Mbreti Enoma vërente me bisht të syrit sesi vajza e tij, Hipodamia, rritej e zbukurohej dita-ditës dhe pikëllohej gjithnjë e më shumë. Megjithëse e dinte fort mirë ëndrrën e çdo prindi për të patur një fëmijë të bukur e të shëndetshëm, mbreti Enoma jo rrallë e kishte kapur veten duke menduar e dëshiruar për të kundërtën. Dhe kjo thjesht sepse Hipodamia nuk kishte shoqe në Elidë. Bukuria e saj ishte përtej së bukurës. Një bukuri më shumë hyjnore sesa njerëzore. Një përsosmëri e tillë pa asnjë të metë sjell vetëm telashe e kob, i thoshte shpesh vetes mbreti Enoma. Një cen sado të vogël të kishte. Një sy të vëngër, për shembull. Apo hundën të madhe. Ose njëren gjymtyrë më të shkurtër se tjetrën, për shembull.
Por Hipodamia rritej e zbukurohej dita-ditës. Edhe sjelljet i kishte të matura, të denja për bukurinë e saj. Në karakter të çalonte të paktën, i thoshte vetes Enomai.
"Një bukuri e tillë shpejt ka për ta mohuar krijuesin e saj", thoshte gaztori i pallatit dhe menjëherë largohej me vrap, duke iu trembur zemërimit të mbretit Enoma, i cili e kishte paralajmëruar jo rrallëherë se një palaço nuk mbahet për të thënë gjëra të dyshimta e të pakuptimta, por thjesht për t´i bërë të tjerët të qeshin me budallëlleqe sa më të lehta.
Por mbreti Enoma, në ndryshim prej herëve të tjera, asqë e kishte ndër mend ta dënonte gaztorin. Përkundrazi, mendonte se do ishte më mirë që atë ta emëronte këshilltarin e tij personal. Ndërsa këshilltarin-gaztor.
Hipodamia zbukurohej edhe më. Për të tashmë fliste mbarë Elida.
"Mbretin tim nuk e tremb pleqëria e vet, por bukuria e së bijës", thoshte gaztori i pallatit dhe nuk largohej më me vrap, thuajse i bindur se raportet e tij me mbretin Enoma nuk ishin ato të parat. Ndërkohë, mbreti Enoma sapo qe paralajmëruar prej orakullit të tij se ai do të vdiste pikërisht ditën kur e bija do të martohej. Dhe ajo ditë nuk dukej e largët. Hipodamia kishte çelur e tëra dhe pretenduesit që kërkonin dorën e saj, kishin filluar të trokisnin. I pari i ndrojtur. Të tjerët më me guxim. Në fillim mbreti Enoma i kishte larguar ata, duke thënë se vajza e tij ishte e vogël, ende e papërgatitur për martesë. Por më pas, kur Hipodamia qe shfaqur nëpër rrugët e Elidës (në kundërshtim me porositë e të atit), një justifikim i tillë kishte rënë menjëherë. Duhej menduar diçka tjetër. Atëherë mbreti Enoma ishte kujtuar për gaztorin. E kishte thirur dhe i kishte kërkuar mendim. Gaztori qe fryrë e krekosur dhe kishte thënë:
"Ftoji pretenduesit në gara me qerre. Kushtet le te jenë të tilla: fitimtari të martohet me Hipodaminë, kurse i munduri të vritet. Dhe, natyrisht, fitimtarë prej pretenduesve nuk do të ketë. Askush deri më sot, mbreti im, nuk të ka mundur në garat me qerre. Vetëm të humbur do të ketë. Kështu do t´i vrasësh pretenduesit. Ditë për ditë. Derisa të shuhen të gjithë".
Mbreti pranoi dhe, më pas, ndodhi ajo që pritej: pretenduesit (asqë e merrnin në sy rrezikun kur kujtoheshin për Hipodaminë e bukur) paraqiteshin në garë dhe humbisnin; në përfundim të garës Enomai i ndiqte me shpatë në dorë dhe i vriste. Trembëdhjetë pretendues (ndër djemtë më të bukur e më të fuqishëm të Elidës) u vranë nga mbreti që kurrë s´qe përmendur për shpirt mizor e hakmarrës. (Prandaj dhe në të trembëdhjetë fytyrat e masakruara lexohej një shprehje e përbashkët hutimi e çudie).
Për një farë kohe nuk trokitën më pretendues për dorën e Hipodamisë. Mbreti Enoma po jetonte ditë të qeta: ndihej më mirë se kurrë dhe paralajmërimin e orakullit thuajse e kishte harruar. Kurse gaztori i dikurshëm tani qe bërë këshilltar. Vetëm Hipodamia ndihej e humbur. Rrinte mbyllur brenda dhomës së saj dhe përmes perdeve të holla shikonte me lakmi djemtë e bukur e të fuqishëm, që kalonin indiferentë para pallatit. Netëve bënte gjumë të trazuar dhe shihte përherë të njëjtën ëndërr: të atin që rrëzohej nga qerrja. (Tamam në këtë çast zgjohej e mbytur në djersë, pa e marrë vesh nëse vdiste apo shpëtonte mbreti Enoma).
Atëherë kur s´pritej, trokiti në pallat pretenduesi i katërmbëdhjetë. Ishte Pelopi, biri i Tentalit. E kishte parë Hipodaminë krejt rastësisht rrugëve (në një prej ditëve të rralla kur ajo kishte dalë jashtë dhomës së saj) dhe në çast kishte vendosur të martohej me të, megjithëse qe vënë në dijeni për fatin e të trembëdhjetve.
Mbreti Enoma, megjithë parandjenjën e turbullt që i rëndonte në gjoks, u paraqit dinjitoz para pretenduesit të ri dhe ia parashtroi edhe atij si të tjerëve kushtet e garës. Pelopi që bluante të tjera gjëra në mendje, pranoi pa dëgjuar asgjë nga ato që kishte thënë Enomai. Në të dalë, u takua tinëzisht me karrocierin e mbretit, Mirtilin.
"Të jap gjysmën e mbretërisë, nëse më ndihmon ta mundë mbretin tënd", i tha Pelopi atij.
"Nuk mundem. Nuk di se si", tha Mirtili duke u dridhur nga ndiestë e kundërta që e kapërthyen të tërin.
"Gjysmën e mbretërisë", përsëriti Pelopi dhe u largua.
Të nesërmen, me të filluar gara, mbreti Enoma do të rrëzohej nga qerrja e tij dhe do të vdiste. (Kishte qenë Mirtili ai që kishte prishur njërën prej rrotave të qerres).
Pas pak kohësh edhe vetë Mirtili do të vritej prej Pelopit, që s´kishte ndër mend ta ndante me kend tjetër mbretërinë e fituar.
Porse Mirtili do të mirrte me vete në varr edhe një të fshehtë: kishte qenë Hipodamia e bukur dhe e virtytshme që ia kishte sugjeruar prishjen e rrotës.