës ai i tradhtonte ata, duke i informuar për gjithçka trojanët dhe duke marrë si shpërblim pará.

"Si i harruan kaq shpejt trimëritë e Palamedit në luftë? Po këshillat e tij të vlefshme dhe përkushtimin e madh kur i shëronte nga sëmundjet dhe plagët e rënda?", pyeste Naupli terrin e zi. "Si nuk u kujtuan se Odiseu e urrente prej kohësh birin tim? Qysh atëherë kur dinaku u shtir si i çmendur që të mos merrte pjesë në luftën e Trojës, dhe ishte pikërisht Palamedi që ia zbuloi mashtrimin. Si nuk i sollën nëpër mend të gjitha këto para se të nguteshin e ta shpallnin fajtor? Po shpikjet e tij si i harruan menjëherë? Numrat. Shkronjat. Monedhat. Lojërat me kocka e me zare. Si i harruan të gjitha këto?"

Kështu fliste natë për natë me veten mbreti plak. Por mbi të gjitha, Nauplin e torturonte pamundësia për t´u hakmarrë ndaj tërë atyre që i gjykonte si fajtorë për vrasjen e të birit: qe tepër plak dhe forcat i qenë shteruar; gjithashtu, jo pak miq e të afërm ia kishin kthyer shpinën: për ta ai ishte tashmë thjesht babai i tradhtarit. Hakmarrja bëhej gjithnjë e më e vështirë dhe më e pamundur po të kihej parasysh se fajtorët ndodheshin tepër larg, rreth mureve të Trojës, dhe se në shtëpitë e tyre kishin mbetur vetëm gratë, të cilat kurrsesi s´mund të fajësoheshin e të dënoheshin për gabimet e burrave.

Në njëren prej netëve të tilla kur thuajse i kishte humbur shpresat se mund të hakmerrej ndonjëherë, Nauplit i erdhi në kokë një ide, e cila i ndenji aty deri në të zbardhur, çka do të thoshte se ajo ndryshonte prej të tjerave të përnatshme dhe se, ndoshta, ia vlente të përpiqeshe për ta zbatuar; bëhej fjalë për të përdorur po atë armë që kishte zgjedhur Odiseu dikur: shpifjen.

Po atë ditë Naupli mblodhi ata pak miqë që i kishin mbetur dhe i porositi të përhapnin gjithandej fjalët se heronjtë dhe mbretërit grekë kurvëronin me gra të huaja rreth mureve të Trojës. "Le të çoroditen familjet e tyre! Të gjitha të këqiat, mandej, vijnë pas. Nuk dua hakmarrje më të bukur se kjo", tha Naupli.

Të ftuarit e panë me dyshim mbretin plak. Por mandej, të bindur se ky mund të ishte nderi i fundit që u kërkohej prej tij, u larguan dhe ia kryen porosinë. Me të ikur ata, Naupli u tërhoq mënjanë, i mbytur në dyshimet e veta:

"Askush s´ka për ta besuar një trillim të tillë. As fëmijët. Gratë jo që jo. Do të vdes me namin e një plaku gënjeshtar".

Ndaj qe e madhe çudia e Nauplit kur mësoi që të nesërmen se Egjialea, gruaja e Diomedit, qe bërë dashnorja e Kometit; Klitemnestra, gruaja e Agamemnonit, qe hedhur në krahët e Egistit; kurse Meda, gruaja e Idomeneut, kishte nisur të flinte me Leukun.



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.